18:00/12 maj/2026
Shkup - Fokusohuni në atë që mund ta kontrolloni. ne jemi vend relativisht i vogël, ngjarjet në pjesën tjetër të botës mund të na paralizojnë. Kështu i porositi Majk Zafirovski politikanët dhe pronarët e bizneseve, i cili është njëri prej themeluesve të "Maqedonia 2025", nga samiti në Shkup, i cili këtë vit mbahet me moton "Pas vitit 2025: Përshpejtim i rritjes. Nxitje e lidershipit". Sipas tij, një Maqedoni e fuqishme, e pavarur, demokratike do të ishte e shkëlqyeshme për qytetarët, për rajonin, për Evropën dhe për botën. Vërejti se Evropa dukshëm çalon në raport me inovacionet, që është një prej mundësive për Maqedoninë.
Shkup - Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mbajti fjalim në ngjarjen "Young Talent for Future Growth", e organizuar në kuadër të programeve Young Energy Europe dhe Development Partnership Programme, ku u ndanë certifikata për pjesëmarrësit dhe çmime për projektet më të mira. Në fjalimin e tij, ministri Sali, siç theksoi Kabineti i tij, theksoi se zhvillimi i kapitalit njerëzor është thelbësor për transformimin ekonomik dhe përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. "Integrimi evropian nuk është vetëm një proces i harmonizimit të politikave, por një proces transformimi që varet nga njerëzit – nga njohuritë, aftësitë dhe gatishmëria e tyre për të udhëhequr ndryshime", theksoi Sali.
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot u takua me përfaqësuesit e SOS Fshatit të Fëmijëve-Maqedoni me rastin e shënimit të 25 vjetorit të ekzistimit dhe punës së organizatës. Siç informojnë nga Kabineti i presidentes së Maqedonisë, ajo dërgoi urime me rastin e jubileut të rëndësishëm për të punësuarit, bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e organizatës, duke u dëshiruar sukses të mëtejshëm në realizimin e prioriteteve strategjike. Bashkëbiseduesit e njoftuan presidenten me rezultatet e deritanishme të punës, me programet dhe aktivitetet rrjedhëse, si dhe me sfidat në sigurimin e mbështetjes së fëmijëve pa kujdes prindëror, të rinjtë dhe familjet në rrezik social.
Shkup - Shefi i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin, Islam Abazi, sot deklaroi se as si prokuror publik, as si udhëheqës, nuk ka ushtruar presion apo ndikim mbi prokurorët në lidhje me vendimet që ata marrin në lëndët për të cilat veprojnë. Reagimi i Abazit vjen pas konferencës së sotme për shtyp të Antonio Milloshoskit nga VMRO-DPMNE, i cili akuzoi drejtuesin e PTHP NKOK se ka marrë, siç e vlerësoi ai, një "urdhër kontrovers" për ndërprerjen e procedurës lidhur me furnizimet me mazut për TEC Negotinë, me vlerë 167 milionë euro. Miloshoski pretendoi se Abazi ka vepruar nën ndikim politik dhe se me këtë vendim janë liruar nga përgjegjësia persona të afërt me partitë e pushtetit të mëparshëm.
Shkup - Mbi 50 mijë euro janë shpenzuar deri tani për procedurën hetimore për furnizimin e mazutit për TEC Negotinë, informoi sot prokurorja Katerina Kolareviq në brifingun me gazetarët, pas vendimit të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) për ta ndërprerë hetimin. Nga Prokuroria arsyetuan se pas hetimin të zbatuar një vjeçar nuk u konfirmuan pretendimet e kallëzimit penal, prandaj nuk u vërtetua ekzistenca e veprës penale për të ndjekur penalisht sipas detyrës zyrtare.
Shkup - Lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, sot në konferencë për shtyp i bëri vërejtje minsitrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së jashtme, Timço Mucunski se fillimisht e ka heshtur takimin me ministren bullgare të Punëve të Jashtme, Velisllava Petrova-Çamova, ndërkaq kur informatat kanë dalë në mediumet evropiane, ka thënë se ai ka qenë vetëm një këmbim i shkurtë i fjalëve. Ai shtoi se prëfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Kaja Kallas, dje gjithashtu i dërgoi porosi se Brukseli është i gatshëm t'i mbështesë vendet e rajonit, por se në të njejtën kohë priten edhe reforma, ndërsa eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos porositi se në Bashkimin Evropian ka vend për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por se suksesi varet nga reformat e zbatuara të vendeve kandidate.
