• среда, 23 октомври 2024
MIA FLESH

18:00 / 21 tetor / 2024

Shkup - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, sot me drejtorin e Drejtorisë për Çështje Hidrometeorologjike, Igor Llazarovski nënshkruan Marrëveshje për shfrytëzimin e mbështetjes financiare për sanimin e qendrave të radarëve dhe stacioneve meteorologjike për mbrojtjen e pajisjeve dhe përmirësimin e kushteve të punës së punëtorëve në vlerë prej 1.000.000 denarë.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Berbok, në takimin e tyre të fundit në Berlin, përveç se ka theksuar ndryshimet kushtetuese, të cilat janë vënë aktualisht si kusht për vazhdimin e procesit të integrimit evropian, ajo asnjëherë nuk e ka refuzuar mundësinë e dialogut për iniciativa sepse fryma e vlerave evropiane është të komunikojmë me njëri-tjetrin, të diskutojmë dhe të jemi të sigurt se jemi strategjikisht të rakorduar për të njëjtin drejtim.

Shkup - Oda veterinare e Republikës së Maqedonisë së Veriut në tërësi mbështet të gjitha aktivitetet dhe masat e ndërmarra nga organet kompetente në lidhje me ngjarjet e fundit, të lidhura me zbulimin e një infulence aviare tek shpendët në Kopshtin zoologjik të Shkupit. "Duke kuptuar plotësisht sensitivitetin e individëve dhe grupeve në lidhje me trajtimin dhe mirëqenien e kafshëve, për të cilat ne angazhohemi sinqerisht dhe thelbësisht dhe jemi pjesë e etikës dhe praktikës sonë profesionale, i theksojmë opinionit se sistemi shëndetësor veterinar ka qëllim parësor mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe ekonomisë në vend. Rrjedhimisht, në kushtet e shfaqjes së sëmundjeve infektive, veçanërisht të rrezikshme me një potencial të madh për të kërcënuar shëndetin publik, si në rastin e gripit të shpendëve, nevojitet të merren masa drastike për eliminimin e burimit dhe përhapjes së infeksionit", theksohet në kumtesën e Odës së veterinarëve.

Shkup - Instituti i Autizmit dhe Shoqata shkencore e Maqedonisë për autizëm sot prezantuan projektin ISEC-ADE (Edukimi digjital i aksesueshëm për nxënësit me autizëm dhe aftësi të kufizuara intelektuale: zgjidhje inovative dhe përmirësimi i kompetencave të edukatorëve), i realizuar nga një konsorcium ndërkombëtar partner me mbështetjen e programit Erasmus+ të Bashkimit Evropian.

Shkup – Periudha e inkubacionit për gripin e shpendëve vlerësohet se është deri shtatë ditë, edhe pse zakonisht është dy deri pesë ditë pas ekspozimit të fundit me shpendë të sëmurë ose të vdekur. Simptomat e para fillimisht janë në frymëmarrje, me temperaturë të rritur, ethe dhe kollitje, por mund të paraqiten edhe simptoma jo respiratorë. Simptomat e traktit të sipërm respirator – rrjedhja e hundës dhe dhimbje në fyt ndoshta nuk janë të zakonshme te të gjithë pacientët, por, sëmundja, mund të përparojë deri në dështim të frymëmarrjes, sindroma e distresit akut respirator (ARDS) dhe dështimi i shumë organeve. 

Shkup - Të kontribuohet në zhvillimin ekonomik me përforcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal,  ishte lartë në listën e Procesit të Berlinit që nga fillimi, sepse ai u themelua si proces shtesë për mbështetjen e Ballkanit Perëndimor për përgatitje të anëtarësimit në BE. Javën e kaluar kancerali Olaf Sholc shumë qartë tha edhe një herë se bëhet fjalë për të ardhmen tonë të përbashkët. Si vend anëtar nëse e shikoni procesin e anëtarësimit në BE, ai udhëhiqet nga dy elemente - njëri është pozicioni i lartë i sundimit të ligjit, ndërsa i dytë është integrimi ekonomik. 

