MIA Flesh
- Shkup - Në prag të festës së nesërme Shën Kliment i Ohrit sonte në muzeun e Luftës së Maqedonisë për Pavarësi, nën patronazhin e presidentes Gordana Siljanovska Davkova do të mbahet akademi solemne. Në akademinë solemne është paralajmëruar fjalim i presidentes në orën 18:30.
15:00/ 7 dhjetor/ 2025
Shkup - Në prag të festës së nesërme Shën Kliment i Ohrit sonte në muzeun e Luftës së Maqedonisë për Pavarësi, nën patronazhin e presidentes Gordana Siljanovska Davkova do të mbahet akademi solemne. Në akademinë solemne është paralajmëruar fjalim i presidentes në orën 18:30.
Shkup - Drejtoria e të Ardhurave Publike informon se deri në fund të nëntorit janë kryer rreth 4.000 kontrolle, në të cilat janë regjistruar parregullsi në fushën e mosdhënies së llogarive fiskale, me mbi 2.500 gjoba të shqiptuara dhe 113 tatimpaguesve u është ndaluar kryerja e veprimtarisë. "Fakti që çdo kontroll i katërt përfundon me një parregullsi të konstatuar në fushën e mosdhënies së llogarive fiskale tregon një dukuri të përhapur të mosregjistrimit të qarkullimit të parave të gatshme. Në një kontekst më të gjerë, ky fakt tregon edhe përdorimin e qarkullimit të paregjistruar për pagesat në para të gatshme midis kompanive dhe pagesën e pagave në zarfe, praktika që janë në kundërshtim me ligjin dhe përfaqësojnë forma të ekonomisë gri, krijojnë konkurrencë të padrejtë dhe shkaktojnë humbje për buxhetin. Një numri më të madh tatimpaguesish që u gjobitën për mosdhënie të llogarive fiskalë dhe qarkullim të paregjistruar, DAP-i u dërgoi mesazhe të personalizuara duke u bërë thirrje tatimpaguesve të paraqesin korrigjime në deklaratat e tyre tatimore, të raportojnë qarkullimin dhe të paguajnë tatimin. DAP-i po monitoron veprimet e këtyre tatimpaguesve dhe njofton se, nëse nuk veprojnë vullnetarisht, do të pasojnë kontrolle shtesë duke përdorur metoda indirekte për të përcaktuar qarkullimin e fshehur dhe taksën e papaguar", citohet në kumtesën e sotme të DAP-it.
Shkup - Komandanti i Gardës Kombëtare të Vermontit, gjeneral-majori Gregori Najt, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Armatën e saj nga 9 deri më 11 dhjetor. Siç njoftoi ARM-ja, pasi u prit me nderime të larta ushtarake, gjenerali Najt do të takohet me kryeshefin e Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-majorin Sasko Lafçiski dhe ministrin e Mbrojtjes Vlado Misajlovski.
Shkup - Në vendkalimet kufitare "Dojran", në mëngjes për dalje nga vendi pritet 30 minuta, ndërsa në Tabanoc koha e pritjes për dalje nga vendi është 40 minuta. Në vendkalimet tjera kufitare nga ana e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi, informon Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë.
Kiev - Rusia kreu përsëri sulme ajrore në Ukrainë gjatë natës, raportuan mediat lokale herët këtë mëngjes. Qyteti qendror ukrainas i Kremençukut në rajonin e Poltavas thuhet se u sulmua nga dhjetëra dronë dhe raketa hipersonike "Kinzhal", njoftuan Forcat Ajrore Ukrainase. Shpërthime u dëgjuan në qytet dhe banorët raportuan ndërprerje të energjisë elektrike dhe ngrohjes.
