15:00/26 dhjetor/2025
Shkup – Me tre kompani të huaja që kanë shprehur interesim për të investuar dhe hapur fabrika në vend kanë përfunduar negociatat, ndërsa bëhet fjalë për kapacitete në industrinë automobilistike, të teknologjisë së lartë dhe farmaceutike, theksoi sot kryeministri, Hristijan Mickoski. "Me tre tashmë kanë përfunduar negociatat dhe janë konfirmuar. Është marrë vendim me vlerë afër 110-120 milionë euro në fazën e parë, me afërsisht 1.500 vende pune kur ta arrijnë kapacitetin e plotë", ka thënë Mickoski në përgjigjen e pyetjes. Kryeministri theksoi se janë duke u zhvilluar negociata me dhjetë investitorë të tjerë të huaj. "Po negociojmë me dhjetë të tjerë - disa në energjetikë, disa në industrinë e teknologjisë së lartë, disa në industrinë automobilistike, etj. Vlerësojmë se ato do t'i shtojnë vlerë ekonomisë së vendit", nënvizoi Mickoski i cili mori pjesë në promovimin e 120 automjeteve të reja policore në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Shkup - Takim urgjent koordinues, në të cilin morën pjesë zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, Ivana Ginovska, si dhe personat përgjegjës për cilësinë e ajrit në MMJPH, sot u mbajt në ambientet e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH). Në takim ministri Muhamed Hoxha kërkoi nga drejtoresha Ginovska informacione lidhur me mbikëqyrjen e veprimtarisë së “Usje”-s, si dhe të kryhet mbikëqyrje ndaj veprimtarisë së të gjithë subjekteve të tjera juridike që posedojnë leje A të integruara, për të cilat është kompetente ministria.
Shkup – Me konferencë të organizuar sot nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Shoqata SANO u shënua fundi i gjysmëvjetorit të parë për fëmijët që ndoqën mësimin onlajnë për shkak se janë në spital ose në mjekim më të gjatë në shtëpi. Aktualisht, 35 fëmijë janë të përfshirë pasi nga 1 shtatori ligjërisht u mundësua futja e arsimit formal në institucionet shëndetësore. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska deklaroi se me përfundimin e gjysmëvjetorit të parë, "mund të themi me kënaqësi se kemi një procedurë të suksesshme dhe sistematike që mund të ishte zbatuar edhe më herët".
Shkup - Dua edhe një herë ta shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar qytetarët e Maqedonisë, sepse duke qetësuar komunikacionin në Shkup, drejtpërdrejt kontribuan në uljen e numrit të të lënduarve që trajtohen në Qendrën e Traumatologjisë, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke folur për rezultatet e projektit "Qytet i Sigurt" në promovimin e 120 automjeteve të reja policore. Toshkovski theksoi se respektimi i rregullave është përmirësuar ndjeshëm që nga fillimi i projektit "Qytet i Sigurt", që u reflektua në një ulje drastike të paralajmërimeve dhe konkretisht në një ulje të numrit të të lënduarve.
Shkup, - Qeveria do të veprojë konform kompetencave të saja për konkluzat që dje i miratoi Këshilli i Qytetit të Shkupit për dislokimin e fabrikës së çimentores USJE dhe për kontrollet e jashtëzakonshme inspektuese mbi ndotësit e mëdhenj, bëri të ditur sot kryeministri Hristijan Mickoski. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas promovimit të 120 automjeteve të reja policore për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai theksoi se vazhdimisht kryhen kontrollet e jashtëzakonshme inspektuese. "Sa i përket dislokimit, kjo nuk është problem për Qeverinë. Pra, çdo gjë që është problem për qytetarët është problem edhe për Qeverinë. Por dua të hyj në thelb dhe esenca është se ndotja është rezultat i neglizhencës ndaj qytetarëve për t'u siguruar atyre burime alternative të energjisë me të cilat të ngrohin shtëpitë e tyre gjatë sezonit të ngrohjes", tha Mickoski.
