• четврток, 25 декември 2025
MIA Flesh

09:00/24 dhjetor/2025

Shkup - Kuvendi sot do ta mbajë seancën e 75-të, në rend dite të së cilës është edhe zgjedhja e ministrave të rinj për çështje evropiane dhe mjedis jetësor. Si pikë e re në rend dite është Propozimi për shkarkimin e Orhan Murtezanit nga funksioni ministër në Ministrinë për Çështje Evropiane. Për zëvendës kryeministër të ri dhe ministër për Çështje Evropiane është propozuar deputeti i tanishëm dhe ish ministër i Shëndetësisë Bekim Sali.

Shkup - Këshilli gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do ta mbajë seancën e 534-të në të cilën do të shqyrtohen çështjet e lidhura me ndërprerjen e funksionit gjyqësor për shkak të përmbushjes së kushteve për pensionin e pleqërisë, ankesat dhe peticionet në lidhje me punën e gjyqtarëve dhe gjykatave, si dhe formimin e komisioneve për procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë.

Shkup- Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do ta mbajë seancën e 28-të dhe të fundit për vitin 2025, në të cilën do të shqyrtohen nëntë nisma për vlerësimin e kushtetueshmërisë dhe duhet të merren vendime përfundimtare për pesë lëndë. Ndër lëndët me interes më të madh publik janë nismat me të cilat konstestohen ndryshimet e Ligjit për pagat e gjyqtarëve. Parashtruesit pretendojnë se ulja e koeficientëve të pagave përbën shkelje të një të drejte të fituar dhe nuk bazohet në rrethana reale, duke iu referuar praktikës gjyqësore ku tashmë është konstatuar një dallim në pagesat për muajin janar të vitit 2024.

Shkup - Agjencia e postave sot në mbledhje publike do të informojë për aktivitetet e ndërmarra dhe për masat rregullatore në vitin aktual. Janë paralajmëruar fjalime nga Drejtoresha e Agjencisë së postave, Marina Tonevska, për përmbledhje të aktiviteteve dhe planeve të ardhshme të AP-së, si dhe nga Danijela Spasiq Tomovska, e cila do të prezantojë një analizë të tregut të shërbimeve postare në gjysmën e parë të vitit 2025.

Shkup - Ndërprerje në furnizimin me ujë sot nga ora 9:00 deri në përfundimin e punimeve do të kenë shfrytëzuesit nga rruga  "13 Nëntori" në komunën Qendër dhe shfrytëzuesit e një pjese të lagjes Singelliq në komunën Gazi Baba, ndërsa nga ora 10:00 edhe një pjesë e rrugës "Naum Naumovski Borçe" (pjesa nga "Leninova" deri në "Orce Nikollov") në komunën Qendër.

Shkup - Dukshmëri të ulët deri 50 metra për shkak të mjegullës ka këtë mëngjes në vendkalimin malorë Strazhë, ndërsa borë e dobët është paraqitur në Kodrën e Diellit. Sipas informacioneve të LAMM, komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. 

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira dhe reshje lokale shiu, në male me borë. Vende-vende, në pjesët lindore, reshjet do të jenë më të rrëmbyeshme (mbi 25 l/m² në 24 orë). Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 2 deri 7, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 4 deri 9 gradë, njoftoi DPHM-ja. Në Shkup moti do të jetë me vranësira dhe reshje të kohëpaskohshme të shiut. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të ulet deri 3, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 6 gradë. 

Romë - Papa Leoni i Katërmbëdhjetë mbrëmë bëri thirrje për një armëpushim njëditor për Krishtlindje në gjithë botën, pa përmendur ndonjë konflikt të veçantë, por duke shprehur keqardhje që "Rusia duket se ka refuzuar kërkesën për armëpushim". "E përsëris këtë lutje ndaj të gjithë njerëzve me vullnet të mirë që të shënojnë të paktën një ditë paqe në këtë festë të lindjes së Shpëtimtarit", tha Papa ndërsa po largohej nga rezidenca e tij në Kastel Gandolfo, në afërsi të Romës, para se të kthehet në Vatikan.

Paris - Deputetët francez mbrëmë e miratuan Ligjin për buxhet të jashtëzakonshëm pasi Parlamenti nuk arriti të pajtohet për buxhetin e plotë për vitin e ardhshëm, me të cilën u parandalua mbyllja e qeverisë, lajmëroi DPA. Marrëveshja e përkohshme i lejon vendit të mbingarkuar me borxhe të vazhdojë me punë në vitin 2026, duke i mundësuar të mbledhë tatime, të marrë hua dhe të financojë funksionet shtetërore bazë.

Остани поврзан