9:00/ 25 nëntor/ 2025
Shkup- Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski sot do të ndajë vendime për vetëpunësim, si pjesë e Planit operativ për punësim. Siç informojnë nga pres shërbimi i Qeverisë, ngjarja do të mbahet në sallën solemne të Qeverisë. Pas përfundimit të ngjarjes, kryeministri do të mbajë konferencë për shtyp. Me Planin e sivjemë operativ, Qeveria investon mbi 40 milionë euro për përkrahje të punësimeve aktive, rikualifikimeve, vetëpunësimit dhe përkrahjes së sipërmarrjes. Përmes masave pritet përfshirje e më shumë se 16.000 personave të papunësuar në programe të ndryshme, stërvitje dhe mundësi të subvencionuara për punësim.
Shkup – Në sallën gjyqësore në Idrizovë sot vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, në të cilën humbën jetën 63 persona, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, ndërsa mbi 200 ishin lënduar. Gjykimi duhet të vazhdojë me shprehjen e fajit dhe fjalët hyrëse të mbrojtjes, pasi në seancën e kaluar gjyqësore prokuroria në fjalimin hyrës porositi se kërkohet përgjegjësi me emër dhe mbiemër për atë se kush lejoi, kush heshti dhe kush nuk e parandaloi tragjedinë në klubin e natës. Prokurori Borçe Janev në seancën e parë gjyqësore për zjarrin tragjik theksoi se kërkohet përgjegjësi me emër dhe mbiemër, ndërsa shoqëria duhet të përballet me të vërtetën e dhimbshme dhe të nxjerrë përgjigje legjitime se kush lejoi, kush heshti dhe kush nuk e parandaloi, sepse, siç tha ai, drejtësia nuk po kërkohet si ngushëllim apo hakmarrje, por si pasojë e paligjshmërisë. "Nuk ka rëndësi kush e shkaktoi zjarrin, ka rëndësi kush kishte një kovë me ujë dhe nuk e derdhi", tha Janev, duke theksuar se fatkeqësia nuk është vetëm rezultat i piroteknikës, por i viteve të heshtjes institucionale, lëshimeve dhe mungesës së kontrollit që e shndërruan klubin në një "kurth vdekjeprurës".
Shkup - Lëndët e lidhura me legalizimet kontestuese në Komunën e Çairit po udhëhiqen në Prokurorinë themelore publike - Shkup dhe PTHP për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PTHP-NKOK) dhe me siguri do të bashkohen pasi mes vete janë të lidhura, deklaroi mbrëmë prokurori themelor publik, Lupço Kocevski. Në intrervistë për "360 gradë" në RTM 1, ai sqaroi se një lëndë është e hapur pas informatave të arritura, ndërsa tjetra, pas paraqitjes së ish kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Prokuroria disponon me mjaftë prova, tha Kocevski, duke shtuar se në mënyrë shtesë do të konfirmohet se cila prokurori do të jetë kompetente pas bashkimit të lëndëve. Në intervistën, Kocevski kumtoi edhe se hetimi, në të cilin është i dyshuar ish kryeministri i parë Artan Grubi, "pothuaj ka përfunduar", ndërsa pritet vetëm ekstradimi i tij. Ai tha se të gjitha dëshmitë janë mbledhur, duke përfshirë edhe nga hetimi financiar, por prokuroria nuk ka informata për lokacionin e tij momental.
Shkup - SOS Linja (141-700) kombëtare mobile falas pranë Lidhja-Këshilli Kombëtar për Barazi Gjinore (KKBGJ) sot në konferencën për shtyp do të prezantojë Raportin për thirrjet në Linjën SOS për tre vitet e fundit, si dhe të dhëna dhe njohuri nga thirrjet në lidhje me problemet psikologjike, këshillim ligjor dhe social dhe dhunë dixhitale ndaj grave dhe vajzave. Ngjarja është me rastin e fillimit të fushatës globale "16 ditë aktivizmi kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave" me temë "Dhuna dixhitale ndaj grave dhe vajzave".
Shkup – Në Shkup sot do të mbahet Konferenca e parë rajonale për vullnetarizëm “Urat e përvojës: Përforcimi i vullnetarizmit të lartë për zhvillim të qëndrueshëm përgjatë Ballkanit”. Konferenca është në organizim të Asociacionit për Sport dhe Vullnetarizëm (ASV) në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me mbështetje të Institutit për Menaxhim të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike (IDUEP), si dhe organizatave partnere të BE-së: Qendrën për Vullnetarizëm Evropian (QVE) dhe Konfederatën e Shërbimeve Evropiane të Ekspertëve të Lartë (CESES).
Shkup - Prej sot fillon fushata e UN Women "16 ditët e aktivizmit", fokusi i këtij viti do të jetë në dhunën digjitale. Fushata e këtij viti "16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore" bën thirrje për veprime urgjente globale për të mbyllur boshllëqet ligjore dhe për t'i mbajtur përgjegjës autorët dhe platformat teknologjike. Nga UN Women theksojnë se bota dixhitale premtoi lidhje dhe fuqizim – por për miliona gra dhe vajza, ajo është bërë një botë abuzimi. Dhuna dixhitale po përhapet me shpejtësi alarmuese e nxitur nga inteligjenca artificiale, anonimiteti dhe mungesa e ligjeve dhe llogaridhënies efektive. Tani ajo përfshin çdo cep të internetit – nga ngacmimi dhe përndjekja kibernetike në internet deri te doksimi, ndarja e imazheve pa pëlqim, deepfakes dhe dezinformimi – të përdorura për të heshtur, turpëruar dhe frikësuar gratë dhe vajzat.
