• петок, 05 декември 2025
MIA Flesh

15:00 / 21 nëntor / 2025 

Shkup - Adem Çuçul, jurist i diplomuar me provim të kaluar të jurisprudencës do të propozohet nga Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në Kuvend për kryetar të ri të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të Antikorrupsionit për Çuçulin kanë dhënë vlerësimet më të larta, dhe ashtu ai mori 96,5 pikë. Çuçul është sekretar aktual i përgjithshëm i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe atje punon tashmë 19 vite.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu sot theksoi se po krijojnë një matricë të resurseve njerëzore në shëndetësi, sipas së cilës do të krijohen gjitha politikat nga sot e tutje, që do të thotë se nuk do të ketë më hapje të konkursit për specializantë sipas qyteteve, me kërkesë të institucionit nëse nuk përputhet me atë matricë të të dhënave mbi kapacitetet njerëzore. "Të dhënat tona do të jenë pjesë e analizave së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Krijojmë strategji kombëtare për 10 vjet për kapacitete njerëzore. Sipas këtyre analizave do të dimë dhe do t'i kërkojmë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të hapë sa më shumë kapacitete të lira në arsimin e mesëm dhe të lartë, në mënyrë që pastaj t'i përshtatim ato sipas kërkesave tona krahasuar me standardet evropiane. Për tridhjetë vjet, Ministria e Shëndetësisë nuk kishte një matricë të të punësuarve dhe të klasifikuar në nivel institucioni, jo vetëm në nivel qyteti", tha Aliu, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas konferencës për shtyp mbi fillimin e analizës së të dhënave mbi gjendjen aktuale të resurseve njerëzore në institucionet publike dhe private shëndetësore në mbarë vendin.

Shkup – Me një sërë aktivitete dhe debate publike, Kuvendi i bashkohet fushatës "16 ditë aktivizmi kundër dhunës në bazë gjinore". Më 1 dhjetor, në organizim të Komisionit kuvendor për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve në kuadër të kësaj fushate do të mbahet debat publik me temë "Zbatimi i konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e Dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit). Kryetarja e Komisionit, Zhaklina Peshevska në seancën e sotme informoi se duhet të punojnë intensivisht si ligjvënës, siç tha, sepse ka gjithnjë e më shumë dhunë në shoqëri. "Shumë shoqata joqeveritare janë të interesuara të marrin pjesë në këtë debat publik dhe ky është një tregues se jemi në rrugën e duhur, se po pranojmë të gjitha palët relevante të marrin pjesë në këtë temë shumë të rëndësishme", tha Peshevska.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot realizoi takimin e parë me ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, Xhiang Siaojan. Gashi u shpreh i bindur se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera, me respekt të madh për traditën, historinë, pavarësinë dhe sovranitetin me mbështetjen e konceptit "një Kinë". "Të dy vendet kanë histori të gjatë bashkëpunimi që nga pavarësia jonë, tre dekada respekt dhe komunikim të duhur. Kina, si fuqia e dytë ekonomike në botë është partneri më i madh tregtar i vendit tonë jashtë Evropës. Kuvendi tradicionalisht formon Grup parlamentar për bashkëpunim me Kinën i cili është lidhje midis Parlamenteve të të dy vendeve", ka thënë Gashi në takim.

Shkup - Për Maqedoninë plani i rritjes është më shumë se një nismë, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e rritjes në Tiranë. Kjo, thotë ai, është një tregim për shndërrimin e përpjekjes në një ndryshim të vërtetë dhe duke theksuar megjithatë se Maqedonia ishte vendi i parë nga rajoni që e operacionalizoi Instrumentin për reforma dhe rritje dhe e para që mori parafinancim sipas Planit. "Ky ishte rezultat i një pune të përkushtuar dhe një besimi të vendosur në vlerat evropiane. Agjenda jonë reformuese, e miratuar nga Komisioni Evropian, fokusohet në atë që me të vërtetë është e rëndësishme - qeverisje e mirë, energji e pastër, arsim, zhvillim të biznesit dhe sundim i së drejtës. Këto nuk janë qëllime abstrakte. Ato janë themelet e një shteti bashkëkohor evropian, realiteti i përditshëm që duam ta sigurojmë për qytetarët tanë", theksoi Mickoski.

