• среда, 14 јануари 2026
MIA Flesh

18:00/ 13 janar/ 2026

Shkup - Në Klubin e deputetëve nesër do të mbahet takimi i liderëve mes kryeministrit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe kryetarëve të partive parlamentare, të cilat kanë grupe të deputetëve në Kuvend, ku, siç u paralajmërua, do të bisedohet për ligjet reformuese në jurisprudencë, për zgjedhjen e avokatit të popullit, për Kodin penal dhe për heqjen e qeverisë teknike, por edhe për çështje tjera me propozim të pjesëmarrësve në takim. Nga tre grupet opozitare të deputetëve, tani për tani, konfirmim për pjesëmarrje ka vetëm nga "E Majta", ndërsa lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, edhe një herë e refuzoi thirrjen e Mickoskit për konsenzus për çështjet kyçe për shtetin. Nga partnerët e koalicionit në Qeveri, në takim nga koalicioni "Vlen" pritet pjesëmarrja e kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami dhe e liderit të ZNAM-it dhe kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Shkup- Qeveria, në seancën e 141-të të mbajtur sot, u informua për ecurinë e procedurës për nominimin e kandidatëve për pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme prezantoi Informacionin mbi aktivitetet e realizuara, në përputhje me njoftimin e dorëzuar nga Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me të cilin informohet për propozimin e Komisionit për përzgjedhjen e tre kandidatëve: Jordan Apostollski, Natasha Boshkova dhe Sasho Georgievski. Pas shqyrtimit, Qeveria e miratoi Informacionin, pas së cilit Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, si institucion kompetent i ngarkuar për zbatimin e aktiviteteve administrative dhe teknike në procedurë, do të vazhdojë me sigurimin e mendimit nga Paneli Ndërkombëtar Këshillëdhënës i Ekspertëve pranë Këshillit të Evropës, lidhur me përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga kandidatët e propozuar.

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot në takim lamtumirës e ka pritur ambasadoren e SHBA-së, Anxhela Prajs Ageler. Siç informoi Siljanovska Davkova përmes publikimit në profilin e saj në Fejsbuk, dy bashkëbisedueset kanë konfirmuar se dy vendet, si aleatë shumëvjeçarë, kultivojnë miqësi të fuqishme, e cila bazohet në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë. "Ambasadorja Ageler më uroi për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit gjyqësor, duke e vlerësuar zgjedhjen si hap të rëndësishëm ndaj reformimit të këtij trupi të rëndësishëm gjyqësor. Në emër të qytetarëve tanë iu falënderova ambasadores për kontributin e saj në thellimin e bashkëpunimit dhe përforcimin e partneritetit strategjik", ka shkruar Siljanovska Davkova.

Kumanovë - Banorët e Kumanovës, të cilët në periudhën e kaluar ishin të angazhuar nga kompanitë amerikane në bazat ushtarake në Irak dhe Afganistan, sot protestuan përsëri para zyrës rajonale të Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Ata kërkojnë nga shërbimet kompetente t'ua pranojnë provat që kanë paraqitur, midis të cilave janë pasaportat me vula kufitare, certifikatat nga punëdhënësit dhe dokumente të tjera, që sipas tyre vërtetojnë se kanë munguar nga vendi për më shumë se 183 ditë gjatë vitit. Disa prej tyre thanë se kompanitë amerikane për të cilat punonin ua dërgonin faturat për taksat e paguara, atyre që punonin në Irak, gjë që nuk është rasti me kompanitë për të cilat punonin në Afganistan.

Tiranë - Një numër klientësh të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) në Shqipëri, më e madhja në Shqipëri, janë përballur me një surprizë të pakëndshme, teksa kartat e tyre janë zbrazur në mënyrë të mistershme. "Janë identifikuar një sërë rastesh ku kartat rezultojnë të jenë përdorura në shtete të ndryshme. Në një rast, karta e një qytetari rezultonte të ishte përdorur në Bullgari duke bërë blerje për një shumë të konsiderueshme me mijëra euro. Në një tjetër rast, paratë ishin marrë në Itali, e kështu me radhë", publikoi gazeta "Kapitali". Pas këtij informacioni, "Kaputali" zyrtarisht iu drejtua BKT-së për të mësuar se çfarë ka ndodhur.

Moskë- Katër tankerë për naftë të drejtuara nga kompani greke u goditën nga dronë të paidentifikuar sot, ndërsa lundronin nëpër Detin e Zi drejt terminalit të Konsorciumit të Gazsjellësit Kaspik (CPC) në afërsi të bregur rus, publikuan mediat ruse. Aktualisht është e paqartë se kush qëndron pas sulmeve me dronë. Ukraina ende nuk ka komentuar për këtë çështje, ndërsa CPC refuzoi të komentojë për incidentin. Forcat ukrainase më 29 nëntor me dron goditën një nga tre portet kryesore të CPC-së  në afërsi të portit Novorijsk, që çoi në ulje të eksportit dhe prodhimit të naftës në Kazakistan. 

