• вторник, 18 март 2025

Mickoski: Në vitin 2024 janë dhënë vetëm 12 licenca për kabare

Mickoski: Në vitin 2024 janë dhënë vetëm 12 licenca për kabare

Shkup, 17 mars 2025 (MIA) - Në vitin 2024 në vend janë dhënë gjithsej 12 licenca për kabare, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski në Qendrën emergjente “Nënë Tereza” në Shkup, ku ka vizituar të lënduarit nga zjarri katastrofik në Koçan. Kryeministri theksoi se vetë këto të dhëna janë alarmante dhe shtoi se edhe nga ato 12, disa mund të mos jenë të vlefshme, duke qenë se licenca jepet për një vit.

“Tani mund ta merrni me mend se sa klube funksionojnë në vend, vetëm 12 kanë licenca dhe nga ato nuk e dimë se cilat janë ende të vlefshme, sepse supozoj se disave u ka skaduar afati, sepse janë të vlefshëm vetëm për një vit, kështu që na pret shumë punë. Është e qartë se dikush nuk e ka bërë si duhet punën e tij dhe tani përpiqet të mbulojë punën kriminale që ka bërë gjatë drejtimit të atij institucioni nën një lloj politizimi. Nuk do të ketë mëshirë, e thashë dje dhe do ta përsëris sot, kush të dojë le të jetë. Kushdo qofshin ata, çfarëdo etnie dhe partie politike, kjo që ndodhi është më shumë se krim. Unë do të thoja se kjo është një vrasje masive, të cilën dikush e ka lejuar të ndodhë për ryshfet për korrupsion”, ka theksuar Mickoski.

I pyetur nga një gazetar se diskoteka “Puls”, në të cilën shpërtheu zjarri, ku humbën jetën 59 persona dhe 155 u plagosën, funksiononte për 15 vjet, gjatë të cilave ishin ndryshuar disa qeveri, pra ku do të vendosej përgjegjësia, Mickoski u përgjigj se ky klub kishte marrë licencë vetëm dy herë, në vitin 2021 dhe në vitin 2023.

“Kanë punuar gjatë gjithë kohës me apo pa licencë, por pyetja është se ata që e kanë firmosur në vitin 2021 dhe në vitin 2023, si e kanë firmosur dhe në bazë të çfarë elaborate dhe dokumentesh e kanë firmosur në vitin 2024. E pamë si e kanë firmosur, sepse numri i arkivit me të cilin është regjistruar kjo licencë e falsifikuar është korrespondencë me investitorë të huaj. Këtu do t’i them sërish për t'iu përgjigjur atyre që mbajnë konferenca shtypi në mesnatë. Këtu nuk ka politikë, do të mbani përgjegjësi të gjithë ju që keni guxuar të bëni politikë në këtë mënyrë mbi kurrizin e qytetarëve dhe jetëve që humbën këta fëmijë dhe nuk do të ketë mëshirë. Ne do t'i nxjerrim nga shtëpia, nëse mendojnë se do të përpiqen të luajnë me kartën etnike dhe atë politike, nga ato konferenca shtypi të mesnatës. Do t'i nxjerrim nga shtëpia për veshi dhe këtë duhet ta kenë të qartë”, tha Mickoski.

Ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi është thirrur mbrëmë në stacionin policor për bisedë informative lidhur me zjarrin në lokalin e natës në Koçan.

Pas ftesës së tij për një bisedë informative, mbrëmë vonë para komisariatit të Karposhit është mbajtur një konferencë shtypi nga nënkryetari dhe zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, në të cilën ka theksuar se përgjegjësia e plotë morale, materiale dhe penale për këtë tragjedi nuk mund të kërkohet askund tjetër përveç se në vetë Qeverinë, Ministrinë e Brendshme dhe Komunën e Koçanit. Ai e akuzoi qeverinë aktuale se po përdor politikë në vend të unitetit dhe solidaritetit, duke ndërtuar përmes mediave të saj narrativën se BDI-ja është fajtore për gjithçka.

“Edhe në orët e mëngjesit, kur mbërritën informacionet e para nga Koçani, skifterët mediatikë të partive në pushtet filluan të hedhin themelet për xhiron madhështore që u zhvillua në narrativën zyrtare të Qeverisë gjatë ditës”, tha Ademi.

Duke përmendur një portal specifik, ai tha se që në orën 9 të mëngjesit filloi të zhvillohet një teori se një shqiptar qëndronte pas ngjarjes në Koçan dhe më pas pasi “portale të tjera proqeveritare publikojnë licencën e skaduar nga viti 2023, e fshijnë lajmin, për të publikuar lajmin për një licencë të falsifikuar disa orë më vonë si shtyllë kryesore dhe spin narrativ të qeverisë”. Kjo nuk i shërben marrëdhënieve ndëretnike”, tha ndër të tjera Ademi.

Mickoski dje në një pres konferencë në Qeveri ka theksuar se objekti ku ka rënë zjarri ka pasur licencë të falsifikuar të ushtrimit të aktivitietit me datë 13 mars të vitit 2024, të nënshkruar nga sekretarja e atëhershme shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Razmena Cekiq Duroviq.

“Me gjithë rrezikun që mund të ndikoj në hetim, ja si duket licenca – e firmosur nga Sekretarja e Shtetit në atë kohë. Por e njëjta licencë duket edhe kështu - Dallimi i vetëm është se dy numrat e parë, që në rastin e parë janë 51, dhe në të dytin 15, janë nën të njëjtin numër arkivi dhe imagjinoni, aty është regjistruar një dokument që është komunikim me një investitor të huaj por pronari i lokalit i ka këto dokumente”, tha Mickoski, duke ua treguar dy dokumentet gazetarëve.

I pyetur nga gazetarët, ai konfirmoi se ishte një licencë kabareje. I pyetur se edhe pse ishte licencë e falsifikuar, i kishte skaduar vlefshmëria dy ditë para zjarrit, Mickoski tha se varet se kur ka hyrë në fuqi, por numri i arkivit është i datës 13.03.2024, që, siç tha ai, do të thotë se ka skaduar më 14.03.2025. I pyetur nëse do të shkarkojë drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, ai tha se nuk ka një dokument të tillë që thotë se ISHT-ja është kompetente 365 ditë në vit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot informoi se për tërë rastin janë të dyshuar mbi 22-23 persona. Në territorin e Stacionit Policor të Shkupit (SPSH) dhe Stacionit Policor të Tetovës janë ndaluar pesë persona, mes të cilëve një ish-ministër, si dhe 13 persona në territorin e SP Shtip, 11 prej të cilëve janë në paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh. Siç tha ministri, diskoteka jo vetëm që nuk kishte licencën përkatëse, por funksiononte në një objekt të destinuar për industri të lehtë dhe jo për hotelieri.

Toshkovski bëri të ditur se gjatë ditës me urdhër të prokurorit publik do të bëhet bastisje në shtëpinë dhe veturën e pronarit të diskotekës dhe në objektet zyrtare të kontabilitetit të personit përgjegjës dhe do të ndalohen një numër i madh i personave nga institucione të ndryshme, përfshirë edhe MPB-në. Gjatë kontrollit të kryer në ambientet e shtëpisë dhe zyrave të dy personave të Ministrisë së Ekonomisë, theksoi ministri, janë sekuestruar pajisje teknike, dokumentacion, armë, municione….

Тагови

Остани поврзан