Shkup -  Buxheti i vitit 2026 është real, zhvillimor dhe çdo zë është projektuar me shumë kujdes. Rritja parashikohet në 3.8 për qind, ndërsa deficiti buxhetor në 3.5% të PBB-së, që është në përputhje me angazhimin për konsolidim fiskal. Këtë e theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në ditarin e mbrëmëshëm të RTM-së. "Fakti është se Buxheti i vitit 2026 është zhvillimor. Me kolegët në Ministrinë e Financave arritëm maksimumin në aspektin e projektimit të buxhetit individual për secilin institucion, duke marrë parasysh se duhet të kemi buxhet zhvillimor, duhet të kemi konsolidim fiskal, por në të njëjtën kohë duhet të shohim edhe detyrimet e secilit prej institucioneve që janë të evidentuara në sistemin e MF-së dhe t'i marrim ato parasysh, si dhe t’i inkorporojmë prioritetet e Qeverisë", tha ministrja e Financave.

Shkup - Shkëmbimi i përvojave, koordinimi i donatorëve, shqyrtimi i aktiviteteve të realizuara dhe përcaktimi i prioriteteve për ciklin e ardhshëm të reformave, me fokus në përshpejtimin e reformave energjetike dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, ishte qëllimi i takimit të sotëm të Grupit sektorial të punës për energjinë, të organizuar nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para në sallën ceremoniale të Qeverisë. Në ngjarje morën pjesë institucione kryesore nga sektori i energjisë, komuniteti i donatorëve, institucione financiare ndërkombëtare dhe partnerë zhvillimorë. Në kuadër të takimit, informoi Ministria, u prezantuan aktivitetet që lidhen me harmonizimin me legjislacionin evropian, tregun e brendshëm të energjisë, zbatimin e Agjendës së reformave dhe progresin në përgatitjen e Planit kombëtar për energjinë dhe klimën (NECP).

Shkup - Sot, drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, dhe drejtori i Parkut Nacional Mali Sharr,  Evzal Elmazi, zyrtarisht nënshkruan Memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. Me këtë dokument, institucionet vendosin partneritet për parandalim më efikas, paralajmërim të hershëm, mbrojtje dhe reagim të koordinuar ndaj zjarreve, vërshimeve, dukurive ekstreme atmosferike dhe rreziqeve të tjera që mund të ndikojnë në territorin e Malit të Sharrit.

Shkup - Nevojitet integrim më i thellë i arsimit paqeruajtës në kurrikulat mësimore përmes promovimit të paqes dhe jodhunës si vlera themelore në sistemin edukativo-arsimor, është theksuar në konferencën e katërt për edukim për paqe që dy ditë e organizon Ambasada e parë e fëmijëve në botë "Megjashi". Kryetari i saj, Dragi Zmijanac, theksoi se kjo është një ngjarje e rëndësishme për procesin edukativo-arsimor, i cili tha se "po përpiqemi të ndërtojmë kulturë të paqes dhe jodhunës nga mosha e re fëmijërore". Theksoi se mbështetje në këtë projekt, të cilin e realizojnë nga viti 2011, kanë nga Ministria e Arsimti dhe Shkencës, me të cilën "Megjashi", tha se ka lidhur tre memorandume bashkëpunimi. 

Shtip - Gjykatësi në seancën paraprake të Gjykatës Themelore në Koçan ka caktuar masë arresti shtëpiake për dy perosna, të cilët janë kontrollorë tatimorë nga Shërbimi për Kontroll Tatimor pranë Inspektoratit rajonal Tatimor në Drejtorinë rajonale Shtip, ndërsa për gjashtë pesona që janë përfshirë në hetim masë kujdesi dhe për një person masë shtesë kujdesi, konfirmoi sot kryetari i Gjykatës Themelore-Koçan, Spiro Borisov. Vendimi është marrë pasi që Prokuroria Themelore Publike Koçan ka ngritur procedurë kundër gjithsej 11 personave për vepra penale korruptuese të ndërlidhura me punën në klubin "Puls". Sipas komunikatës së djeshme të PTHP Koçan, dy kontrollorë tatimorë që janë në arrest shtëpiak e kanë shfrytëzuar pozicionin dhe autorizimin e tyre zyrtar deri te të dhënat dhe informacionet për kontrolle të paparlajmëruara në subjekte juridike - tatimpagues dhe me qëllim që të përvetësojnë pronë joligujore dhe shpërblime ia kanë zbuluar të dhënat dhe e kanë paralajmëruar për kontollet personin përgjegjës në klub.

