• недела, 11 јануари 2026
MIA Flesh

9:00/ 8 janar/ 2026

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot do të marrë pjesë në lëshimin në përdorim të kopshitit të ri për fëmijë "Sonçogledi" në Komunën e Gjevgjelisë, ndërtimi i të cilit ka kushtuar 56 milionë denarë. Siç informojnë nga pres shërbimi i Qeverisë, gjatë vizitës, kryeministri Mickoski do të inspektojë punimet ndërtimore në Çarshinë e Vjetër të Qytetit, investim prej mbi 40 milionë denarësh. Në fund, kryeministri Mickoski do të kryejë inspektim edhe të punimeve ndërtimore për ndërtimin e një parku të ri me kënd lojërash për fëmijë, me sipërfaqe prej 3.150 metra katrorë, ku pas përfundimit të aktiviteteve është paraparë të japë deklaratë për media.

Shkup - Qendra për Menaxhim me Kriza informon se reshjet e dendura të shiut që nga ora 21:00 e mbrëmjes së kaluar shkaktuan dalje nga shtrati të disa lumenjve, përmbytje të ndërtesave të banimit, tokës bujqësore, bodrumeve, si dhe rrëshqitje të dheut dhe rrëzime shkëmbinjsh në disa rrugë. Nga QMK thonë se po e monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve, nëse kanë nevojë ose vërejnë probleme, t'i raportojnë ato në numrin 112. Pritet një njoftim nga QMK për situatën e fundit.

Shkup - Për shkak të depërtimit të ajrit më të ftohtë dhe erës së fortë veriore, reshjet e sotme do të shndërrohen në reshje bore në vendet më të larta dhe disa më të ulëta. Në malet në pjesët perëndimore do të formohet mbulesë e re bore, ndërsa në vendet më të ulëta pritet mbulesë më e vogël bore. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -2 deri në 5 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 0 deri në 10 gradë. Në Shkup moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje të herëpashershme shiu, veçanërisht drejt fundit të ditës dhe gjatë natës. Do të fryjë erë mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të bie në 1 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 5 gradë.

Shkup- Për shkak të reshurave të borës, herët në mëngjes në ora 05:15 është vendosur ndalesë për komunikacion për automjete të rënda transportuese në aksin rrugor Strugë - VK "Qafë Thanë". LAMM kumtoi se komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimri, nëpër rrugë të lagështa. Të reshura të borës me intensitetit të ndryshueshëm ka në Kumanovë, Stracin, Krushevë, Zheleznec, si dhe në qafat malore Strazhë, Bukovë, Gjavato dhe Preseka, por në këtë moment nuk paraqesin pengesë për zhvillimin e komunikcionit. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndalesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

Shkup – Një agjent i Shërbimit amerikan për emigrim dhe dogana (ICE) ka qëlluar dhe vrarë një grua në automobilin e saj në Mineapolis, pas çka shpërthyen protesta të popullatës për shkak të vrasjes.  Autoritetet thonë se të shtënat ishin në vetëmbrojtje, por kryetari i qytetit e quajti “të papërgjegjshme” dhe të panevojshme dhe kërkoi që Shërbimi për emigrim të shkojë nga qyteti.  Incidenti ka ndodhur gjatë një kontrolli në komunikacion në një zonë banimi në jug të qendrës së qytetit, disa blloqe nga disa nga tregjet më të vjetra për emigrantë në qytet dhe rreth një milje nga vendi ku Xhorxh Fllojd ishte vrarë nga policia në vitin 2020. 