Shkup – Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me periudha dielli dhe temperatura të ulëta të mëngjesit. Në pjesët perëndimore do të ketë shi të kohëpaskohshëm lokal dhe do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej -1 deri 6, ndërsa ajo maksimale prej 10 deri 16 gradë. Në Shkup, mot i ndryshueshëm me vranësira me periudha dielli dhe erë të kohëpaskohshme të fuqishme nga drejtimi juglindor. Temperatura e mëngjesit do të bie deri në dy gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 13 gradë. Nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, deri të shtunën do të mbizotërojë mot kryesisht i vranët me reshje të kohëpaskohshme të shiut, ndërsa reshje më të rrëmbyeshme priten të mërkurën dhe të enjten kur në malet më të larta reshjet do të kalojnë në borë. Nga e mërkura era do ta ndryshojë drejtimin në veriore.
Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mbrëmë deklaroi se plani i propozuar i paqes, i cili aktualisht po shqyrtohet me SHBA-në dhe Evropën, përmban "pikat e duhura", por se çështjet e ndjeshme do të diskutohen drejtpërdrejt me presidentin amerikan Donald Tramp. Në video-adresën e tij mbrëmë, Zelenski potencoi se pas negociatave në Gjenevë, numri i pikave ishte ulur nga 28 dhe se në kuadrin e ri përfshinte shumë "elemente të duhura". "Aktualisht, pas (bisedimeve në) Gjenevë, pikat janë më të ulëta, nuk janë më shumë se 28, ndërsa shumë elementë të saktë u përfshinë në këtë kuadër", tha Zelenski.
Moskë - Tre persona kanë vdekur, ndërsa 10 janë plagosur në sulmin ukrainas në rajonin Rostov të Rusisë gjatë natës, deklaroi guvernatori i rajonit, Jurij Slusar. Guvernatori i rajonit Krasnodar, Venijamin Kondratiev, deklaroi se gjashtë persona janë plagosur në një sulm me dron. Forcat e armatosura të Ukrainës kanë kryer një sulm masiv në jug të Rusisë gjatë natës. Sulmet më të fuqishme ishin në Novorosijsk dhe Taganrog, kumtuan autoritetet.
Uashington- Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trampi, mbrëmë inicioi procedurë për të përcaktuar pjesë të caktuara të organizatës "Vëllazëria myslimane" si organizata terroriste të huaja dhe si terroristë special globalë të përcaktuar, që do të çonte deri në vendosjen e sanksioneve kundër njërës nga lëvizjet islamiste më të vjetra dhe më me ndikim në botën arabe. Sipas kumtesës së Shtëpisë së Bardhë, Trampi nënshkroi një dekret me të cilin e udhëzonte sekretarit e shtetit Marko Rubio dhe ministrin e Financave, Skot Besont, të përgatisnin një raport nëse do ta shpallin si organizatë terroriste një pjesë të caktuar të "Vëllazërisë myslimane", midis të cilëve dhe atë në Liban, Egjipt dhe Jordani. Pas dorëzimit të raportit, ministrat duhet të ndërmarrin aktivitete në afat prej 45 ditëve.
Nju-Jork - Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, vitin e kaluar çdo 10 minuta është vrarë një grua ose vajzë nga partneri ose një anëtar i familjes. Raporti i fundit për femicidin - vrasja e një gruaje ose vajze për shkak të gjinisë së saj - u publikua dje nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC) dhe UN Women. Në raportin thuhet se rreth 83.000 gra dhe vazja janë vrarë qëllimisht në mbarë botën në vitin 2024. Në rreth 60 për qind të këtyre rasteve, autorit i krimit ishte një anëtar i familjes ose partner, kumtuan organet e OKB-së gjatë publikimit të raportit vjetor në Ditën ndërkombëtare për eleminimin e dhunës ndaj grave. Në të kundërtën e kësaj, 11 për qind e vrasjeve të meshkujve u kryen nga të afërm ose partnerë.
Uashington - Administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp, planifikon ta shqyrtojë statusin e shumë refugjatëve të pranuar në SHBA kur Xho Bajden ishte president, publikoi dje Si-En-En, duke cituar një memorandum të brendshëm dhe një person të njohur me këtë çështje. Rishikimi thuhet se përfshin refugjatët që mbërritën midis viteve 2021 dhe 2025, mandati presidencial i Bajdenit. Sipas raportit, rreth 235.000 njerëz u pranuan në kuadër të programit. Një pjesë e planit është që të kontrollohen dhe përsëri të intervistohen disa nga refugjatët për t'u siguruar që ata "nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare ose sigurinë publike", kumtoi Si-En-En.
Mançester- Mançester Junajted mbrëmë humbi nga Evertoni me rezultatin 1:0 në "Old Traford" në xhiron e 12-të të Premier Ligës. Mesfushori Kjernan Djusberi-Holl e shënoi golin e vetëm në minutën e 29-të. Nga minuta e 13-të, mysafirët mbetën me 10 lojtarë, pasi Idrisa Geje u përjashtua nga loja. Kjo është ndeshja e tretë me radhë e Mançesterit pa fitore. Ekipi gjendet në vendin e 10-të në Premier Ligë me 18 pikë pas 12 ndeshjeve.