Shkup – Dy persona, të punësuar në Kopshtin Zoologjik të Shkupit, të cilët kishin simptoma, janë negativë në gripin e shpendëve, informuan sot pasdite nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Nga Instituti sqarojnë se janë bërë anketa epidemiologjike të 16 personave, sipas listës së Kopshtit Zoologjik.  “Në datën 21 tetor, sipas protokolleve, në Departamentin e Virologjisë të laboratorit referencë ISHP , i akredituar ndërkombëtarisht për diagnostikimin e gripit me origjinë njerëzore dhe shtazore, është kryer testi i gripit të shpendëve, te një person i cili ka deklaruar në anketën epidemiologjike se një ditë kishte simptoma të rritjes së temperaturës së trupit. Në të njëjtën kohë, në të njëjtën mënyrë është testuar edhe një person i dytë i punësuar në kopshtin zoologjik, i cili nuk është në listën e dorëzuar prej 16 personash të punësuar në kopshtin zoologjik, por më 21 tetor është paraqitur në ISHP me simptoma aktuale” bëhet e ditur në kumtesë. 

Shkup - Në Kuvend sot është mbajtur mbledhja konstitutive e Grupit Parlamentar Ndërpartiak Joformal kundër Korrupsionit, ku bashkëkryesues të tij njëzëri janë zgjedhur deputetët Lupço Prenxhov dhe Sonja Mirakovska. Prenxhov, siç njoftoi pres shërbimi i Kiuvendit,  informoi se deri më tani në Grup janë bashkëngjitur 53 deputetë, të cilët përmes tij do të kontribuojnë për shoqëri me shumë më pak korrupsion, e cila është plagë kancerogjene dhe ekziston nga niveli më i ulët deri tek ai më i lartë.

Shkup - Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur akuzë kundër tre të punësuarve të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik Shkup për keqpërdorim gjatë shërbimit. Sipas akuzës, tre bashkëautorët kanë përvetësuar para që i janë besuar shërbimit në vlerë prej 23.133.245 denarë, me qëllim të përfitimit të pasurisë kundërligjore.

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot ka mbajtur takim pune me drejtorin e përgjithshëm të Birrarisë së Shkupit, Dushan Mitrev. "Mitrev e informoi Mexhitin se Birraria e Shkupit në tërësi dhe në vazhdimësi punon sipas standardeve më të larta në drejtim të mbrojtjes së mjedisit jetësor, duke filluar nga zgjedhja e lëndës së parë, përmes kontrollit të procesit të prodhimtarisë, shpërndarjes dhe shitjes, e deri te menaxhimi i paketimit. Birraria në Shkup është një nga themeluesit e Pakomak, i cili është një përpunues kolektiv i mbeturinave që riciklon shumicën e produkteve të Birrarisë së Shkupit që lansohen në treg", kumtoi Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Shkup - Në Kuvend sot do të lëshohet në përdorim dhoma e mbrojtur, e para e llojit të tillë në Maqedoninë e Veriut, e disejnuar në nivel më të lartë për mbrojtjen e dokumenteve rreptësisht të besueshme. Hapësirën fillimisht do ta shfrytëzojë Kuvendi dhe komisionet, të cilat punojnë me informata të klasifikuara, por në të njëjtën kohë ajo do të mund t'u lëshohet për shfrytëzim organeve tjera shtetërore nëse kanë nevojë për këtë dhe me miratimin e Kuvendit.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot, duke folur në Samitin e 20-të Evropian në Salzburg kushtuar BE-së dhe reformave, theksoi se shteti është i bllokuar nga një mosmarrëveshje irracionale dhe dypalëshe. Në mosmarrëveshjen me fqinjin lindor, theksoi Miskoski, ne kërkojmë zgjidhje konstruktive dhe të pranueshme për të gjithë, pa shantazhe dhe kushte. 

Shkup - Është normalizuar komunikacioni në rrugën Kërçovë – Gostivar, informojnë nga Lidhja automoto e Maqedonisë. Prej aty sqarojnë se komunikacioni në këtë rrugë është normalizuar nga ora 16:25.

Shkup - Nga ora 15:25 pasdite është ndëprerë komunikacioni në rrugën Kërçovë - Gostivar në të dy drejtimet, kumtoi LAMM. Ndërprerja e komunikacionit është për shkak të një aksidenti të trafikut.  

Tetovë - Me thirrje të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nga ora 15 në selinë e partisë filloi mbledhja e 16-të e Kryesisë qendrore (Kryesia e Këshillit të përgjithshëm). Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi tha se pika në shqyrtim janë gjendja aktuale politike dhe propozimi që nga ana e degëve të mbahen takime të hapura me qytetarët. "Në Kryesinë qendrore do të diskutohet kjo, pritet të marrin pjesë në ato takime edhe përfaqësuesit më të lartë të BDI-së", tha Ademi.

