09:00 / 28 nëntor / 2025
Shkup - Shqipëria sot feston 113 - vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. Dita e 28 Nëntorit për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet si Dita e Flamurit. Sot është poashtu edhe ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari. Me aktin e Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Qeverisë së përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ndodhet për vizitë pune në Mal të Zi me rastin e pjesëmarrjes në Forumin Ballkanik për Integrim 2025 që po mbahet në Podgoricë, nën organizim të Lëvizjes Evropiane në Mal të Zi dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtarë të Italisë. Siljanovska-Davkova do t’i drejtohet sesionit "Presidentët për integrimet në BE – A kemi një plan?" dhe do të realizojë një takim dypalësh me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Shkup - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, do të mbajë fjalim në konferencën “Kërcënimet hibride dhe të informacionit: Nga identifikimi tek përgjigjja sistemike kombëtare”, organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit (ISK). Në konferencë, siç informojnë nga ISK, do të drejtohet edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkur në vend Metju Loson, drejtoresha e Institutit për Studime të Komunikimit, Zhaneta Trajkovska, ndërsa në panel-diskutimin do të drejtohen edhe ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovsi, si dhe profesorë dhe ekspertë të fushës nga vendi dhe Evropa.
Shkup - Me rastin e 3 Dhjetorit - Ditës Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta, në organizim të Avokatit të Popullit, ndërsa në bashkëpunim me Asoacionin për edukim shëndetësor dhe hulumtim (HERA), sot do të zhvillohet ngjarja "Njohje me detyrimet e Konventës për Promovimin e të Drejtave të Personave me Nevoja të Veçanta dhe rolin e Avokatit të Popullit". Ngjarja do të zhvillohet në Qendrën e Ndërrmarrjeve Sociale në Shkup, mbrapa Shtëpisë-përkujtimore të Nënë Terezës. Në kuadër të ngjarjes deklaratë për media do të japin këshilltarja shtetërore e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa dhe udhëheqësja e programit në HERA, Vesna Matevska.
Shkup - Në organizim të Drejtorisë së të Ardhurave Publike sot në Klubin e deputetëve do të shënohet Dita e të Punësuarve Tatimorë. Në ngjarje do të mbajnë fjalim kryeministri Hristijan Mickoski dhe drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova.
Shkup - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski ndodhet në një vizitë pune dyditore në Stamboll, Republikën e Turqisë. Tripunovski, siç kumtoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare "Preventing Food and Water Waste – Safeguarding Our Future”
Shkup - Unioni i SHITAD-it e udhëhequr nga Shoqata e infermierëve, teknikëve, akushereve dhe infermierëve dentar "PËR NE", sot do të mbajë konferencë për shtyp me rastin e mbajtjes së Simpoziumit të parë të Shoqatës së Infermierëve të psikiatrisë me temën: "Qasja moderne në kujdesin dhe mjekimin e pacientëve në fushën e psikiatrisë". Hapja solemne e simpoziumit do të mbahet pas konferencës për shtyp, në të cilën do të kenë fjalim përfaqësues të Shoqatës dhe të SHITAD, të cilët do ta prezantojnë qëllimin, rëndësinë dhe përfitimet e pritura të simpoziumit, si dhe sfidat dhe drejtimet aktuale në kujdesin psikiatrik.
Shkup - Në skenën e Operës dhe Baletit Nacional, sonte do të mbahet Koncerti Gala i Operës, me pjesëmarrjen e divës së famshme botërore të operës Inva Mula, së bashku me Deshira Ahmeti-Krliu (soprano), Ismet Vejseli (tenor) dhe orkestrën e OBN, të dirigjuar nga Ivan Eminoviq dhe me regji nga Dejan Proshev, bëjnë të ditur nga Opera dhe Baleti Nacional. Inva Mula, soprano, është një nga emrat më të shquar në skenën bashkëkohore të operës. E lindur në një familje artistike në Shqipëri, ajo e filloi edukimin e saj muzikor shumë herët, duke u spikatur si një talent i jashtëzakonshëm vokal me saktësi lirike dhe thellësi emocionale. Gjatë karrierës së saj të shkëlqyer, ajo ka performuar në skenat më prestigjioze të operës në botë, duke përfshirë operën e Parisit, Skalën e Milanos dhe operën Metropolitane, në bashkëpunim me dirigjentë dhe regjisorë të shquar. Zëri i saj unik dhe i dallueshëm i ka sjellë popullaritet në mbarë botën jashtë operës: ajo ia huazoi zërin personazhit të Divës në filmin kult fantastiko-shkencor "Elementi i Pestë" (1997).
