12:00/ 27 nëntor/ 2025
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Jashtme, Timço Mucunski sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë në Lituani. Në kuadër të ditës së parë të vizitës, ai kishte takim me nikoqirin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme, Keshtutis Budris, kumtoi MPJTJ. Të dy ministrat shprehën kënaqësinë që vizita po realizohet në vitin kur të dy vendet shënojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Njëherit, ata theksuan gatishmërinë e tyre për të promovuar partneritetin dhe bashkëpunimin në disa fusha me interes të ndërsjellë. Bisedimet mbuluan një sërë temash, mes të cilave bashkëpunimin dypalësh, koordinimin brenda organizatave shumëpalëshe dhe partneritetin brenda NATO-s. Theks i veçantë u vu në integrimin evropian, duke nënvizuar nevojën për një angazhim të përbashkët dhe të shtuar për të përshpejtuar procesin, veçanërisht në dritën e presidencës së ardhshme lituaneze me Këshillin e BE-së.
Shkup – Të premten moti do të jetë i vranët me reshje të kohëpaskohshme të shiut, më të dendura në pjesët lindore (mbi 35 l/m² për 24 orë). Në male reshjet do të jenë të borës, ndërsa në disa vende më të larta të shiut dhe borës. Do të fryjë erë mesatare, përkohësisht e përforcuar veriore, njoftoi DPHM. Të shtunën në male dhe në vendet më të larta do të bie borë e dobët. Nga e diela moti do të jetë i qëndrueshëm me temperatura të ulëta të mëngjesit, ndërsa ato të ditës do të rriten. Në disa lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës.
Athinë - Shtetasi i Maqedonisë, i kërkuar me urdhër arresti evropian për vrasje 28 vjet më parë, i cili u arrestua në fund të majit të këtij viti në qytetin grek Katerin, nuk do të ekstradohet në vend, për shkak të vjetërsisë të çështjes, ka vendosur gjykata në Selanik, publikou agjencia greke e lajmeve ANA-MPA, njoftoi korrespondentja e MIA-s në Athinë. Duke refuzuar kërkesën për ekstradim, gjyqtarët vendosën gjithashtu t'ia heqin masën paraburgim. Vrasja, për të cilën 60-vjeçari kërkohej me urdhër arresti evropian, ndodhi në Maqedoni në nëntor të vitit 1997, ndërsa viktima ishte një shtetas 37-vjeçar i Maqedonisë së Veriut. Autori i krimit u dënua më pas me 15 vjet burg, por iku në Greqi, ndërsa gjashtë muaj më parë, siç raportoi MIA, u arrestua në Katerini.
Podgoricë - Nga fundi i tetorit, kur Qeveria malazeze e Milojko Spajiq (Lëvizja Evropa tani) vendosi përkohësisht viza për shtetasit e Turqisë, pothuajse 9.000 shtetas turq e kanë lëshuar Malin e Zi, ndërsa në të njëjtën periudhë janë miratuar vetëm 194 kërkesa për lëshim vizash. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi për gazetën "Vijesti" se nga 27 tetori deri më 26 nëntor, Malin e Zi e kanë lëshuar 8.935 shtetas turq. Nga Ministria e Punëve të Jashtme thanë se nga 30 tetori, kur hyri në fuqi vendimi për futjen e përkohshme të vizave, janë procesuar 320 kërkesa. Prej tyre, 194 kërkesa janë miratuar, 29 janë refuzuar, ndërsa 97 janë në procedurë.
Bruksel - Intstitucioni financiar belg "Euroklir" dërgoi letër deri te intsitucionet e BE-së në të cilën paralajmëron për rreziqet nëse mjetet ruse të sekuestruara i jepen hua Ukrainës, raportojnë mediat lokale. Sipas "Euroklir", një hap i tillë do të konsideroherj si konfiskim, gjë që do të sillte pasoja serioze politike dhe ekonomike. Në letër thuhet gjithashtu se një veprim i tillë do të ishte në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe do të minonte besimin e investitorëve ndërkombëtarë, siç janë fondet sovrane të pasurisë dhe bankat qendrore. Paralajmërohet se kjo mund t'i shtyjë bankat qendrore të shmangin investimet në Evropë për shkak të cenueshmërisë së këtyre investimeve. Është e mundur që, për shkak të humbjes së besimit në tregje, vendet e BE-së të kenë vështirësi në sigurimin e kredive të reja nga tregjet ndërkombëtare dhe të detyrohen të paguajnë norma më të larta interesi, shtoi "Euroklir".
Uashington - Shërbimet e imigracionit të SHBA-së kumtuan se për një kohë të pacaktuar do të ndërpresin procesin e të gjitha aplikimeve të qytetarëve afgan, pasi dy ushtarë të Gardës Kombëtare u plagosën rëndë në Uashington. Presidenti amerikan, Donald Tramp, e ka përshkruar të shtënat në afërsi të Shtëpisë së Bardhë si një sulm terrorist dhe deklaroi se sulmuesi erdhi në SHBA nga Afganistani në vitin 2021. Trampi ka kërkuar që të gjithë emigrantët nga Afganistani të cilët arritën në SHBA gjatë mandatit të ish presidentit Xho Bajden të kontrollohen përsëri. Ai, gjithashtu, urdhëroi dërgimin e 500 ushtarëve shtesë nga Garda kombëtare në Uashington.
