12:00/28 nëntor/2025
Shkup- Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani sot theksoi se pas zgjedhjeve lokale së bashku me partnerët evropianë po punohet për vendosjen e dialogut dhe rikthimin e besimit midis Shkupit dhe Sofjes, me qëllim tejkalimin e kontestit dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të vendit. Murtezani këtë e tha në konferencën e sotme për shtyp në Shkup me ministren për Çështje evropiane të Suedisë, Jesika Rosenkranc, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse po përgatitet një protokoll i tretë me Bullgarinë për të tejkaluar dallimet, të cilat së fundmi i përmendi presidentja Gordana Siljanovska Davkova si një nga zgjidhjet kreative.
Shkup- Nuk mund të heshtim për situatën në gjyqësor, qytetarët kërkojnë drejtësi dhe rezultate, thotë zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski. “Ata po kërkojnë para për paga dhe buxhete më të larta, por nuk punojnë, nuk munden vetë të reformohen dhe nuk po japin rezultate”, theksoi Nikolloski i ftuar në “Vetëm intervistë” në TV Kanal 5, duke folur për situatën në gjyqësorin dhe prokurorinë e Maqedonisë së Veriut. Duke komentuar vërejtjet për punën e autoriteteve gjyqësore, ai thotë se presionet nga faktori ndërkombëtar janë të dukshme, megjithëse gjyqësori nuk po tregon ndonjë rezultat.
Shkup- Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtazani, mëngjesin e sotëm ishte nikoqir i ministres për Çështje Evropiane të Mbretërisë së Suedisë, Jesika Rozenkranc, e cila dje dhe sot po qëndron në vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut. "Në kuadër të takimit në Ministrinë për Çështje Evropiane u zhvillua takim tet-a-tet dhe sesion plenar i delegacioneve, në të cilat u diskutua për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimin dypalësh zhvillimor dhe mbështetjen e Suedisë në procesin e aderimit drejt Bashkimit Evropian", informon MÇE.
Shkup- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një shkrim në Fejsbuk, ka uruar kombin shqiptar me rastin e 113 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit. “Një komb, një gjuhë, një flamur, një qëndrim, të bashkuar në Evropë. Kombi duhet dhe nderohet me vepra dhe me përkushtim çdo ditë, në çdo gjë që bëjme dhe çdo gjë që themi. Të gjithë bashkë e kemi obligim ta ndihmojmë Shqipërinë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian më 2030. Të gjithë bashkë e kemi obligim që shtetësinë e Kosovës ta rrumbullakësojmë në partneritet me SHBA-në dhe BE-në. Të gjithë bashkë e kemi detyrim barazinë në Maqedoninë e Veriut dhe integrimin europian. Të gjithë bashkë i kemi amanet shqiptarët në Luginë, Mal të zi dhe mërgatë. Shqiptarë të mi të dashur, Shqipërisë i qofshim falë, gëzuar Ditën e Flamurit dhe të shpalljes së pavarësisë, e përjetshme Shqipëria. Rroftë kombi ynë, rroftë Shqipëria, lavdi dëshmorëve të kombit!" shkroi Ahmeti në Fejsbuk.
Shkup- Mëngjesin e sotëm, temperatura më e ulët prej -1 gradë Celsius u regjistrua në Hanet e Mavrovës. Pasojnë Lazaropole ku janë matur 0 gradë, 1 në Kriva Pallankë dhe Krushevë, 2 në Tetovë, Kumanovë, Shtip dhe Vinicë, 3 në Veles dhe Prilep, 4 në Shkup-Petrovec, Kavadar, Demir Kapijë, Strumicë, Manastir, dhe 5 gradë në Gjevgjeli, Ohër, Berovë dhe Pretor, njofton DPHM-ja.
Shkup- Komisioni Rregullator për Energjetikë sot pritet ta marrë vendimin e ri për ngrohjen qendrore e cila do të vlejë nga dhjetori. Vendimi duhet të merret në bazë të kërkesave të kompanive dhe gjendjeve në tregun me burimet e energjisë.
Budapest- Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban sot ka mbërritur në Moskë në takimin me presidentin rus Vladimir Putin, si qëllim kryesor i vizitës është theksuar sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe qasës me gaz dhe naftën ruse për Hungarinë gjatë dimrit dhe vitin e ardhshëm. Orbani, i cili për dallim nga shumë liderë të BE-së dhe NATO-s, ruan marrëdhënie të ngrohta me Kremlinin, theksoi se me Putinin do të bisedojë edhe për përpjekjet paqësore në Ukrainë, duke theksuar se kjo çështje "vështirë mund të shmanget".
Hagë- Agjencia për zbatimin e ligjit të Bashkimit Evropian (Europol) kumtoi se në një aksion para Krishtlindjeve u sekuestruan tetë milionë lodra të rreme dhe të dëmshme nga shitoret dhe tregjet në 26 vende. Europoli potencoi se shumica e lodrave të konfiskuara "shmangënin plotësisht rregullat e rrepta të BE-së për produktet e destinuara për fëmijë".
Berlin- Kancelari gjerman Fridrih Merc deklaroi se politika gjermane e migracionit është një çështje ekskluzivisht gjermane dhe se vendi nuk ka nevojë për udhëzime të jashtme, transmetoi DPA. "Nuk kemi nevojë për udhëzime nga jashtë", tha Merc, duke reaguar ndaj një direktive nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së drejtuar nëpunësve civilë në vendet perëndimore, e cila u kërkon atyre të mbështesin një politikë më të ashpër të migracionit.
Hong Kong- Numri i të vdekurve në zjarrin që shpërtheu në disa ndërtesa banimi shumëkatëshe në "Vang Fuk Kort" në Hong Kong është rritur në 128 persona, konfirmuan autoritetet lokale në konferencën e sotme për shtyp. Zjarri, i cili u shua plotësisht rreth orës 10:18 sipas orës lokale (02:18 sipas Griniç), la gjithashtu të paktën 79 të lënduar, ndërsa dhjetëra njerëz rezultojnë ende të zhdukur.
Uashington- SHBA-ja përkohësisht e ndaloi shqyrtimin e pakos gjithëpërfshirëse të sanksioneve dypartiake kundër Rusisë, në një moment kur pritet që i dërguari i posaçëm i presidentit aktual të SHBA-së Donald Tramp, Stiv Uitkof, ta vizitojë Moskën, njoftoi “Kijev post”. Sipas gazetës, propozim-ligji ishte tërhequr nga rendi i ditës në Senat derisa kryenegociatori i Trampit nuk udhëton në Moskë javën e ardhshme, që në Uashington interpretohet si sinjal se Shtëpia e Bardhë në këtë periudhë i jep prioritet kanalit diplomatik me Rusinë.