• четврток, 25 декември 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/24 dhjetor/2025

Shkup - Maqedonia sot është një vend në zhvillim, një shtëpi në të cilën ka vend për të gjithë njerëzit, ata që janë këtu, por edhe ata që kanë ikur jashtë vendit. Na duhet çdo vendas i Maqedonisë që dëshiron të kontribuojë për atdheun. Na duhet çdokush që ka mësuar diçka jashtë vendit dhe është i gatshëm ta investojë atë në atdhe. Na duhet çdokush që beson se ky vend mund dhe duhet të jetë një vend më i mirë për të jetuar. Përmes shembullit tuaj, sot u dërgojmë një mesazh kthimi të gjithë njerëzve tanë të lindur në Maqedoni që janë në të gjithë botën, tha kryeministri Hristijan Mickoski në forumin e të kthyerve në vend që u mbajt në Qeveri. Sot po flas para njerëzve që mbajnë një peshë të veçantë në këtë shoqëri. Njerëz që e njohin atdheun si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë. Njerëz që u larguan, jo sepse dëshironin ta braktisnin atdheun, por sepse jeta, koha dhe rrethanat i detyruan të kërkonin kushte më të mira, siguri dhe perspektivë. Dhe ajo që është më e rëndësishmja – njerëz që janë kthyer dhe kanë nisur këtu një histori të re dhe të suksesshme.

Shkup - Kuvendi ka filluar punimet në kuadër të seancës së 75-të plenare. Seanca u ndërpre gjatë plotësimit të rendit të ditës me kërkesë të deputetëve nga E Majta për pauzë njëorëshe. Në kuadër të seancës së 75-të në rend dite janë zgjedhja e ministrave të rinj për Çështje Evropiane dhe Mjedisin Jetësor. Si pikë e parë e rendit të ditës është Propozimi për shkarkimin e Orhan Murtezanit nga funksioni ministër në Ministrinë për Çështje Evropiane. Për zëvendëskryeministër të ri dhe ministër për Çështje Evropiane është propozuar deputeti i tanishëm dhe ish ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali. Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Qeverisë erdhi pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor pasi Izet Mexhiti mori në funksionin e kryetarit të komunës në Komunën e Çairit i cili kryente funksionet e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit hapësinor. Për ministër të ri të Mjedisit Jetësor nga ana e Qeverisë është propozuar ish zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Shkup - Drejtësia ka fituar - por lufta për një shtet të drejtë vazhdon. Pas procedurave të gjata gjyqësore, gjykatat kanë përcaktuar se revokimi i certifikatës sime të sigurisë dhe shkarkimi im ishin të paligjshme, se e gjithë struktura ishte e padrejtë dhe e motivuar politikisht, ndërsa kundër autorëve janë ngritur padi penale për keqpërdorim të institucioneve, për të cilat pres që institucionet të veprojnë, dhe autorët të përgjigjen, njoftoi ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe ish-drejtor i Agjencisë së Inteligjencës, Nake Çulev. Çulev, në një postim në profilin e tij në Fejsbuk, thekson se po drejtohet “para së gjithash si një burrë dhe një prind që ka kaluar vite poshtërimi, shpifjeje dhe padrejtësie”.

Tetovë - Në Klinikën Juridike të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, më 23 dhjetor 2025, u mbajt një ligjëratë publike nga Jorida Tabaku, deputete në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Tema e ligjëratës ishte “Integrimet evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor: sfidat dhe perspektivat – rasti i Shqipërisë”, duke trajtuar zhvillimet aktuale, reformat kyçe dhe perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në hapje të aktivitetit, dekani i Fakultetit Juridik Prof. Dr. Safet Emruli i uroi mirëseardhje znj. Tabaku, duke theksuar rëndësinë e diskutimit të procesit të integrimit evropian në një institucion të arsimit të lartë, veçanërisht për formimin profesional dhe kritik të studentëve. Ai nënvizoi se procesi i integrimit evropian përfaqëson një sfidë të rëndësishme politike dhe juridike për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa rasti i Shqipërisë, përmes reformave në drejtësi dhe harmonizimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian, ofron përvoja të vlefshme edhe për vendet e tjera të rajonit.

