
18:00 / 7 prill / 2025
Shkup - Avokati Vladimir Tufegxhiq, mbrojtës i Aleksandër Gjorçevskit, deklaroi se deklarata e klientit të tij është e qartë dhe e sinqertë, duke reflektuar pjesëmarrje reale në ngjarjet. Sipas avokatit, deklarata e Gjorçevskit ka arritur të përcjellë akuzën e pabazuar ndaj tij dhe në të njëjtën kohë ka arritur edhe te përfaqësuesi i akuzës. "Në fakt mendojmë se me këtë disi ka arritur të përcjellë në gjykatë se nga çfarë përbëhet akuza e pabazë në të. Mendoj se deklarata e tij preku mjaft qartë edhe përfaqësuesin e Prokurorisë, për të cilin nuk kemi asgjë kundër. Ne presim edhe pyetje të tërthorta por sot Aleksandar e shpjegoi thelbin në detaje", tha Tufegxhiq.
Shkup – Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shkup ngriti procedurë kundër një 37-vjeçari nga Shkupi për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer vepër penale “dhunë ndaj fëmijës” nga neni 201-a nga Kodi Penal. Më 5 prill, siç informojnë nga PTHP, i dyshuari ka kryer dhunë fizike dhe psikike ndaj djalit të tij të lindur në vitin 2010. Ndaj fëmijës, theksojnë, është sjellë në mënyrë agresive dhe ka bërë përpjekje që ta përzë nga shtëpia, pas çka në një moment e ka kapur për xhupin në pjesën e qafës, e ka tërhequr dhe ka filluar që ta hedhë në korridor. Pastaj me dorë e ka goditur në pjesën e pasme të kokës, me çka i ka shkaktuar lëndim nga i cili fëmija i dëmtuar ka ndjerë errësirë para syve, dhimbje koke dhe marramendje, ndërsa i dyshuari ka vazhduar që dhunshëm ta shtyjë djalin drejt derës së shtëpisë.
Shkup - Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiq të mërkurën dhe të enjten do të qëndrojë për vizitë të saj të parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Kryetarja e Parlamentit të Sllovenisë të mërkurën pasdite do të pritet nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi, me pritje ceremoniale me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Më pas ata të dy do të zhvillojnë takim tet-a-tet, pas çka do të vijojë takimi i dy delegacioneve. Pastaj kryetarët e dy parlamenteve do të japin deklarata për mediat.
Shkup - Zjarri në diskotekën "Puls" në Koçan e mori viktimën e 61-të. Ndërroi jetë edhe pacienti i dytë, i cili po mjekohej në Lituani, ndërsa ishte në gjendje kritike që prej fillimit, kumtoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Siç theksoi ministri, Aleksandar Gavrillovski (29) u dërgua në Spitalin e Qytetit më 17 mars në gjendje të rëndë, ndërsa nga 4 prilli gjendja e tij filloi të përkeqësohej. "Lajm i hidhur, dua t’ju informojë se sot në orën 11 ka ndërruar jetë pacienti i dytë, i cili po mjekohej në Lituani, 29-vjeçar, i cili ishte në gjendje kritike që prej fillimit. Është dërguar nga Spitali i Qytetit më 17 mars. Gjendja e tij ishte e rëndë, ndërsa që nga 4 prilli po përkeqësohej edhe më shumë, e prej dje ishte në dializë", deklaroi Taravari.
Shkup - Një burrë dhe një grua nga Antverpen, kanë mbërritur dje në vend me një fluturim nga Vjena, të cilët duke shmangur kontrollin doganor në aeroportin e Shkupit, kanë transportuar mall të padeklaruar - gjithsej 209 copë stoli ari me peshë prej 1711,1 gram dhe me vlerë totale prej 479.555 euro, kumtoi sot Prokuroria Publike. Prokuroria themelore publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave, shtetas të Belgjikës, të cilët dyshohet se si bashkëkryetarë kanë kryer vepër penale - Kontrabandë nga neni 278 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Shkup - Maqedonia e Veriut shënon progres historik në eliminimin e pashtetësisë, u theksua në takimin e sotëm të zëvendëskryeministrit të Maqedonisë se Veriut, i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai me përfaqësuesin e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) Gabriel Gualano de Godoj. Gjatë takimit, siç thuhet në kumtesën e Kabinetit të Fetait, u theksua se Maqedonia e Veriut është tashmë një shembull pozitiv në kuadër të Aleancës Globale për Eliminimin e Pashtetësisë, duke u renditur si lider rajonal dhe global në këtë fushë.
