• среда, 30 април 2025
Македонски
  • English
  • Shqip
  • Македонски
MIA FLESH

18:00 / 8 prill / 2025

Shkup - Kuvendi sot pasdite, në kuadër të seancës së 42-të, e ka miratuar Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për arsimin e mesëm, me procedurë të shkurtuar, i cili u miratua me votim të dyfishtë, gjegjësisht edhe me votat e deputetëve të pranishëm, të cilët u takojnë bashkësive, që nuk janë shumicë në vend. Me ndryshimet janë definuar dispozitat, me të cilat rregullohet arsimi i mesëm si i organizuar në mënyrë institucionale, kadrovike dhe përmbajtësore, në mënyrë që mundëson edukimin për të gjithë nxënësit, duke përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, formimin e ekipeve gjithëpërfshirëse dhe mbështetjen e nxënësve me aftësi të kufizuara.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski është në komunikim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për problemin me tarifat dhe presim zgjidhje sa më të shpejtë, megjithëse efektet e drejtpërdrejta nga vendosja e tarifave amerikane nuk janë të mëdha, kur bëhet fjalë edhe për eksportin edhe për importin, tha sot ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska. "Jemi duke përgatitur ndryshime në Ligjin për normat doganore me të cilat mund të shkojmë në zvogëlimin e tyre madhe edhe deri në zero sepse efekti nuk do të jetë aspak i madh, pasi që i gjithë eksporti vitin e kaluar ishte pak mbi 100 milionë euro, që është shumë pak në krahasim me këmbimin me pjesën tjetër të botës. Çdo ndryshim në normat doganore nuk do të ketë ndikim në buxhet. Ne mund t'ia ofrojmë këtë SHBA-së në këtë moment. Bëhet fjalë për gabim sepse edhe kur shikohen tarifat individuale në Republikën e Maqedonisë nuk ka tarifë doganore prej 65 për qind , tha Dimitrieska Koçoska në pyetjen e gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri. 

Shkup - Prokuroria Themelore Publike Kumanovë ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj dy vëllezërve nga fshati Llukë i Kriva Pallankës, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se si bashkëpunëtorë kanë kryer veprën penale - Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 4 të Kodit Penal. “Të dyshuarit, të moshës 20 dhe 25 vjeç, nga lakmia kanë privuar nga jeta bashkëfshatarin e tyre. Natën mes 24 dhe 25 marsit, ata kanë rënë dakord të kryejnë vjedhje në shtëpinë e viktimës. Vëllai i vogël e ka zgjuar të dëmtuarin dhe e ka nxjerrë jashtë me pretekstin se donte nga ai të blinte raki. Në oborr e ka goditur me shat në kokë, më pas të dy e kanë tërhequr zvarrë së bashku dhe e kanë goditur edhe disa herë me një send. Duke kontrolluar në xhepat e viktimës, ata i kanë marrë 6.000 denarë, të cilat i kanë ndarë mes vete dhe më pas kanë kontrolluar shtëpinë dhe hapësirat tjera ndihmëse. Në fund e kanë lyer trupin e tij me benzinë dhe naftë dhe i vunë flakën, më pas e hodhën në një gropë buzë lumit dhe e mbuluan me pemë dhe gurë”", thuhet në kumteësn e Prokurorisë.

Shkup - Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, në deklaratë për MIA-n tha se kanë kërkuar mbikëqyrje në lëndën me aktgjykimin për Teodora Ristevskën, e cila është shkelur në një aksident trafiku në Tetovë. Ai thekson se nëse ka lëshime, do të reagojnë. "Menjëherë kërkuam të shohim se çfarë po ndodh, lënda është kërkuar dhe duhet të na dërgohet. Do të bëjmë mbikëqyrje dhe nëse ka lëshime do të reagojmë, nëse gjithçka është në rregull, do të kumtojmë", tha ai. Pas aksidentit të trafikut në gusht të vitit 2022, autori i cili shkeli 22-vjeçaren Teodora, fillimisht u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg. Gjykata e Apelit ia uli dënimin në dy vjet, por Gjykata Supreme i shfuqizoi gjykimet dhe e ktheu rastin për rigjykim. Gjykata në Tetovë dje sërish e dënoi me dy vjet burg autorin.