Shkup - Komisioni i Kuvendit për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme sot njëzëri pranoi propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë lidhur me përgatitjen, ndërtimin dhe funksionalizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar dhe e dërgoi zgjidhjen e propozuar ligjore për miratim në Kuvend. Sipas Krum Efremovit, drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, bëhet fjalë për një marrëveshje që rregullon çështjet teknike, financiare dhe organizative lidhur me përgatitjen, ndërtimin dhe funksionalizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar në drejtim të lidhjes së dy shteteve.
Shkup – Siguria dhe zbardhja e krimit dhe korrupsionit në shtet është prioritet i ynë si Qeveri, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme është lidhje e pathyeshme në atë proces, porositi kryeministri, Hristijan Mickoski, në promovimin e sotëm të 120 automjeteve të reja të policisë për nevojat e policisë së uniformuar. Mickoski i përgëzoi të punësuarit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministrin dhe të gjithë ata që e udhëheqin departamentin për furnizimin dhe projektin e përfunduar me sukses, duke theksuar se automjetet e reja përmirësojnë ndjeshëm lëvizshmërinë e pjesëtarëve të policisë.
Shkup - Mendoj se ky vit ka qenë i vështirë për qytetarët, por 2026-ta do të jetë edhe më i vështirë, do të ketë krizë serioze, do të ketë rritje të ndjeshme të varfërisë, deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në brifingun e sotëm me gazetarët. Sipas tij, do të pasojë një vit ku do të duhet të marrim së paku 2 miliardë euro shtesë borxh, dhe ato borxhe, tha ai, do të jenë për shpenzime aktuale, jo për investime kapitale. "Shuma totale e parashikuar për investime kapitale është ulur në buxhetin për vitin 2026, tani shohim se ka problem me mbledhjen, me realizimin e të ardhurave, dhjetë për qind do të mungojnë. Kjo është 600 milionë euro në buxhet, nëse kjo përkeqësohet nga borxhi ndaj ekonomisë, kthimi i TVSH-së, mungojnë rreth një miliard euro në buxhet. Kjo ishte një nga arsyet pse ndoshta e mbyllin më herët, kjo nuk ka ndodhur deri tani", vlerësoi Filipçe.
Shkup – Deri më 30 nëntor të këtij viti në buxhetin shtetëror në bazë të tatimeve dhe kontributeve janë grumbulluar 3,97 miliardë euro që është më shumë për 268 milionë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tha sot drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), Elena Petrova. Siç informoi Petrova, ka rritje të të ardhurave nga tatimet për 6,5 për qind dhe rritje të kontributeve për 8,7 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Ka tendenca rritjeje krahasuar me vitin e kaluar në dhjetor, por hyrjet dhe pagesat nga llogaritë e pagesave tatimore ende po rrjedhin. Sot po përmbledhim të dhënat e djeshme, dita e tatimit të TVSH-së, dhe pas përfundimit të muajit do të kemi të dhënat përfundimtare për të gjithë vitin”, theksoi drejtoresha në deklaratë për media në Qeveri.
Shkup - Në Ministrinë për Çështje Evropiane sot u bë pranim- dorëzimi i funksionit të ministrit për Çështje Evropiane, pas vendimit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka Bekim Sali mori detyrën nga ministri i deritanishëm Orhan Murtezani. Në takim, në kuadër të pranim-dorëzimit të detyrës, u shqyrtuan aktivitetet aktuale dhe prioritetet e përcaktuara nga agjenda evropiane. Orhan Murtezani i uroi mandat të suksesshëm pasardhësit të tij, ndërkaq ministri i ri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, theksoi vendosmërinë e tij në vazhdimin e proceseve reformuese dhe avancimin e mëtejshëm në rrugën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Shkup - “Pres që ata që i japin legjitimitet Qeverisë të thonë nëse janë të kënaqur, dhe para së gjithash mësuesit, prindërit, nxënësit dhe publiku ekspert, me atë që ka bërë Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, tha ministrja Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se sa është e kënaqur me vitin 2025 në arsim. Ajo theksoi se personalisht është e kënaqur që ekipi i saj ka arritur të ecë përpara me proceset që kishin ngecur, nga të cilat, tha, deri më tani kanë pasur "efekte të vogla, të ngadalta, por të sigurta" dhe pret që ato të bëhen më të dukshme në të ardhmen.
