MIA Flesh
- Shkup - Rritja e PBB-së prej 3,8 për qind në kuartalin e tretë të vitit, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, është tregues se periudha e konsolidimit ka përfunduar dhe se ekonomia po shkon mirë. Në një deklaratë për mediat të dhënë para fillimit të kongresit të sotëm partiak të VMRO-DPMNE-së, Mickoski tha se kjo i jep fund të gjitha gënjeshtrave të opozitës të plasuara në periudhën e fundit.
15:00/ 6 dhjetor/ 2025
Shkup - Rritja e PBB-së prej 3,8 për qind në kuartalin e tretë të vitit, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, është tregues se periudha e konsolidimit ka përfunduar dhe se ekonomia po shkon mirë. Në një deklaratë për mediat të dhënë para fillimit të kongresit të sotëm partiak të VMRO-DPMNE-së, Mickoski tha se kjo i jep fund të gjitha gënjeshtrave të opozitës të plasuara në periudhën e fundit.
Shkup - Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili është edhe kryetar aktual i Qeverisë, sot para fillimit të kongresit partiak në Kavadar tha se pret të miratohen disa dokumente strategjike të Kongresit dhe të vazhdojnë me punë në interes të qytetarëve. "Pres që të miratohen disa dokumente strategjike mes të cilave edhe udhërrëfyesi për vitet që janë para nesh, politikat dhe vizioni që si parti dhe si Qeveri do t'i përfaqësojmë në vitet në vijim. Pres një atmosferë festive pas fitores së madhe dhe historike në zgjedhjet lokale dhe në atë frymë pres të vazhdojmë të funksionojmë dhe të punojmë më tutje. Motivi ynë kryesor dhe inspirimi janë interesat e qytetarëve, kështu ka qenë deri më tani, dhe kështu do të jetë edhe tani e tutje", tha Mickoski.
Shkup - Në Kavadar sot në Kongresin e 18-të të VMRO-DPMNE-së pritet të rizgjedhet Hristijan Mickoski për udhëheqës të partisë, i cili është edhe kandidati i vetëm për këtë funksion. Në Kongresin nën moton "Vizion që ndërton shtet - Për brezat e ardhshëm 2030", pritet të marrin pjesë 2.600 persona, nga të cilët 850-860 delegatë dhe 1700-1800 mysafirë dhe në të duhet të miratohet "Strategjia Maqedonia 2030".
Kavadar - Në Kavadar filloi Kongresi i 18-të i VMRO-DPMNE-së. Kongresin të hapur e shpalli sekretari i përgjithshëm i partisë dhe deputet Gjorgjija Sajkoski. Ai i kumtoi emrat e Komisionit të Verifikimit i cili duhet ta konfirmojë numrin e delegatëve të Kongresit. Në përbërjen e tij janë Blagoja Tashaminov, kryetar dhe anëtarët Vladimir Gjorçe, Olga Lozanovska, Sasho Donev dhe Bllagica Lasovska.
Kavadar - Nëse kemi mësuar diçka në të gjitha këto vite, është se Maqedonia nuk bie kur është vështirë - ajo bie kur dorëzohet. Sot refuzojmë të dorëzohemi. Refuzojmë të pranojmë idenë se një shtet i vogël duhet të ketë ambicie të vogla. Refuzojmë të besojmë se fëmijët tanë duhet të shkojnë jashtë vendit për të pasur sukses. Refuzojmë të pranojmë historinë se Maqedonia është shumë e vogël për gjëra të mëdha, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili është edhe kryetar aktual i Qeverisë.
Kavadar - Në fjalimin e tij në kongresin e 18-të të partisë, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, prezantoi dokumentin që përfaqëson kapitullin e ri - Strategjia Maqedonia 2030, e shoqëruar me një paradigmë të re, Kodeksin Ideologjik të partisë dhe një marrëveshje me qytetarët. Një vizion që, siç tha ai, duhet të ndërtojë shtetin për brezin e ardhshëm.
Kavadar - Periudha 2025–2030 është një udhëkryq strategjik për shtetin. Në një botë me balanca të ndryshuara gjeopolitike, modele të reja ekonomike dhe standarde demokratike të evoluara, Maqedonia mund të përparojë vetëm nëse ka një forcë politike që udhëheq me një vizion të qartë dhe një ndjenjë të momentit historik. VMRO-DPMNE-ja, si bartësja më e madhe e shtetësisë, e merr këtë rol me vetëdije të plotë për përgjegjësinë që sjell çdo hap i ardhshëm. Partia hyn në dekadën e re me bindjen se pjekuria politike nuk matet me retorikë, por me aftësinë për të hartuar një kurs që e mbron shtetin sot dhe e forcon atë për nesër, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij në fillim të kongresit të 18-të të partisë.
