12:00/ 14 maj/ 2026
Shkup – Në moshën 79-vjeçare ndërroi jetë Zhivko Georgievski, ish drejtor i MIA-s, gazetar shumëvjeçar dhe korrespondent nga jashtë. Georgievski ishte drejtori i MIA-s nga viti 1998 deri në vitin 2002. Ishte drejtor edhe i Radio Ohrit në mesin e viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, pastaj korrespondent i Tanjugut dhe i shumë mediave të asaj kohe në Jugosllavi. Karrierën në gazetari e filloi si nxënës i shkollës së mesme në gazetën "Veçer", ndërsa ka vazhduar në redaksinë e të rinjve në Radio Ohri dhe në media të tjera, veçanërisht me largimin në Beograd në studime. Pas largimit nga Ohri, Georgievski një kohë të gjatë e udhëhoqi redaksinë maqedonase në agjencinë Tanjug. Disa vite ka qëndruar në Xhakartë, Indonezi, si korrespondent nga ajo pjesë e botës. Pas kthimit, bëhet drejtor i redaksisë së Tanjugut në Maqedoni. Para rënies së RSFJ-së e formon Byronë Maqedonase për Shtyp, ndërsa pastaj bëhet drejtor i agjencisë MIA prej ku edhe shkoi në pension.
Shkup – Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu sot informoi se Komisioni nga jashtë që shqyrtoi rastet e dyshuara të operacioneve të panevojshme ose referimeve për operacione, ka konstatuar gjetje të dyshimta te nëntë nga gjithsej 13 raste të analizuara. Në konferencën e sotme për shtyp, Aliu bëri të ditur se te katër pacientë Komisioni ka vlerësuar se trajtimi ka qenë i përshtatshëm nga aspekti mjekësor, në kohë dhe i kryer në përputhje me standardet e praktikës klinike.
Shkup - Në mars të këtij viti në vend janë regjistruar 73.921 turistë të cilët realizuan 134.233 bujtje. Nga gjithsej numri i turistëve, 19,7 për qind janë vendas, ndërsa 80,3 për qind janë të huaj. Tek bujtjet, megjithatë, 26,5 për qind janë nga vendi, ndërsa 73,5 për qind janë turistë të huaj. Në periudhën janar - mars të vitit 2026, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit paraprak, gjithsej numri i turistëve është rritur për 5,2 për qind. Te turistët vendor ka një rritje për 1,3 për qind, ndërsa te turistët e huaj ka rritje për 6,9 për qind.
Shkup - Një delegacion parlamentar, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dhe i përbërë nga nënkryetarët Jovan Mitreski dhe Vesna Bendevska, koordinatorët e grupeve parlamentare Nikola Micevski, Oliver Spasovski, Bekim Qoku, Rina Ajdari dhe Boban Karapejovski, deputeti Mile Lefkov dhe sekretarja e përgjithshme Marina Dimovska, më 12–14 maj zhvilloi në Bern, sesione pune në kuadër të programit “Diskutimet Malore për Etikën Parlamentare”. Qëllimi kryesor i këtyre diskutimeve ishte arritja e konsensusit ndërmjet partive politike për miratimin e një Kodi të ri Etik për deputetët. Në sesionin e parë të punës, fjalë hyrëse kishin Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, si dhe Ambasadori i Zvicrës, Kristof Zomer, kumtoi pres shërbimi i Kuvendit.
Shkup - Mëngjesi i sotëm është më i freskët në Kodrën e Diellit, ku është matur 1 gradë, ndërsa më ngrohtë në Gjevgjeli me 13 gradë. Në Hanet e Mavroës, Pozharanë dhe Lazaropole janë matur 4 gradë, 5 në Berovë, Tetovë, Radovish, Skopje-Petrovec dhe Kriva Pallankë, 6 në Krushevë dhe Kumanovë, 7 në Skopje–Zajçev Rid dhe Pretor, 8 në Shtip dhe Vinicë, 9 në Ohër dhe Prilep, 10 në Manastir, Strumicë, Demir Kapi dhe Veles, si dhe 11 gradë në Kavadar, kumtoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike. Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Pasdite do të ketë kushte për paqëndrueshmëri lokale me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare e ndryshueshme, ndërsa temperatura maksimale do të lëviz prej 18 deri 25 gradë.
