• понеделник, 21 октомври 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

09:00/ 21 tetor/ 2024

Shkup - Në Kuvend sot do të promovohet dhe do të bëhet lëshimi solemn në përdorim i sallës së mbrojtur dhe hapësirës së mbrojtur të punës. Ngjarjen do ta hapin dhe fjalë hyrëse do të mbajnë kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe udhëheqësi i DFAC-Shkup Vlado Gjerdovski. Janë paralajmëruar edhe fjalime të ish kryetarit të Kuvendit dhe deputet Talat Xhaferi, të ambasadores zvicerane Veronik Ulman, kryetarit të Komisionit të Mbikëqyrje mbi Shërbimet për Siguri dhe Inteligjencë, Kuvendi i Republikës së Sllovenisë Janez Zhakel, drejtori i DCAF-Lubjanë Andrej Rupnik dhe drejtori i Drejtorisë për Siguri të Informatave të Klasifikuara Stojan Slaveski.

Shkup - Komisioni i Kuvendit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot në seancën e 11-të duhet të konfirmojë listën e kandidatëve të paraqitur pas Vendimit për shpalljen e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut" numër 207/24). Kuvendi duhet të zgjedhë dy anëtarë të rinj të Komisionit Shtetëror të Zgjedhje pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ndryshimit të pushtetit dhe harmonizmit të bërë sipas Kodit Zgjedhor. Anëtarët e rinj të KSHZ-së do të zgjidhen në vend të Boban Stojanovskit (VMRODPMNE) ndërsa i cili ishte zgjedhur zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kuvendit dhe në vendin e Radica Risteska (LSDM) e cila u pensionua.

Shkup - Në Kuvend sot do të mbahet takim konstituiv i Grupit joformal parlamentar ndërpartiak kundër korrupsionit. Përmes iniciativës së deputetëve në Kuvend nga përbërja parlamentare e vitit 2024-2028 Lupço Prenxhov, Sonja Mirakovska, Arbana Pasholli ku janë përfshirë edhe koordinatorët e grupit parlamentar me mbështetje të Institutit Demokratik Ndërkombëtar (NDI), është formuar grup parlamentar ndërpartiak kundër korrupsionit.

Shkup - Vaksinimi për gripin sezonal fillon sot dhe do të realizohet në 36 lokacione të vendit. Deri tani për vaksinimin e gripit sezonal janë paraqitur mbi 32.000 qytetarë.  Në Shkup vaksinimi do të zhvillohet në Qendrën e Shëndetit Publik, në poliklinikat Bukuresht, Idadia, dhe Bit Pazar, ndërsa në ISHP vetëm për punonjësit shëndetësor.  Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se të gjithë të paraqiturit në ueb faqe marrin sms për datën, kohën e saktë dhe ku të vijnë për vaksinim. 

Shkup - Nga 15 punëtorët e Kopshtit zoologjik të Shkupit për të cilët tashmë ka përfunduar anketa epidemiologjike nga ana e epidemiologëve të Qendrës për Shëndet Publik (QSHP) dhe Institutit për Shëndet Publik (ISHP), për katër prej tyre gjatë ditës së nesërme do të jepen vendime për mbikëqyrje shëndetësore, ndërsa te njëri prej tyre i cili të premten ka shfaqur simptoma të temperaturës së lartë dhe diarre, do të testohet për praninë eventuale të gripit të shpendëve. Për shkak të shpërthimit të "gripit të shpendëve", Kopshti zoologjik në Shkup është mbyllur për të tretën ditë. Autoritetet shëndetësore dhe ekspertët sigurojnë se pavarësisht shfaqjes së "gripit të shpendëve" nuk ka nevojë për panik tek qytetarët.

Shkup - Në Berovë në mëngjes janë matur minus dy gradë, në Strumicë një, Manastir dy, Tetovë tre, Shkup pesë, ndërsa në Ohër janë matur shtatë gradë, kumtoi DPHM. Paradite nëpër lugina do të ketë mjegull dhe vranësira të vogla. Gjatë ditës do të jetë kryesisht me erë të lehtë nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të arrijë nga 16 deri në 23 gradë.

