• петок, 05 декември 2025
MIA Flesh

12:00/26 nëntor/2025

Shkup – Komisioni për vendosje për kundërvajtje në kuadër të Komisionit për Mbrojtje nga Konkurrenca (KMK) mori vendim me të cilin konfirmoi se katër shoqata tregtare të cilat operojnë në tregun e tregtisë me pakicë me produkte ushqimore, si dhe Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM) si koordinator, morën pjesë në një marrëveshje të ndaluar dhe/ose sjellje të harmonizuar në kuptim të nenit 59 të Ligjit për Mbrojtjes nga Konkurrenca. 

Shkup - Ekipet e Ndërmarrjeve publike në Shkup po pastrojnë bregun e lumit Vardar, bëri të ditur në një postim në Fejsbuk, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski. "Vazhdimisht realizohet pastrim i plotë i bregut të lumit Vardar, së bashku me shtratin e tij. Ekipet e Ndërmarrjeve publike në koordinim dhe aksion të organizuar, po pastrojnë shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta - gjithçka që është lënë pas dore me vite dhe që krijonte një imazh të shëmtuar për qytetin tonë, më në fund kjo bëhet pjesë e së kaluarës", thekson Gjorgievski.

Shkup - Sot në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë këngëtari i njohur shqiptar, Shpat Kasapi. Ai nuk ka arritur t’i mbijetojë atakut kardiak. Familjarët kanë konfirmuar madje se Kasapi ka ndërruar jetë në Itali. Shpat Kasapi ka qenë një nga emrat më të njohur dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare. I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ai u rrit në një familje me traditë muzikore që i dha shtysën e parë drejt skenës.

Shkup - Në Qendrën Informative-Kulturore të Maqedonisë në Zagreb, me koncertin "Vibracione në flautë" Fjolla Ramadani në flaut dhe Edita Rusi në pijano interpretuan një udhëtim të jashtëzakonshëm muzikor për publikun e gjerë. "Me interpretimin e tyre delikat të pjesëve muzikore klasike dhe tradicionale, Fjolla Ramadani dhe Edita Rusi interpretuan një festë të vërtetë muzikore, të cilën publiku e shpërbleu me duartrokitje të sinqerta dhe të gjata. Të dy artistet lanë përshtypjen e një dysheje perfekte – komunikimi i përsosur skenik dhe besimi i ndërsjellë ndiheshin në çdo notë të luajtur", theksohet në kumtesën e QIK të Maqedonisë në Zagreb. 

Athinë - Pjesa perëndimore dhe veriperëndimore e Greqisë, Epiri, Ishujt e Jonit, pritet përsëri të goditen nga moti i keq, ndërsa ende po numërojnë dëmet nga ai i mëparshmi në fund të javës së kaluar, ndërsa vala e re nën emrin "Adel" në ditët e ardhshme pritet ta godas gjithë vendin, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina. Sipas mediave greke, në ishullin e Korfuzit, për shkak të valës së re, shkollat ​​janë mbyllur si masë paraprake, ndërsa në pjesët malore në Epir dhe në rrethinën e Janinës, ende nuk janë sanuar dëmet nga vala e mëparshme. 

Lubjanë - Sllovenia miratoi ndryshime të Ligjit për shoferë, me të cilat poseduesve të patent shoferëve, të dhënë në Maqedoninë e Veriut, u mundësohet ndërrim të dokumentit pa dhënien e pjesës praktike të provimit, me kusht që të kenë qëndrim të rregulluar në Slloveni. Ky vendim, i miratuar dje, paraqet lehtësim të konsiderueshëm për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët jetojnë dhe punojnë në Slloveni, e po ashtu vlen edhe për poseduesit e patent shoferëve nga Kosova, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Stamboll - Gaz toksik fosfinë është zbuluar në dhomën e hotelit të një familje nga qyteti bregdetar verior i Hamburgut të Gjermanisë, të cilët humbën jetën në Stamboll, publikoi dje agjencia shtetërore e lajmeve Anadollu. Substanca u gjet në mostra të marra nga dhoma, publikoi Anadollu, duke cituar një raport të forenzikës. Fosfinë është gjetur dhe në peshqirët e hotelit. Megjithatë, përcaktimi përfundimtar i shkakut të vdekjes është ende në pritje.

Ankara – Autoritetet turke arrestuan gjithsej 429 të dyshuar në serinë e operacioneve të mëdha për krim kibernetik të zbatuara gjatë 10 ditëve, publikoi ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja në profilin e tij në Iks. Në publikimin e Jerlikaja thuhet se 354 të dyshuar janë arrestuar në bastisje të zbatuara në 35 nga provincat në vend gjatë 10 ditëve të kaluara, përderisa edhe 75 persona janë arrestuar dje në mëngjes në operacionin e specializuar të zbatuar në Stamboll dhe 14 provinca të tjera në vend. 

Vatikan – Papa Leo i Katërmbëdhjetë në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit do t’i vizitojë Turqinë dhe Libanin. Kreu i Kishës Katolike Romake do të vizitojë Turqinë nesër, ku do të shënohet 1700 vjetori i këshillit të parë ekumenik në Nikea dhe do të ketë një lutje të përbashkët në Patriarkun Ekumenik Bartolomeu në Iznik, si dhe është planifikuar nënshkrimi i një deklarate të përbashkët. Vizita në Turqi ka edhe rëndësi diplomatike në përforcimin e marrëdhënieve ndërmjet kishës katolike dhe ortodokse. 

Jerusalem – Armata izraelite sot njoftoi se fillon “operacione të mëdha” kundër grupeve të armatosura palestineze në Bregun Perëndimor të okupuar. “Forcat izraelite filluan të veprojnë si pjesë e operacionit të madh antiterrorist në rajonin verior Samaria”, thuhet në kumtesën e armatës, e cila e shfrytëzon emrin biblik për pjesën veriore të Bregut Perëndimor. 

Bangkok - Numri i viktimave nga përmbytjet që goditën pjesën jugore të Tajlandës është rritur në 33, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Siripong Angkasakulkiat. Reshjet e rrëmbyeshme të shiut të javës së kaluar shkaktuan përmbytje në dhjetë provinca jugore. Në qytetin e Hat Jai janë regjistruar reshjet më të dendura në 300 vjet, në një ditë ka rënë 335 milimetra shi. 

Nju Jork – Këshilli i sigurimit dhe Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara kanë lëshuar një letër të përbashkët duke u bërë thirrje shteteve anëtare të propozojnë kandidatë për Sekretar të përgjithshëm të KB-së. Letra dërguar nga Misioni i përhershëm i Sierra Leones në KB, vendi që kryeson me Këshillin e sigurimit në nëntor, rekomandon që vendet të propozojnë gra si kandidate potenciale. Zgjedhja e Sekretarit të përgjithshëm të KB-së do të mbahet në korrik të vitit të ardhshëm.

Остани поврзан