Shkup - Më pak martesa, ndërsa më shumë shkurorzime, evidentoi Enti Shtetëror i Statistikës në tre mujorin e parë të këtij viti. Në këtë tremujor janë 3.514 martesa dhe numri i tyre është ulur për 2,8 për qind krahasuar me të njejtën peiudhë të vitit 2024. Janë regjistruar 470 martesa të shkurorzuara, që përfaqëson një rritje prej 27,7 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Shkup - Në tremujorin e tretë të vitit 2025, numri i lindjeve të gjalla është 4.431 fëmijë dhe në krahasim me periudhën e njejtë të vitit 2024, numri i tyre është zmadhuar për 3,7 për qind, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës. Numri i personave të vdekur, përsëri, shënon rënie për 0,5 për qind në krahasim me tremujorin e njejtë të vititi 2024 dhe është 4.849 persona, ndërsa prej tyre 20 foshnje.
Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Shkup – Moti sot do të jetë i vranët me reshje të kohëpaskohshme të shiut, më të dendura në pjesët lindore të vendit. Në male reshjet do të jenë të borës, ndërsa në disa nga vendet më të larta të shiut dhe borës. Do të fryjë erë mesatare, në disa vende përgjatë Vardarit erë e kohëpaskohshme e fuqishme nga drejtimi veriperëndimor, njoftoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej 1 deri 6, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 3 deri 9 gradë.
Romë - Në Itali sot mbahet një grevë kombëtare 24-orëshe e organizuar nga organizatat kryesuese sindikale në vend, njoftojnë mediat italiane. Greva shoqërohet me demonstrata në shumë vende dhe arsyeja kryesore janë masat e parashikuara në propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm. Grevistët kërkojnë më shumë investime në arsim, shëndetësi dhe transport, një ulje drastike të shpenzimeve për mbrojtjen, pagë të denjë për punën, indeksim të pensioneve sipas inflacionit, si dhe një ligj për mëditje minimale, shkruan "Mesaxhero".
Xhakartë – Numri i viktimave nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut në Indonezi u rrit në 84. Moti i ligë më së shumti e goditi ishullin indonezian Sumatra, ku humbën jetën 62 persona, 95 janë lënduar, ndërsa 65 konsiderohen si të zhdukur. Përderisa në provincën Sumatra Perëndimore humbën jetën të paktën 22 njerëz, ndërsa 12 po kërkohen.
San Hoze - Kostarika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një operacion të përbashkët në Oqeanin Paqësor sekuestruan gjithsej katër ton kokainë, që Ministria e Sigurisë në Kostarikës e ka definuar si sekuestrim historik. Në aksion u arrestuan dy shtetas kolumbianë. Ky sekuestrim vjen në një kohë kur Kostarika, e cila konsiderohej një nga vendet më të sigurta në Amerikën Qendrore, vërehet një rritje e krimit që lidhet me trafikimin e drogës. Vendi regjistroi 16,6 vrasje për 100.000 banorë vitin e kaluar, që është dyfish më shumë se mesatarja.
Hong Kong - Zjarri që ka përfshirë kompleksin e ndërtesës Vang Fuk Kort, pas çka humbën jetën të paktën 94 persona, është kryesisht nën kontroll, ndërsa pritet të përfundojë dhe htimi i kërkim-shpëtimit. Në zjarrin që shpërtheu para dy ditëve, si të zhdukur rezultojnë 279 persona. Zjarri shpërtheu në kompleksin prej tetë ndërtesave të larta me rreth 2.000 shtëpi në të cilat jetonin mbi 4.600 persona. Kompleksi ishte në fazën e rinovimit, ndërsa ndërtesat ishin të mbuluara me skela bambuje, që tradicionalisht përdoren në ndërtim për shkak të materialit të tyre të lehtë dhe të fortë.
