• петок, 05 декември 2025
MIA Flesh

9:00/ 27 nëntor/ 2025

Shkup – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do ta mbajë mbledhjen e 71-të me pikën e vetme të rendit të ditës parashtrimin e pyetjeve të deputetëve.  Zakonisht, mbledhje të tilla plenare mbahen çdo të enjte të fundit të muajit.  Sipas Rregullores, pyetje kryeministrit dhe ministrave të parët do tu parashtrojnë deputetët e opozitës. 

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski deri të shtunën do të qëndrojë për vizitë në Lituani, me ftesë të kolegut të tij lituanez, Keshtutis Budris. Krahas takimit me nikoqirin e tij, Mucunski do të realizojë më shumë takime në Parlamentin lituanez, ku do të takohet me anëtarët e komisioneve të punëve të jashtme, për çështje të BE-së dhe me anëtarët e Grupit për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në fokus të bisedave do të jenë marrëdhëniet bilaterale, integrimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe çështjet kyçe rajonale dhe evropiane.

Shkup - Në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet sot pasdite duhet të vazhdojë debati për amandamentet e Propozim-buxhetit të vitit 2026.  Sipas të dhënave të publikuara në ueb faqe, seanca është caktuar në orën 18.  Gjatë ditës së djeshme u pranuan disa amandamente nga opozita me të cilat janë kërkuar furnizim shtesë për shërbimet e Ndihmës së shpejtë.  Për Propozimin-buxhetin e vitit 2026 janë parashtruar gjithsej 200 amendamente, ndërsa pas përfundimit të debatit të amendamenteve në Komisionin kuvendor pritet që më 9 dhjetor për këto të debatohet në seancë plenare. 

Shkup - Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski sot në Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë, do të merr pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes së vendeve nga Evropa Juglindore, të cilët janë pjesë e iniciativës SEDM - South East Defence Ministerial. Në takimin, siç kumtoi Ministria e Mbrojtjes, është paraparë të bisedohet për sfidat kyçe të sigurisë në nivel global, të cilat kanë ndikim ndaj tërë rajonit, si dhe për zhvillimin rajonal të këtij procesi, në kuadër të të cilit funksionon edhe Brigada e Evropës Juglindore (SEEBRIG).

Shkup - Në Kuvend sot do të mbajnë mbledhje dy komisione - Komisioni për Transport, Transformim Digjital, Mjedisi Jetësor dhe Planifikimi Hapësinor dhe Komisioni Ligjvënës-juridik.  Në rend të ditës në Komisionin për Transport, Transformim Digjital, Mjedisi Jetësor dhe Planifikim Hapësinor është Propozimi i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale, në lexim të dytë. Para anëtarëve të Komisionit Ligjvënës-juridik janë Propozim ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e bashkësive të cilat janë më pak se 20 për qind të popullsisë në Republikës së Maqedonisë së Veriut, Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Propozim ligji për shndërrimin e kërkesave të Republikës së Maqedonisë së Veriut në bazë të detyrimeve publike në depozitë të përhershme në Ndërmarrjen Publike për Menaxhimin e Objekteve Sportive në Pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut - Shkup dhe Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele, të gjitha në lexim të dytë. 

Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë. 

Shkup – Moti sot do të jetë kryesisht i vranët me reshje të kohëpaskohshme të shiut më të dendura në pjesët lindore. Në malet më të larta reshjet do të kalojnë në borë, ndërsa në disa nga vendet më të larta të shiut dhe borës. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej 3 deri 8, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 6 deri 11 gradë, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.  Në Shkup moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare veriore. Temperatura minimale do të bie deri në 5, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 9 gradë. 

Beograd - Policia në Beograd ka konfiskuar 12 kilogramë kokainë, tre automjete dhe ka arrestuar dy persona. MPB-ja e Serbisë kumtoi se është kryer bastisje në banesa dhe automjete që i kanë përdorur të dyshuarit dhe ka gjetur dhe konfiskuar kokainën dhe automjetet. Të dyshuarit do të mbahen 48 orë pas çka do të ngritet padi penale para Prokurorisë së lartë publike në Beograd

Xhakartë - Tërmet me intensitet prej 6,6 ballë sipas shkallës së Rihterit u regjistrua në afërsi të ishullit Simelue në Indonezi, kumtoi Qendra sizmologjike evropiane-mesdhetare. Sipas të dhënave të saj, epiqendra ka qenë në 46 kilometra në jug të qytetit Sinabung, ku jetojnë 15 mijë njerëz. Fokusi ka qenë në thellësi prej 25 kilometrave. Nuk ka informata për dëme ose persona të lënduar dhe nuk është shpallur kërcënim për cunami.

