12:00/ 30 prill/ 2025
Shkup – Gjykata Kushtetuese në mbledhjen e sotme duhet të marrë vendime përfundimtare për lëndët për Kodin Zgjedhor, vlerësimin e prokurorëve publikë dhe “Medresenë Isa Beu” nga Kondova. Siç informojnë nga Kushtetuesja, për lëndën e cila ka të bëjë me nenet 17 dhe 18 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, Gjykata më 26.02.2025 nisi procedurë për dispozitat me të cilat është ngritur pragu i nënshkrimeve të nevojshme për parashtrimin e listave të pavarura të qytetarëve në zgjedhje në 1 % të trupit votues.
Shkup - Ministria e Kulturës dhe Turizmit informoi se Bordi për ndarjen e çmimit shtetëror "11 Tetori" ka shpallur Konkurs për ndarjen e çmimit shtetëror "11 Tetori" për vitin 2025. Me këtë çmim jepet mirënjohja më e lartë për veprën jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë dhe aktiviteteve të tjera me interes publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Çmimi u jepet individëve, grupeve krijuese, ekipeve, institucioneve, kompanive dhe shoqatave qytetare nga vendi. Bordi për ndarjen e çmimit shtetëro "22 Nëntori" ka shpallur Konkurs për ndarjen e çmimit shtetëror "22 Nëntori" për vitin 2025. Me këtë çmim, nga ana tjetër, jepet mirënjohje për personat nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët kanë kontribuar në promovimin e bashkëjetesës njerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis anëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme në vend.
Shkup - Nevoja për reforma thelbësore, efikasitet më të madh të procedurave gjyqësore dhe avancimi i autonomisë gjyqësore kanë qenë në fokus të konferencës së gjyqtarëve "Forcimi i pavarësisë dhe llogaridhënies gjyqësore përmes efikasitetit më të madh të procedurave" e cila mbahet sot nën organizim të Shoqatës së gjyqtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup. "Kujtojmë në përgjegjësinë unike të sistemit të drejtësisë për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar se drejtësia mund të arrihet. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat që dalin nga presionet, procedurat e ngadalësuara dhe korrupsioni. Janë pikërisht këto sfida që kanë ulur besimin e opinionit në sistemin e drejtësisë", deklaroi ambasadori Kilian Uall, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.
Shkup - Sipas udhëzimit të ministres së Energjetikës Sanja Bozhinovska, për festën e ardhshme të 1 Majit, do të riaktivizohen masat e aplikuara nga operatori i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike MEPSO dhe Komisioni Rregullator i Shërbimeve të Energjisë dhe Ujit (KRRE) gjatë festave të Pashkëve, me qëllim që të sigurohet një sistem i qëndrueshëm dhe i besueshëm i energjisë elektrike. Vendimi, kumtoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, u mor në një takim të jashtëzakonshëm të ministres Bozhinovska me kryetarin e KRRE-së, Marko Bislimoski dhe zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të MEPSO-së, Aleksandar Paunovski.
Bruksel – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, u bëri thirrje shkencëtarëve dhe hulumtuesve nga e gjithë bota të punojnë në Evropë, pasi administrata e presidentit amerikan Donald Tramp u kërcënua se do ta ulë financimin federal për Harvardin dhe universitetet e tjera amerikane. Universitetet amerikane ishin cak i administratës, kryesisht për shkak të mënyrës në të cilën reaguan për protestat propalestineze kundër luftës në Gazë vitin e kaluar, por edhe për çështje siç janë programet për diversitet, nismat klimatike dhe politikat transgjinore.
Kiev - Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SHSU) kumtoi se ka arrestuar zyrtarë të mbrojtjes të akuzuar për përfshirje në dërgimin e dhjetëra mijëra granatave me defekt pas pushtimit rus të vendit. Në mesin e të arrestuarve është drejtori i një fabrike në rajonin Dnipropetrovski, zëvendësi i tij, një ish-drejtor i një drejtorie në Ministrinë e Mbrojtjes dhe një inspektor ushtarak. "Të akuzuarit përdorën materiale me cilësi të dobët dhe kryen punë me cilësi të dobët gjatë prodhimit të granatave, prandaj ato ishin me defekt", thuhet në kumtesën e SHSU-së.