Shkup - Qeveria sot në seancë e ka shqyrtuar dhe miratuar informacionin për ndarjen e kontratës shumëvjeçare për furnizimin publik të 120 autobusëve ekologjikë për transport urban. Siç informoi shërbimi për shtyp i qeverisë, Qeveria e obligoi Ministrinë e Transportit të nisë procedurën për furnizim publik.

Shkup - Qeveria sot në mbledhje e ka pranuar konceptin e propozuar për organizimin e qendrës së resurseve për mbështetje të komunave, e cila duhet të sigurojë mbështetje serioze për forcimin e kapaciteteve në nivel lokal. Kjo, theksojnë nga Qeveria, do të çojë në nxitjen e zhvillimit më efikas lokal, ndërsa paralelisht me këtë do të sigurohet edhe bashkëpunim i përmirësuar mes pushtetit lokal dhe atij qendror. "Komponenta e parë që përfshin ky koncept është Fondi për dokumentacion teknik (FDT) – ky është një instrument financiar / skemë grantesh për financimin e komunave dhe qendrave për zhvillim të rajoneve planore, për përgatitjen e dokumentacionit teknik gjithpërfshirës për projekte për zhvillimin e infrastrukturës, i pilotuar tashmë në kuadër të projektit “Ndërtimi i kapaciteteve komunale për zbatimin e projekteve” dhe po realizohet në partneritet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, UNDP dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim – SIDA", thuhet në kumtesën e sotme pas mbajtjes së mbledhjes së Qeverisë. 

Shkup - Doganierët në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit parandaluan tentativë për kontrabandë të stolive prej arit në vlerë prej afro gjysmë milioni euro. Inspektorët në Sektorin e kontrollit dhe hetimeve kanë ndërmarrë veprime parahetimore dhe në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup janë ngritur kallëzime penale kundër dy personave me nënshtetësi belge për kryerjen e veprës penale kontrabandë, e dënueshme nga neni 278 nga Kodi penal, informoi drejtori i Drejtorisë doganore, Boban Nikollovski. Siç theksoi në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri së bashku me ministren e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, pasagjerët që kanë arritur me fluturim e rregullt Vjenë - Shkup pasi kanë kaluar kontrollin e pasaportave  dhe kanë marrë bagazhin janë nisur drejt zonës doganore.

Shkup –Në afër gjashtë muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale institucionet dhe partitë politike fillojnë të përgatiten për ndryshime të Kodit Zgjedhor. Nga Ministria e Drejtësisë, por edhe nga partitë politike konfirmojnë se këto ditë ka nisma për ndryshim të Kodit Zgjedhor, pa theksuar se çka do të përmbanin ndryshimet. Nga Ministria e Drejtësisë për MIA-n thonë se lidhur me Kodin Zgjedhor, ndërmerren aktivitete për përgatitje të tij, por se gjatë kësaj megjithatë duhet të kenë parasysh se legjislacioni zgjedhor kërkon konsensus të gjerë, dhe këtu do të nevojitet qasje konstruktive dhe mbështetje nga faktorët politik kyç në vend.

Shkup - Qeveria në seancën e sotme të 66-të ka shqyrtuar dhe miratuar informacionin për nevojën e riorganizimit të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik dhe propozim për bashkim me Agjencinë për mbështetjen e Sipërmarrësisë. Qeveria e obligoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që brenda 10 ditëve të formojë grup pune me përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria për Transformim Digjital, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Agjencia për Mbështetjen e Sipërmarrësisë dhe Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, i cili do të ketë për qëllim hartimin e një ligji të ri ose ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Veprimtari Inovative me të cilin do të rregullohet riorganizimi i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sot përmes kumtesës ka reaguar lidhur me arrestimin e drejtorit të ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori Shkup”, për marrjen të ryshfetit. "Duke pasur parasysh se personi M.A është propozuar nga ASH për zgjidhje të përkohshme për drejtor të ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori Shkup”, konsiderojmë të nevojshme të njoftojmë si në vijim: ASH u bën thirrje organeve kompetente shtetërore që në një procedurë të shpejtë dhe efikase të sqarojnë të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me ngjarjen konkrete penale. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike", theksohet në reagimin e Taravarit.