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, do të marrë pjesë në Forumin e Dohas 2025, që do të mbahet nga 5 deri më 8 dhjetor 2025 në Doha, Katar. Siç informojnë nga shërbimi për media i Kuvendit tema e forumit të këtij viti është "Drejtësia në veprim: Më shumë se një premtim i progresit".
Shkup - Në lidhje me shkrimet në disa media britanike dhe reagimet në vend për hapjen e supozuar të kampeve të emigrantëve, Ambasada Britanike publikoi një status në rrjetet sociale duke treguar se të dy vendet kanë krijuar një Partneritet Strategjik të fokusuar në një kornizë afatgjatë politike, ekonomike dhe sigurie të hartuar për të thelluar bashkëpunimin dhe për të forcuar stabilitetin dhe prosperitetin në të dy vendet.
Shkup - Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se Klinika e Ortopedisë kreu me sukses dy transplante kockash nga një dhurues i ndjerë te pacientë pediatrikë. Operacioni i parë u krye tek një vajzë 14-vjeçare me një anomalitet të lindur të këmbës. U arrit një korrigjim i qëndrueshëm dhe pacientja u rikthye në aktivitetet e zakonshme. Operacionin e udhëhoqën shk. bashk. dr. Nenad Atanasov dhe as. dr. Milena Bogojevska Doksevska, me një ekip që përfshinte dr. Danica Popovska, dr. Armin Amedovski, dr. Rijad Ajro, anesteziologen dr. Liljana Andjeleska, anestezisten Gordana Zaharieva, instrumentaret Biljana Trojanoviç dhe Suzana Pejçinovska, teknik radiologjik Kreshnik Shehu dhe infermieren Irena Galevska. Operacioni i dytë u krye tek një djalë 13-vjeçar me deformitet të përsëritur të këmbës. Nga Ministria informojnë se pacienti u shkrua nga spitali në gjendje të mirë dhe pritet të fillojë rehabilitimin.
Tetovë - Në Fakultetin e Shkencave Teknologjike dhe Teknike pranë Universitetit të Tetovës sot u mbajt Gara e 5-të ndërkombëtare për cilësinë e mjaltit. Organizatorët njoftojnë se Komisioni Ndërkombëtar Organoleptik do t'i analizojë strishot e mjaltit nga garuesit - gjithsej 200 bletarë nga 15 shtete. "Kjo ngjarje është rezultat i bashkëpunimit të shoqatave udhëheqëse të bletarëve nga rajoni, me një mision të përbashkët - promovimi i cilësisë, autenticiteti dhe inovacioni në produktet e bletëve, si dhe përforcimi i bashkëpunimit profesional mes bletarëve të Ballkanit", informojnë organizatorët e ngjarjes.
Shkup - Vendkalimi kufitar Evzoni sot sërish do të mbyllet për të gjitha llojet e automjeteve për shkak të grevës së fermerëve grek. Siç informon Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë, vendkalimi kufitar do të jetë i mbyllur nga ora 10 deri në 14 dhe nga ora 18 deri në 22.
Prishtinë - Misioni i KFOR-it në Kosovë njoftoi mbrëmë se ka rritur praninë dhe patrullimet e tij në të gjithë krahinën jugore, si pjesë e trajnimit të rregullt të njësive të KFOR-it. "Kjo tregon gatishmërinë e KFOR-it për t'iu përgjigjur të gjitha ngjarjeve relevante të sigurisë që mund të ndikojnë në sigurinë në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin rajonal", thuhet në kumtesë.
Sarajevë - NATO me kujdes i ndjek përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në proceset e brendshme në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, deklaroi për FENA-n zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska. Ajo theksoi se aktivitete të tilla përfaqësojnë një "model tipik rus të veprimit" që është pjesë e arsenalit të tyre hibrid. "Shumë me kujdes i ndjekim përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në proceset e brendshme dhe rajonale. Kemi parë se si aktivitetet hibride ruse po përpiqen të krijojnë përçarje, të përdorin një pjesë të retorikës secesioniste dhe të krijojnë përçarje shtesë në shoqëritë tona dhe në rajon. Ne po e ndjekim këtë", paralajmëroi Shekerinska.
