• четврток, 15 јануари 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/24 dhjetor 2025

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot në seancën për pyetje deputetësh në Kuvend, duke u përgjigjur në pyetjen nga lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, theksoi se në periudhën e kaluar vazhdimisht ata e kanë manipuluar publikun me shifra për rritje çmimesh mbi pesë për qind, mbi dhjetë për qind, kështu që në fund doli që rritja të ishte 2 për qind e gjysmë. "Kësaj pyetje ndoshta më së miri i përgjigjet anëtari i ri i Komitetit tuaj ekzekutiv, z.Bislimoski i cili është vëllai i kryetarit të Komisionit Rregullator, Marko Bislimoski. Komisioni Rregullator sipas ligjit është një organ i pavarur, me Kushtetutë është trup i pavarur, nuk e di pse po ma bëni mua këtë pyetje, supozoj se duhet ta pyesni Marko Bislimoskin, vëllai i të cilit tani është bashkëpunëtor i juaj në Komitetin ekzekutiv të LSDM-së dhe shpresoj se ai do t'ju japë përgjigje më të saktë se sa unë. Dhe pse e manipuluat publikun me rritje çmimesh mbi pesë për qind, pastaj mbi dhjetë për qind, pra nuk doli ajo shifër, doli 2 presje diçka për qind”, iu përgjigj Mickoski, Filipçes i cili ndër të tjera e pyeti se pse ata, si Qeveri në një vit e gjysmë të kaluar, nuk kanë bërë asgjë për të forcuar sektorin e energjisë.

Shkup  - Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi u bëri thirrje grupeve parlamentare që të gjendet vullnet politik dhe në Kuvend të zgjedhet Avokati i popullit. Në takimin e sotëm me gazetarët, ai tha se personalisht do të angazhohet për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, sepse është një institucion i rëndësishëm dhe se është e papranueshme që aq gjatë kohë të mos ketë udhëheqës.  "Sa i përket procedurës, ne kemi bërë gjithçka që ajo të ecë normalisht, por po përballemi me vullnetin politik të partive politike. Ju e dini që duhet të votohet me shumicë dhe me një Badenter të madh (20 deputetë nga komunitetet). Po e shfrytëzoj këtë mundësi përmes jush, mediave, të bëj thirrje deri te të gjitha partitë politike që ta zhbllokojnë këtë proces, të gjejmë zgjidhje, të ulen aktorët politikë të gjejnë zgjidhje. Mbi të gjitha, le të jemi të ndërgjegjshëm ndaj një institucioni shumë të rëndësishëm siç është Avokati i Popullit. Do të doja që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur dhe menjëherë do të caktoja seancë. Pika është në rend të ditës, do ta votojmë që të mund të funksionojë edhe në lidhje me zgjedhjet e përsëritura që janë më 11 janar", tha Gashi.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot nga foltorja e Kuvendit tha se fuqia blerëse me pagën minimale aktuale në Maqedoni është më e lartë se në të gjitha vendet fqinje, përveç Greqisë. Sipas tij, paga minimale duhet të rritet, por duhet të jetë rezultat i bisedimeve dhe dialogut midis punëtorëve dhe punëdhënësve.  Mickoski vlerësoi gjithashtu se po manipulohet rëndë me shifrat për rritjen e pagave minimale në vendet fqinje, sepse atje flitet për pagë bruto, ndërsa te ne për pagë neto, që është një dalim i madh.

Shkup - Kur BDI ishte në qeveri dhe Artan Grubi ishte nënkryetar i parë, u dha mendim dhe rekomandim për të fshirë veglën Balancuesin, ndërsa unë nuk komentoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigje të pretendimit të deputetes së BDI-së, Rina Ajdari. Në seancën për pyetje të deputetëve ajo tha se kjo Qeveri e ka hequr veglën për përfaqësim të drejtë dhe se afro dy vjet, siç tha, shqiptarët janë pa drejta të mbrojtura dhe publikohen “konkurse skandaloze” për punësim vetëm të maqedonasve. 

Shkup - Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Muhamed Ali sot e vizitoi Komunën e Probishtipit dhe zhvilloi takim pune me kryetarin e komunës, Toni Tonevski. Në takim u diskutua për avancimin e bashkëpunimit me komunën, si dhe për forcimin e kapaciteteve të Qendrës Rajonale për Menaxhimin e Krizave. Në kuadër të vizitës, drejtori Ali realizoi gjithashtu takim pune me drejtorin e Hidrosistemit “Zlletovica”, Zllatko Stojanovski. Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë dhe nevojës për revitalizimin dhe modernizimin e sistemit të njoftimit dhe alarmimit me të cilin disponon hidrosistemi “Zlletovica”, si një element kyç për paralajmërimin në kohë të popullatës dhe institucioneve në rast rreziqesh të mundshme dhe situatash emergjente.

