
15:00 / 7 prill / 2025
Shkup – Ndërroi jetë edhe një pacient nga zjarri në Koçan i cili mjekohej në Lituani. Ai është viktima e 61-të nga tragjedia në Koçan. Javën e kaluar ndërroi jetë edhe udhëheqësi i diskotekës Aleksandar Karadakovski. Në zjarrin në Koçan ishin lënduar rreth 200 persona prej të cilëve disa ishin dërguar në mjekim jashtë vendit. Më shumë hollësi pritet për pak kohë të kumtojë ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Shkup - Aleksandar Gjorqevski, sot në Gjykatën penale në Shkup tha se nuk ka absolutisht asnjë involvim dhe se as nuk i njeh, as nuk mumd t'i shikojë të pandehurit në rastin për rastin e vrasjes së vajzës së tij, Vanja Gjorqevska dhe Pançe Zhezhoskit. Në fillim Gjorqeski i pyetur nga avokati i tij, Vladimir Tufegxhiq "nëse sot ndjehet i gatshëm dhe dakord që të japë deklaratë para gjykatës", tha se "ndjen detyrim para se gjithash për shkak të Vanjës". "Mendërisht nuk jam i sigurt sa jam gati, por e ndjej detyrim dhe dua të jap një deklaratë. Në fillim të gjyqit thashë se do të jap për disa arsye kryesore, para së gjithash për shkak të Vanjës, sepse gjatë hetimit dhe këtu në sallën e gjyqit u prezantuan të pavërteta famëkeqe në lidhje me të dhe dua t'i them se babi është i njëjti njeri që e ka parë për herë të fundit fundjavën para 4 dhjetorit dhe që atëherë jam paraqitur në një dritë jashtëzakonisht të kundërt me atë që jam. Vendosa të ndrydh emocionet e mia që të mund të jap këtë deklaratë, të marr forcë, kurajo dhe për hir të të gjithë atyre që më njohin dhe vuajnë me mua, por edhe për hir të të gjithë atyre që nuk më njohin, të tregoj anën time të së vërtetës, historinë time, se nuk kam absolutisht asnjë përfshirje me këta njerëz, deklaratat e të cilëve gjatë procedurës vumë re se nuk ndjejnë as faj, as pendim. Vura re se ata demonstrojnë inat dhe zhgënjim ndaj të ashtuquajturit "Car", tha Gjorçevski.
Shkup - Imazhi për mjekët nga kujdesi parësor si administratorë, dhënës të recetave dhe udhëzimeve duhet të tejkalohet, tha sot drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski pasi kryeministri Hristijan Mickoski ka shpjeguar Vendimin e qeverisë me të cilën rriten pikët e kapitacionit për mjekët amë, gjinekologët dhe stomatologët. Klekovski vlerësoi se kjo "rritje historike" e kapitacionit duhet të ndalojë trendin e uljes së numrit të mjekëve të rinj dhe motrave medicinale në kujdesin parësor shëndetësor dhe të kontribuojë në kujdesin parësor shëndetësor më efektiv në vend.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski tha se për agjendën e reformave, përveç liderit të LSDM-së Venko Filipçe, është i gatshëm të bisedojë edhe me liderët e partive opozitare të përfaqësuara në Kuvend, sepse thotë bëhet fjalë për një projekt të përbashkët të votuar nga të gjithë. "I presim emrat t'i dorëzojnë nga ana e LSDM-së në dy sektorët - sundimi i ligjit dhe sektori i energjetikës. Këto ishin dy temat për të cilat nga ana e Venko Filipçes ishte shprehur dëshirë të marrin pjesë me përfaqësues të tyre në përgatitjen e ligjeve reformuese, sepse ato janë në thelb pjesë e agjendës reformuese. Kur t'i marr ato, ndoshta këtë pyetje duhet t'ua adresosh atyre. Ndryshe, ai kërkoi takim me mua, kur të kërkojnë edhe partitë tjera politike nga opozita do të bisedoja edhe me ta në drejtim të njejtë. Agjenda reformuese është një projekt i përbashkët, së bashku është votuar, ashtu që pres konstruktivitet nga të gjithë faktorët politik në Parlament", tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve për takimin me Filipçen, nëse pret konstruktivitet nga ai në përcaktimin e agjendës reformuese dhe kur mund të priten hapat e parë në drejtim të asaj që është dakorduar.