Tetovë - Universiteti i Tetovës ka filluar prezantimin e ofertës akademike para maturantëve të vendit tonë. Siç njofton Zyra për informim pranë UT-së, shkolla e mesme komunale “Ismet Jashari” nga Likova, Gjimnazi “7 Marsi” i Tetovës dhe Shkolla e mesme ekonomike “Pero Nakov”- Kumanovë, sot i kanë hapur dyert për ekipet promovuese të Universitetit të Tetovës, të cilët kanë zhvilluar takime me maturantët e këtyre institucioneve arsimore, për t’i informuar me programet studimore dhe risitë që Universiteti ynë ofron për vitin e ardhshëm akademik 2025/26.

Tiranë - Në Tiranë sot zëvendëskryministrja Belina Balluku, , njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe drejtori i Bankës Evropiane të Investimeve, Lionel Rapaj, nënshkruan sot në Tiranë një marrëveshje për financimin e projektit strategjik hekurudhor Durrës – Rogozhinë, pjesë e Korridorit VIII. "Kjo hekurudhë është një arterie kyçe që do të lidhë Shqipërinë me rrjetin evropian të transportit dhe do të forcojë më tej rolin e vendit tonë si një rajon lidhës në rajon. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet një hap tjetër të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës sonë", tha Balluku.

Stokholm - Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të kenë midis tyre zero tarifa, ndërsa ky duhet të jetë qëllimi evropian në negociatat vijuese me SHBA-në, deklaroi sot ministrja e Punëve të Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen."Përfshirja në një luftë tregtare globale është mënyra më e sigurt për të arritur një recesion global" tha Valtonen në konferencë të përbashkët shtypi me homologen e saj suedeze në Stokholm, Marija Malmer Stenergard. 

Ankara - Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan sot paralajmëroi se në Forumin e ardhshëm për diplomaci në Antalia, do të diskutojë me shefat e shteteve që marrin pjesë në ngjarjen për gjenocidin në Gazë dhe do të kërkojë përgjigje për pyetjen se çfarë mund të bëhet për të parandaluar shtypjen ndaj palestinezëve. "Përderisa Izraeli shkel dinjitetin njerëzor në Gazë, ne nuk do t'u kthejmë shpinën vëllezërve tanë atje", tha Erdogan në takim të vazhduar të kryetarëve të provincave të partisë së tij në sallën e konferencave të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit.

Santo Domingo - Të paktën 15 persona e humbën jetën, ndërsa më shumë se 100 u lënduan pasi sot në mëngjes një çati u shemb në një klub nate në kryeqytetin e Republikës Domenikane, kumtuan autoritetet. "Ekipet po kërkojnë të mbijetuarit në rrënojat e 'Xhet Set' në Santo Domingo. Supozojmë se shumë prej tyre janë ende gjallë dhe për këtë shkak autoritetet këtu nuk do të dorëzohen derisa asnjë person i vetëm të mos mbetet nën ato rrënoja", deklaroi Huan Manuel Mendez, drejtor i Qendrës për operacione emergjente. Midis të lënduarve është edhe këngëtari Rubi Perez, e cila po performonte kur çatia u shemb, kumtuan personat zyrtarë.

Moskë – Përfaqësues zyrtarë rusë dhe amerikanë do të mbajnë bisedime të reja në Stamboll më 10 prill, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov. Peskov tha se Rusinë do ta përfaqësojnë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pa saktësuar se për cilat çështje do të bisedohet, transmetoi Blumberg. Paralajmërimi për datën e takimit të ri vijon pasi përfaqësuesi i presidentit rus Vladimir Putin, Kiril Dmitriev, u kthye nga takimet dyditore në SHBA javën e kaluar dhe theksoi se do të ketë bisedime të reja.

Kiev - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski sot deklaroi se gjashtë ushtarë kinezë luftuan në anën e Rusisë kundër forcave ukrainase, ndërsa dy prej tyre u robëruan në Ukrainën lindore. "Edhe një vend tjetër i është bashkuar Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës", theksoi Zelenski. Ai shtoi se për këtë do të kërkonte zyrtarisht sqarim nga Pekini.

Seul - Ushtruesi i detyrës president i Koresë së Jugut, Han Deok-su sot ka realizuar bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Tramp, njoftoi agjencia koreanojugore e lajmeve, Jonhap. Ky ëshët kontakti i parë mes Hanit dhe Trampit. Biseda telefonike është mbajtur katër ditë pasi Gjykatra kushtetuese e Koresë së Jugut e konfirmoi ndërrimin e presidentit paraprak Jun Suk-jol, pasi në dhjetor ka shpallur gjendje ushtarake.

Остани поврзан