Nju-Jork - Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh e dënoi "shkeljen e parimeve demokratike" në Guinea-Bisao, ku junta mori pushtetin dy ditë më parë dhe e ndërpreru procesin zgjedhor para shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. “Çdo mosrespektim i vullnetit të popullit, i cili votoi në mënyrë paqësore në zgjedhjet e përgjithshme më 23 nëntor, përbën një shkelje të papranueshme të parimeve demokratike”, theksoi Guteresh. Ai bëri thirrje për një "kthim urgjent dhe pa kushte të rendit kushtetues" në Guinea-Bisao.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp sot njoftoi se "shumë shpejtë" do të fillojnë operacione "në tokë" për të parandaluar trafikantët e supozuar venezuelianë të drogës, raporton DPA. Në bisedën telefonike me pjesëtarët e forcave të armatosura amerikane, Trampi theksoi se "tashmë nuk ka shumë (trafikantë venezuelianë të drogës) që vijnë në rrugë detare", duke shtuar se administrata e tij "pothuajse e ka ndaluar" futjen e drogës në SHBA përmes detit. "Rreth 85 për qind është ndaluar përmes detit. Me siguri e keni vënë re se njerëzit nuk duan të transportojnë përmes detit. Dhe ne do të fillojmë t’i ndalojmë edhe përmes tokës. Toka është më e lehtë, por kjo do të fillojë shumë shpejt. I paralajmërojmë ata, ndaloni së dërguari helmin në vendin tonë", u shpreh presidenti amerikan.
Uashington – Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, paralajmëroi para personave ushtarakë amerikanë se administrata e tij ka porositur “shumë më tepër" nga bombarduesit strategjikë “B-2 Spirit”, të prodhuar me teknologji stelt nga kompania “Nortrop Gruman”. Trampi e shfrytëzoi rastin që ta lavdërojë efektivitetin e aeroplanëve, të cilët paraprakisht këtë vit ishin shfrytëzuar për sulme amerikane ndaj caqeve bërthamore iraniane. Ata bombardues të shkëlqyer B-2 plotësisht e shkatërruan potencialin bërthamor të Iranit, deklaroi Trampi.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp deklaroi se ka ndërruar jetë Sara Bekstrom, pjesëtare e Gardës Kombëtare, e cila u qëllua në afërsi të Shtëpisë së Bardhë. "Sara Bekstrom nga Virxhinia Perëndimore, një nga anëtaret e Gardës Kombëtare për të cilët flasim, shumë e respektuar, e re, person i mrekullueshëm... Ajo sapo vdiq. Ajo nuk është më me ne", theksoi Trampi. Ndërsa pjesëtari tjetër i Gardës Kombëtar është i lënduar, si dhe sulmuesi.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, deklaroi se administrata e tij do të punojë për ta ndaluar përgjithmonë imigracionin nga "vendeve e botës së tretë". "Përgjithmonë do ta ndaloj imigracionin nga të gjitha vendet e botës së tretë për të lejuar që sistemi amerikan të shërohet plotësisht", publikoi Trampi në rrjetet sociale. Ai paralajmëroi se administrata e tij do të ndaloj ndihmën dhe subvencionet federale për qytetarët të cilët nuk janë shtetas të SHBA-së.
Prishtinë – Futbollistët e kampionit të Maqedonisë së Veriut Shkëndija e përjetuan humbjen e dytë në UEFA Ligën e Konferencave pasi mbrëmë si mysafirë te Drita në Prishtinë humbën me rezultat 1:0. Ekipi nga Tetova gjendet në vendin e 25-të në tabelë me katër pikë, ndërsa 24 ekipet e para do të kualifikohen në fazën nok aut. Golin për fitoren e ekipit Drita e shënoi futbollisti Arb Manaj.
Prishtinë - Futbollistët e Shkëndisë mbrëmë në Prishtinë u mundën nga Drita me 1:0 në duelin e xhiros së 4-t të Ligës së Konferencës së UEFA-s. Trajneri i Shkendisë, Jeton Beqiri, i uroi fitoren ekipit kundërshtar, ndërsa theksoi se Shkëndija dominoi në ndeshjen kundër kampionit të futbollit të Kosovës. "E uroj Dritën për fitoren. Ishim dominant pothuajse për 90 minuta, por në këto nivele të garave evropiane, kur e pranon një gol si ai që e pësuam ne, një gol shumë i lehtë, nuk mund të shpresosh për rezultat pozitiv. Edhe pse kishim kohë të reagojmë, krijuam disa raste, dominuam në fushë, por nuk patëm fat në disa momente", deklaroi Beqiri në konferencën për shtyp pas ndeshjes.