Pekin - Njëmbëdhjetë punëtorë hekurudhorë kanë humbur jetën pasi u goditën nga një tren në Kinën jugperëndimore, publikuan sot mediat shtetërore. Dy persona të tjerë u lënduan në aksident, në të cilën mori pjesë një tren për mirëmbajtjen e provincës Junan, sipas raportimeve. Punëtorët u goditën mëngjesin e sotëm kur treni hyri në një kthesë në afërsi të stacionit Luojangzhen në Kunming, kryeqytetin e provincës Junan. Shërbimet hekurudhore u kthyen në normalitet menjëherë pas përfundimit të operacioneve të shpëtimit. Sipas raportimeve, treni i mirëmbajtjes po kontrollonte pajisjet e reagimit ndaj tërmeteve. Junan ndodhet në rrëzë të Himalajeve dhe shpesh goditet nga aktiviteti i konsiderueshëm sizmik.
Shenzhen – Të paktën 44 persona humbën jetën në zjarrin e madh në disa blloqe banesore në Hong Kong, 45 persona janë në gjendje serioze, ndërsa edhe 279 ende konsiderohen si të zhdukur, njoftuan autoritetet në Hong Kong sot në mëngjes. Kjo dukshëm e rrit numrin e viktimave pas zjarrit katastrofal në kompleksin banesor Vang Fuk Kort në zonën Tai Po në qytetin, i cili është rajon i veçantë administrativ në Kinë. Autoritetet e cilësuan zjarrin si gjendje të jashtëzakonshme nga niveli 5, niveli më i lartë, rreth tri orë pasi ishte aktivizuar alarmi rreth orës 15:30 sipas kohës lokale dje. Fillimisht ishte publikuar se të paktën 29 persona të lënduar janë shtruar në spital. Shkaku i zjarrit mbetet i paqartë. Autoritetet filluan hetim dhe kanë qëllim t’i hetojnë standardet e sigurisë në skelën prej bambuje dhe rrjetet e gjelbra të vendosura në kompleks.
Uashington - Një shtetas afgan është akuzuar për të shtënat me armë ndaj dy pjesëtarëve të Gardës kombëtare të SHBA-së në vetëm pak blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, në një akt të dhunshëm që vjen në një kohë kur prania e ushtrisë në kryeqytet dhe qytete të tjera në gjithë vendin është në qendër të debatit politik, bëjnë të ditur mediat amerikane. Drejtori i FBI-së, Kesh Patel dhe kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bauzer, më parë deklaruan se anëtarët e Gardës janë shtruar në spital në gjendje kritike pas të shtënave afër Shtëpisë së Bardhë dje. Guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrik Morisej, tërhoqi deklaratën e tij të djeshme se pjesëtarët e Gardës kanë humbur jetën, duke thënë se kishte marrë "informacione kontradiktore" në lidhje me shëndetin e tyre.
Uashington - Shtetasi afgan Rahmanullah Lakanval (29), i akuzuari për të shtënat ndaj dy pjesëtarëve të Gardës kombëtare në afërsi të Shtëpisë së Bardhë, paraprakisht ka bashkëpunuar me më shumë agjenci qeveritare amerikane, duke përfshirë edhe CIA-n, gjatë shërbimit të tij në Afganistan, informon Foks njuz. Lakanval ka hyrë në SHBA menjëherë pas tërheqjes nga Afganistani në vitin 2021, si pjesë e programit të administratës së ish presidentit Xho Bajden "Aleatë të mirëseardhur", të dedikuar për zhvendosjen e afganëve të cënueshëm dhe atyre që kanë bashkëpunuar me forcat amerikane. Sipas Si-En-En, ai parashtroi kërkesë për azil në vitin 2024 dhe administrata e Trampit, thuhet, e miratoi kërkesën në prill 2025.
Bishkek- Presidenti rus Vlladimir Putin paralajmëroi një iniciativë për të nisur një program të madh për të pajisur aleatët në Organizatën së marrëveshjes së sigurisë kolektive (OMSK) me armë dhe pajisje ushtarake moderne ruse. Në samitin e OMSK-së në Bishkek, Putini theksoi se Rusia do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me aleatët për të rritur gatishmërinë luftarake të kontingjenteve kombëtare dhe për të përmirësuar komandën dhe kontrollin e forcave kolektive, transmetoi TASS. "Do t'i drejtojmë përpjekjet tona drejt rritjes së gatishmërisë luftarake të kontingjenteve kombëtare dhe përmirësimit të komandës dhe kontrollit të forcave kolektive", tha Putini, duke folur për udhëheqjen e Moskës me organizim në vitin 2026.