Shkup - Inflacioni në mars 2025 krahasuar me muajin shkurt shënoi një rënie prej -1.3 për qind, të dhëna këto të Entit Shtetëror të Statistikave, njoftoi në rrjetin social Fejsbuk ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Sipas tij, masat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës po japin rezultat, ndërsa çmimet e produkteve ushqimore bazë janë në stabilizim dhe në rënie. "Në nivel vjetor në mars 2025 krahasuar me mars 2024, inflacioni i matur përmes kostos së jetesës është 2.7 për qind. Në vazhdimësi po punohet në masa për përmirësimin e standardit të qytetarëve dhe stabilizimin e çmimeve", ka shkruar ministri Durmishi.
Shkup - Zëvendëskryeministri i Qeverisë i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arbën Fetai, mori pjesë sot në seancën e parë të përbërjes së re të Këshillit për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile. Me këtë akt, përfundoi formalisht bojkoti disavjeçar i Këshillit nga ana e organizatave të shoqërisë civile, i cili kishte filluar si reagim ndaj shpërndarjes joparimore të fondeve publike nga qeveria e mëparshme. Siç informon kabienti i zëvendëskryeministrit Fetai, ai para anëtarëve të Këshillit e theksoi rolin thelbësor të sektorit civil si mbrojtës i demokracisë dhe si partner konstruktiv në krijimin e politikave më të mira publike.
Shkup - Kostoja e jetesës në mars 2025, në raport me marsin e vitit të kaluar, shënuan rritje prej 2,7 për qind, ndërsa çmimet me pakicë shënuan rritje të lehtë prej 2,2 për qind, kumtoi Enti Shtetëror i Statistikës. Inflacioni i matur nëpërmjet indeksit të kostos për jetesë në mars 2025, krahasuar me muajin shkurt të vitit 2025, është -1.3 %. Rënia e inflacionit në mars të vitit 2025, krahasuar me shkurtin e vitit 2025, është rezultat i rënies së kostos për jetesë në grupet e mëposhtme: Ushqim dhe pije joalkoolike për 3.0 %, Trasport për 1.8 %, Mobilje, inventarë dhe mirëmbajtje e ekonomisë familjare për 0.6 %, Pije alkoolike, duhan dhe narkotikë për 0.5 %, dhe Mallra dhe shërbime të ndryshme për 0.3 %.
Shkup - Motivimi i mjekëve të rinj dhe infermiereve të qëndrojnë në shëndetësinë primare, të punojnë më shumë në programet e skriningut, preventivën dhe vaksinimin, është një prej qëllimeve të Vendimit qeveritar që parasheh rritje të pikës së kapitacionit për mjekët, gjinekologët dhe stomatologët amë, theksoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Siç përmendi Taravari në konferencën për shtyp në Qeveri prej se kryeministri Hristian Mickoski e arsyetoi vendimin, qëllimi është që edhe mjekëve primar t'u mundësohet të zbatojnë disa metoda të shëndetësisë sekodnare si eko e zemrës, eko e karotideve apo hulumtime të tjera për të cilat janë edukuar dhe kanë licenca, pa i dërguar pacientët tek specialisti.
Shkup - Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, sot në Bruksel, do të marrë pjesë në konferencën e socialistëve dhe demokratëve me temën "Fillimi i Programit të S&D Veli Brant për zgjerimin e BE-së. Nga LSDM-ja njoftuan se në kuadër të konferencës, kryetari Filipçe sot në ora 17:15, do të mbajë fjalim në panel diskutimin e titulluar "Axhenda progresive për zgjerimin e BE-së", i cili do të udhëhiqet nga eurodeputeti dhe raportuesi i PE-së për Serbinë, Tonino Picula.