Damask – Armata siriane ju bëri thirrje forcave kurde të tërhiqen në zonën të cilën e kontrollojnë ndërmjet Alepos dhe lumit Eufrat pasi ishin të detyruar të tërhiqen nga qyteti i madh në Sirinë veriore pas luftërave të ashpra, informuan mediat franceze.  Armata ju bëri thirrje “të gjitha grupeve të armatosura të tërhiqen në lindje të lumit Eufrat”, i cili rrjedh përgjatë Sirisë veriore.  Armata siriane gjithashtu publikoi një hartë në të cilën është treguar rajoni që duhet të evakuohet me ngjyrë të kuqe duke paralajmëruar se tani do të konsiderohet si zonë e mbyllur ushtarake.

Uashington– Presidenti amerikan, Donald Tramp, në rrjetin e tij social Truth Social shkroi se shteti federal amerikan Minesota përballet me “ditën e llogaridhënies dhe hakmarrjes”.  “A duan vërtet njerëzit e Minesotës të jetojnë në një bashkësi ku ka mijëra vrasës të dënuar, trafikantë droge dhe të varur, përdhunues, të burgosur të liruar me forcë dhe të arratisur, njerëz të rrezikshëm nga institucione mendore të huaja, dhe kriminelë të tjerë vdekjeprurës, shumë të këqij për t’u përmendur? E tëra çfarë duan patriotët në ICE është t’i largojnë ata nga lagjja e tyre dhe t’i kthejnë në burgjet dhe institucionet mendore nga të cilat kanë ardhur, shumica e tyre në vende të huaja që kanë hyrë ilegalisht në SHBA përmes politikave të tmerrshme të kufijve të hapur të Xho Bajdenit të përgjumur. Kudo që shkojmë, krimi ka rënë”, shkroi ai në Truth Social.

Nju Jork – Komisari i lartë i KB-së për të drejtat e njeriut, Uollker Turk, kërkoi sot nga autoritetet iraniane që menjëherë ta ndërpresin dhunën dhe represionin ndaj protestuesve paqësorë dhe ta kthejnë qasjen e plotë në internet dhe shërbime telekomunikimi.  “Vrasja e protestuesve paqësorë duhet të ndalet, ndërsa etiketimi i protestuesve si ‘terroristë’ për të justifikuar dhunën kundër tyre është i papranueshëm. Siç e pamë së fundmi në vitin 2022, segmente të mëdha të popullsisë iraniane dolën në rrugë, duke kërkuar ndryshime themelore në qeverisjen e vendit të tyre. Dhe edhe një herë, përgjigjja e qeverisë ka qenë përdorimi i forcës brutale për të shtypur kërkesat legjitime për ndryshim”, transmetoi Zyra e komisari të lartë për të drejtat e njeriut në një kumtesë.

Seul - Prokurori special i Koresë së Jugut ka kërkuar dënim me vdekje për ish-presidentin Jun Suk-jeol me akuzën për organizimin e një kryengritjeje anti-shtetërore për shkak të gjendjes së shkurtër ushtarake që ai vendosi në dhjetor 2024, publikuan agjencitë perëndimore. Ekipi i prokurorit special Ço Eun-suk e kërkoi dënimin gjatë seancës së fundit dëgjimore për çështjen e Jun në Gjykatën qëndrore të qarkut në Seul. Jun,  i cili u shkarkua zyrtarisht nga detyra në prill të vitit të kaluar, është në gjyq për gjendjen ushtarake dhe një sërë skandalesh që lidhen me sundimin e tij.

Madrid - Legjenda e baladës spanjole, Hulio Iglesias po ballafaqohet me akuza se seksualisht ka sulmuar dy gra në vitin 2021. Më e reja prej tyre atëherë ka qenë 22 vjeç, njoftojnë mediumet spanjolle. Gratë njoftojnë se ylli spanjoll, gjoja, seksualisht i ka abuzuar derisa kanë qenë të punësuara në villat e tij në Karaibe. Ndihmësja shtëpiake pohon se ka qenë e detyruar në seks, duke përshkruar hapa si shuplaka, dhunë fizike dhe verbale. Fizioterapistja, e cila po ashtu, ka punuar për këngëtarin, pohon se ka qenë e nënshtruar në prejke jo të hijshme, fyerje dhe nënçmime gjatë punës së saj, në atmosferë të kontrollit dhe shqetësimit të vazhdueshëm", njofton Independent britanik. Sulmet gjoja kanë ndodhur në shtëpitë e tij në Punta Kana, Republikën Domenikane dhe Lajford Kej në Bahame.

Madrid- Reali i Madridit sot edhe zyrtarisht e prezantoi trajnerin e ri të përkohshëm, Alvaro Arbeloa, pasi dje e ka ndërprerë bashkëpunimin me Çabi Alonson. Sipas paralajmërimeve nga "klubi mbretëror", ish mbrojtësi i klubit do të qëndrojë në stol deri në fund të sezonit. "Kjo është ditë e posaçme, si dhe çdo ditë prej se jam pjesë e Realit të Madridit. Sot e di përgjegjësinë dhe detyrën që është para meje dhe e pranova me plot entuziazëm. Dje u informova se do ta ndërmarr ekipin e parë dhe menjëherë bisedova me Çabin, por kjo do të mbetet mes nesh", tha Arbeloa. Në promovimin ka marrë pjesë edhe drejtori i klubit Emiliano Butragenjo, ndërsa Arbeloa sot e ka mbajtur stërvitjen e parë me ekipin.

Остани поврзан