
12:00/2 prill/2025
Bruksel – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski prej sot e deri të premten do të qëndrojë për vizitë në Bruksel, në kuadër të së cilës do të marrë pjesë edhe në takimin dyditor të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të NATO-s. Sot, në ditën e parë të vizitës, Mucunski do të flasë në ngjarjen “Zgjerimi i BE-së në epokën e re: perspektiva e Maqedonisë së Veriut” në organizim të Qendrës për Politikë Evropiane të Brukselit dhe do të ketë brifing me përfaqësues të tink-tenkeve të Brukselit kushtuar procesit vijues të integrimeve evropiane. Siç bënë të ditur organizatorët e ngjarjes, është paraparë që Mucunski të flasë për situatën dhe perspektivat në rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe t’i “zbardh pritshmëritë e vendit nga BE-ja lidhur me dosjen për zgjerim në këtë moment kritik gjeopolitik”.
Shkup - Kjo Qeveri do të ndërmarrë nisma të rëndësishme për stabilizimin e IPA strukturave dhe zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga periudha e kaluar, duke përfshirë lëvizshmërinë e madhe të stafit profesional, procedurat e vonuara të prokurimit publik dhe lëshimet e rëndësishme në sektorin e transportit dhe mjedisit jetësor. Këtë sot e deklaroi ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në rolin e koordinatorit nacional të IPA-s (NIPAC), i cili sot bashkë-kryesoi Takimin e tretë të Komitetit monitorues për instrumentin e ndihmës para-aderuese IPA III. Murtezani, siç informoi Ministria për Çështje Evropiane, i theksoi sfidat aktuale politike dhe teknike lidhur me përdorimin efikas të fondeve evropiane. Ai nënvizoi se deri në fund të vitit 2024, mjetet e kontraktuara për IPA II arritën në 71 për qind, ndërkaq shfrytëzimi i IPA III fondeve në të njëjtin vit ishte në nivelin 31,37 për qind.
Shkup – NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup informon se sot përfundon aksioni për pagesë të borxheve në këste pa llogaritje të interesit për pagesë të vonuar. Ky aksion filloi më 17 shkurt të vitit 2025. “U bëjmë thirrje të gjithë shfrytëzuesve që kanë borxh të papaguar për ujin e shpenzuar që të përfitojnë nga mundësia për të paguar me këste pa interes të llogaritur. Vendimi për zbatimin e veprimit për shlyerjen e borxheve të pashlyera pa interes llogaritës nuk vlen për organet shtetërore dhe lokale të qeverisjes dhe organet e tjera shtetërore të themeluara në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin dhe institucionet që kryejnë veprimtari me interes publik të përcaktuara me ligj, dhe të organizuara si agjenci, fonde, institucione publike dhe ndërmarrje publike të themeluara nga Republika e Maqedonisë ose nga komunat, nga Qyteti i Shkupit, si dhe nga komunat në Qytetin e Shkupit. Pas skadimit të këtij afati vendimi pushon së vlefshmi”, bëhet e ditur në deklaratë.
Shkup - Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim informon se pas derdhjes së lumit Markova Reka në komunën Studeniçan, është evidentuar dëm material, por nuk ka rrezik për banorët e kësaj zone. "Një ekip për reagim të shpejtë ka ndërhyrë me pompat për nxjerrje të ujit, dhe të njejtit do të ndërhyjnë sipas nevojës gjatë gjithë ditës. Informacionet e deritanishme tregojnë se situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për banorët, përveç evidentimit momental të dëmeve materiale", thonë nga Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim në një postim në Fejsbuk.
Shkup - Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti Orli në Paris prej sot janë të lidhur me një fluturim të drejtpërdrejtë që do të shërbehet nga linja ajrore me kosto të ulët "Izixhet" dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë. Fluturimi i parë i linjës ajrore “Izixhet” nga Aeroporti “Orli” është pritur sot në mëngjes në aeroportin e Shkupit në orën tetë. Linja e re ajrore është futur si rezultat i mbështetjes financiare nga Qeveria përmes Programit për vfutje të destinacioneve të reja të Ministrisë së Transportit. Aeroporti Orli ndodhet rreth njëzet kilometra larg qendrës së Parisit, ndërsa përveç "Izixhet, linjë ajrore nga Shkupi në kryeqytetin francez, shërben edhe linja ajrore "Vizer" deri në aeroportin "Bove" i cili ndodhet 90 kilomtetra larg Parisit.