Harkov - Në një sulm ajror rus ndaj qytetit ukrainas Harkov u lënduan 12 persona, njoftoi policia e vendit. "Në orën 03:00 në Harkov u lëndun 12 persona në granatimin rus. Shërbimi Nacional për Siguri në rajonin e Harkovit punon vazhdimisht, hetuesit marrin deklarata nga viktimat për dëm material", citohet në kumtesën e policisë", transmeton Ukrinform. Sipas të dhënave të para, armata ruse e ka sulmuar Harkovin me bomba KAB-250.

Kishinjev - Referendumi në Moldavi për atë nëse ta ndryshojë Kushtetutën dhe të angazhohet për hyrje në BE që u mbajt gjatë ditës së djeshme është në "fije të perit”, ku përqindja e votave “për” dhe “jo” është pothuajse e barabartë. Për momentin 49.9 për qind e votave janë për “po”, ndërsa 50,1 për qind e votave janë për “jo”, me rreth 97 për qind të votave të numëruara. Ky është një rezultat i papritur, pasi disa anketa të fundit sugjeruan se vota për hyrje në BE-në sigurt se do të ngadhënjejë.

Moskë - Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov dje tha se deklarata e presidentit amerikan Xho Bajden për gatishmërinë e Uashingtonit që të negociojë me Rusinë për ulje të armës bërthamore pa parakusht janë "mashtrim".  "Thirrja që të flitet për stabilitet strategjik, për kontroll të armëve bërthamore pa parakusht është mashtrim. Çka do të thotë 'pa parakusht'? Kjo do të thotë se amerikanët e mbajnë të drejtën që të në shpallin armiq në dokumentet e tyre doktrinuese", deklaroi Lavrov për "Argumente dhe fakte".

Madrid - Më shumë se 230 emigrantë janë shpëtuar nga një varkë e përmbytur prej druri në ishujt Kanarie nga Roja bregdetare spanjolle, njofton DPA duke iu referuar një deklarate të Rojës bregdetare. Mes të shpëtuarve ka tre fëmijë dhe 14 gra.

Tel Aviv - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka biseduar me ish presidentin amerikan Donald Tramp, njoftoi dje kabineti i kryeministrit.  "Kryeministri Netanjahu e ka përsëritur atë që tashmë e ka thënë publikisht. Izraeli i merr parasysh çështjet e ngritura nga administrata amerikane, por në fund do të sjellë vendime në bazë të interesave të saj kombëtare", njoftuan nga zyra. 

Kajro - Egjipti zyrtarisht është shpallur si rajon pa malarie, për çka Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dërguar urime Qeverisë së Kajros dhe i ka dorëzuar certifikatë. "Malaria është e vjetër edhe sa vetë civilizimi egjiptian, por tani sëmundja që i ka torturuar faraonet i takon historisë, e jo të ardhmes", tha shefi i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus. Në botë, 44 vende dhe një territor janë certifikuar si të lira nga malaria.

Kanberrë - Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Australi, mbreti britanik Çarlsi i tretë u përball me një situatë të pakëndshme pasi e përfundoi fjalimin e tij në Parlamentin australian, sepse senatorja e pavarur Lea Torp filloi të bërtasë "Ky nuk është vendi juajm ju nuk jeni mbreti im". Bi-Bi-Si njofton se senatorja Torp e ndërpreu ceremoninë në Kanberrë duke brohoritur një minutë "Ju nuk jeni mbreti im", pas së cilës ka ndërhyrë sigurimi dhe e kanë larguar.

Shkup - Moti në mëngjes do të jetë i ftohtë, ndërsa gjatë ditës kryesisht me diell. Nëpër lugina të veçanta do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës së mëngjesit ose vranësira të ulëta. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -3 deri në 7 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 16 deri në 23 gradë. Në Shkup në mëngjes do të jetë ftohtë, ndërsa gjatë ditës me diell me erë të lehtë të ndryshueshme. Temperatura minimale do të bie në 4, ndërsa maksimalja do të arrijë 20 gradë.

Остани поврзан