• недела, 11 јануари 2026
MIA Flesh

9:00/ 9 janar/ 2026

Shkup – Në mesnatë përfundon fushata zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune të dielën më 11 janar në komunat Gostivar, Mavrovë Rostushë, Vrapçisht dhe Qendra Zhupë. Heshtja zgjedhore do të zgjasë deri në përfundimin e votimit më 11 janar në orën 19. Sipas informacioneve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), fletët e votimit dhe aparatet për identifikim biometrik sot shpërndahen deri te Komisionet Komunale Zgjedhore ndërsa prej aty do të merren nga Këshillat Zgjedhorë.  Nesër, e shtunë, votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit dhe personat në burgje të regjistruar në Listën Zgjedhore në këto komuna. Sipas informacioneve të MIA-s, në Gostivar për votim janë regjistruar 146 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, në Mavrovë Rostushë 69, në Vrapçisht 32 përderisa në Qendra Zhupë vetëm dy. 

Shkup - Drejtori i përgjithshëm i Fondit për sigurim shëndetësor, Sasho Klekoski dhe dekani i Fakultetit natyror-matematikor pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi", Davorin Tërpeski, sot në hapësirat e FNM-së do të nënshkruajnë marrëveshje për avancimin e kapaciteteve molekulare - diagnostike në vend, me ndikim të drejtpërdrejtë ndaj mjekimit bashkëkohor dhe të personalizuar të pacientëve onkologjikë. Me marrëveshjen e lidhur, siç informojnë nga FSSH, Laboratoria për biologji molekulare dhe gjenomikë pranë FNM do të fillojë me realizimin e analizave përparimtare molekulare - diagnostike, para së gjithash përmes zbatimit të paneleve të gjeneve për sekuencim të targetuar masiv paralel të gjeneratës së ardhshme (GJRS) tek gjendjet e ndryshme onkologjike.

Shkup - Në VK Niki (VK Mexhitli) ka ndalesë për lëvizje të automjeteve transportuese, e cila do të zgjat deri nesër në ora 10:00. Komunikacioni për automjetet e tjera do të zhvillohet normalisht, kumtoi LAMM-ja. Komunikacioni në rrugët e tjera shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë kryesisht të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndalesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.  Nga data 15.11.2025 filloi obligimi ligjor për posedimin e pajisjes dimërore në automjete, pa marrë parasysh gjendjen momentale të motit. Ky obligim do të zgjat deri më 15.03.2026.

Shkup– Sipas parashikimeve në ditët në vijim janë paralajmëruar reshje të borës dhe rënie të konsiderueshme të temperaturave, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) përkujton për nevojën për drejtim me kujdes dhe përgjegjësi me automjetet motorike, si dhe shfrytëzim të detyrueshëm dhe të drejtë të pajisjes dimërore.  “Para se të nisen për rrugë, është e nevojshme që vetura të përgatitet në mënyrë adekuate për drejtim në kushte dimërore. Bëni kontroll të automjetit i cili zakonisht përfshin: kontroll të antifrizit, nivelit të karburantit, gjendjes së fshirësve dhe lëngut për xhamin e përparmë, gjendjen e akumulatorit dhe gjendjen dhe presionin e gomave”, theksohet në kumtesë. 

Shkup – Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me periudha dielli. Në fund të ditës dhe gjatë natës në pjesët veriperëndimore do të ketë reshje të kohëpaskohshme të shiut, në male të borës. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej minus nëntë deri në minus dy, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej tre deri nëntë gradë.  Në Shkup, mot i ndryshueshëm me vranësira me periudha dielli. Do të fryjë erë e lehtë e ndryshueshme.  Temperatura minimale do të bie deri në minus gjashtë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri katër gradë. 

Kiev – Të paktën katër persona janë vrarë, ndërsa 19 të tjerë janë plagosur në Kiev në sulmin më të ri masiv me raketa dhe fluturake pa pilot gjatë natës, njoftuan sot në mëngjes autoritetet e qytetit, transmetoi DPA.  Kryetari i Kievit, Vitalij Kliçko, tha se në mesin e të vdekurve është edhe një mjek, përderisa katër punonjës mjekësorë janë lënduar.  Në sulm është goditur infrastruktura kritike, ndërsa disa pjesë të qytetit janë pa rrymë dhe ujë, shkroi Kliçko në Telegram.  Komanda perëndimore e forcave ajrore ukrainase njoftoi se forcat ruse kryen sulm mbi Lviv me përdorim të raketës së paidentifikuar balistike, transmeton agjencia gjermane. 