Shkup - Për shkak të reshjeve të dendura në territorin e qytetit të Shkupit dhe derdhjes së lumit Markova Reka nga shtrati i tij, ende është e mbyllur për qarkullim në të dy drejtimet rruga lokale f.Lisiçe e Epërme –Lisiçe e Poshtme, si dhe hyrja në f.Batincë. Për këto arsye, Njësiti për Siguri në Komunikacionin Rrugor po merr masa për regjim të posaçëm qarkullimi, informuan në mëngjes nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Shkup - Sipas të dhënave të mëngjesit nga stacionet hidrologjikë, të larta janë nivelet e ujit të të gjithë lumenjtë në vend, informojnë nga Qendra për menaxhim me kriza (QMK), duke iu referuar informacioneve të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike. "Për shkak të reshjeve të dendura gjatë ditës së djeshme në disa vende janë regjistruar derdhje lokale të lumit Markova në disa vende përgjatë rrjedhës së lumit. Gjatë ditës pritet ulje graduale e nivelit të ujit, stabilizim i situatës së nivelit të ujit dhe tërheqje graduale e ujit. Dukshëm i lartë është niveli i ujit të lumit Vardar përgjatë gjithë rrjedhës së tij, nga pjesa e lartë në luginën e Pollogut, në qytetin e Shkupit dhe përmes Vodnos në drejtim të Velesit në pjesën e mesme dhe të poshtme të pellgut në Demir Kapi dhe Gjevgjeli. Gjatë ditës niveli i ujit pritet të mbetet i lartë sidomos në pjesën e mesme dhe të poshtme të pellgut", theksohet në kumtesën e QMK-së.
Shkup - Në Tetovë dje është arrestuar një i arratisur nga burgu dhe është kthyer në INK Idrizovë për vuajtje të dënimit prej një viiti e gjashtë muaj. Ministria e Punëve të Brendshme kumtoi se dje në orën 16:30 në rrugën “168” në Tetovë, nëpunës policorë nga SPB Tetovë, me urdhër të gjykatës kanë ndaluar F.S. (35) nga Tetova, i cili kërkohej me urdhër për arratisje nga Institucioni ndëshkues-korrektues Idrizovë.
Shkup – Në Krushevë ka rënë sasi e shiut prej 36 litra në metër katrorë gjatë 24 orëve të kaluara, deri në shtatë të mëngjesit, informojnë sot në mëngjes nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Tridhjetë e dy litra në metër katror në Hanet e Mavrovës, 29 në Kodër të Diellit, 21 – Demir Kapi, 14 – Tetovë, Pozharan, Gjevgjeli, Kavadar, 13-Manastir, Veles, 12-Pozhar-Radovish, 11 – Topollçan, 10-Shkup – Petrovec, 9 -Prilep, Shtip, 6 -Shkup-Zajçev Rid, Berovë, Llazaropolë, 5-Pretor, Strumicë, Kumanovë, 3-Vinicë, 2 -Kriva Pallankë, tregojnë të dhënat e DPHM.
Prishtinë - Në Prishtinë filloi takimi i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe shefit të diplomacisë britanike, Dejvid Lemi, ndërsa pas përfundimit të bisedimeve do të mbahet konferencë e përbashkët për shtyp. Lemi dje është takuar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla Shvarc. Vizita e Lemit vjen në një kohë kur Britania e Madhe e shqyrton mundësinë për shitjen e armëve në Kosovë. Ky zhvillim i ngjarjeve u paralajmërua disa javë më parë nga ministrja britanike shtetërore, Marija Igll, e cila paralajmëroi se Londra po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje për furnizimin e Kosovës me pajisje ushtarake.
Prishtinë - Një polic i Kosovës iu nënshtrua plagëve, pasi u qëllua me armë zjarri para shtëpisë së tij në Kaçanik, shkruan gazeta "Koha ditore", duke cituar informacione nga policia e Kosovës. Polici u qëllua mbrëmë në orën 23:00 në hyrje të ndërtesës ku banonte. Sipas informacioneve nga policia, polici ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë në një institucion mjekësor në qytet, ku edhe ka ndërruar jetë pas plagëve të marra.