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot priti Misionin Këshilldhënës të Ramsarit, të kryesuar nga Flore Lafaye, që po qëndron në vendin tonë për të dhënë këshilla dhe rekomandime ekspertësh se si të trajtohet dhe menaxhohet Liqeni i Prespës, që është në listën e zonave të mbrojtura Ramsar që nga viti 1996, ndërsa vite me radhë po ballfaqohet me problemin e uljes konstante të nivelit të ujit. Siç kumtoi Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Mexhiti tha se Liqeni i Prespës, po përballet me një ulje të ndjeshme të nivelit të ujit në vitet e fundit, gjë që përbën një kërcënim serioz për sistemin e tij ekologjik.
Shkup – Arben Taravari i cili e udhëheq njërin krah të Aleancës për Shqiptarët dhe është pjesë e koalicionit të bllokut politik shqiptar “VLEN” thotë se nuk kanë marrë ofertë nga “VLEN” që të bashkohen në një parti. “Deri më tani nuk kemi pasur ofertë nga ‘VLEN’ që të jemi një parti. Nëse kemi, do të vendosim, por nëse ata tashmë kanë vendosur, ua japim emrin – le ta mbajnë emrin ‘VLEN’. Ne do të mbetemi pesë deputetë nga Aleanca dhe do të vazhdojmë si grup parlamentar, por jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë”, deklaroi Taravari, duke mohuar se ka pasur bisedime me BDI-në opozitare.
Shkup - Nën moton "Fillime të shëndetshme, një e ardhme shpresëdhënëse" sot në Shkup është shënuar Dita botërore e shëndetit, në organizim të Shoqatës Mjekësore të Maqedonisë. Kryetari i Shoqatës mjekësore të Maqedonisë, Goran Dimitrov theksoi se puna më e rëndësishmja është që promovimi të arrijë tek të gjithë mendjet që nuk vijnë për kontrolle të rregullta, ekzaminime dhe marrje analizash dhe vaksinash për t'u mbrojtur nga kanceri i qafës së mitrës.
Shkup - SPB Kumanovë ngriti kallëzim penal me procedurë të shpejtë kundër S.F.(19) dhe Z.F.(24), të dy nga f.Lluke, rrethi i Kriva Pallankës, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për veprën e kryer penale "vrasje". Siç kumtoi MPB-ja, më 24.03.2025 në f.Lluke, rrethi i Kriva Pallankës, të denoncuarit janë marrë vesh që të kryejnë vjedhje tek fqinji i tyre L.S. dhe e kanë mashtruar që të dalë në oborr, me ç’rast i denoncuari i parë e ka sulmuar me send të mprehtë.
Shkup - Gjatë kësaj jave do të ketë iniciativë për Koalicionin Vlen të jetë opsion politik, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, pas takimit të misionit këshillëdhënës Ramsar, kushtuar të ardhmes së Liqenit të Prespës, i cili e lidh vendin me Shqipërinë dhe Greqinë. Mexhiti theksoi se po zhvillohen bisedime në kuadër të Koalicionit që të gjitha subjektet politike të shndërrohen dhe të shkrihen në “Vlen” si parti politike që do t'i përfaqësojë shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Shkup - Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) kumtoi se ka një uebfaqe të re, që tashmë është në dispozicion për përdorim. Ueb faqja e internetit, potencojnë nga ESHS-ja, është ridisejnuar dhe mundëson qasje më të shpejtë dhe më të thjeshtë në të dhënat dhe informacionet më të fundit statistikore në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme.
