15:00/28 prill/2025
Shkup - "A na duhet Ligj për Gjykatën Kushtetuese?" është tema e tryezës së sotme të mbajtur në Gjykatën Kushtetuese e cila ka për qëllim të hapë debat mbi nevojën e miratimit të një ligji të veçantë që do të rregullonte punën e Gjykatës Kushtetuese, përmes dialogut midis përfaqësuesve të institucioneve, profesionit ligjor dhe sektorit civil. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në fjalën e saj hyrëse tha se sipas saj Gjykata Kushtetuese duhej të ishte reformuar shumë kohë më parë dhe se është mirë që debati po zhvillohet tani, pikërisht në institucionin më të pareformuar.
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, priti sot Asaf Haxhiev, sekretar i përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK), përpara takimit të nesërm të Komisionit për Çështje Juridike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të kësaj Organizate. Në takim, në të cilin mori pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, u shkëmbyen mendime mbi kontributin e vendit tonë brenda PABSEK-ut, si anëtar relativisht i ri dhe i plotfuqishëm.
Shkup - Siguria dhe shëndeti i punëtorëve është fokusi ynë, dixhitalizimi i proceseve të punëtorëve do të mundësojë krijimin e vendeve të reja të punës, theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi sot gjatë fjalimit në ngjarjen me rastin e shënimit të "Ditës botërore të sigurisë dhe shëndetit gjatë punës". Ai theksoi se në kushte të ndryshimeve të thella në botën e punës, globalizimit, ndryshimeve teknologjike, modeleve të reja të biznesit, etj., një nga sfidat më të rëndësishme të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës është të përcaktojë se cilët persona, respektivisht punëtorët, duhet të jenë objekt i mbrojtjes dhe të gëzojnë mbrojtje adekuate në punë.
Shkup - Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM) sot njoftoi se pagesa e taksave për shfrytëzimin e resurseve minerale në tremujorin e parë të vitit 2025 arriti në 247.491.155 denarë. Kjo, siç thonë, paraqet një rritje më shumë se dyfish në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2024, kur ishin mbledhur 110.576.324 denarë. Ata shtojnë se kjo rritje e ndjeshme është rezultat i aktiviteteve të përkushtuara dhe të intensifikuara të Ministrisë për përmirësimin e pagesës dhe forcimin e kontrollit mbi detyrimet e koncesionarëve.
Shkup – Gjykata Kushtetuese ka nevojë për ligj për riorganizim dhe gjendja status quo nuk do t’i sjellë askujt asgjë të mirë, porositi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, pas hapjes së tryezës së rrumbullakët “A na duhet Ligj për Gjykatën Kushtetuese?”, duke shfaqur shpresë se debati publik do të rezultojë me adresim të duhur të të gjitha çështjeve. Kostadinovski theksoi se ka mendime të ndara edhe në lëmi edhe në shkencë për këtë temë, por theksoi se qëndrimi i tij është i qartë – se angazhohet për Ligj për Gjykatën Kushtetuese, por jo çfarëdo, por ose të jepet bazë kushtetuese për 2/3ligj ose Ligj kushtetues për specifikim të mëtejshëm të dispozitave kushtetuese.
Shkup - Reforma e gjyqësorit kushtetues është një nga më të rëndësishmet sepse Gjykata Kushtetuese luan një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në sigurimin e sundimit të ligjit, por edhe në mbrojtjen e vlerave evropiane, ndërsa reforma duhet të përgjigjet si të mbrohet më së miri pavarësia dhe integriteti i Gjykatës Kushtetuese në një mjedis që është në ndryshim të vazhdueshëm. Këtë e theksoi Mihalis Rokas, amabasador i Bashkimit Evropian në fjalën hyrëse të tryezës së rrumbullakët "A na duhet Ligj për Gjykatën Kushtetuese?" e cila po mbahet në Gjykatën Kushtetuese e cila mëton të hapë një debat mbi nevojën e miratimit të një ligji të posaçëm që do të rregullonte punën e Gjykatës Kushtetuese, përmes një dialogu midis përfaqësuesve të institucioneve, profesionit ligjor dhe sektorit civil.
Shkup - Universiteti më i ri shtetëror - "Nëna Terezë" - Shkup nga sot ka rektor të ri - prof.dr. Bekim Fetai, i cili e ka marrë funksionin nga ish-prof.dr. Izet Zeqiri. Fetai është profesor në Fakultetin për shkenca informatike në UNT dhe punon nga themelimi i tij, ndërsa paraprakisht ka përvojë 17-vjeçare si profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Siç tha, i njeh mirë gjendjen dhe punën e Univeristetit "Nëna Terezë" si prorektor i ri në dy mandatet dhe para kësaj dekan në Fakultetin ku la ligjëruar.