Shkup - Ministria e Financave vazhdon me pagesën dhe realizimin e rregullt të urdhëresave të dorëzuara nga shfrytëzuesit buxhetorë të cilët në përputhje me udhëzimet i dorëzuan urdhëresat deri më 15 dhjetor 2025. "Gjatë ditëve të kaluara, përmes Thesarit u realizuan pagesat lidhur me subvencionet për naftën e gjelbër, subvencionet për blegtorinë, respektivisht delet, mjetet për korridoret 8 dhe 10 d, pagesat e dy transheve në Bankën Zhvillimore për kompanitë vendase, mjetet për mbrojtjen shëndetësore parësore dhe për urdhëresat e tjera rrjedhëse", thonë nga Ministria e Financave. Ndër urdhërpagesat e realizuara gjatë javës së kaluar janë edhe mjetet për projektet e vetëpunësimit në suaza të Planit operativ të punësimeve, si dhe mjetet për kthimin e kontributeve në organizatat mbrojtëse.

Shkup - Pritjet e Guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, janë që vitin do ta mbyllim me inflacion prej 4 ose afërsisht 4 për qind, siç është edhe projeksioni i bankës qëndrore.  Në përgjigje të pyetjes së një gazetari pas konferencës së sotme për shtyp, Sllaveski tha se pritjet për vitin e ardhshëm janë që inflacioni të vazhdojë të ulet dhe të jetë midis 2,5 dhe 3 për qind, kurse në afat të mesëm do të arrihen nivele historikisht të ulëta prej rreth dy për qind. "Inflacioni pati një trend rënës në muajt e parë të vitit dhe çuditërisht u përshpejtua për disa muaj, por në verë vumë re se madje patëm muaj me deflacion, minus 0,2 për qind, mendoj se kështu ishte në gusht krahasuar me korrikun. Stabilizimin e konsiderojmë si të tillë që trendi rritës nuk është përmbysur dhe tashmë kemi ndryshime të vogla nga muaji në muaj. Në tetor kemi një rritje prej 4,5 për qind. Si projeksionet ashtu edhe pritjet tregojnë se inflacioni vjetor për këtë vit do të jetë brenda projeksionit tonë, domethënë rreth 4 ose afër 4 për qind. Projeksioni ynë ishte 3,9 për qind, ndërsa projeksionet për vitin e ardhshëm ju janë të njohura", tha Sllaveski.

Shkup - Le të jemi të drejtë dhe të hapur – është shumë e lehtë të merret pjesa e tregut që është fitimprurëse dhe që përshtatet, ndërsa Posta e Maqedonisë të mbajë përgjegjësi shoqërore – letrën që unë sot do t’ia dërgoj kryetarit të komunës së Vevçanit ta dorëzojë në kushte kur askush tjetër nuk e bën këtë. Për këtë do të bisedojmë në periudhën e ardhshme, sepse gjendja nuk mund të mbetet e tillë – ose të gjithë njësoj do ta mbajmë barrën, ose do të marrim vendime të tjera. Qëllimi im është që Posta e Maqedonisë të rritet, e jo të deshtojë, porositi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Në fjalimin e tij në takimin publik të organizuar nga Agjencia postare, Nikolloski rikujtoi se edhe kërkesa në Planin e Rritjes është që të përmirësohet efikasiteti i shërbimeve duke ulur kostot deri në 15 për qind, si dhe të përmirësohen treguesit e profitabilitetit po ashtu deri në 15 për qind, por kjo, theksoi ai, në kushtet aktuale te ne është e pamundur.