Shkup - Në kuadër të fushatës nacionale, që po realizohet nën moton "Dhurimi i organeve i jep kuptimin më të lartë njerëzimit!", mjeku Azbi Agushi, anesteziolog nga Klinika universitare për traumatologji, sëmundje ortopedike, anestezion, reanimacion, mjekim intensiv dhe qendër urgjente (TOARMIQU) dhe koordinues spitalor për transplantim, bën thirrje për rëndësinë e dhurimit të organeve. "Duke folur për transplantimin e organeve, porosia ime është të mbështetet ky proces, jo për shkak të faktit se ka nevojë sistemi shëndetësor, por porosia është ta mbështesim transplantimin, sepse në atë mënyrë mbështesim veten tonë, në atë mënyrë u ndihmojmë njerëzve të të gjitha kategorive, posaçërisht njerëzve të cilët kanë nevojë jetësore për organe, të cilët në shumë raste, në shumë situata, nuk kanë mundësi të kenë funksionim normal gjatë përditshmërisë së tyre. Porosia ime është se me ngritjen e vetëdijes, të mbështesim një proces i cili ka histori shumëvjeçare, posaçërisht në vendin tonë në vitet e fundit, ka jehonë të madhe dhe në atë mënyrë ne e kemi mbajtur tërë këtë proces", thekson në video paraqitjen e tij dr. Agushi.
Shkup - Qeveria vazhdon me mbështetje të fortë për zhvillimin rajonal të barabartë dhe uljen e pabarazive të zhvillimit midis komunave dhe rajoneve. Në seancën e sotme qeveritare u shqyrtuan dhe miratuan programet përmes të cilave për vitin 2026 do të financohen dhjetëra projekte që synojnë përmirësimin e kushteve për jetesë, infrastrukturën lokale, konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm. "Përmes Programit për uljen e pabarazive dhe rritjen e konkurrencës për vitin 2026 do të financohen 32 projekte, me vlerë të përgjithshme prej 74.839.946 denarësh", citohet në kumtesën e shërbimit për shtyp të Qeverisë.
Shkup - Në kushte të krizave globale, energjia nuk është më vetëm çështje ekonomike, por çështje e sigurisë, stabilitetit dhe rezistencës strategjike të shteteve, porositi ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, Sanja Bozhinovska në fjalimin e saj në panelin me temë Energy and Economy in dhe Post-War Worls alongside War, Terror Conflict and Forced Migration në Samitin e 29-të Ekonomik Euroaziatik në Stamboll, Turqi. "Izolimi nuk është strategji. Bashkëpunimi është", tha Bozhinovska, duke theksuar se vendi po punon në mënyrë aktive në diversifikimin e burimeve energjetike, lidhjen rajonale, investimet në burime të rinovueshme dhe modernizimin e infrastrukturës energjetike.
Shkup - Në kuartalin e parë të vitit krahasuar me kuartalin e katërt të vitit të kaluar, qiraja e apartamenteve shënon rënie prej 47 për qind, ndërsa ulje prej 40 për qind ka në qiranë e përgjithshme mujore. Në komunat Shtip, Kisella Vodë, Karposh dhe Ohër ka rritje të qirasë mesatare mujore, ndërsa është ulur në Gazi Babë dhe Aerodrom. Nga 1 janari deri më 31 mars të këtij viti në Regjistrin e çmimeve dhe qirave janë evidentuar 2.583 qira, që është ulje prej 15,4 për qind në krahasime me kuartalin e katërt të vitit 2025, ndërsa nga Agjencia për Kadastër të Patundshmërive (AKP) vlerësojnë se tregu i qirasë së apartamenteve mbetet i qëndrueshëm me ndryshime mesatare sipas rajoneve.
Shkup - M-tagët për pagesën e taksave rrugore tani do të jenë të disponueshme edhe përmes dy operatorëve më të mëdhenj mobilë në vend - A1 Maqedonia dhe Telekomi i Maqedonisë. Do të mund të blihen me 24 këste, me një shumë mujore prej 49 denarësh, ndërsa pagesa e taksave rrugore do të realizohet përmes llogarisë bankare të përdoruesit ose përmes faturës së shërbimeve mobile. Me regjistrimin në faqen e internetit të operatorit mobil, shfrytëzuesi do të mund të zgjedhë nëse M-tag do të lidhet me kartelën e tij të kreditit ose debitit, dhe me çdo kalim nëpër pikë pagesë do të tarifohet shuma përkatëse, ose nëse dëshiron, ai do të ketë edhe opsionin që pagesa për kalimin e taksave rrugore të bëhet përmes faturës së tij të shërbimeve telekomunikuese.