Shkup - SHA MEPSO sot shpalli tender ndërkombëtar për ndërtimin e interkonektorit 400 kilovoltësh me Shqipërinë, projekt për të përfunduar korridorin rajonal energjetik Lindje-Perëndim me rëndësi kyçe për integrimin rajonal dhe stabilitetin energjetik të vendit. Tenderi i ri u shpall pasi kontraktori i mëparshëm, përmes kërkesave të pajustifikuara për fonde shtesë dhe duke u larguar në mënyrë të njëanshme nga tereni, rrezikoi projektin dhe interesin publik, për çka kontrata me të u ndërpre.
Shkup - Sistemi transmetues për momentin është në gjendje stabile, ndërsa SHA MEPSO është garanci për këtë, vlerësoi sot drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Burim Latifi. Gjatë Pashkëve, shtoi, ka pasur sfida dhe për këtë arsye janë ndërmarrë masa për shkyçjen e prodhuesve të energjisë elektrike nga sistemi, por mund të themi se po bëjmë çdo përpjekje që sistemi të stabilizohet dhe të mos ketë probleme në tërë rrjetin.
Shkup - Në seancën e sotme për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit në Gjykatën Penale në Shkup, i akuzuari Lupço Palevski iu përgjigj pyetjeve të tërthorta nga Prokuroria Publike. Në dëshminë e tij, Palevski akuzoi për përndjekje penale të motivuar politikisht, duke mohuar kështu se ka çfarëdo lidhje me veprat penale të dhunshme. Prokuroria Publike fillimisht shpjegoi të dhënat penale të Palevskit, të cilat përfshijnë dënime të shumta me kusht që nga viti 2007 për keqpërdorim të detyrës zyrtare (8 muaj dënim me kusht), shkelje të masave epidemiologjike (2020), si dhe një procedurë për zbulimin e sekreteve zyrtare. Prokuroria vlerësoi se ai vepron vazhdimisht në mënyrë të paligjshme dhe nuk respekton ligjet.
Shkup – Pas procedurës së zbatuar hetuese, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot parashtroi Aktakuzë kundër dy vëllezërve të akuzuar për vrasje dhe për tentim për vrasje në mënyrë tinëzare. “Gjatë hetimit janë siguruar dëshmi të cilat konfirmojnë se më 01.11.2024 në Haraçinë dy vëllezërit të moshës prej 23 dhe 31 vjet me paramendim dhe në mënyrë tinëzare privuan nga jeta një person dhe bënë përpjekje që të privojnë nga jeta edhe një tjetër. Me të dy të dëmtuarit – babë dhe birë të akuzuarit ishin dakorduar që të takohen dhe të bisedojnë për kinse borxh prej 7.000 eurosh. Me automobil kishin mbërritur në lokacionin e dakorduar, por pas një bisede të shkurtër, njëri nga të akuzuarit ka nxjerrë armë zjarri – pistoletë dhe ka filluar të gjuajë drejt viktimave. Nga plagët e shkaktuara babai kishte ndërruar jetë, ndërsa djali ka marrë lëndime të rënda trupore”, njoftoi Prokuroria Publike.
Bruksel – Takimi i parë i drejtpërdrejtë midis kryetares së Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen dhe Presidentit amerikan, Donald Tramp gjatë funeralit të Papa Françeskut në Romë të shtunën ishte kryesisht për shkak të përpjekjeve të kryeministres italiane Xhorxha Meloni, pohojnë burime nga partia e saj e krahut të djathtë "Vëllezërit e Italisë". (FDI). Sipas burimeve të partisë, siç thekson gazeta italiane "Koriere dela Sera", Meloni ka punuar intensivisht ditët e fundit për të arritur këtë "kontakt fillestar, të cilin ajo e konsideron shumë të rëndësishëm".
Bruksel - Deri më tani nuk është caktuar ndonjë datë për takimin midis kryetares së Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen dhe presidentit amerikan Donald Tramp, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo. "Është shprehur interesim (për takim), ndërsa momenti i vërtetë për atë do të jetë kur të arrihet një marrëveshje pako në nivel të dy presidentëve. Deri më tani nuk kemi një datë konkrete për një takim të tillë", theksoi Pinjo. Në pyetjen shtesë që nënkupton kur theksohet "të dakordohet pako", Pinjo u përgjigj se në tryezë kishte disa çështje, para së gjithash ato që lidhen me doganat, për të cilat në vazhdim janë negociatat midis BE-së dhe SHBA-së.
Uashington - Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio deklaroi se tre fëmijë të vegjël, të moshës 2, 4 dhe 7 vjeçarë, të gjithë shtetas amerikanë, të cilët e kanë lëshuar vendin në javët e fundit, nuk janë deportuar, por kishin shkuar me nënat e tyre në Honduras. Fëmijët, nga dy familje të ndryshme, kanë hipur në një fluturim për këtë në Amerikën Qendrore me nënat e tyre më 25 prill, raportuan mediat amerikane. Sipas "Uashington post", fëmiu katërvjeçar, i cili vuan nga kanceri në fazën e katërt, tani është pa qasje në ilaçe dhe pa kontakt me mjekët. Ai dhe fëmija shtatëvjeçar janë vëlla e motër.