Shkup - Pasi në vitin e kaluar shkollor është rritur numri i mediatorëve arsimorë romë në arsimin fillor nga 40 në 50 persona, të cilët i ndihmojnë të rinjtë romë të përfshihen në procesin edukativo-arsimor dhe të mos ketë braktisje të nxënësve nga shkolla, këtë vit për herë të parë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës përfshiu mediatorë arsimorë romë edhe në arsimin e mesëm. Përmes thirrjes publike u përzgjodhën 20 persona të cilët do të punojnë me nxënës të shkollave të mesme nga komuniteti etnik rom në tejkalimin e sfidave arsimore dhe sfidave të tjera me të cilat ata përballen në jetën e përditshme. Sot ata nënshkruan marrëveshje për angazhim pune dhe u takuan me ministren e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, e cila shprehu mirënjohje për dëshirën dhe gatishmërinë e tyre për t’u përfshirë në angazhimin e ngritjes së gjithëpërfshirjes së sistemit kombëtar arsimor dhe u uroi sukses në punën e tyre.

Shkup  - Posta e Maqedonisë muajin e ardhshëm nga Qeveria do të marrë 100 automjete, 90 furgonë më të vegjël dhe 10 furgonë më të mëdhenj, gjë që do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve për punë, tha sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.  Siç informoi Nikolloski në mbledhjen publike që e mbajta Agjencia e postave, po punohet edhe për një program për mbështetje shtesë për Postën. "Po punojmë edhe në një program që do të thotë ndihmë shtesë për Postën e Maqedonisë edhe në fushën e softuerit, selektuesve, kushteve të hapësirës dhe aftësisë për të ofruar shërbime më të mira në treg. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Agjencinë luan një rol kyç", tha zëvendëskryeministri. 

Gostivar  - Nevzat Bejta, kandidati për kryetar të komunës së Gostivarit në zgjedhjet e përsëritura në konferencë për shtyp e akuzoi pushtetin lokal të kaluar se ka bërë keqpërdorime gjatë furnizimeve publike vlera e të cilave është më shumë se miliona denarë. "Sot jemi këtu të flasim hapur për keqpërdorimet dhe qeverisjen e keqe të Arben Taravarit, i cili me vite bën përpjekje ta fshehë pas propagandës dhe imazhit të rremë të "udhëheqësit të suksesshëm", tha Bejta. Ai në fjalim para gazetarëve thekson se Gostivari nuk është udhëhequr në interes të qytetarëve, por në interes të rrethit të ngushtë të Taravarit. Bejta tregoi marrëveshje me të cilat, siç pretendon, pushteti lokal ka lidhur furnizime publike me një firmë e cila i ka plotësuar aplikacionet për projekte dhe rregullimin e sallës të Këshillit të komunës. Sipas tij shpenzimet janë disa herë më të mëdha, se sa vlera e tyre e vërtetë.

Shkup  - Nesër priten reshje lokale të kohëpaskohshme, veçanërisht në pjesët lindore të vendit. Në viset më të larta, reshjet do të jenë me borë. Pasdite, reshjet do të ndalen. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior, informon Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM). Temperaturat minimale gjatë ditës së nesërme do të sillen nga -1 deri në 6 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 3 deri në 9 gradë Celsius. Në Shkup, temperaturat minimale do të zbresin në 3 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë në 6 gradë Celsius.

Shkup  - Dukshmëria për shkak të mjegullës është zvogëluar në 30 metra në rrugën midis fshatit Gajre dhe Kodrës së Diellit dhe në 100 metra në rrugën midis Shtipit dhe Negotinës në afërsi të Sertës, informojnë nga Lidhja Auto Moto e Maqedonisë. Në Kodrën e Diellit po bie borë e lehtë që nuk ngjitet në rrugë. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare në anën e Maqedonisë nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Prishtinë - Në këtë festë drite e shprese, uroj nga zemra të gjithë besimtarët e krishterë që Krishtlindja t’u sjellë paqe në shpirt, dashuri në familje dhe shëndet në çdo shtëpi, thotë në urimin e saj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. "Le të na bashkojë tradita jonë e respektit, solidaritetit dhe e mikpritjes, duke na dhënë forcë të ecim përpara së bashku, me besim, shpresë dhe mirëkuptim. Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen!", uron Osmani.

Tiranë - Pajisja e Forcave të armatosura të Shqipërisë me sistemin “Xhavelin” përfaqëson një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe përmbushjen e objektivave të modernizimit të ushtrisë. “Ardhja e sistemeve "Xhavelin" falë bashkëpunimit me aleatin tonë strategjik SHBA, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Puro Vengu. Sistemi “Xhavelin” konsiderohet një element kyç për mbrojtjen tokësore, duke rritur ndjeshëm aftësinë e Forcës tokësore për të përballuar kërcënime të avancuara dhe për të vepruar në përputhje me standardet e Aleancës.