Tetovë - Në gjykimin e përsëritur për vdekjen e Teodora Ristovskës në aksident trafiku, sot në Gjykatën themelore Tetovë, i akuzuari Mensur Pajaziti e pranoi fajin dhe pas paraqitjes së provave dhe fjalëve përfundimtare, gjykatësi Elvedin Ferati e dënoi me dënim me burg prej dy viteve. Mensur Pajaziti i lindir në 1973 është shpallur fajtor për veprën penale "Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion" për vdekjen e 22 vjeçare Teodora. "Është fajtor sepse me 15.08.2022 në Tetovë si pjesëmarrës në komunikacion nuk i ka respektuar rregullat dhe me këtë ka rrezikuar komunikacionin publik. Ai ka qenë duke vozitur automobilin “BMW” dhe ka lëvizur përgjatë bulevardit me shpejtësi 59 kilometra në orë, e cila shpejtësi nuk i është përshtatur kushteve të rrugës për të mundësuar ndalimin e automobilit në kohë, ku edhe nuk i ka dhënë përparësi këmbësores Teodora Ristovska, tashmë e ndjera, e cila ka qenë duke kaluar në vendkalimin e shënuar për këmbësorë", theksoi gjykatësi Elvedin Ferati gjatë leximit të vendimit.
Gostivar – Zgjidhjen e problemeve hapësinore të institucioneve kombëtare të cilat veprojnë në sferën e kulturës në Gostivar do ta japë grupi i punës, tha ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas vizitës në xhaminë e vjetër në Raven ku sot ishte për vizitë. “Kemi diskutuar për shumë tema, kemi rënë dakord që të formojmë një grup punues dhe bashkë me vetëqeverisjen lokale të shohim të gjitha objektet që i kemi dhe hapësirat dhe institucionet e pashfrytëzuara që do të mund të ripërdoreshin për disa aktivitete të tjera në të ardhmen dhe kështu do të mbroheshin, realisht, të mos qëndrojnë të zbrazëta”, tha Lutkov.
Kumanovë - Prokuroria Themelore Publike Kumanovë ka pranuar të gjithë dokumentacionin nga vëzhgimi i kryer në rastin e vdekjes së 32-vjeçarit nga Kumanova në spitalin e Kumanovës, informuan sot nga prokuroria. Prokuroria është në pritje të konstatimeve nga raporti i autopsisë. "Për pacientin e ndjerë, e kemi marrë të gjithë dokumentacionin nga mbikëqyrja e kryer nga komisioni nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga mjeku amë. Tashmë kemi formuar një lëndë, jemi duke vepruar dhe jemi në kontakt me hetuesit që punojnë në lëndën. Aktualisht jemi në pritje të protokollit të autopsisë, tha kryetarja e Prokurorisë së Kumanovës, Teuta Bediu Ramadani.
Tiranë – Kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili është për vizitë në Izrael, presidenti Isak Hercog, i ndau “Medaljen presidenciale të nderit në Izrael”, për përkushtimin e tij “në luftën kundër antisemitizmit dhe për përpjekjet e Shqipërisë për përforcimin e marrëdhënieve me Izraelin”. Duke e falënderuar për “nderin e jashtëzakonshëm të madh”, Rama përmendi rëndësinë e mbrojtjes që populli shqiptar u ka ofruar hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur asnjë pjesëtar i bashkësisë hebre nuk u lejua të merrej nga nazistët dhe njoftoi se vendi i tij ishte në proces të ndërtimit të dy qendrave kulturore hebraike.
Podgoricë - Mali i Zi duhet të fokusohet në reforma, sepse ka ende shumë për të bërë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, deklaroi sot në kryeqytetin malazez Podgoricë, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së dhe nënkryetare e Komisionit Evropian, Kaja Kallas. Ajo sot e filloi turneun në disa vende të Ballkanit Perëndimor. Pas Malit të Zi do të vizitojë Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Kjo është vizita e saj e parë si shefe e diplomacisë evropiane në vendet e rajonit.
