• сабота, 06 декември 2025
MIA Flesh

12:00/24 nëntor/2025

Koçan- Gjykata Themelore – Koçan e refuzoi ankesën e Prokurorisë me kërkesë për ndryshim të arrestit shtëpiak me paraburgim efektiv me burg për dy inspektorët nga DAP, D.P. dhe D.D., përderisa për nëntë të dyshuarit e tjerë janë përcaktuar masa kujdesi. Ky vendim i Gjykatës Themelore të Koçanit është publikuar sot në ueb-faqen e tyre. Këshilli sipas nenit 25, paragrafi 5 i LKP, në kuadër të Gjykatës Themelore Koçan, duke vepruar sipas ankesave të paraqitura nga Prokuroria Publike e Koçanit kundër vendimeve të Gjykatësit të procedurës paraprake me të cilat dy të dyshuarve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak, i hodhi poshtë ankesat e paraqitura nga PTHP Koçanit kundër tyre dhe i konfirmoi vendimet e gjykatësit të procedurës paraprake, thuhet në kumtesën e publikuar.

Shkup- Agjencia për komunikime elektronike (AKE) e ka vazhduar për 96 ditë afatin për dokumentacionin e tenderit për operatorin e tretë me kërkesë të ofertuesit të vetëm në tenderin "One Telekomunikacioni Maqedoni" të kompanisë hungareze "For- aj-xhi". Kështu, në përputhje me Vendimin e AKE-së, afati për marrjen e vendimit për zgjedhjen e ofertuesit më të volitshëm është 12 janari 2026, ndërsa data 25 shkurt 2026 për dhënien e miratimit për përdorimin e radiofrekuencave. 

Shkup- Draft-teksti i Strategjisë për Arsimin 2026–2032, i cili është përgatitur gjatë gjashtë muajve të fundit, këtë mëngjes po prezantohet në Qeveri në një punëtori të validimit ku marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, si dhe të organizatave partnere vendore dhe ndërkombëtare. Draft-versioni nga sot do të publikohet gjithashtu në sistemin kombëtar të rregulloreve (ENER), në mënyrë që edhe publiku i gjerë të mund të marrë pjesë në krijimin dhe miratimin e dokumentit strategjik përfundimtar, me të cilin do të vazhdojë zhvillimi i sistemit kombëtar arsimor, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Shkup- Mëngjesin e sotëm më së ftohti është në Berovë, -4 gradë, ndërsa maksimalja 3 gradë u mat në Shkup-Zajçev Rid dhe Pretor. Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), -1 gradë është matur në Kriva Pallankë, Krushevë dhe Hanet e Mavrovës, 0 në Strumicë, Demir Kapi dhe Shtip, 1 në Shkup-Petrovec, Kavadar, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe 2 gradë në Manastir, Gjevgjeli, Veles, Prilep dhe Vinic.

Shkup- Në skenën e Operës dhe Baletit Nacional më 28 nëntor 2025, duke filluar nga ora 20:00, do të mbahet Koncerti Gala i Operës, me pjesëmarrjen e divës së famshme botërore të operës Inva Mula, së bashku me Deshira Ahmeti-Krliu (soprano), Ismet Vejseli (tenor) dhe orkestrën e OBM, të dirigjuar nga Ivan Eminoviq dhe me regji nga Dejan Proshev, bëjnë të ditur nga Opera dhe Baleti Nacional.

Shkup- Gjatë javës së kaluar, Eko-Patrulla e NP Higjiena Komunale - Shkup ka realizuar takime pune me përfaqësues të 102 subjekteve afariste - markete, restorante, furra burekësh, pastiçeri, kafeteri dhe butikë, me qëllim që t'i njihte dhe t'i edukonte për mënyrën e duhur të hedhjes së mbetjes. Siç informojnë nga ndërmarrja, gjatë takimeve të punës, përfaqësuesit e Eko-Patrullës prezantuan se si dhe ku duhet të hedhet në mënyrë të duhur dhe të rregullt mbetja komunale dhe mbetja e paketimit që krijohet gjatë funksionimit të këtyre subjekteve afariste, me qëllim që të arrihet mbrojtja maksimale e mjedisit jetësor dhe shëndetit publik, ndërsa njëkohësisht të shmanget dëmtimi ose djegia e enëve të destinuar për hedhjen e mbetjes.