Bruksel - Kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot dhe nesër do të qëndrojnë në një turne në Lindjen e Mesme, në kuadër të së cilës do t'i vizitojnë Jordanin, Sirinë dhe Libanin. Turneu vjen pasi në nëntor të vitit të kaluar BE-ja e miratoi Paktin për Mesdheun, me të cilin promovohet bashkëpunimi, prosperiteti dhe stabiliteti i përhershëm në rajon. Koshta dhe Fon der Lajen sot në Aman do të takohen me mbretin jordanez Abdullah i Dytë, pastaj të gjithë së bashku do të marrin pjesë në Samitin e parë BE-Jordani. Sipas njoftimit, Koshta dhe Fon der Lajen do të diskutojnë sfidat aktuale globale me nikoqirin e tyre jordanez, duke përfshirë situatën në Lindjen e Mesme, Ukrainën, sigurinë, tregtinë dhe migracionin.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp dje urdhëroi që SHBA të tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare, duke thënë se ato nuk u shërbejnë më interesave kombëtare të SHBA-së, raporton DPA. Dekreti presidencial i Trampit u udhëzon departamenteve dhe agjencive federale që "sa më shpejt të jetë e mundur" të ndërpresin pjesëmarrjen dhe financimin për 31 entitete të Kombeve të Bashkuara dhe 35 organizata që nuk janë pjesë e KB-së. Shtëpia e Bardhë njoftoi se organizatat punojnë në kundërshtim me interesat kombëtare, sigurinë, prosperitetin ekonomik ose sovranitetin e SHBA-së, raporton agjencia gjermane.

Karakas - Ministri venezuelas i Punëve të Brendshme, Diosdado Kabelo mbrëmë vonë ka deklaruar se rreth 100 persona janë vrarë, ndërsa përafërsisht edhe aq janë lënduar në sulmin amerikan në Karakas gjatë fundjavës, objektivi i të cilit ishte arrestimi i liderit autoritar, Nikollas Maduro. Kabelo e ka përshkruar operacionin si "sulm të tmerrshëm" dhe tha se numri i viktimave mund të rritet. Ai shtoi se disa prej të vrarëve janë civilë, duke përfshirë gra të cilat kanë fjetur në shtëpitë e tyre në atë kohë. Informatat nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur, njoftoi agjencia gjermane. Autoritetet venezuelase paraprakisht njoftuan se 24 ushtarë janë vrarë në operacionin.

Uashington – Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi dje se buxheti për mbrojtje i SHBA-së “duhet të jetë 1,5 trilionë dollarë në vitin 2027, ndërsa jo një trilionë dollarë”, që është rritje prej 50 për qind.  “Pas bisedimeve të gjata dhe të vështira me senatorë, përfaqësues, anëtarë të kabinetit dhe përfaqësues të tjerë politikë, konfirmova se për të mirën e vendit tonë, veçanërisht në këtë kohë me shumë turbullira dhe kohë të rrezikshme, buxheti ynë ushtarak për vitin 2027 duhet të jetë 1,5 trilionë dollarë, ndërsa jo një trilionë dollarë”, shkroi presidenti amerikan në rrjetin e tij social Truth Social.

Uashington- SHBA-ja mbrëmë ka konfiskuar dy tankerë për naftë nën sanksione, të lidhura me Venezuelën në Atlantikun Verior, ndërsa tjetrin në Detin Karaib, njoftuan përfaqësues amerikanë. Komanda evropiane e SHBA-së njoftoi se tankeri "Bella 1" u konfiskua për shkak të "shkeljes së sanksioneve amerikane", në kohë kur ka qenë në ujërat mes Skocisë dhe Islandës, ku ka tentuar ta shmang bllokadën amerikane të anijeve të sanksionuara me naftë. Autoritetet amerikane, po ashtu, publikuan se forcat e tyre ushtarake e kanë ndërmarrë kontrollin ndaj tankerit "Sofija" në Detin Karaib.

Xheda - Barcelona e ka mundur Atletik Bilbaon me rezultatin 5:0 në gjysmëfinalen e parë të Superkupës spanjolle. Ndeshja është luajtur mbrëmë në Xheda, Arabia Saudite. Rafinja shënoi dy gola (minutat e 38-të dhe 52-të), ndërsa Feran Tores (22), Fermin Lopez (30) dhe Runi Bargi (34) shënuan nga një gol. Në gjysmëfinalen e dytë do të luajnë Reali i Madridit dhe Atletiko Madridi. Ndeshja do të luhet sonte në ora 20, po ashtu në Xheda.

 

Остани поврзан