Uashington - Të shtënat me armë ndaj anëtarëve të Gardës Kombëtare janë një sulm terrorist, deklaroi presidenti amerikan Donald Tramp.  "Ministria e Sigurisë së Brendshme thotë se sulmuesi ka mbërritur në SHBA nga Afganistani në vitin 2021, tha kreu i shtetit. SHBA-ja duhet të kontrollojë sërish të gjithë të huajt që kanë hyrë në SHBA nga Afganistani gjatë kohës së ish presidentit Xho Bajden", theksoi Trampi.  Presidenti tha se ka urdhëruar vendosjen e 500 ushtarëve të tjerë të Gardës Kombëtare në Uashington.  Dy ushtarët e Gardës Kombëtare të SHBA-së që u qëlluan dje në afërsi të Shtëpisë së Bardhë janë në gjendje kritike, deklaroi drejtori i FBI-së, Kesh Patel, në konferencë për shtyp.

Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, dje deklaroi se Afrika e Jugut nuk do të ftohet në samitin e G20-ës vitin e ardhshëm në Florida. SHBA-ja e bojkotoi samitin e G20-ës të këtij viti në Johanesburg, i cili u mbajt javën e kaluar. Samiti në Johanesburg miratoi një deklaratë për të luftuar ndryshimet klimatike dhe sfidat e tjera globale pavarësisht kundërshtimeve nga SHBA-ja, gjë që nxiti Shtëpinë e  Bardhë të thotë se Afrika e Jugut ka abuzuar me të drejtat e saj të organizimit këtë vit.

Liverpul, 27 nëntor 2025 (MIA) - Trajneri i Liverpulit, Arne Sllot reagoi ndaj spekulimeve në mediumet angleze për largimin e tij eventual. Liverpuli mbrëmë si vendas humbi nga PSV-ja me rezultatin 1:4 në xhiron e pestë të Ligës së kampionëve. "Nuk jam i shqetësuar. Jam i fokusuar në punë tjera, nuk shqetësohem për pozitën time në klub. Duhet të punoj më shumë", deklaroi Slot për "NBC Sport". Liverpulli është në vendin e 13-të në tabelën e Ligës së Kampionëve me nëntë pikë. Në Premier Ligë, ekipi gjendet në vendin e 11-të me 18 pikë nga 12 ndeshje.

Londër - Ekipi i Arsenalit gjendet në krye të tabelës së Ligës së kampionëve pas pesë xhirove. "Topçinjtë" janë ekipi i vetëm me 15 pikë maksimale. Arsenali mbrëmë në Londër e mundi Bajernin e Mynihut, duke ua shkaktuar humbjen e parë këtë sezon bavarezëve. Humbje të parë përjetoi edhe Interi, i cili humbi në Madrid nga Atletiko.

Kishinau – Moldavia dje i bëri thirrje ambasadorit rus që të shprehë protestë të ashpër për shkak të shkeljes më të re të hapësirës së saj ajrore nga dronët rusë dhe i bëri thirrje Moskës që të ndërmarrë masa për parandalimin e rasteve të tilla të mëtutjeshme.  Moldavia vendosi dronë të rrëzuar rus para Ministrisë së Punëve të Jashtme si porosi dramatike diplomatike drejtuar përfaqësuesit rus.  Qeveria proevropiane e Moldavisë e dënoi ndërhyrjen e forcave ruse në Ukrainë dhe e akuzon Moskën për përpjekje për destabilizim të Moldavisë, e cila gjendet ndërmjet Ukrainës dhe Rumanisë.  Autoritetet e Moldavisë të martën vërejtën shkelje të hapësirës së saj ajrore nga gjashtë dronë rusë. 

 

Остани поврзан