• недела, 11 јануари 2026
MIA Flesh

15:00/ 10 janar/ 2026

Shkup – Para votimit të nesërm për zgjedhjet e përsëritura për kryetarë në komunat Gostivar, Mavrovë Rostushë, Vrapçisht dhe Qendra Zhupë, sot këshillat zgjedhorë do tu mundësojnë personave të sëmurë dhe të pafuqishëm ta realizojnë të drejtën e votimit në shtëpitë e tyre, ndërsa do të votojnë edhe të arrestuarit dhe të burgosurit, banorë në këto komuna. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) për MIA-n theksojnë se gjithçka është gati për zgjedhjet e përsëritura. 

Shkup - Sot votojnë personat e sëmurë, personat e pafuqishëm dhe personat që vuajnë dënim me burg për Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë të komunave Gostivar, Mavrovë dhe Rostushë, Vrapçisht dhe Qendra Zhupë. "Gjithsej 249 persona të sëmurë ose të pafuqishëm mund ta realizojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje. Prej tyre, 146 persona janë paraqitur për votim në Gostivar, 32 persona të sëmurë ose të pafuqishëm kanë të drejtë të votojnë në Vrapçisht, 69 persona mund të votojnë për kryetar të komunës së Mavrovës dhe Rostushës dhe dy persona mund të votojnë për kryetar të komunës Qendra Zhupë, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Me fillim në orën 7 në gjithsej shtatë ente përmirësuese, të drejtën e votës mund ta realizojnë 94 persona që janë duke vuajtur dënim me burg ose paraburgim.

Shkup - SPB Shkup ngriti kallëzim penal ndaj katër personave në lidhje me aksidentin e djeshëm rrugor në rrugën "Fronti Popullor" në Shkup rreth orës 11:30, në të cilin jetën e humbi një grua 79-vjeçare.  Siç bëjnë të ditur nga MPB, një automjet udhëtarësh "folksvagen pasat" me targa të Shkupit, i drejtuar nga S.S. (18) nga Shkupi, goditi këmbësoren L.J. (79) nga Shkupi, e cila ndërroi jetë nga lëndimet e pësuara, ndërsa shoferi me automjetin iku nga vendngjarja. Menjëherë pas pranimit të informacionit për rastin në fjalë, nëpunësit policorë ndërmorën masa dhe veprime për gjetjen e shoferit dhe automjetit. Përmes kamerave të "Qyteti i Sigurt" dhe verifikimeve të mëtejshme të kamerave të objekteve përreth, si dhe deklaratave të dëshmitarëve, është konstatuar se bëhej fjalë për një automjet udhëtarësh "folksvagen pasat" me targa të Shkupit, pronë e B.S. (45) nga Shkupi, i drejtuar nga djali i tij S.S. (18).   Automjeti u gjet para shtëpisë së pronarit, ndërsa aty është hasur S.S. (69), i cili u dërgua në stacion policor dhe u zhvillua një bisedë zyrtare me të. 

Shkup – Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë kryesisht të lagështa. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme.  Siç informojnë nga NP Rrugët e Maqedonisë në disa akse rrugore të cilat kalojnë në gryka ka mundësi për paraqitje të rrëshqitjeve më të imëta të dheut.  Nga ndërmarrja publike bëjnë thirrje për drejtim me kujdes me automjetet, respektim të sinjalizimit të vendosur në komunikacion, si dhe përshtatje të shpejtësisë sipas kushteve në rrugë. 

Shkup – Temperaturat minimale të mëngjesit janë nën zero në shumë vende, me temperaturë më të ulët të matur prej -3 gradë në Shkup – Petrovec dhe Pozharan, njoftoi sot në mëngjes Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.  Në Shkup-Zajçev Rid, Strumicë, Gjevgjeli dhe Gjurishtë janë matur -2 gradë, -1 në Kumanovë, Kavadar, Veles, Tetovë, Kriva Pallankë dhe Kodër të Diellit, 0 në Berovë dhe Shtip, 1 në Demir Kapi dhe Vinicë, 2 në Hanet e Mavrovës, Krushevë dhe Ohër, 4 në Pretor dhe Manastir dhe 5 gradë në Prilep dhe Topollçan. Sipas të dhënave të DPHM-së për 24 orët e kaluara, deri në orën 7 të mëngjesit të sotëm, në Krushevë kanë rënë 25 litra shi për metër katror, ​​në Hanet e Mavrovës 20, në Ohër 17, në Kodër të Diellit 13, në Pretor 12, në Pozharanë 9, në Tetovë 6, në Prilep 5, në Manastir 4, në Topollçan, Kavadar dhe Vinicë 2, si dhe 1 litër në Berovë, Shtip dhe Kriva Pallankë.

Shkup - Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, sot deri në orën 12:30 janë regjistruar rrëshqitje të gurëve, dheut dhe vërshime lokale në shumë zona të vendit, informojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza. 

Dibër – Në Komunën Qendra Zhupë, të drejtën e votës në kushte shtëpiake sot e shfrytëzuan dy persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, aq sa ishin regjistruar.  “Kërkesë në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve dërguan dy persona dhe të njëjtat u pranuan, ndërsa sot votuan. Në zgjedhjet më 19 tetor të vitit të kaluar që ta realizojnë të drejtën e tyre të votës ishin regjistruar 12 persona, sa edhe u pranuan, ndërsa votuan 11 persona”, deklaroi për MIA-n, Nexhip Iljaz, kryetar i komisionit. Në këtë komunë zgjedhja për kryetar komune përsëritet për shkak se nuk ishte siguruar pjesëmarrja prej 1/3 ose 33,33 për qind të trupit votues, ndërsa në garë ishin tre kandidatë. 

