• петок, 05 декември 2025
MIA Flesh

09:00 / 24 nëntor / 2025

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot do të ndajë bursat "Boris Trajkovski" për vitin akademik 2025/2026 për 20 studentët më të mirë që do të vazhdojnë arsimimin e tyre në Siti kolexh, kampusi Evropian i Universitetit të "Jork", me seli në Selanik, Greqi. Bursat janë rezultat i aktivitetit dhe bashkëpunimit të përbashkët të presidentit, Ministrisë së arsimit dhe shkencës, Fondacionit "Boris Trajkovski" dhe Siti kolexhi, kampusi Evropian i Universitetit "Jork".

Shkup – Komisioni kuvendor për Financim dhe Buxhet sot duhet ta vazhdojë debatin për amendamentet për Propozim-buxhetin për vitin 2026. Nga rreth 200 amendamentet e dorëzuara, një pjesë janë shqyrtuar në katër debatet që u mbajtën pas përfundimit të debatit të përgjithshëm. “Buxheti për vitin 2026 është real, zhvillimor dhe çdo zë është projektuar shumë mirë. Rritja është projektuar në 3,8 për qind, ndërsa deficiti i buxhetit në 3,5 për qind të PBB-së, që është sipas përcaktimit për konsolidimin fiskal”, deklaroi javën e kaluar ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska. 

Shkup - Enti Shtetëror i Revizionit, me mbështetjen e Fondacionit për Demokraci në Vestminster (WFD), sot organizon punëtori me temë "Përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe medias në përgatitjen e Programit vjetor të punës së ESHR-së për vitin 2026". "Punëtoria ka për qëllim të mundësojë diskutim të hapur dhe shkëmbim idesh midis përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, medias dhe Enti Shtetëror i Revizionit, për transparencë dhe përfshirje më të madhe në procesin e përgatitjes së programit vjetor të punës së ESHR-s për vitin 2026", informoi ESHR-ja

Shkup - Qendra e Burimeve për Mbrojtjen e Zhvillimit të Komunave do të promovohet sot në ngjarjen në Shkup në të cilën pritet prania e të gjithë kryetarëve të komunave, informoi Ministria e Vetëqeverisjes Lokale (MVL). Fjalimet hyrëse në ngjarje do të kenë kryeministri Hristian Mickoski, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, përfaqësuesi i UNDP-së në vend, Armen Grigorian dhe ambasadroi i Zvicrës, Kristof Zomer. 

Shkup – Në Qeveri sot do të mbahet punëtori e validimit për strategjinë për arsimin 2026 – 2032, në të cilën do të flasë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe përfaqësues të shumë institucioneve, organizata partnere vendore dhe ndërkombëtare. “Versioni i Strategjisë së Arsimit 2026-2032 që do të prezantohet është përgatitur gjatë gjashtë muajve të fundit. Ai do të publikohet në sistemin ENER të qeverisë, duke i dhënë publikut të gjerë mundësinë të marrë pjesë në krijimin dhe miratimin e dokumentit strategjik përfundimtar që do të vazhdojë zhvillimin e sistemit kombëtar të arsimit”, informon shërbimi i shtypit i qeverisë.

Shkup - Pa energji elektrike sot nga ora 9 deri në orën 11 do të mbesin shfrytëzuesit e gjithë fshatit Jabollcë, në komunën e Sopishtes, informoi QRMK Shkup. Energjia prej orës 11 deri në orën 15 nuk do të kenë dhe një pjesë e shfrytëzuesve nga Nerezi i Epërm në komunën e Karposhit.

Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë. 

Shkup - Çështjet kryesore për menaxhimin e qëndrueshëm me pellgun e lumit Vardar sot dhe nesër do të diskutohen në ngjarjen "Ditët e Vardarit 2025" e organizuar në kuadër të Programit për menaxhimin, përdorimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësore në Maqedoni. Zbatuesit dhe shfrytëzuesit kryesorë të projektit janë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. 

Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell, do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare, në disa vende në pjesët perëndimore me erëra të fuqishme nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -3 deri në 3, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 9 deri në 16 gradë. Në Shkup mot pjesërisht i vranët me periudha me diell, do të fryjë erë e dobët deri mesatare kryesisht nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të ulet në 1, ndërsa ajo maksimalja do të arrijë deri në 13 gradë. 

Strasburg - Programi Evropian i Industrisë së Mbrojtjes, siguria e hapësirës ajrore dhe infrastrukturës kritike të BE-së, Propozim-buxheti për vitin 2026, siguria e lodrave, mbrojtja e të miturve nga përmbajtja e papërshtatshme në internet dhe Ligji për Shpyllëzimin do të jenë temat kryesore të seancës plenare të kësaj jave të Parlamentit Evropian në Strasburg. Seanca fillon vonë këtë pasdite me një debat mbi raportin e eurodeputetes holandeze. Tinele Strik nga radhët e të Gjelbërve, për "ekzistencën e një rreziku të qartë të një shkeljeje serioze të vlerave mbi të cilat është themeluar Unioni nga Hungaria", pas së cilës do të vijojë debat për forcimin e bashkëpunimit policor në luftën kundër kontrabandës së migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Për miratimin e të dy raportëve eurodeputetët do të deklarohen nesër. Përveç kësaj, sonte do të organizohet edhe shënimi i 30-vjetorit të Procesit të Barcelonës dhe Paktit për Mesdheun.

Bruksel - Marrëdhëniet tregtare të Bashkimit Evropian me SHBA-të dhe me Kinën do të jenë temat kryesore të Këshillit të sotëm të Punëve të Jashtme të BE-së në nivel ministrash kompetent për tregtinë që do të mbahet në Bruksel. Mbledhja do të fillojë me debatin për gjendjen aktuale dhe perspektivat e marrëdhënieve tregtare midis BE-së dhe SHBA-së, në dritën e marrëveshjes dypalëshe tregtare të 21 gushtit 2025 dhe hapave të ndërmarra për zbatimin e saj. Përveç kësaj, bashkëpunimi tregtar midis BE-së dhe SHBA-së do të jetë temë edhe në drekën e punës, ku ministrëve evropian do t’u bashkohen sekretari amerikan i tregtisë Hauard Lutnik dhe përfaqësuesi tregtar Xhejmison Grir.

Bruksel – Në organizim të tri sindikatave më të mëdha në Belgjikë sot fillojnë një varg grevash, të cilat do të kulminojnë të mërkurën me grevë të përgjithshme 24-orëshe. Konfederata e Sindikatave të Krishtera (CSC/ACV), Federata e Përgjithshme e Punës në Belgjikë (FGTB/ABVV) dhe Konfederata e Përgjithshme e Sindikatave Liberale të Belgjikës (CG SLB/ACLVB) i organizojnë grevat në shenjë proteste për shkak të reformave socio-ekonomike të Qeverisë federale belge, të cilat ndikojnë në nivelin e pensioneve dhe pagave dhe kushteve për punë. 

Kiev - Të paktën tre persona janë vrarë në sulme të rënda ruse me dronë në qytetin ukrainas Harkov, kumtuan autoritetet në qytetin verilindor vonë mbrëmë. Edhe 15 persona të tjerë u plagosën, shkroi në Telegram kryetari i Harkovit, Igor Terehov. Ai raportoi 15 sulme në gjashtë vende të ndryshme në qytet.

Остани поврзан