Shkup- Hetimi ndaj vrasësit nga Nagoriçani i Vjetër i cili konsiderohet vrasësi i parë serik i grave në Maqedoninë e Veriut, ka zbuluar katër vepra të reja penale - dy vrasje dhe dy tentativa për vrasje. Siç njoftoi në brifingun e sotëm, prokurori Lubomir Llape është ky rasti i parë i një vrasësi serik me elemente të femicidit, pasi të gjitha viktimat ishin gra dhe u sulmuan pikërisht për shkak të gjinisë së tyre. Sipas informacionit të publikuar deri më tani nga prokuroria dhe policia i dyshuari është identifikuar me inicialet T.B., 25-vjeç, banor i fshatit Malotinë (komuna e Nagoriçanit të Vjetër).
Manastir - Në mëngjes në Manastir, në një zënkë dhe dhunë familjare, është vrarë një grua e moshës 31 vjeçare. Nëpunës policorë të SPB Manastir janë në terren, ndërsa rasti po hetohet. Sipas informatave të para, bashkëshorti i dyshimtë për vrasjen, është privuar nga liria dhe kundër tij do të ndërmerren masa të mëtejshme. Nga SPB Manastir pritet që gjatë ditës të publikohet kumtesë zyrtare me më shumë hollësira për rastin.
Bruksel – Në vitin 2025, nga 203,1 milionë amvisëri në BE, vetëm 47,4 milionë, ose 23,4%, kishin fëmijë. Shumica e tyre ishin çifte me fëmijë (14,7%), lloje të tjera të amvisërive me fëmijë (5,6%) dhe persona të rritur beqarë me fëmijë (3,0%), tregojnë të dhënat e Eurostatit. Përqindja tjetër 76,6% e amvisërive pa fëmijë përbëheshin nga persona të rritur beqarë (37,5% nga të gjitha amvisëritë), çifte (24,1%) dhe amvisëri të tjera (15,1%). Ndërmjet viteve 2016 dhe 2025, numri i familjeve me të rritur beqarë pa fëmijë u rrit me 19,2% (nga 63,9 milionë në 76,1 milionë), ndërsa numri i familjeve të përbëra nga çifte pa fëmijë u rrit me 3,3% (nga 47,3 milionë në 48,9 milionë). Në të kundërtën, numri i familjeve me çifte dhe fëmijë u ul me 6,3% (nga 31,9 milionë në 29,9 milionë), ndërsa llojet e tjera të familjeve me fëmijë u ulën me 3,5% (nga 11,8 milionë në 11,4 milionë). Më së shumti amvisëri me fëmijë ka në Sllovaki (35,4%), Irland (30,8%) dhe Qipro (28,2%), dhe më pak në Finlandë (18,2%), Lituani (18,4%) dhe Gjermani (19,9%).
Rigë– Kryeministrja e Letonisë Evika Silina sot njoftoi se jep dorëheqje pasi incidenti me dronin ukrainas e tronditi qeverinë e saj. “Jap dorëheqje, por nuk heq dorë”, tha Silina në paraqitjen televizive para publikut. Mediat britanike transmetojnë se kjo politikane nga qendra e djathtë tërhiqet nga funksioni vetëm disa muaj para zgjedhjeve të rregullta parlamentare të caktuara për në tetor. Presidenti i Letonisë Edgars Rinkeviç, i cili sipas kushtetutës është i detyruar për emërimin e përfaqësuesve qeveritarë, nesër do të takohet me përfaqësues të të gjitha partive parlamentare.
Londër - Qendra britanike për operacione tregtare detare (UKMTO) ka bërë të ditur se një anije është rrëmbyer sot në Gjirin e Omanit dhe më pas është drejtuar drejt ujërave territoriale të Iranit. UKMTO deklaroi se anija ishte ankoruar rreth 70 kilometra në veri të Fuxhairas në Emiratet e Bashkuara Arabe, por është "rrëmbyer nga persona të paautorizuar" duke u drejtuar drejt Iranit. Incidentin e ka denoncuar shefi i sigurisë së anijes.
Uashington- Pentagoni ka ndërprerë shpërndarjen e më shumë se katër mijë trupave amerikane në Evropë, një veprim që i habiti disa përfaqësues ushtarakë, transmetoi DPA. Gazeta "Voll strit zhurnall" publikoi se një vendimi i tillë u kumtua në një takim të përfaqësuesve të armatës amerikanë me përfaqësues të Komandës Evropiane të ushtarëve amerikan (EUCOM). Bëhet fjalë për ushtarë që supozohej të dërgoheshin në Poloni në kuadër të një rotacioni të planifikuar nëntëmujor. Armata amerikane në mars kumtoi se brigada do të zëvendësonte forcat e tjera si pjesë e një rotacioni të rregullt. Sipas gazetës amerikane, disa nga pajisjet dhe personeli ishin tashmë në rrugë për në Evropë, kështu që disa përfaqësues të armatës u befasuan nga vendimi i ri.