Shkup - Propozim-ndryshimet e Ligjit për vlerën e shtuar me të cilën kërkohet prolongimi i afatit të TVSH-së nga 18 për qind për banesën e parë të blerë sot kaluan filtrin parlamentar të Komisionit të Financave dhe Buxhetit.  Propozim-ndryshimet janë paraqitur nga grupi i deputetëve nga VMRO-DPMNE-ja dhe me ta kërkohet prolongimi i dispozitës për rritjen e TVSH-së nga pesë në 18 për qind nga 1 janari i vitit 2028.  "Me ligjin, po e shtyjmë zbatimin e dispozitës e cila duhej të hynte në fuqi nga janari i vitit 2026, që do të thotë se TVSH-ja për banesën e parë do të mbetet 5 për qind në vend të 18 përqind sa duhej të ishte nga 1 janari i vitit 2026. Disa llogaritje të bëra nga kolegët tanë tregojnë se nëse doni të blini një banesë prej 70 metra katrorë në Shkup, mund të kurseni deri në 15 mijë euro me prolongimin e afatit", tha Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE, i cili është një nga propozuesit.

Shkup - Sot, në kushte kur kemi një trend të qartë në rënie të inflacionit, një nga më të ulëtit në Evropë, nën 4 për qind, me tendencë për t'u stabilizuar midis 2 dhe 3 për qind vitin e ardhshëm, opozita, në mundesë të një ideje krijuese dhe politika reale, merret me sulme shpifëse ndaj Qeverisë, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski.  Ai nga foltorja parlamentare, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, tha se LSDM kishte mundësi të bënte diçka për të përmirësuar standardin e jetesës, por në vend të kësaj lejoi norma rekord të inflacionit prej 17, 18 dhe 19 për qind në vit, gjë që i dha një goditje të madhe shtetit, veçanërisht në periudhën 2020 - 2023. Sipas Mickoskit, besimi i qytetarëve tek kjo qeveri po rritet gjithnjë e më shumë. 

Shkup - E përfundojmë me sukses vitin 2025, duke i marë parasysh ndryshimet dhe qëllimet, që kemi dashur t'i arrijmë dhe se në vitin 2025 rritja e buxhetit do të jetë 2,5 për qind. Viti i ardhshëm 2026 do të jetë viti i stabilizimit dhe i përfundimieve të asaj që e kemi filluar në vitin 2025, theksoi sot në takim me gazetarët drejtori i përgjithshëm i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski. Buxheti për vitin 2026, theksoi ai do të sjellë mundësi për stabilizim të portolios që e kemi ndërtuar në vitin 2025, megjithatë në një moment ndo të jetë i pamjaftueshëm, e ato janë kompensime për sëmundje, sepse për këtë vit kemi konstatuar vse për shkak të rritjes së pagave mesatare rriten edhe kompensimet për sëmundje, sidomos ato të lehonisë.

Shkup  - Askush nuk mund ta parashikonte që fermerët në Greqi do të hynin në grevë për ditë me radhë pikërisht tani. SHA EMV, e cila është nën Qeverinë dhe Ministrinë e Energjisë nuk ka kompetenca mbi të, i ka kryer prokurimet e saj sipas planit të prokurimit, por ne jemi përgjegjës dhe po shpallim një krizë shtatëditore, tha ministrja Sanja Bozhinovska në përgjigje të pyetjeve të deputetëve në lidhje me gjendjen e krizës së shpallur në furnizimin me energji elektrike për shkak të mungesës së energjisë. Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari pyeti pse me kohë nuk u ndërmorën hapa për të mbrojtur qytetarët nga tronditja e çmimeve me rritjen e re të çmimeve të energjisë elektrike, duke thënë se kjo "nuk është një krizë energjetike, por një krizë papërgjegjësie". 

Shkup  - Mbrojtja e të akuzuarit Aleksandar Nacev, në fjalën hyrëse në gjykimin për zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, pretendon se gjatë procedurës do të vërtetojnë se "i akuzuari Aleksandar Nacev nuk ka qenë as personi përgjegjës dhe as pronari i vërtetë i personit juridik "Rubikon", si dhe se pjesëtarët sigurimit natën e ngjarjes tragjike nuk kanë qenë përgjegjës ose të angazhuar për të kontrolluar numrin e mysafirëve të pranishëm në kabare, për të kontrolluar pajisjet e sigurisë, kushtet e sigurisë së objektit, as që personi juridik i akuzuar ka qenë i detyruar të paraqesë plan sigurie. Në sallën gjyqësore në Idrizovë në kuadër të Gjykatës Themelore Penale Shkup sot vazhdon gjykimi për tragjedinë në të cilën humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 ishin lënduar. Të gjithë të akuzuarit në fillim të gjykimit deklaruan se nuk ndjehen fajtorë për tragjedinë, pas fjalëve hyrëse të mbrojtjes, duhet të fillojë procedura dëshmuese me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të dëmtuar, të propozuar nga Prokuroria. 