Shkup - Është marrë vendimi për rritjen historike të pikëve të kapitacionit për mjekët amë nga mjekësia e përgjithshme, gjinekologjia dhe stimatologjia, duke filluar nga prilli i këtij viti, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski. Vlera e pikëve të kapitacionit për mjekësi të përgjithshme dhe gjinekologji do të rritet prej 75 në 100 denarë ose për 33 për qind, ndërsa për stomatologjinë prej 61 në 75 denarë ose për 23 për qind. Siç theksoi Mickoski në konferencën për mediat në Qeveri, rritja e kapitacionit do të thotë paga më të larta dhe mjekë më të motivuar.
Shkup - Qeveria nuk do të rikonstruohet para zgjedhjeve lokale, deklaroi sot kryeministri Hristian Mickoski duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari dhe drejtorin e FSSH-së, Sasho Klekovski. Në pyetjen nëse është planifikuar rikonstruimi i Qeverisë para zgjedhjeve lokale, kryeministri shkurtimisht u përgjigj: "Jo". Kryeministri përsëriti se Qeveria funksionon e bashkuar dhe e vetme. "Raportet në Qeveri janë të shkëlqyeshme brenda koalicionit", tha Mickoski.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski pret që shumë shpejtë të korrigjohet vendimi i SHBA-së për rritjen e tarifave ndaj vendit. Siç tha sot, qartazi bëhet fjalë për ndonjë gabim ose dezinformim. Sipas Mickoskit, nga tarifat e rritura mund që në rritje të jenë efektet dytësore, dhe jo ato direkte të cilat Maqedonia nuk i ka pasur në nivel dypalësh me SHBA-në. Ai njoftoi se tashmë janë duke u krahasuar të dhënat, ndërsa Qeveria është në kontakt me Ambasadën e SHBA-së, Ministrinë e Ekonomisë dhe me Kabinetin e Trampit.
Shkup - Në kuadër të Koalicionit "Vlen" po bisedohet që të gjitha subjektet politike në kuadër të Koalicionit të shndërrohen dhe të shkrihen në Vlen si parti politike që do t'i përfaqësojë shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme lokale, tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, pas takimit me Komisionin Këshilldhënës Ramsar, kushtuar të ardhmes së Liqenit të Prespës i cili e lidh vendin me Shqipërinë dhe Greqinë. Për raportet mes subjekteve politike brenda Koalicionit, Mexhiti tha se askush nuk ka dyshime, përveç kryetarit të Aleancës për Shqiptarët dhe ministrit të Shëndetësisë Arben Taravari, për të cilin tha se "sheh mundësinë e bashkëpunimit me Bashkimin Demokratik për Integrim".
Shkup - Në gjykimin për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, i akuzuari Vllatko Keshishev duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Ivica Stefanovski u shpreh për ngjarjet lidhur me rastet, duke zbuluar detaje për rrëmbimin dhe vrasjen e Pançes dhe Vanjës. Ai dëshmoi edhe për rolin e tij në partinë "E Djathta" dhe për ngjarjet të cilat çuan në përfundimin tragjik. Keshishev arsyetoi se ishte portier në partinë politike "E Djathta" ku edhe ka qëndruar. Ai konfirmoi se ka përgatitur ushqim për Palçon, për veten dhe të pranishmit, ndërsa për mysafirët dhe simpatizantët ka bërë dhe shërbyer kafe dhe lëng.
Shkup - Në Ministrinë e Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot u mbajt takim i misionit këshilldhënës Ramsar, kushtuar të ardhmes së Liqenit të Prespës i cili e lidhë vendin me Shqipërinë dhe Greqinë. Zëvendëskryeminsitri dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimti Hapësinor, Izet Mexhiti theksoi se nevojiten aksione urgjente dhe të koordinuara për shpëtim të Liqenit, duke i cekur ndryshimet klimatike, shfrytëzimin e ujit për ujitje, si dhe rrjedhjet nëntokësore si kërcënimet më të mëdha.
