• четврток, 22 август 2024

Formati Ramshtajn: Takim i ri për Ukrainën do të mbahet më 6 shtator në Gjermani

Formati Ramshtajn: Takim i ri për Ukrainën do të mbahet më 6 shtator në Gjermani

Berlin, 21 gusht 2024 (MIA) - Takimi i radhës i Grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës (formati Ramshtajn) do të mbahet në Gjermani më 6 shtator, publikoi Radio Evropa e Lirë, duke cituar forcat ajrore të SHBA-së në Evropë.

"Më 6 shtator të vitit 2024, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lojd Ostin do të mbajë takim të Grupit të kontaktit për mbrojtje të Ukrainës në bazën e forcave ajrore amerikane Ramshtajn në Gjermani", theksohet në kumtesë.

Ky do të jetë takimi i 24-të në formatin Ramshtajn. Më herët u mbajt më 13 qershor në Bruksel, ku u diskutua çështja e forcimit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Në atë takim, pjesëmarrësit janë fokusuar veçanërisht në sigurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore "Patriot" për shkak të rritjes së sulmeve ajrore ruse në qytete dhe infrastrukturën energjetike.

Grupi i kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës i njohur si formati Ramshtajn, tubon gjithsej 50 vende me qëllim koordinimin e përpjekjeve për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus. Grupi, i udhëhequr nga SHBA ka përfshirë gjithsej 31 anëtarë të NATO-s.

Argjentina, gjithashtu, ka publikuar anëtarësimin e saj në Grupin e kontaktit të mbrojtjes së Ukrainës, duke bashkuar përpjekjet për të koordinuar ndihmën ushtarake për Ukrainën. rq/

Foto: arkivi

 

Остани поврзан