Shkup- Uji në Shkup është i sigurt dhe cilësor, konfirmon raporti i fundit javor i NP "Ujësjellësi dhe Kanalizime". Sipas analizave të kryera nga Sektori i kontrollit sanitar në periudhën nga 17 deri më 21 nëntor, të gjitha mostrat e testuara përmbushin standardet e përcaktuara me Rregulloren për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm. Gjatë periudhës së caktuar janë marrë 211 mostra për analizë fiziko-kimike dhe 211 mostra për analizë mikrobiologjike nga 51 pika të ndryshme matëse në të gjithë qytetin.

Gjenevë- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina përgatitën kornizë paqësore “të përditësuar dhe të përmirësuar” për dhënien fund të luftës në Ukrainë, pas bisedimeve të djeshme të mbajtura në Gjenevë, thuhet në deklaratën e përbashkët nga Kievi dhe Uashingtoni. Të dyja palët u morën vesh që të vazhdojnë me punë intensive të propozimit të përbashkët në ditët e ardhshme dhe të mbeten në koordinim të afërt me partnerët evropianë, thuhet në deklaratën e përbashkët, transmeton DPA. 

Helsinki- Presidenti finlandez Aleksandar Stub deklaroi se mëngjesin e sotëm foli në telefon me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski për negociatat që u zhvilluan në Gjenevë midis delegacioneve të SHBA-së dhe ukrainase, me praninë e përfaqësuesve nga vendet evropiane.  Stub në një postim në platformën "Iks", nuk dha detaje të bisedës me Zelenskin, por komentoi negociatat që u zhvilluan dje në Zvicër. 

Uashington- Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se asnjë rrjet televiziv që ai e konsideron si një medium lajmesh të majtë nuk duhet të lejohet të zgjerohet, duke paralajmëruar për rritjen potenciale të mediave të tilla në SHBA. “Nëse kjo i lejon rrjetet e së majtës radikale të "zgjerohen", unë nuk do të jem i lumtur. Ej-Bi-Si (ABC) dhe En-Bi-Si (NBC) në veçanti, janë një katastrofë - pothuajse një dorë e zgjatur e Partisë Demokratike. Ato duhet të trajtohen si një fushatë e paligjshme nga e majta radikale. Asnjë zgjerim i rrjeteve me lajmev të rreme. Nëse asgjë tjetër, bëjini ato më të vogla”, shkroi Tramp në rrjetet sociale, transmeton Blumberg. 

Uashington- Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk i kanë llogaritur përfitimet e plota nga vendosja e tarifave, deklaroi presidenti amerikan Donald Tramp, duke vënë në dukje se kundërshtarët e tarifave “u shërbejnë interesave të huaja armiqësore”. “Përfitimet e plota të tarifave nuk janë llogaritur ende, pasi shumë blerës mallrash dhe produktesh, për të shmangur pagesën e tarifave në afat të shkurtër, "grumbullojnë furnizime" duke blerë shumë më tepër sesa mund të përdorin. Megjithatë, kjo rezervë e madhe tani po shterohet dhe së shpejti do të paguhen tarifa për gjithçka që i nënshtrohet tarifave, pa shmangie. Ata që na kundërshtojnë u shërbejnë interesave të huaja armiqësore që nuk janë në përputhje me suksesin, sigurinë dhe prosperitetin e SHBA-së”, shkroi Tramp në faqen e tij të Truth Social.

Johanesburg- Kryeministri kinez Li Çijang i ofroi dje kancelarit gjerman Fridrih Merc bashkëpunim më të ngushtë në teknologjitë e reja të energjisë, prodhimin inteligjent, biomjekësinë dhe drejtimin inteligjent të automjeteve, në takimin në margjinat e samitit të G20 në Johanesburg. Marrëdhëniet midis ekonomisë së dytë dhe të tretë më të madhe në botë janë përmirësuar ndjeshëm muajin e kaluar, pasi kufizimet kineze për eksportet e çipave dhe elementëve të rrallë të tokës shkaktuan ndërprerje serioze për firmat gjermane, ndërsa ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johan Vadeful anuloi vizitën në Pekin muajin e kaluar, pasi Kina refuzoi të gjitha takimet e tij, përveç njërit.

Majami- Futbollisti i Inter Majamit, Lionel Mesi, vendosi një rekord historik. Argjentinasi tridhjet e tetë vjeçar arriti deri në 1.300 pikë (896 gola dhe 404 asistime), duke u bërë lojtari i parë në historinë e futbollit me këtë arritje. Mesi mbrëmë si mysafir tek Sinsinatët në ndeshjen çerekfinale të plej-of nga MLS (4:0), shënoi një gol dhe dha tre asistime. 

Остани поврзан