Shkup - Çmimet e shitjes me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe i EURODIZEL (D-E V) si dhe Ekstra vajit të lehtë për amvisëri (EL-1), nga mesnata ulen për 0.50 denarë për litër, kumtoi Komisioni Rregullator për Energjetikë. Çmimi i ri i benzinës EUROSUPER BS-95 do të jetë 76,00 denarë, EUROSUPER BS-98 do të shitet për 78,50 denarë, EURODIZEL BS (D-E V) dhe Ekstra vaji i lehtë 1 (EL-1) për 68, 50 denarë për litër.
Shkup - Të premten dhe në ditët e fundjavës së kaluar si rezultat i aktiviteteve, gjegjësisht kontrolleve të komunikacionit të kryera nga nëpunësit policorë në rrugët e vendit, u lëshuan gjithsej 2.553 urdhërpagesa, shumica në lidhje me shkeljet e dispozitave të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, informon MPB-ja. Gjegjësisht, për shkak të parkimit të parregullt u shqiptuan 545 urdhërpagesa për kundërvajtje, dhe thuajse po aq, respektivisht 543 kundërvajtje për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes në përputhje me shpejtësinë e përshkruar. Gjithashtu janë evidentuar 150 kundërvajtje për shkak të përdorimit të telefonit celular gjatë vozitjes, 340 urdhërpagesa për mospërdorimin e rripit të sigurimit si dhe 20 kundërvajtje në bazë të mosmbajtjes së helmetës mbrojtëse gjatë vozitjes së motoçikletës. Në periudhën e theksuar madje 252 pjesëmarrës në komunikacion janë gjetur pa leje drejtimi, 104 drejtuan nën ndikimin e alkoolit, shtatë kaluan në sinjalin e kuq, ndërsa janë sanksionuar edhe 12 këmbësorë.
Shkup - Vijon periudhë e motit stabil, me erë dhe të nxehtë me temperatura të mëngjesit, të cilat deri të mërkurën në disa vende do të jenë negative, ndërsa në ditët në vijim në rritje graduale, njofton DPHM. Nga e enjtja, temperaturat minimale të mëngjesit do të lëvizin në interval prej -2 deri në 9, ndërsa ato ditore maksimale nga 9 deri në 24 gradë.
Bruksel - Vendet e treta që nuk janë anëtare të BE-së mund të bashkohen dhe të marrin pjesë në projekte për furnizimin e pajisjeve dhe teknologjisë së mbrojtjes përmes Instrumentit "Veprimet e sigurisë për Evropën" (SAFE), nëse kanë lidhur marrëveshje partneriteti për sigurinë dhe mbrojtjen me Bashkimin Evropian, informoi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për sovranitet teknologjik, mbrojtje, hapësirë dhe hulumtim, Toma Renie. "Vendet e treta që mund t'i bashkohen këtij grupi dhe të bëjnë blerje të përbashkëta janë Norvegjia, Moldavia, Koreja e Jugut, Japonia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut", deklaroi Renie.
Kiev - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski mbrëmë deklaroi se Rusia refuzon të pranojë një armëpushim të pakushtëzuar për të vazhduar me sulmet me raketa nga Deti i Zi. “Kjo është një nga arsyet pse Rusia shtrembëron diplomacinë, pse refuzon të bie dakord për një armëpushim pa kushte, ata duan të ruajnë aftësinë për të sulmuar qytetet dhe portet tona nga deti", theksoi Zelenski. Sipas tij, armëpushimi në det nuk është vetëm çështje lundrimi apo eksporti ushqimor, por edhe për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm.
Gazë – Të paktën dy persona humbën jetën, në mesin e të cilëve edhe një gazetar në sulmin e mbrëmshëm izraelit në të cilin janë goditur tenda para dy spitaleve të mëdha në Rripin e Gazës. Sipas mjekëve palestinezë, nëntë persona janë plagosur, prej të cilëve gjashtë janë gazetarë. Sipas informacioneve nga spitalet, edhe 15 persona humbën jetën në sulme të ndara përgjatë Rripit të Gazës. Lufta, e cila zgjat tashmë 18 muaj, filloi me sulm të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor të vitit 2023, në të cilin ishin vrarë rreth 1.200 njerëz, ndërsa peng ishin marrë 251. Edhe 59 persona ende janë në robëri, prej të cilëve për 24 besohet se janë gjallë