Bruksel - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot deklaroi se tarifat amerikane do të kenë ndikim të madh, si ndaj bizneseve dhe konsumatorëve evropianë, ashtu dhe ndaj ekonomisë globale. Ajo paralajmëroi se KE-ja po përgatit një listë me veprime të mundshme si përgjigje ndaj tarifave amerikane. "BE-ja veçmë një kohë të gjatë propozon zero tarifa për mallrat industriale, por deri tani nuk ka marrë përgjigje adekuate nga Uashingtoni. Gjithmonë jemi të gatshëm për një marrëveshje të mirë, kjo ofertë vlen", theksoi Lajen.
Bruksel - Statusi juridik i miliona refugjatëve ukrainas në Bashkimin Evropian mund të rrezikohet pasi nuk ekziston plan të qartë për t'u lejuar të mbeten në BE pasi të arrihet armëpushimi mes Ukrainas dhe Rusisë, shkruan sot Euroaktiv. Sipas raporteve, nga sulmi rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Drejtoria për mbrojtje të përkohshme të BE-së është shpëtim legal për pothuaj 4,3 milionë refugjatë ukrainas, pasi u jepet e drejta që të mbetem dhe të punojnë në vendet e BE-së.
Kajro - Presidenti francez Emanuel Makron sot në Kajro filloi një seri takimesh, me qëllim për të mbështetur planin arab për Gazën dhe për të bërë thirrje për heqjen e embargos për ndihmën ndaj enklavës palestineze, transmetuan agjencitë. Presidenti francez, i cili mbështet armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit, u takua me homologun e tij egjiptian, Abdel Fatah al Sisi.
Kajro - Lëvizja islamike palestineze Hamas nuk duhet të marrë pjesë në menaxhimin me Rripin e Gazës dhe nuk duhet të paraqes më kërcënim për Izraelin, deklaroi sot në Kajro presidenti i Francës, Emanuel Makron. Ai theksoi edhe se është kundër çdo aneksimi të Rripit të Gazës apo Bregut Perëndimor. Makron së bashku me presidentin e Egjiptit, Abdel Fatah al Sisi ka përsëritur mbështetjen e plotë për planin e rindërtimit të Rripit të Gazës, i mbështetur nga Liga arabe.
Kajro - Presidenti francez Emanuel Makron sot vlerësoi se Rusia duhet urgjentisht të ndalet me anulimin e taktikave dhe të pranojë armëpushimin e pakushtëzuar, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Tramp në Ukrainë. "Ka kaluar pothuaj një muaj prej se Rusia jo vetëm që e refuzoi, por i rriti bombardimet e civilëve me humbje shtesë tragjike para disa ditëve në Ukrainë", tha Makron gjatë vizitës në Kajro.
Uashington - Çmimi i naftës "Brent", treguesi referent global për naftën e papërpunuar nga Atlantiku, mëngjesin e sotëm ra në 63,49 dollarë për një barel, që është niveli më i ulët që nga prilli i viti 2021. U regjistrua rënie prej rreth 3,2 për qind. Mëngjesin e sotëm ka rënë edhe çmimi referent i naftës amerikane West Texas Intermediate (WTI), për 3,58 për qind.
Uashington – Kompanitë amerikane nuk e miratojnë vendosjen e doganave të publikuara nga presidenti Donald Tramp dhe janë të shqetësuara nga ndikimi i tyre ndaj ekonomisë, shkruan “Fajneshënëll tajms” duke iu referuar deklaratave nga top menaxherët. Disa treguan se nuk duan publikisht ta kritikojnë politikën e Trampit për shkak të frikës nga hakmarrja. “Nuk dëshiron të jesh një nga qentë e shumtë që lehin, ndoshta pikërisht ty do të godasin”, ka thënë një nga drejtorët. Një bashkëbisedues ka propozuar që të thirret takim privat i top menaxherëve me Trampin që t’i sqarohen pasojat nga lufta doganore, se rritja e çmimeve dhe humbja e vendeve të punës te votuesit mund t’i shkaktojë dëm të madh politik. Burimi i tretë ka bërë thirrje në formë të “butë” të lobimit përmes këshilltarëve si ministri i Financave, Skot Besent.