Tiranë – Shqipëria tashmë e ka ultra të pasurin e parë i cili është në listën më të re të Forbs për vitin 2025 të njerëzve më të pasur në botë. Bëhet fjalë për Samir Mane pasuria e të cilit është vlerësuar, sipas magazinës, në 1,4 miliardë dollarë. Emri i tij për herë të parë paraqitet në listën e njerëzve ultra të pasur në botë.“Shqipëria e ka miliarderin e tij të parë këtë vit – Samir Mane, i cili ka pasuri prej 1,4 miliardë dollarë nga investime në qendra tregtare, shitore për elektronikë dhe patundshmëri luksoze në mbarë Ballkanin. Ai është në vendin e 2.356-të në listën në të cilën gjenden 3.028 personalitete të botës”, njoftuan mediat.
Kiev - Forcat ukrainase të mbrojtjes ajrore kumtuan se mbrëmë kanë rrëzuar 41 dronë rusë, ndërsa 20 të tjerë janë zhdukur nga radari pa shkaktuar dëme, publikoi Ukrinform, duke cituar një kumtesë të forcave ajrore të Ukrainës. Mbrëmë në orën 20:00 sipas kohës lokale, forcat ruse filluan të sulmojnë Ukrainën. Në sulm janë përdorur gjithsej 74 drone të tipit "Shahed", theksohet në kumtesën e forcave ajrore të Ukrainës.
Gazë - Së paku 15 persona, mes tyre edhe fëmijë, janë vrarë në dy sulme izraelite në Rripin e Gazës, kumtoi sot në mëngjes Mbrojtja Civile në atë territor palestinez. Sulmet ishin në dy shtëpi që strehonin palestinezë të zhvendosur. Zëdhënësi i mbrojtjes civile deklaroi se në sulmin e shtëpisë në Kan Junis, në jug të Rripit të Gazës, kanë vdekur 13 persona, ndërsa në mesin e tyre ka edhe fëmijë.
Tel Aviv - Ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Kac sot kumtoi se forcat izraelite e zgjerojnë operacionin ushtarak në Rripin e Gazës. Kac theksoi se Izraeli do të vendos kontroll në pjesën më të madhe të territorit, duke shtuar se planifikon evakuim të popullatës nga rajonet ku po zhvillohen luftimet. Ai u bëri thirrje banorëve të Gazës "që ta eliminojnë Hamasin dhe t'i kthejnë pengjët izraelitë", duke theksuar se kjo është mënyra e vetme e ndërprerjes së luftës.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp sot do të fillojë, ashtu siç e quan, "nënën e të gjitha betejave tregtare" duke vendosur tarifa të reja, të cilat, sipas tij, do të shënojnë fillimin e një "epoke të artë" për SHBA-në, por të cilat, sipas analistëve, mund të shkaktojnë lëkundje në ekonominë globale. Tramp dje, sipas zëdhënëses së tij Karolajn Levit, ishte "i fokusuar në finalizimin" e planit, përmbajtja dhe shtrirja e të cilit mbeten mister. "Prej nesër, grabitja e Amerikës përfundon", deklaroi Levit, duke theksuar se tarifat do të hyjnë në fuqi "menjëherë". Tarifat e reja do të zbulohen pikërisht sot, ditë që Trampi e quan "Ditë të çlirimit", gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë në orën 16:00 sipas kohës lokale (23:00 sipas orës së mesme evropiane). Kjo do të thotë se vendimi do të shpallet menjëherë pas mbylljes së bursës së Nju-Jorkut, e cila tashmë po përjeton paqëndrueshmëri, si dhe në tregjet e tjera të botës, shkruan Frans pres.
Uashington - Senatori nga radhët e Partisë Demokratike, Kori Buker vendosi rekord të ri në Senatin amerikan, duke mbajtur fjalim për më shumë se 25 orë pa ndërprerje, duke protestuar kundër politikave të Donald Trampit. "Po qëndroj këtu me qëllim që ta prish zhvillimin normal të punës në Senatin e SHBA-së dhe do të qëndroj derisa të jem i aftë fizikisht. Do të qëndroj sonte, pasi sinqerisht besoj se vendi jonë është në krizë", deklaroi ai dje, në fillim të fjalimit të tij maratonik. Fjalimi i senatorit nga Nju-Xhersi e theu rekordin e vitit 1957, i vendosur nga Strom Tarmond - senator i Karolinës së Jugut, përkrahës i segregacionit racor, i cili kundërshtoi ligjin historik për të drejtat civile dhe foli në sallën plenare për 24 orë e 18 minuta.