Bruksel – Të gjithë personat e arrestuar padrejtësisht gjatë protestave në Iran duhet të lirohen menjëherë, porositi përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas.  "Po i ndjekim raportet për viktimat me kujdes dhe shqetësim të madh dhe dënojmë përdorimin e dhunës, ndalimin arbitrar dhe taktikat e frikësimit nga forcat e sigurisë kundër protestuesve. Të gjithë personat e ndaluar padrejtësisht për ushtrimin e të drejtave të tyre themelore duhet të lirohen menjëherë", bëri të ditur Kallasi në deklaratën me shkrim në emër të BE-së. Në deklaratë u bëhet thirrje autoriteteve të Iranit që të respektojnë detyrimet ndërkombëtare dhe plotësisht t’i respektojnë të drejtat e lirisë së shprehjes, shoqërimit dhe tubimit paqësor, si dhe ta sigurojnë të drejtën e qasjes në informacione, përfshirë edhe përmes kthimit të qasjes në internet për të gjithë. 

Paris - Presidenti francez Emanuel Makron, kryeministri gjerman Fridrih Merc dhe homologu i tij britanik Kir Starmer dënuan "vrasjen e protestuesve" në Iran dhe u bënë thirrje autoriteteve iraniane të "tregohen të përmbajtur". "Jemi thellësisht të shqetësuar nga raportet për dhunë të ushtruar nga forcat iraniane të sigurisë dhe dënojmë fuqishëm vrasjen e protestuesve", deklaruan dje udhëheqësit e Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, duke u bërë thirrje autoriteteve iraniane të "përmbahen nga dhuna dhe të respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve iranianë". “Autoritetet iraniane kanë përgjegjësi ta mbrojnë popullatën e tyre dhe duhet të garantojnë liri të shprehjes dhe tubime të paqësore, pa frikë nga hakmarrja”, thanë Makroni, Starmeri dhe Merci në deklaratën e përbashkët. 

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se SHBA-ja duhet ta “posedojë” Grenlandën që t’i pengojë Rusinë dhe Kinën që ta marrin, duke thënë se kjo do të bëhet “në mënyrë të lehtë ose të vështirë”.  Deklarata e ashpër vjen pas sinjaleve të fundit nga Shtëpia e Bardhë se administrata mendon ta blejë territorin gjysmëautonom nga Danimarka, por nuk e përjashton mundësinë për aneksim të dhunshëm, shkruan Bi-Bi-Si.  Danimarka dhe Grenlanda ashpër e hodhën poshtë ofertën e Trampit, duke thënë se territori nuk është në shitje. Kopenhaga paralajmëroi se çdo aksion ushtarak kundër një anëtare të NATO-s do të nënkuptonte fundin e aleancës transatlantike të mbrojtjes. 

Teheran – SHBA-ja është fajtore për "transformimin e protestave paqësore në dhunë, përmbysje dhe vandalizëm të përhapur" në Iran, deklaroi përfaqësuesi i përhershëm i Republikës Islamike në KB para Këshillit të Sigurisë.  Irani dënon "sjelljen e vazhdueshme, të paligjshme dhe të papërgjegjshme të SHBA-së në koordinim me regjimin izraelit në ndërhyrjen në punët e brendshme të Iranit përmes kërcënimeve, nxitjes dhe promovimit të qëllimshëm të paqëndrueshmërisë dhe dhunës", shkroi në një letër ambasadori i Iranit në KB, Amir Said Iravani, në letër. Diplomati e akuzoi Uashingtonin për “praktika destabilizuese” të cilat e minojnë kartën themelore të KB-së, i shkelin parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe i rrezikojnë themelet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. 

Uashington – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vlerësuan si të “pabaza” akuzat e ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Abas Arakçi, se Uashingtoni po nxit protesta të cilat u përhapën në gjithë Iranin, në kohë kur presidenti amerikan Donald Tramp u kërcënua se SHBA-ja do të reagojë nëse Teherani dhunshëm i shtyp protestuesit.  Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke reaguar për deklaratat e Arakçit të dhëna gjatë vizitës në Liban, deklaroi se akuzat e tilla janë përpjekje që të largohet vëmendja nga problemet e brendshme të Iranit, njoftoi Al Xhezira.  “Kjo deklaratë pasqyron një keqkuptim dhe përpjekje për të larguar vëmendjen nga sfidat e mëdha me të cilat përballet regjimi iranian në vend”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Karakas – Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Dellsi Rodrigez, deklaroi se do të kundërshtojë "agresionin e SHBA-së me mjete diplomatike", njoftuan sot mediat.  "Konfirmova se Venezuela do të vazhdojë të kundërshtojë këtë agresion përmes kanaleve diplomatike", shtoi ajo, pak pasi Uashingtoni dhe Karakasi njoftuan gatishmërinë e tyre për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike. Sipas saj, Venezuela do të kundërshtojë “agresionin kriminal” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “përmes kanaleve diplomatike”. 

Остани поврзан