Moskë  - Tre persona u vranë këtë mëngjes nga një shpërthim me bombë në Moskë, pasi dy policë iu afruan një burri që po vepronte në mënyrë të dyshimtë pranë vendit ku dy ditë më parë ishte vrarë një gjeneral i lartë nga një makinë-bombë. Rusia konfirmoi se sulmi ndaj gjeneralit ishte shkaktuar nga shërbimi inteligjent ukrainas.  Një numër i madh i personelit ushtarak rus dhe mbështetësve të lartë të luftës në Ukrainë janë vrarë gjatë konfliktit pothuajse katërvjeçar, ndërsa për shumë nga këto sulme përgjegjësinë e ka marrë inteligjenca ushtarake ukrainase.

Moskë  - Kremlini nuk do të komentojë për informacionet që Kiril Dmitriev, Përfaqësuesi Special i Presidentit rus për Investime dhe Bashkëpunim Ekonomik me Vendet e Huaja dhe kryetar i Fondit rus për investime direkte solli nga SHBA-ja në lidhje me zgjidhjen ukrainase, deklaroi sot zëdhënësi Dmitry Peskov. "Ne ende besojmë se është jashtëzakonisht e papërshtatshme të kryhet ndonjë komunikim përmes mediave. Prandaj, nuk do të themi se çfarë saktësisht "solli" Dmitriev dhe, sidomos, nuk do të komentojmë asgjë përmes mediave", tha Peskov, transmetohet nga mediat ruse.

Londër - Futbollistët e Arsenalit u kualifikuan në gjysmëfinalen e Ligës së Kupës angleze, pasi mbrëmë mposhtën rivalin e qytetit Kristal Palas në penallti me rezultat 8-7 në ndeshjen çerekfinales në stadiumin "Emirates". Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1, ndërsa çështja e fituesit u vendos në serinë e tetë të penalltive.  Lojtari që gaboi në radhët e Kristal Pallasit ishte Maksens Lakroa, penalltia e të cilit u prit nga Kepa Arizabalaga, ndërsa mbrojtësi francez shënoi edhe një autogol.

Paris  – Një grup hakerash prorus ka marrë përgjegjësinë për një sulm të madh kibernetik ndaj Postës franceze e cila ndërpreu dërgesat disa ditë para Krishtlindjeve. Grupi “Nonejm057” ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj postës franceze. “Nonejm057” është fajësuar gjithashtu për sulme të tjera kibernetike në Evropë, përfshirë një sulm ndaj Samitit të NATO-s i cili u mbajt në Holandë në qershor. Sistemet qendrore kompjuterike të Postës franceze u shkatërruan dy ditë më parë nga një sulm DDoS, gjatë të cilit u anuluan të gjitha dërgesat e pakove dhe letrave dhe u ndërprenë edhe pagesat bankare onlajn.

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp ka kërcënuar me marjen e koncesionit ndaj rrjeteve kryesore televizive që e kritikojnë atë dhe aleatët e tij politikë. "Nëse EMISIONET informative televizive dhe emisionet e tyre të vona të natës janë pothuajse 100 për qind negative ndaj presidentit Donald Tramp, MAGA dhe Partisë Republikane a nuk duhet të revokohen licencat e tyre të vlefshme të transmetimit? Unë them PO!”, reagoi Trampi në rrjetin e tij social "Truth Social". Tramp sulmoi gjithashtu prezantuesin Stiven Kolbert, duke e quajtur atë një "shkatërrimtar të dëshpëruar pa talent" dhe i bëri thirrje Si-Bi- Es-it (CBS) ta largojë atë nga ekrani edhe para skadimit të kontratës së tij që i skadon vitin e ardhshëm. Ai gjithashtu kritikoi prezantuesit e Si-Bi-Es, Ej-Bi-Si dhe NBC.

Остани поврзан