Moskë - Mbrojtja ajrore (PVO) rrëzoi 77 dronë ukrainas mbi rajonet ruse gjatë natës, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. "Gjatë natës së kaluar, sistemet e mbrojtjes ajrore në detyrë interceptuan dhe shkatërruan 77 dronë ukrainasë". Në tekst citohet se 42 dronë ukrainas u shkatërruan në rajonin e Saratovit dhe 12 të tjerë u shkatërruan në rajonin e Rostovit.
Moskë - Rusia e mirëpriti strategjinë e re kombëtare të sigurisë së SHBA-së si një hap pozitiv për marrëdhëniet dypalëshe, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitrij Peskov, të publikuar sot. Revizioni i administratës së Trampit, i cili më nuk e thekson Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë, është një hap pozitiv, deklaroi Peskov për agjencinë shtetërore gazetareske Tas.
Gaza - Katari dhe Egjipti i kanë bërë thirrje Izraelit të tërheqë trupat e tij nga territori palestinez dhe që forcat ndërkombëtare të sistemohen shpejt për të konsoliduar armëpushimin e brishtë me Hamasin. Këto masa janë vetëm pjesë e fazës së dytë të planit të paqes për Gazën të propozuar nga presidenti i SHBA-së Donald Tramp, në të cilin Katari dhe Egjipti luajnë një rol ndërmjetësues.
Xhakarta - Indonezinë sot e goditi një tërmet me magnitudë prej 5,3 ballë sipas shkallës Rihter, kumtoi Qendra Sizmike Mesdhetare Evropiane. Epiqendra e dridhjes ishte në det të hapur, në thellësi prej 66 kilometra dhe distancë prej 211 kilometra nga vendi Tual.
Nju Delhi - Të paktën 25 persona humbën jetën pasi shpërtheu zjarr në një klub nate në shtetin federal indian Goa, njoftuan mediat lokale herët në mëngjes, duke cituar policinë shtetërore. Shumica e viktimave besohet se ishin të punësuar në objekt, raportuan "Indian ekspres dhe media tjera.
Uashington - Parqet kombëtare amerikane kanë shtuar ditëlindjen e presidentit Donald Tramp, 14 qershor, në listën e ditëve kur lejohen vizitat pa paguar biletë hyrjeje, të njëjtën datë me Ditën e Flamurit, njoftoi Shërbimi i Parqeve Kombëtare (NPS). Ditët e hyrjes falas në parqet kombëtare të SHBA-së kanë ndryshuar për të mos përfshirë më Ditën e Martin Luther King Xhunior dhe Ditën e pavarësisë kombëtare - Xhuntint, e cila shënohet më 19 qershor që përkujton fundin e skllavërisë në SHBA, vetëm disa javë pasi administrata e Trampit njoftoi se do të rriste tarifat për vizitorët që nuk janë shtetas amerikanë ose banorë të përhershëm, raportuan mediat amerikane.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për krijimin e grupeve të punës për të siguruar sigurinë e zinxhirit të furnizimit me ushqim në SHBA, njoftoi mbrëmë Shtëpia e Bardhë. Grupet e punës do të jenë pjesë e përpjekjeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit Federal të Tregtisë (FTC) të SHBA-së për të luftuar çmimet jotransparente dhe sjelljen anti-konkurruese.
Algjer - Gjatë përmbysjes së një autobusi i cili transferonte pasagjerë në relacionin mes vendeve Beshar dhe Tinduf, në jugun e largët të Algjerisë, humbën jetën 14 persona, ndërsa 34 u lënduan, njoftuan sot përfaqësuesit e mbrojtjes civile lokale. Fotot e publikuara nga faqet e mediave lokale tregojnë autobusin të përmbysur pranë rrugës në qytetin Tebelbala, rreth 400 kilometra në jug të Beshar, në jugun e vendit, raporton Figaro.
Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme me periudha me diell, ndërsa paradite nëpër disa lugina do të ketë mjegull. Sinoptikët paralajmërojnë shi të dobët lokal në pjesët veriperëndimore. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 2 deri në 9 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 10 deri në 15 gradë.