Tetovë - Përmes Forumit dhe konferencës përmbyllëse të projektit "Zgjidhje inovative digjitale komunale në Komunën e Tetovës" pushteti lokal në Tetovë i ndau përvojat me komunat e tjera në ofertën e shërbimeve digjitale për qytetarët. Në kuadër të ngjarjes, u prezantuan rezultatet nga projekti dhe zgjidhjet inovative digjitale komunale, ndërkaq u mbajt edhe panel diskutim për transformimin digjital të shërbimeve lokale publike. "Sot jam posaçërisht i lumtur që Tetova është qendër e këtij tubimi të madh ku kemi prëfaqësues nga faktori ndërkombëtar në krye me euroambasadorin, ministra, zëvendëskryeministri, kryetarë të komunave të tjera. Në këtë ngjarje përmbyllëse do ta bartim prëvojën se si digjitalizohen shërbimet, siç kemi mundësi në Tetovë rreth transportit publik, pagesës së parkingut, pagesës së tatimeve dhe shërbime të tjera", tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Tiranë - Shefi i Shtatmadhorisë së Armatës së Maqedonisë së Veriut, gjeneral-major Sashko Lafçiski në kuadër të vizitës treditore në Shqipëri, sot ka realizuar takim me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufin. "Gjatë takimit, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë për Korridorin 8, si një hap kritik për lëvizshmërinë ushtarake dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Është shprehur vlerësimi i përbashkët se të dy vendet kanë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe, si aleatë të NATO-s, janë të përkushtuar për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë kontinentin evropian", njofton ATSH.
Tiranë - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalimin e tij në samitin Shqipëri-Izrael, në të cilin marrin pjesë rreth 40 kompani inovative izraelite, me fokus në sigurinë kibernetike dhe zhvillimin teknologjik në Shqipëri dhe rajon, i lavdëroi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke i cekur lidhjet historike mes dy popujve. Ai gjithashtu, foli për sulmet kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë, duke i lidhur me strehimin që ua dha Tirana disa mijëra anëtarëve të opozitës iraniane. Sipas tij, regjimi iranian reagoi ndaj këtij aksioni me sulme ndaj infrastrukturës digjitale të Shqipërisë dhe sistemit për shërbime onlajn të ndërtuar me vite.
Podgoricë - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, sot në Podgoricë porositi se Ballkani Perëndimor ka rëndësi të madhe strategjike për Aleancën. Ai vuri në dukje ekzistencën e aktorëve që përpiqen ta tërheqin rajonin prapa dhe ta destabilizojnë, duke theksuar se NATO do t'i kundërshtojë qëllime të tilla. "E dimë se ka aktorë që përpiqen ta tërheqin Ballkanin Perëndimor prapa, ta prishin progresin dhe ta destabilizojnë rajonin. NATO është e përkushtuar të sigurojë që problemet e së kaluarës të mbeten në të kaluarën. Do ta thksojmë çdo aktivitet keqdashës në territorin e NATO-s dhe do ta kundërshtojmë atë", tha Rute në një konferencë për shtyp pas takimit me kryeministrin malazez Milojko Spajiq dhe anëtarët e Qeverisë së Malit të Zi.
Bratisllavë - Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, sot në Bratisllavë deklaroi se bën përpjekje për përshpejtimin e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane. Ai e tha këtë në takimin me grupin "Miqtë e Ballkanit Perëndimor" me ministrat e punëve të jashtme të rajonit dhe eurokomisaren për zgjerim, Marta Kos. "Sërish e aktivizova përkushtimin tonë për përshpejtimin e përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane, ky është një prioritet strategjik i politikës së jashtme evropiane për prosperitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë", shënoi Tajani në X.
Madrid - Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adanom Gebrejesus, sot njoftoi se deri tani janë identifikuar gjithsej 11 raste pas paraqitjes së hantavirusit në anijen turistike "Hondius", duke përfshirë edhe tre raste të vdekjes. Gebrejesus në Madris tha se nëntë persona ishin pozitiv ndaj virusit, ndërsa dy raste shtesë konsiderohen si infeksione të mundshme. Të gjithë individët e infektuar janë izoluar dhe me kujdes ndiqen që të ulet rreziku i transmetimit të mëtejshëm", tha Tedros duke shtuar se besueshmëria për përhapjen më të gjerë ndërkombëtare mbetet e ulët.
Teheran - Përfaëqsuesi i lartë i Marinës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se Irani e ka zgjeruar përkufizimin e tij për Ngushticën e Hormuzit, duke e shndërruar atë në një "zonë të gjerë operative", dukshëm më të madhe se ajo para konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin. Zëvendësdrejtori politik i Marinës së IRGC-së, Mohamed Akbarzede, deklaroi se ngushtica nuk shihet më si një zonë e ngushtë rreth disa ishujve, por se shtrirja dhe rëndësia e saj ushtarake janë zgjeruar ndjeshëm.