Tetovë - Drejtori i Qendrës së Gjuhëve i Universitetit të Tetovës mori pjesë në Forumin e 14-të multidisiplinar euroaziatik (EMF 2025), i cili u mbajt më 20–21 nëntor 2025 në Universitetin “Grigol Robakidze” në Tbilisi të Gjeorgjisë. Në këtë forum ishin të pranishëm studiues, profesorë dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim të shkëmbimit akademik dhe nxitjes së bashkëpunimeve në nivel global. Në kuadër të sesionit “Reforma e arsimit dhe inovacioni në mësimdhënie”, Prof. Dr. Isa Spahiu prezantoi studimin e tij me titull: “Ndikimi i të mësuarit bashkëpunues të fokusuar te studenti në arritjen e gjuhës angleze në shkollat e mesme të Maqedonisë.” Punimi u prit me interes të veçantë për qasjen e tij inovative dhe për rezultatet që theksojnë rëndësinë e metodave bashkëpunuese në procesin e të nxënit të gjuhëve të huaja.

Tetovë - Në kuadër të projektit “Supporting Brain Gain Diaspora Engagement Initiatives in North Macedonia” i financuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM), u realizua një vizitë studimore në Arizona State University (ASU), një nga universitetet më të vlerësuara globalisht sipas Listës së Shangait. Delegacioni përfaqësoi dy universitetet më të mëdha në vend. Nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” morën pjesë Rektorja Prof. Dr. Biljana Angelova dhe Prorektoria për Shkencë, Prof. Dr. Valentina Geçevska. Universiteti i Tetovës u përfaqësua nga Prof. Dr. Drita M. Fazlia, prodekane për arsim në Fakultetin Juridik, dhe Prof. Dr. Sheruze Osmani-Ballazhi, profesoreshë në Fakultetin Filozofik dhe koordinatore e Zyrës për Menaxhim me Cilësi dhe Evaluim. Delegacioni u udhëhoq nga koordinatorja e projektit, Erda Qazimi. Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi takime me drejtues të lartë të ASU-së, ku u prezantuan: modeli i menaxhimit dhe funksionimit të universitetit; proceset e akreditimit të programeve studimore; përshtatja e kurikulave me nevojat e tregut të punës; qasja ndaj studentëve dhe mbështetja akademike dhe mekanizmat për përmirësimin e rangimit universitar.

Tiranë - Eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos, nga Samiti i Planit të rritjes "Rruga jonë drejt BE-së" që mbahet në Tiranë, porositi se Ballkani Perëndimor i takon BE-së, por që ende ka punë se ç'farë duhet të bëhet. Ajo shtoi se ambicia e Planit është që të gjitha vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor të përparojnë në mënyrë të sinkronizuar, duke shtuar se Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor, se "ky është një gabim që kemi bërë në të kaluarën dhe duhet ta korrigjojmë dhe rregullojmë", duke shprehur kënaqësi "që këto takime që po zhvillojmë mbi planin e rritjes po hapin gjithnjë e më shumë dyer".

Tiranë - Samiti i Planit të Rritjes "Rruga Jonë Drejt BE-së" po mbahet në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku marrin pjesë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe eurokomisarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij hapëse në Samiti theksoi se, rajoni po lëviz nga pasiguria drejt mundësive të reja dhe se marrëdhëniet me Bashkimin Europian po ndërtohen mbi rezultate konkrete e jo mbi kërkesa për favore. Siç njoftoi ATSH, Rama u ndal fillimisht tek lidhja mes zhvillimit ekonomik dhe uljes së emigracionit, duke deklaruar se, kur vijnë investimet, migracioni ulet. Kur ekonomitë rriten, sigurisht që kufijtë do të kenë rëndësi më pak. Kur mundësitë rriten në vend, Europa do të bëhet një destinacion bashkëpunimi, jo një rrugë ikjeje.”

Bruksel - Shpenzimet për konsum final të amvisërive në BE vitin e kaluar u rritën për 1,5 për qind në bazë vjetore, që përbën pothuajse katërfishin e rritjes krahasuar me vitin 2023, kur kjo normë ishte 0,4 për qind. Siç njofton Shërbimi Statistik Evropian – Eurostat, rritja më e madhe e shpenzimeve vitin e kaluar për amvisëritë e BE-së ishte për "nformacion dhe komunikim" edhe atë për 5,7 për qind, pasuar nga shpenzimet për "rekreacion, sport dhe kulturë" dhe për "transport", secila me nga tre për qind. Rritja e shpenzimeve për "restorante dhe shërbime akomodimi" të amvisërive në BE në vitin 2024 ishte 1,6 për qind, dhe ky është i vetmi grupacion ku shënohet një ulje e ndjeshme e shpenzimeve krahasuar me vitin e kaluar, kur ato kishin shënuar një rritje prej pothuajse pesë për qind.

Остани поврзан