Shkup - Të gjithë rezidentët fiskalë në vendin e tyre duhet të deklarojnë dhe të tatimojnë të gjithë të ardhurat e tyre të fituara në vendet e tjera, tha sot drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP), Elena Petrova. Sipas saj, aspak nuk bëhet fjalë për tatim retroaktiv, as për mbulimin e gjendjeve si mungesë të parave në buxhet, por për sigurimin e një tatimi të drejtë dhe të barabartë. "Nuk bëhet fjalë as për ndonjë dispozitë të re ligjore të cilën duam ta zbatojmë në mënyrë retroaktive, por për një dispozitë ligjore që ka ekzistuar gjithmonë, që nga miratimi i Ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale dhe që më herët ka qenë e rregulluar edhe me Ligjin për tatimin personal mbi të ardhurat. Rezidentët tanë tatimorë, të Maqedonisë, këtu duhet të deklarojnë dhe të tatimojnë të gjithë të ardhurat e tyre të realizuara në vend dhe jashtë vendit", theksoi Petrova.
Shkup - Operacioni i djeshëm policor, në të cilin u gjetën dhe u sekuestruan rreth 35 ton mjete piroteknike, është provë se Ministria e Punëve të Brendshme ka hyrë me vendosmëri në luftën, veçanërisht kundër krimit të organizuar, theksoi sot ministri resor Pançe Toshkovski. Pas promovimit të 120 automjeteve të reja për policinë e Maqedonisë së Veriut në rrethin e MPB-së, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai theksoi se dërgesa të tilla të materialeve piroteknike ishin kryer me vite. Sipas informacioneve të tij fillestare, ky ishte ndoshta një nga importuesit më të mëdhenj të mjeteve të tilla të paligjshme në vend.
Shkup - Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSH) dhe Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) kryen kontrolle në institucionet private shëndetësore, gjinekologët amë, me ç'rast përcaktuan se nuk kishte asnjë parregullsi në 26 nga 49. Gjetjet kryesore treguan se parregullsitë (parregullsi të përcaktuara kolektivisht nga FSSH dhe/ose DAP) kishte vet te 23, vetëm nga FSSH te 4, vetëm nga DAP te 11 dhe nga të dyja institucionet në 9 institucione. Drejtori i përgjithshëm i Fondit, Sasho Klekovski në konferencë për shtyp informoi se FSSH ka lidhur marrëveshje me gjithsej 149 institucione shëndetësore private (ISHP) për ofrimin e kujdesit shëndetësor parësor në fushën e gjinekologjisë - gjinekologë amë.
Shkup - Norma preferenciale prej 5 për qind e TVSH-së për banesat e reja do të vlejë edhe pas 1 janarit. Këtë e parashikojnë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që u miratuan në Kuvend, konfirmojnë nga Ministria e Financave (MF). "Sipas ndryshimeve të këtij ligji, afati për zbatimin e normës preferenciale prej 5% mbi qarkullimin e parë të ndërtesave të banimit dhe banesave në pjesën në të cilën ato shfrytëzohen për qëllime banimi dhe që do të kryhet brenda pesë viteve pas ndërtimit, afati do të zgjatet nga 1 janari 2026 deri më 31 dhjetor 2028", bëri të ditur MF.