Tiranë - Pas arrestimit të ish presidentit të Shqipërisë dhe liderit aktual të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ashpër, me akuza, reaguan nga partia e tij, e cila konsideron se bëhet fjalë për "rrëmbim dhe jo arrestim" dhe lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, duke e quajtur atë "përndjekje politike". "Kjo nuk është arrestim, Kjo është pengmarrje, rrëmbim, në mes të ditës. Nuk kemi asnjë informacion se ku ndodhet zoti Meta", deklaroi shkurt sekretari i përgjithshëm i partisë, Tedi Blushi.

Bruksel  – Komisioni Evropian sot mori vendim që të ndajë më shumë se 380 milionë euro për realizim të 133 projekteve të reja në Evropë në kuadër të Programit për aktivitete lidhur me mjedisin jetësor dhe klimën “Llajf”, në mesin e të cilëve edhe për sigurimin e efikasitetit energjetik të objekteve të përhershme banesore në vend.  Përndryshe, këto 380 milionë euro përfaqësojnë mbi gjysmën e nevojave të përgjithshme investuese për realizim të projekteve, të cilat janë 574 milionë euro. Mjetet e tjera do të sigurohen nga autoritetet kombëtare, rajonale ose lokale, përmes partneritetit publiko-privat, si dhe nga bizneset dhe organizatat civile. 

Paris - Presidenti francez Emanuel Makron në një bisedë telefonike i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu se vrasjen e liderit të Hamasit, Jahja Sinvar, e sheh si mundësi për negociata të reja për armëpushim në Gazë, kumtoi kabineti i Makronit. 

Bruksel - Bashkimi Evropian po ndjek me kujdes informacionet për përpjekjet për ndikime dhe manipulime me informacionet nga Rusia, të cilat kanë shumë fytyra dhe ndodhin në shumë forma, me qëllim të destabilizimit të proceseve demokratike, tha sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Peter Stano, në lidhje me informacionin për përpjekjet për ndërhyrje të huaja në referendumin e anëtarësimit në BE dhe në zgjedhjet presidenciale në Moldavi të mbajtura dje.

Bruksel - Të gjitha masat që qeveria italiane i ndërmerr në menaxhimin me migracionin duhet të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hiper.  Italia ka ngritur një qendër për azilkërkuesit në Shqipëri, ku ata presin rezultatin e kërkesave të tyre për azil. Megjithatë, që në fillim, zbatimi i marrëveshjes me Shqipërinë u përball me probleme, pasi një gjykatë në Romë urdhëroi kthimin e 12 emigrantëve të parë nga Shqipëria për shkak se vendet e tyre të origjinës, Egjipti dhe Bangladeshi, nuk konsideroheshin të sigurta.

Bruksel - Komisioneri Evropian për zgjerim, Oliver Varheji deklaroi se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të BE-së për përshpejtimin e procesit të reformës, me synimin për t'u bërë anëtare e BE-së deri në fund të mandatit të Komisionit Evropian aktual. “Angazhimi i fortë i Shqipërisë ndaj procesit reformues na bëri që të hapim klasterin e parë në Konferencën ndërqeveritare të javës së kaluar. Ne ofrojmë mbështetje të plotë për përshpejtimin e procesit të reformës, në mënyrë që vendi të bëhet anëtar i BE-së deri në fund të mandatit të ardhshëm”, publikoi Varheji në rrjetin social Iks. 

Uashington – Ministria amerikane e Mbrojtjes konfirmoi se në Izrael është dërguar sistemi për mbrojtje kundër raketave THAAD, i cili mund të kapë raketa balistike, transmeton HRT. “Ushtria amerikane ka transferuar sistemin e saj të avancuar antiraketë në Izrael dhe tani është në vend”, deklaroi sot sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llojd Ostin. THAAD, ose sistemi terminal i mbrojtjes në lartësi të lartë mbidetare, është pjesë kritike e sistemeve me shtresa për mbrojtje ajrore të ushtrisë amerikane, i cili do të ndihmojë në mbrojtjen kundër raketave të Izraelit.

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden sot e publikoi planin për zgjerimin e qasjes në produkte kontraceptive që shiten pa recetë, pak më shumë se dy javë para zgjedhjeve në SHBA më 5 nëntor. Tema e të drejtës për abort mbetet vendimtare në fushatën zgjedhore. "Kjo masë e re do të ndihmojë që miliona gra me sigurim shëndetësor privat të kenë qasje në kontraceptivë falas", deklaroi Bajden. Masa e propozuar do të zgjerojë qasjen në kontracepsion falas për 52 milionë gra në moshë riprodhuese me sigurim shëndetësor privat, theksohet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.

Остани поврзан