Toshkovski: Koncerti u mbajt “pa leje”, do të mbajë përgjegjësi kushdo qoftë fajtor, direkt apo indirekt, diskoja ka ushtruar aktivitetin në mënyrë jo legale për 15 vje
- Për shkak të korrupsionit dhe krimit po humbasim jetën e fëmijëve tanë. Ose do të ndryshojmë diçka, me vendosmëri dhe në mënyrën e funkionimit të sistemit në këtë vend ose nuk do ta humbim atë. Duhet të tregojmë koshiencë dhe vendosmëri në zbatimin e të gjitha veprimeve që tani duhet të ndërmerren. Të gjithë ata që janë fajtorë në mënyrë direkte apo indirekte për këtë ngjarje kriminale do të përgjigjen”, tha sot ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski pas publikimit të informacioneve të fundit për tragjedinë në diskotekën e Koçanit.

Shkup, 17 mars 2025 (MIA) - Për shkak të korrupsionit dhe krimit po humbasim jetën e fëmijëve tanë. Ose do të ndryshojmë diçka, me vendosmëri dhe në mënyrën e funkionimit të sistemit në këtë vend ose nuk do ta humbim atë. Duhet të tregojmë koshiencë dhe vendosmëri në zbatimin e të gjitha veprimeve që tani duhet të ndërmerren. Të gjithë ata që janë fajtorë në mënyrë direkte apo indirekte për këtë ngjarje kriminale do të përgjigjen”, tha sot ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski pas publikimit të informacioneve të fundit për tragjedinë në diskotekën e Koçanit.
Toshkovski theksoi se për këtë rast janë të dyshuar mbi 22-23 persona. Në territorin e SP të Shkupit dhe SP të Tetovës janë ndaluar pesë persona, mes të cilëve një ish-ministër, si dhe 13 persona në territorin e SP të Shtipit, 11 prej të cilëve janë në paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh. Siç tha ministri, diskoteka jo vetëm që nuk kishte licencën përkatëse, por funksiononte në një objekt të destinuar për industrinë e lehtë dhe jo për hotelieri.
Toshkovski bëri të ditur se gjatë ditës me urdhër të prokurorit publik do të bëhet bastisje në shtëpinë dhe veturën e pronarit të diskos dhe në objektet zyrtare të kontabilitetit të personit përgjegjës dhe do të ndalohen një numër i madh i personave nga institucione të ndryshme, përfshirë edhe MPB-në. Gjatë kontrolleve të kryera në ambientet e shtëpisë dhe zyrave të dy personave të Ministrisë së Ekonomisë, theksoi ministri, janë sekuestruar pajisje teknike, dokumentacion, armë, municion,...
“Maqedonia nuk ka sistem, korrupsioni dhe krimi e kanë shkatërruar sistemin. Situata është alarmante. Këtë kam një vit që e them së bashku me ekipin tim, çdo ditë, duke luftuar shumë për të krijuar një sistem. Çfarëdo që prekim, kudo që kërkojmë, është e kalbur. Ne duhet të ndërmarrim hapa radikalë për të normalizuar shtetin nëse duam që ta kemi atë dhe po e bëjmë këtë. Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për normalizimin e vendit. Konkretisht për diskotekën, nëse më pyesni mua, ky vend është hambar dhe ka funksionuar kështu për 15 vjet, me krime, korrupsion, ryshfet dhe paligjshmëri, pa asnjë lloj kushti, nuk ka përmbushur asgjë nga ato që është dashur. Është konstatuar një katastrofë, një tmerr”, nënvizoi Toshkovski.
Sipas ministrit, dje në SP të Shtipit janë ndaluar 13 persona - pronari i objektit të diskotekës, pronari joformal i diskotekës, shitësi i biletave, katër punonjës të sigurimit, menaxheri i filialit të agjencisë së sigurimit, tre persona nga Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe një nga Inspektorati i Punës, si dhe një person tjetër i lidhur me ngjarjen.
Toshkovski është i bindur se MPB-ja nuk është njoftuar nga organizatorët dhe askush tjetër se një event i tillë do të mbahet në diskotekën e Koçanit, e as MPB-ja, theksoi ai, nuk ka obligim që të sigurojë siguri të vazhdueshme para çdo objekti hoteliere. MPB-ja, theksoi Toshkovski, as nuk jep miratim për mbajtjen e eventeve të çfarëdolloj natyre dhe përmasash, por vetëm monitoron situatën dhe ndërmerr aktivitete për ruajtjen e qetësisë dhe rendit nëse ngjarja nuk lajmërohet në stacionin kompetent policor.
Sipas rregulloreve ligjore, eventi duhej të raportohej në Stacionin e Punëve të Brendshme, por sasia e lëndës piroteknike nuk u raportua.
Oficeri i policisë, i cili u akuzua nga disa në publik se duhej të ndalonte koncertin, po hynte dhe dilte nga objekti, tha Toshkovski, duke u përpjekur të ndihmonte të pranishmit të dilnin dhe humbi jetën gjatë këtij procesi.
“Nga ekspertiza e kryer ditën e djeshme u konstatuan një sërë parregullsish brenda godinës që përdorej si diskotekë. Diskoteka jo vetëm që nuk kishte licencën e duhur, por udhtronte veprimtarinë e saj në një objekt që kishte si qëllim industrinë e lehtë dhe jo hotelierinë. Janë shkelur disa standarde që bien ndesh me rregullat e mbrojtjes nga zjarri. Kishte vetëm dy aparate kundër zjarrit për të gjithë klubin, nuk kishte dyer daljeje për evakuim dhe koncerti u mbajt "pa leje" sepse nuk kishte marrëveshje me shkrim midis organizatorit dhe interpretuesve. Lënda piroteknike që shkaktoi zjarrin ishte sjellë nga grupi muzokor DNK dhe është përdorur në mënyrë të paligjshme”, informoi Toshkovski.
Ai konstatoi se Maqedonia nuk ka një sistem me rregulla të vendosura të lojës që janë normale për të parandaluar një ngjarje kaq të tmerrshme, kaq të kobshme.
“Ka dobësi në sistem, ku nuk ushtrohet kontrolli i duhur dhe i nevojshëm për të krijuar parakushtet për evente normale, sidomos të këtij lloji. Prandaj, në të gjitha diskotekat në Maqedoni, në periudhën e ardhshme do të kryhen kontrolle të thella inspektuese, të cilat do të duhet të zbulojnë të gjitha paligjshmëritë dhe parregullsitë, si dhe dështimet e sisitemit”, theksoi ministri.
Në lidhje me diskotekën, ai ritheksoi se personi juridik nuk kishte licencë për operim dhe pronari gjatë kontrollit ka paraqitur një licencë të falsifikuar me datë 13 mars 2024.
Në pyetjen e gazetarëve nëse ndjen përgjegjësi morale dhe a po mendon të japë dorëheqjen, ai tha se për këtë është përgjigjur dje.
“Unë me të vërtetë nuk shoh se ka njeri në Maqedoni që nuk duhet të ndjejë përgjegjësi morale për këtë lloj gjëje, veçanërisht dikush që ka mbajtur poste publike në 30 e më shumë vitet e fundit. Nëse ka minimalisht virtyte dhe moral tek një njeri, ai duhet të ndjejë përgjegjësi morale”, tha Toshkovski dhe kërkoi nga mediat që të lejojnë që hetimi të bëhet me themel sepse provat janë shumë voluminoze.
foto/video: MIА