Damask – Ministria e Mbrojtjes së Sirisë ka shpallur të hënën armëpushim në qytetin e Alepos, pas disa ditësh përleshje të ashpra midis forcave të udhëhequra nga kurdët dhe trupave qeveritare, informon DPA. Ndërprerja e zjarrit ka filluar në lagjet Sheik Maksud, Ashrafia dhe Bani Zaid të Alepos në orën 3 të mëngjesit (në mesnatë sipas orës qendrore evropiane), kumtoi ministria. Grupet e armatosura kanë një periudhë gjashtë-orëshe për t'u larguar nga zona, ndërsa afati i fundit është ora 9, raporton agjencia gjermane.

Teheran– Në Teheran dhe qytete tjera të Iranit po mbahen protesta masive antiqeveritare, ndërsa pamjet nga vendi tregojnë demonstratat më të mëdha kundër regjimit klerikal në vitet e fundit. Trazirat të cilat kanë hyrë në ditën e 12-të me radhë, janë nxitur nga zemërimi për zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe janë përhapur në më shumë se 100 qytete në të gjithë vendin. Protestat janë inkurajuar më tej nga një thirrje nga Reza Pahlavi i cili jeton në Uashington, babai i të cilit u rrëzua nga froni nga Revolucioni islamik në vitin 1979. Ai i nxiti iranianët të "dalin në rrugë dhe si një front i bashkuar të shprehin kërkesat e tyre".

Portland - Dy persona janë qëlluar dhe plagosur nga një pjesëtar i Shërbimit amerikan për migrim dhe dogana (ICE) gjatë operacionit në qytetin amerikan Portland, kumtuan mbrëmë autoritetet lokale. Siç njofton DPA, incidenti ka ndodhur një ditë pasi amerikanja Rene Gud (37) u qëllua në automobilin e saj gjatë operacionit të ICE-s në Mineapolis. Vrasja, e cila u incizua në video, shkaktoi protesta masive kombëtare. Në Portland, sipas Ministrisë së Sigurisë së Brendshme të SHBA-së, agjentët e patrullës kufitare e kanë ndalur automjetin për kontroll.

Londër - Ndeshja e fundit e xhiros së 21-të të Premier Ligës, e luajtur mbrëmë mes Arsenalit dhe Liverpullit përfundoi pa gola. Adhuruesit e futbollit kanë pritur më tepër nga lideri Arsenali dhe kampioni aktual Liverpulli. Nikoqirët e mbanin kontrolin në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa mysafirët nga Liverpulli ishin më konkretë në pjesën e dytë të ndeshjes. Rastin më të mirë e pati mbrojtësi i Liverpullit, Konor Bredli, i cili në minutën e 27-të e qëlloi traversën. Lojtari i njëjtë në minutën e fundit u lëndua dhe ishte i detyruar të largohet para përfundimit të ndeshjes. Arsenali është lider me 49 pikë, gjashtë më tepër se Mançester Siti dhe Aston Villa, ndërsa Liverpulli është në vendin e katërt me 35 pikë. Prej sonte e deri të hënën në Angli do të luhen ndeshjet në kuadër të Kupës FA. 

Xheda – Lojtarët e Real Madridit kanë arritur në finalen e Superkupës së Spanjës, pasi mbrëmë në gjysmëfinalen e dytë mposhtën rivalët e qytetit Atletiko Madridin me 2-1. Në këtë mënyrë, ata kanë arritur në finalen kundër Barcelonës e cila do të luhet të dielën më 11 janar. Katalunasit një ditë më parë e mposhtën bindshëm Atletik Bilbaon 5-0. Më i merituari për fitoren e Realit ka qenë Valverde i cili në minutën e 2-të i solli ekipit të tij epërsi, ndërsa në minutën e 55-të i asistoi Rodrigos për rezultat 2-0. Atletiko e zvogëloi rezultatin në 2-1 në minutën e 58-të me anë të Aleksander Sorlotit. Deri në fund të ndeshjes, Atletiko pati disa raste, por nuk arriti ta barazojë rezultatin.

Остани поврзан