Shkup  – NQP përmes një kumtese i përkujton shfrytëzuesit e biletës vjetore për studentë për shfrytëzim falas të transportit publik se është e nevojshme ta vazhdojnë/verifikojnë biletën për vitin 2026.  “Vazhdimi/verifikimi i biletës fillon prej sot (25.12.25), dhe bëhet në cilëndo qendër për personalizim të NQP Shkup, me prani personale të studentit i cili duhet të dorëzojë vërtetim për student të rregullt të dhënë nga institucion i akredituar i arsimit të lartë, indeks origjinal me semestër të regjistruar dimëror dhe letërnjoftim”, qëndron në kumtesën e NQP-së.  Nga aty shtojnë se studentëve/të vitit të parë nga viti akademik 2025/2026, bileta automatikisht u vlen edhe për vitin e ardhshëm kalendarik.

Shkup - Reshje të dobëta të borës ka në akset rrugore Pehçevë-Obozna-Berovë dhe Suvi Laki, i cili për momentin nuk qëndron mbi rrugë. Dukshmëri e ulët për shkak të mjegullës deri në 100 metra ka në qafat malore Strazhë-Gjavatë dhe Krushevë, informojnë nga NP "Rrugët e Maqedonisë".  Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Në disa akse rrugore që kalojnë nëpër qafat malore dhe gryka, është e mundur shfaqja e rrëshqitjeve të vogla. NP "Rrugët e Maqedonisë" apelon për drejtim të kujdesshëm të automjeteve, respektim të sinjalistikës rrugore të vendosur, si dhe përshtatje të shpejtësisë sipas kushteve të rrugës. Ekipet e kujdestarisë janë vazhdimisht në terren dhe i mbajnë të gjitha akset rrugore të kalueshme.

Stamboll  - Forcat turke të sigurisë arrestuan 115 anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik, të cilët dyshohen se kanë planifikuar sulme gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në këtë vend, njoftoi sot Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit. Policia e Stambollit ka marrë informacione se anëtarë të Shtetit Islamik po planifikojnë sulme në Turqi, veçanërisht kundër jomuslimanëve gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, publikoi prokuroria në platformën X. Në kumtesën theksohet se policia ka kryer bastisje në 124 vende në Stamboll dhe se janë arrëstuar 115 persona nga 137 të dyshuarit që kërkohen. Gjatë arrestimit të të dyshuarve, janë sekuestruar edhe disa armë dhe municione. 

Tel Aviv  – Izraeli asnjëherë nuk do të tërhiqet plotësisht nga Rripi i Gazës, deklaroi sot ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Kac. “Do të ketë zonë të rëndësishme të sigurisë në kuadër të Rripit të Gazës, madje edhe kur do të kalojmë në fazën e dytë nga marrëveshja paqësore, në rast se Hamasi të çarmatoset. Kjo do të kontribuojë për mbrojtje të bashkësisë izraelite”, tha Kac, njofton “Tajms of Izrael”.  Sipas tij, nëse Hamasi nuk çarmatoset vetë, atëherë Izraeli do ta detyrojë ta bëjë këtë.  “Nëse nuk e kontrollojmë korridorin ndërmjet Gazës dhe Egjiptit asnjë ditë, Irani do të arrijë çdo lloj armësh në Gazë” tha Kac. 

Tel-Aviv - Një ushtar izraelit është plagosur në shpërthimin në Gazë, që e shtyu Tel-Avivin ta akuzojë Hamasin për shkelje të armëpushimit. Armata izraelite kumtoi se dje ishte detonuar një mjet shpërthyes nën automjetin ushtarak derisa ushtarët e "çmintuan" infrastrukturën e militantëve në qytetin Rafah, në Gazën jugore. Ushtari i lënduar lehtë ndodhet në spital, shtoi armata. Funksionari i lartë i Hamasit, Mahmud Mrdavi, deklaroi në rrjetet sociale se shpërthimi është rezultat i artilerisë së pashpërthyer dhe se grupi i ka njoftuar ndërmjetësit.

Mançester - Portugezi në radhët e Mançester Junajted, Bruno Fernandes e dëmtoi muskulin e kofshës në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Aston Villa (1-2). Mediat angleze po spekulojnë sot se ai do të mungojë për të paktën tre javë, ndërsa burime të afërta me ekipin thonë se ai do të rikthehet për derbin e qytetit kundër Mançester Siti, i cili është planifikuar për 17 janar. Ferndandesh me siguri do të humbasë pesë ndeshjet e ardhshme, ndërsa në gjashtë vitet që ka qenë në Junajted, lojtari i ekipit kombëtar portugez ka munguar në vetëm dy ndeshje për shkak të lëndimit dhe një për shkak të sëmundjes.

Остани поврзан