12:00/ 9 janar/ 2026
Shkup - Ministria e Financave realizoi pagesën e transhesë së re nga buxheti në vlerë prej 424,9 milionë denarëve ose 6,9 milionë eurove ndaj Bankës Zhvillimore për përkrahjen e kompanive vendore. Me pagesën e kësaj transheje, përkrahja e përgjithshme e shtetit ndaj ekonomisë vendore arrin në 13,8 miliardë denarë ose 224,3 milionë euro nga mjetet e përgjithshme prej 250 milionë eurove të planifikuara për përkrahjen e kompanive vendore. "Qeveria i siguroi këto mjete përmes linjës kreditore nga Banka Hungareze Eksport-Import, për përkrahjen e ekonomisë vendore. Përkrahja përfshin plasimin e mjeteve me kushte të favorshme për kompanitë në drejtim të realizimit të investimeve private, me ç’rast ato do të sigurojnë zhvillimin e tyre dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Mjetet janë plasuar te shfrytëzuesit e fundit përmes bankave afariste, ku norma e interesit është 1,95 për qind në nivel vjetor, afati i shlyerjes 15 vjet dhe periudha grejs tre vjet", kumtoi Ministria e Financave.
Shkup - Për shkak të përmbytjeve që kanë prekur pjesë të vendit të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm, në rajonin e Koçanit dhe Ohrit po ndërmerren veprime të mekanizuara për shkak të lumenjve që dalin nga shtrati. Në rajonin e Shkupit nuk ka ndërprerje të situatës së rregullt lidhur me reshjet e shiut, ndërsa në rajonin e Tetovës janë raportuar rrëshqitje të dheut në rrugët lokale, njoftoi sot në mëngjes Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Shkup - Në mëngjes temperatura më u ulët prej -11 gradë Celsius është matur në Kodrën e Diellit. Vijojnë -9 në Kumanovë, -8 në Shkup-Petrovec, Berovë, Kriva Pallankë, -7 në Tetovë, Demir Kapi, Hanet e Mavrovës, -6 Shkup-Zajçev Rid, Strumicë, Veles, Shtip, Vinicë, Kavadar, Krushevë, -5 Prilep, -4 Gjevgjeli, Pretor, -2 Ohër, Manastir. Gjatë 24 orëve të kaluara deri ora 7 më së shumti shi ka rënë në Ohër 5 l/m2, 3 në Hanet e Mavrovës, 2 në Tetovë, Demir Kapi, Pozhar dhe 1 l/m2 në Kriva Pallankë dhe në Krushevë.
Tiranë - Zjarri që e përfshiu qendrën tregtare "5 Maji" në Tiranë është vendosur nën kontroll pas rreth katër orë intervenim intensiv të shërbimit zjarrfikës, por tërësisht nuk u lokalizua. Në shuarjen e zjarrit janë përfshirë numër i madh i zjarrfikësve dhe automjeteve, ndërsa janë tërhequr edhe ato që kanë qenë në Durrës të angazhuar në ballafaqimin me përmbytjet. U kërkua ndihmë edhe nga armata dhe zjarrfikësit nga Elbasani dhe Vora. Situata në këtë moment është më e qetë, ndërsa për shkaqe sigurie energjia elektrike është shkyçur në rajon. Autoritetet konfirmojnë se nuk ka të lënduar, por dëmi material është shumë i madh.
Nikozi – Një video e postuar në platformën X, e regjistruar me kamerë të fshehtë ku bashkëpunëtorë të ngushtë të presidentit të Qipros, Nikos Hristoduludis bisedojnë për “para të zeza” për të financuar fushatën zgjedhore presidenciale, ka shkaktuar tensione politike në Qipro, ndërsa qëndrimi zyrtar i Nikozisë është se bëhet fjalë për një “prodhim montazhi” dhe konsiderohet si një “rast aktiviteti hibrid kundër Republikës së Qipros”, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina. Origjina e videos e cila zgjat më pak se tetë minuta e gjysmë është e panjohur, ndërsa është postuar në X nga një profil me emrin Emili Tompson e cila prezantohet si një studiuese e pavarur dhe shkruan se e ka marrë videon sipas të cilës presidenti Hristodulidis ka “shkelur limitin e financimit të fushatës prej një milion euro përmes një rrjeti familjar”.
Moskë– Loran Vinatje, politikolog francez i cili po vuante burg prej tre vjetëve në Rusi pas akuzave për spiunim, është liruar në këmbim të të burgosurve me Francën, njoftoi sot agjencia ruse e sigurisë FSB. Si kthim, është liruar basketbollisti rus Danil Kasatkin, i cili ishte arrestuar në Francë me kërkesë të SHBA-së, shtoi FSB. Vinatje ishte arrestuar në Moskë në qershor të vitit 2024, ndërsa autoritetet ruse e akuzuan se nuk është regjistruar si “agjent i huaj” derisa grumbullonte informacione për “aktivitetet ushtarake dhe ushtarake – teknike” të Rusisë që mund të shfrytëzoheshin në dëm të sigurisë kombëtare. Gjykata e dënoi dhe i shqiptoi tre vjet burg.