Stokholm - Tre persona janë vrarë në sulmin e armatosur që ndodhi dje në një sallon flokësh në qendrën e qytetit Upsala të Suedisë, njofton policia. Sulmuesi është arratisur me skuter dhe ende nuk është gjetur. Incidenti ndodhi në afërsi të qendrës Vaksala, ndërsa policia vendosi kordon rreth një pjese të madhe të qytetit dhe filloi hetimin për vrasjen e trefishtë. Dëshmitarët për TV4 deklaruan se gjithçka ndodhi shumë shpejtë. "Është dëgjuar vetëm: bam, bam, bam" ka treguar një dëshmitar okular. Një tjetër dëshmitar tha se ka dëgjuar dy të shtëna që tingëllonin si fishekzjarrë ndërsa po gatuante në shtëpi, pas së cilës rrugët u mbushën me policë dhe shërbime emergjente që i paralajmëronin qytetarët të fshiheshin.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp mbrëmë deklaroi se beson që Presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë, pavarësisht sulmeve të fundit ruse. Presidenti amerikan e deklaroi këtë në një intervistë për Ej-Bi-Si-Njuz. "Mendoj se dëshiron," u përgjigj Tramp kur u pyet nëse mendon se Putini dëshiron paqe. "Nëse nuk do të isha unë, mendoj se ata do ta kishin pushtuar të gjithë vendin. Do t'ju them, nuk isha i lumtur kur pashë Putinin se si lëshonte raketa" në disa qytete, tha lideri amerikan.
Phenian - Koreja e Veriut këtë javë për herë të parë i ka testuar sistemet e armëve në anijen e re luftarake nga klasi "Ço Hjon", njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA. Në testimin, të cilët i ndjek lideri Kim Xhong-un së bashku me zyrtarë të lartë shtetërorë, janë gjuajtur raketa kundërajrore. Kim deklaroi se ka ardhur momenti që Marina e Koresë së Veriut ta përshpejtojë zhvillimin e armëve bërthamore si pjesë të mbrojtjes së sovranitetit detar, raporton KCNA. Shërbimet e inteligjencës së Koresë së Jugut dhe Amerikës me kujdes janë duke e ndjekur zhvillimin e anijeve të Koresë së Veriut. Sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Veriut, anija - e cila konsiderohet si minahedhëse - ndoshta ende nuk është plotësisht operative. Pamjet satelitore tregojnë se pas ushtrimeve u tërhoq në një port lundrues, gjë që tregon se "ndoshta mund të mos ketë sistem funksional".
Pekin - Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës ka publikuar një video dramatike në rrjetet sociale si përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj politikave të presidentit amerikan Donald Tramp, duke thënë se Kina nuk do të tërhiqet në konfliktin tregtar. Ata e krahasuan politikën amerikane me "syrin e një tornadoje kur gjithçka duket e qetë për një moment, por është e qartë se një stuhi edhe më e fuqishme po vjen". Në një video deri të bashkësisë ndërkombëtare apelohet që të kundërshtojë atë, siç e quajnë "maltretimin amerikan", ndërsa përmes një sërë shembujsh tregojnë pasojat e pretenduara negative të dominimit ekonomik amerikan. Si ilustrim, ata përmendin që sipas tyre, "strategjia ekonomike agresive amerikane ka shkatërruar kompani si Toshibën dhe Alstomin, ndërsa njëkohësisht ka shkaktuar dëme ekonomike afatgjata në disa vende", ashtu siç është Japonia.
Seul - Rreth 600 ushtarë të Koresë së Veriut e kanë humbur jetën gjatë luftimeve në Rusi kundër Ukrainës, njoftuan sot deputetët e Koresë së Jugut, duke u thirrur në agjencinë e inteligjencës së Koresë së Jugut. Sipas tyre, gjithsej 15,000 ushtarë të Koresë së Jugut u stacionuan në zonë, raportojnë agjencitë botërore. Sipas deputetëve, deri tani gjithsej 4.700 ushtarë nga Koreja e Veriut janë vrarë ose plagosur në rajonin e Kurskut. Megjithatë, deputetët shtuan se ushtria e Koresë së Veriut ka demonstruar aftësi të shtuara luftarake në muajt e fundit, duke përdorur pajisje ushtarake moderne. Në këmbim të vendosjes së trupave dhe furnizimit të Rusisë me armë, Pheniani me sa duket mori ndihmë teknike për satelitët e tij spiunë, si dhe dronë dhe raketa kundërajrore, thanë parlamentarët.