Vjenë - Sarkofagu mbrojtës në centralin bërthamor të Çernobilit në Ukrainë, i ndërtuar për të mbajtur materiale radioaktive pas katastrofës së vitit 1986, nuk mund të kryejë më funksionin e tij kryesor të sigurisë për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga një dron, kumtoi agjencia bërthamore e KB-së. Ukraina ka fajësuar Rusinë për sulmin. Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) kumtoi se inspektimi është kryer javën e kaluar në strukturën mbrojtëse të çelikut, të përfunduar në vitin 2019, konfirmoi se sulmet me dronë në shkurt, tre vjet pas fillimit të konfliktit rus në Ukrainë, e kanë dëmtuar sarkofagun.
Bruksel - Brenga e Belgjikës në lidhje me shfrytëzimin e fondeve të ngrira ruse për pagesën e "huasë së reparacioneve" për mbështetje të Ukrainës është e pamohueshme dhe rreziku i këtij plani duhet të ndahet, porositën mbrëmë në deklaratën e përbashkët kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kancelari gjerman Fridrih Merc pas takimit me kryeministrin belg Bart de Vever në Bruksel.
Budapest - Kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi se Bashkimi Evropian "po mbytet në korrupsion", duke e komentuar hetimin për gjoja keqpërdorime në projektin e financuar ngs BE-ja për trajnimin e diplomatëve të rinj. "BE-ja po mbytet në korrupsion. Komisarët po përballen me akuza serioze, Komisioni dhe Parlamenti janë përfshirë me skandale, ndërsa Brukseli edhe më tutje mban leksione morali", shënoi Orban në rrjetin social Iks.
Majami - I dërguari special i presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, Stiv Vitkof mbajti biseda produktive me negociuesin e lartë nga Ukraina, Rustem Umerov, në Majami të Floridës, kumtoi përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë. Personat zyrtarë planifikojnë sërish të takohen më vonë sot.
Uashington - Gjykata Supreme e SHBA-së njoftoi se do të shqyrtojë ligjshmërinë e urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Tramp që synon heqjen e të drejtës së shtetësisë pas lindjes, e cila automatikisht i jep shtetësi kujtdo që lind në territorin e SHBA-së. Plani, i lëshuar në fillim të mandatit të dytë të Trampit, është pjesa e parë e axhendës së tij të imigracionit që shqyrtohet nga Gjykata Supreme mbi baza ligjore thelbësore, raportoi Si-Bi-Es. Asnjë gjykatë e shkallës së parë që ka shqyrtuar kundërshtimet ligjore ndaj urdhrit nuk e ka pranuar interpretimin e administratës së Trampit të Amendamentit të 14-të. Ministria e Drejtësisë, megjithatë, argumenton se këto vendime janë të gabuara dhe se Kushtetuta nuk u jep shtetësi fëmijëve "të vizitorëve të përkohshëm ose të të huajve të paligjshëm".
Doha - Armëpushimi në Rripin e Gazës nuk mund të konsiderohet i plotë pa "tërheqjen e plotë" të forcave izraelite nga territori palestinez, deklaroi kryeministri i Katarit, vendi i të cilit po ndërmjetëson në përpjekjet për stabilizim. "Nuk mund të flasim për një armëpushim të plotë derisa forcat izraelite të tërhiqen dhe derisa nuk vendoset stabilitet në Gazë", deklaroi kryeministri i Katarit, sheih Mohamed Al Thani, në një konferencë në Doha.
Xhakarta - Shërbimi indonezia për luftë kundër katastrofave sot kumtoi se numri i viktimave nga përmbytjet dhe rrëshqitja e dheut në ishullin Sumatra ka arritur 883, ndërsa rreth 520 njerëz udhëhiqen si të zhdukur, raportoi DPA. Shërbimi, theksoi se këto të dhëna pasqyrojnë situatën në tre provinca - Açeh, Sumatra Veriore dhe Sumatra Perëdimore - të cilat janë goditur nga reshjet intensive të shiut që zgjasin me ditë. Të paktën 4.200 njerëz janë lënduar në rrëshqitjet e dheut, nga të cilët 3.500 janë banorë të fshatrave në terren të pjerrët.