Mineapolis - Byroja Federale e Hetimeve (FBI) e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrë përsipër çështjen e të shtënave fatale ndaj një gruaje nga një oficer i Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në Mineapolis, mes tensioneve në rritje për incidentin në të gjithë shtetin. Mbikëqyrësi i Byrosë së Kapjes Penale (BCA) të Minesotës, Dreu Evans, tha në një deklaratë se BCA nuk do të përfshihej më në hetimin për vrasjen e Rene Nikol Gud, 37 vjeç, nënë e tre fëmijëve, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent federal në veturën e saj të mërkurën. “Hetimi tani do të drejtohet vetëm nga FBI dhe BCA nuk do të kishte më qasje në materialet e çështjes, provat e vendit të ngjarjes ose intervistat hetimore të nevojshme për të përfunduar një hetim të plotë dhe të pavarur”, tha Evans, transmeton Telegrafi.
Uashington - Kush do ta udhëheq Venezuelën mbetet e paqartë pas intervistës së fundit të presidentit amerikan Donald Tramp për këtë çështje, të dhënë për Foks njuz. Gjatë fundjavës, Trampi e ka hedhur posht idenë për bashkëpunim me lideren e opozitës venezuelase, Marija Korina Maçado, pasi "ajo nuk ka përkrahje dhe respekt në vendin e saj". Megjithatë, ai për Foks njuz potencoi se Maçado do të jetë në Uashington javën e ardhshme dhe se do të takohet me të. Trampi tha se do të nevojitet kohë për vendin latinoamerikan, të cilin në këtë moment e udhëheq presidentja e përkohshme, Delsi Rodrigez, që të arrijë në fazën ku mund të mbahen zgjedhje.
Kanbera – Tre persona konsiderohen si të zhdukur pasi zjarre pyjore jashtë kontrolli shpërthyen në shtetin australian Viktoria, duke shkatërruar shtëpi dhe duke djegur sipërfaqe të mëdha të pyllit, njoftuan autoritetet. Komisari për menaxhim me gjendje të jashtëzakonshme të Viktorias, Tim Vibush, në konferencë për media deklaroi se zjarrfikësit po luftojnë me 30 zjarre aktive, me çka niveli i rrezikut nga zjarri në shtet për momentin është në nivelin më të lartë “katastrofik”. Autoritetet deklaruan se erërat shkatërruese dhe temperaturat deri 46 gradë Celsius të parashikuara për Viktorinë veriore domethënë se të gjitha zjarret do të jenë të “pakontrolluara”. “Sot është një nga ditët më të rrezikshme për zjarre të cilat i ka parë ky shtet me vite të tëra”, tha kryeministrja e Viktorias, Xhasinta Alen.
Uashington - Zëvendëspresidenti amerikan, Xh.D. Vens deklaroi sot se incidenti që ndodhi gjatë ndërhyrjes së nëpunësve të Shërbimit për migrim dhe doganë (ICE) ku një banore 37-vjeçare e Mineapolisit humbi jetën ishte rezultat i një "tragjedie që ajo vetë e ka shkaktuar". Ai e ka quajtur “terrorizëm klasik dhunën që po nxitet nga e majta ekstreme”. Vens ka kritikuar mediumet për mënyrën se si e kanë mbuluar rastin e vrasjes së 37-vjeçares Rene Gud të mërkurën në Mineapolis nga një agjent i imigracionit i SHBA-së. God u qëllua në veturën e saj, ndërsa Vens tha se agjenti veproi në vetëmbrojtje. Ai tha se raporti i mediave për ngjarjen ishte “skandali më i madh që ka parë ndonjëherë në media”.
Uashington – Protestat në shenjë solidariteti me viktimën nga incidenti në Mineapolis u përhapën në disa qytete në mbarë SHBA-në, pasi 37-vjeçarja Rene Nikol Gud humbi jetën në incidentin me një nëpunës federal të Shërbimit për emigrim dhe doganë (ICE). Përderisa protestuesit vazhdojnë të grumbullohen në Mineapolis Sent Poll disa ditë pas incidentit vdekjeprurës, tubime për mbështetje janë organizuar edhe në disa pjesë të vendit, njofton Si-En-En. Në Boston, një grup i madh i protestuesve u tubuan në parkun publik Boston Komon dy ditë me radhë, duke protestuar kundër politikave emigruese të administratës së presidentit amerikan Donald Tramp.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp i ka dërguar letër kryeministrit hungarez Viktor Orban duke i uruar më këtë rast "fat" në fushatën e tij për rizgjedhje. Në letër, Trampi gjithashtu e falënderon Orbanin për ftesën në Hungari dhe tha se ekipi i tij do të mbetet në kontakt në lidhje me agjendën e vizitës, bën të ditur gazeta hungareze "Majar nemzet". Ai vlerësoi lidershipin e Orbanit, duke theksuar qëndrueshmërinë e tij në mbrojtjen e besimit, familjes dhe sovranitetit. Zgjedhjet në Hungari priten të mbahen në prill.