Shkup - Sot është realizuar pagesa e mjeteve në vlerë prej 39.065.031 denarë, ndaj 663 prodhuesve të orizit, informoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU). Pagesa, siç thonë, ka të bëjë me mbështetjen financiare prej 6 denarëve për kilogram të harpës së orizit të dorëzuar në qendrat e blerjes, për periudhën nga 1 marsi deri më 20 shtator të vitit 2025. "Me këtë janë përfshirë të gjithë prodhuesit e dihanit nga korrja e kaluar. Qëllimi ynë mbetet përforcimi i prodhimit vendor dhe mbështetja e bujqve, theksojnë nga MBPEU.
Shkup - Vijon një periudhë e motit të qëndrueshëm, por i ftohtë, me temperatura të ulëta të mëngjesit që kudo do të jenë nën zero. Veçanërisht ftohtë do të jetë në ditët e para të javës së ardhshme, kur temperaturat do të bien deri në -10 gradë në disa vende, kumtoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Gjatë fundjavës pritet të fryjë erë e fortë deri e përforcuar veriore, që lokalisht do të arrijë shpejtësi edhe mbi 60 kilometra në orë.
Bruksel - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, nuk beson se Bashkimi Evropian duhet të jetë plotësisht i pavarur nga SHBA-të në çështjen e mbrojtjes, pavarësisht kursit aktual të administratës së presidentit amerikan Donald Tramp, raportoi DPA. SHBA-ja, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës në një intervistë të fundit për DPA-në, presin që Evropa të marrë përgjegjësi më të madhe dhe të shpenzojë më shumë para për mbrojtjen. "Jam absolutisht i bindur se SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara ndaj NATO-s. Nuk ka dyshim. Ka pasur një pritshmëri të madhe. Në fakt, ne po shpenzojmë më shumë, Evropa po merr përgjegjësi më të madhe", tha Rutte. Megjithatë, në fund, bëhet fjalë që kjo të bëhet së bashku me SHBA-në shtoi ai.
Homs – Të paktën pesë persona u vranë, ndërsa 21 janë lënduar gjatë një shpërthimi në një xhami që i takon pakicës alavite në qytetin sirian Homs, informuan mediat britanike, duke e cituar zëdhënësin e Ministrisë siriane të Shëndetësisë, Naxhib al-Nasan. Numrat janë preliminarë, që nënkupton se numri i viktimave mund të rritet, njoftuan mediat lokale. Shërbimi për informim i qytetit Homs njoftoi se bomba ka shpërthyer në xhaminë Imam Ali bin Taib. Forcat e sigurisë e rrethuan zonën.
Honolulu - Vullkani Kaleuela në Havai eruptoi në natën para krishtlindjeve me fontana lave që arrinin lartësi deri 427 metra. Erupcioni gjashtëorësh i Ishullit të madh ndodhi në kraterin Halemaumau, ndëkaq u xhirua nga kamerat e Institutit gjeologjik të SHBA-së (USGS), shkruan USA Today. Gjithçka filloi në orët e mbrëmjet më 23 dhjetor, ndërsa përfundoi pas orës 2 të mëngjesit sipas kohës lokale, mu në natën para krishtlindjeve, 24 dhjetor. Sipas USGS, kamerat së pari e xhiruan aktivitetin shkurtë pas orës 2:30 të mlngjesit. Skenat ndriçuese të lavës që eruptoi nga hapjet veriore dhe jugore të kraterit mund të shiheshin drejtpërdrejtë përmes kamerave të internetit.
Madrid – Në Kupën e botës që vitin e ardhshëm do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, vetëm dy reprezentacione sipas Transfermarkt do të kenë vlerën mbi një miliard euro. Ato janë Anglia dhe Franca. Në nivel klubesh, plot shtatë ekipe kanë një vlerë mbi një miliard. Vlerë më të madhe ka ekipi i Real Madridit - 1.38 miliardë. Çmimi është i lartë për shkak të kontratave të Kilian Mbapes, Xhud Belingemit, Vinisiusit dhe Valverdes.