• сабота, 16 мај 2026
MIA Flesh

09:00 / 14 maj / 2026

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot do ta shënojë hapjen e Zyres popullore të Presidentit në Shkup. Ripërtëritja e praktikës së zyreve të hapura të presidentit është në pajtim me përcaktimet dhe premtimet e përmbajtura në programin e presidentes Siljanovska-Davkova, me qëllim të kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët, si dhe parashtrimin e ankesave, iniciativave qytetare, peticioneve dhe propozimeve nga ana e tyre.

Shkup – Ministria e Çështjeve Evropiane dhe Instituti për Politikë Evropiane (EPI) sot e organizojnë Takimin e tretë të Mekanizmit Konsultativ Kombëtar për Agjendën e Reformave (MKK – AR) në kuadër të projektit „WB Reform and Growth Monitor”. Siç është bërë e ditur, në kuadër të takimit do të ketë edhe panel diskutim publik në të cilën do të flasin ministri i Çështjeve Evropiane dhe koordinatori kombëtar për zbatimin e Agjendës së Reformave, Bekim Sali, shefi i sektorit për bashkëpunim në kuadër të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Shtefen Hudolin, profesoresha e Institutit Ekonomik, Silvana Mojsovska dhe drejtoresha e EPI, Simonida Kacarska. 

Shkup - Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Mihallis Rokas, sot do të vizitojë komunat e Krushevës dhe Manastirit. Vizita në Krushevë është pjesë e një iniciative informuese që synon të sjellë BE-në dhe procesin e integrimit të vendit më afër bashkësive lokale. Vizita në Manastir është në kuadër të manifestimit të Ditës së Evropës në të gjithë vendin. Siç informoi Delegacioni i BE-së, vizita në Krushevë do të fillojë me takime midis ambasadorit Rokas, kryetarit të Komunës, Niko Çoneski dhe anëtarëve të Këshillit komunal. Diskutimet do të përqendrohen në përfitimet e anëtarësimit në BE, si dhe në rezultatet e dukshme të ndihmës financiare të BE-së në jetën e përditshme të njerëzve në rajon.

Shkup - Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) sot organizon një konferencë, "Biznes me integritet për një ekonomi konkurruese", në të cilën do të jetë e hapur tema për rëndësinë në rritje të integritetit, transparencës dhe pajtueshmërisë si parakushte për një ekonomi të suksesshme dhe konkurruese. Konferenca do të ofrojë njohuri praktike se si praktikat etike dhe të përgjegjshme të biznesit kontribuojnë në uljen e rreziqeve të korrupsionit, ndërtimin e besimit dhe hapjen e mundësive të reja për zhvillim, qasje në treg dhe partneritete, duke përfshirë bashkëpunimin me kompanitë e huaja që vlerësojnë gjithnjë e më shumë standardet e integritetit tek NVM vendase.

Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Pasdite do të ketë kushte për paqëndrueshmëri lokale me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare e ndryshueshme. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 3 deri në 10 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 19 deri në 24 gradë. Në Shkup, vranësira të ndryshueshme me periudha me diell. Pasdite, në disa pjesë të luginës, do të ketë kushte për reshje të rrëmbyeshme afatshkurtër dhe bubullima të rralla. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare e ndryshueshme. Temperatura minimale do të bie në 9, ndërsa maksimalja do të arrijë 23 gradë.

Kiev – Të paktën 31 persona janë plagosur në sulmet ruse në Kiev gjatë natës, duke përfshirë edhe një fëmijë, përderisa një person ka humbur jetën, njoftuan autoritetet ukrainase. Shefi i Administratës Ushtarake të Kievit, Timur Tkaçenko fillimisht në Telegram njoftoi se në sulm janë plagosur të paktën 16 persona dhe se është konfirmuar një rast vdekje, transmetoi Ukrinform. Më vonë Shërbimi Shtetëror për Situata të Jashtëzakonshme në Ukrainë njoftoi se numri i të plagosurve është rritur në 31. 

Pekin – Presidenti kinez Shji Xhjinping në fillim të takimit me homologun e tij amerikan Donald Tramp në Pekin deklaroi se pret që viti 2026 të jetë “vit historik, i rëndësishëm” për marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe SHBA-së, transmetoi drejtpërdrejt Televizioni Qendror Kinez (CCTV). Sipas Shji, marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike kineze – amerikane janë “me interes të ndërsjellë”. Ai e përshëndeti përparimin e kësaj vije të lidhjeve me Uashingtonin në takimin i cili, sipas Trampit, do të jetë “ngjarja më e madhe” në histori, informon agjencia kineze e lajmeve Sinhua. 

Pekin - Presidenti amerikan, Donald Tramp për kolegun e tij kinez, Shji Xhjinping tha se është "lider i madh" dhe shtoi se paraqet nder për të që është mik i tij. "Do të kemi ardhmëri fantastike së bashku", tha Tramp në fillim të takimit të liderëve në Pekin. Ai shtoi se Shji është "lider i madh", duke theksuar se "ndonjëherë njerëzit nuk duan kur e them këtë, por megjithatë unë e them se është e vërtetë".

Pekin - Disa biznesmenë të shquar amerikanë, të cilët udhëtuan për në vizitë në Pekin së bashku me presidentin e SHBA-së, Donald Tramp, i vlerësuan takimet e mbajtura në margjinat e samitit SHBA-Kinë si "shumë të mira" dhe produktive. Midis drejtorëve ekzekutiv të cilët u panë duke u larguar nga Salla e madhe e popullit ishin drejtori i "Tesla" dhe "SpaceX", Ilon Mask, drejtori ekzekutiv i "Apple", Tim Kuk, dhe drejtori i Nvidia, Xhensen Huang.

Pekin - Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë në mbështetjen e Kinës për zgjidhjen e qorr-sokakut rreth Ngushticës së Hormuzit, deklaroi sekretari is htetit Marko Rubio. "Shpresojmë t'i bindim ata që të luajnë një rol më aktiv në inkurajimin e Iranit që të heqë dorë nga ajo që po bën tani dhe nga ajo që po përpiqet të bëjë në Gjirin Persik", deklaroi Rubio për Foks Njuz në aeroplanin presidencial "Air Force One", gjatë udhëtimit për në Kinë. Rubio po shoqëron presidentin amerikan, Donald Tramp, në udhëtimin e tij në Kinë.

Uashington - Sekretari i shtetit amerikan, Marko Rubio, e ka përshkruar Kinën sfidën më të madhe gjeopolitike për SHBA-në, por edhe si marrëdhënien më të rëndësishme që Uashingtoni duhet ta menaxhojë me kujdes. Duke folur për "Foks njuz" në aeroplan gjatë rrugës për në Kinë, Rubio deklaroi se Pekini është "sfida jonë më e madhe politike dhe gjeopolitike, por edhe marrëdhënia më e rëndësishme që duhet të menaxhojmë sepse bëhet fjalë për një vend të madh dhe të fuqishëm".

Romë - Futbollistët e Interit e fituan Kupën e Italisë për herë të dhjetë në historinë e tyre, pasi e kanë mundur mbrëmë Lacion me rezultatin 2:0 në finalen në Romë. Interi dominoi që në fillim të ndeshjes dhe me meritë e fitoi kupën. "Neroazurët" erdhën në epërsi në minutën e 14-të me autogolin e Adamit, ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Lautaro Martinez 20 minuta më vonë.

Остани поврзан