Pekin – Presidentët e SHBA-së dhe Kinës, Donald Tramp dhe Shji Xhjiping e vizituan Tempullin e Qiellit në Pekin pas përfundimit të takimit dypalësh i cili zgjati rreth dy orë dhe 15 minuta. Bisedimet e dy liderëve zgjatën rreth 35 minuta më gjatë se takimi i tyre paraprak i mbajtur tetorin e kaluar në Busan të Koresë së Jugut. Pas takimit, Trampi dhe Shji u nisën drejt Tempullit të Qiellit, një nga vendet më të njohura historike dhe turistike të kryeqytetit kinez. “Vend i shkëlqyer, i jashtëzakonshëm. Kina është e mrekullueshme”, i tha presidenti Tramp presidentit Shji derisa dy presidentët bënin poza për fotografi në Tempullin e Qiellit”, informon Bi-Bi-Si.
Uashington - Përfaqësuesit e Izraelit dhe Libanit sot dhe nesër do të takohen në Uashington për negociata të mëtejshme të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, në kushte të tensioneve të larta mbi konfliktin që përfshin milicinë pro-iraniane Hezbollah, njofton DPA. Departamenti amerikan i shtetit kumtoi se qëllimi i bisedimeve ishte arritja e një "marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqen dhe sigurinë" që do të adresonte shqetësimet themelore të të dy vendeve. “Pritet që negociatat të përqendrohen edhe në rikthimin e sovranitetit libanez, përcaktimin e kufirit mes shteteve dhe mekanizmat për ndihmë humanitare dhe rikonstruimin e Libanit, kumtoi Departamenti i shtetit".
Pekin – Në takimin dypalësh të presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, Donald Tramp dhe Shji Xhinping në Pekin nuk kishte gra në mesin e personave zyrtarë të cilët rinin ulur në tryezën e bisedimeve as në anën amerikane as në anën kineze. Në Kinë për momentin nuk ka gra në Politbyronë, grupin e funksionarëve të lartë të cilët i mbikëqyr Partia Komuniste dhe qeveria qendrore. Në administratën amerikane, shefja e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Suzi Vajlls u bë gruaja e parë në atë funksion, por nuk udhëtoi me Trampin në Pekin. Shefja e protokollit të administratës amerikane Monika Krauli, e cila udhëtoi në Kinë si pjesë e delegacionit amerikan, nuk mori pjesë në takimin me presidentin kinez.
Bejrut- Në sulmet ajrore izraelite në më shumë lokacione në Liban dje u vranë të pakën 22 persona, mes të cilëve tetë fëmijë, kumtoi Ministria e Shëndetësisë libaneze. Agjencia shtetërore e lajmeve NNA njoftoi se Izraeli qëlloi rreth 40 vende në Libanin jugor dhe lindor, duke përfshirë edhe zonat në jug të Bejrutit. Sulmet më vdekjeprurëse goditën fshatrat në jug të vendit, si dhe makinat në rrugën bregdetare midis Bejrutit dhe Libanit jugor. Ministria e Shëndetësisë theksoi se në sulmet ndaj automjeteve u vranë të paktën tetë persona, përfshirë dy fëmijë. Ushtria izraelite kumtoi se kishte qëlluar infrastrukturën, depot e armëve dhe raketathedhësit që i përkisnin lëvizjes Hezbollah në Libanin jugor.
Taipei– Pasi presidenti kinez Si Xhinping paralajmëroi për një konflikt potencial mbi Tajvanin, qeveria e Taipeit akuzoi Pekinin si përgjegjës për përshkallëzimin e tensioneve në rajon. Më parë, Si paralajmëroi presidentin amerikan Donald Tramp kundër keqtrajtimit të çështjes së Tajvanit gjatë vizitës së Trampit në Pekin. Ai tha se "ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit është emëruesi më i lartë i përbashkët si për Kinën ashtu edhe për SHBA-në. Duke iu përgjigjur këtyre deklaratave, zëdhënësja e qeverisë tajvaneze Mishel Li tha sot se "kërcënimet ushtarake të Kinës janë burimi i vetëm i paqëndrueshmërisë në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin më të gjerë Indo-paqësorit".
Lens - Futbollistët e PSZH-së e kanë mbrojtur titullin kampion i Francës, pasi mbrëmë e kanë mundur konkurrentin kryesor Lens si mysafir me rezultatin 2:0 dhe tani kanë epërsi të paaritshme prej nëntë pikëve në një xhiro para përfundimit të sezonit. Golat për PSZH-në i shënuan Kvarachelia në minutën e 25-të dhe Mbaje në minutën e 94-të. Për PSZh-në ky është titulli i 14-të në historinë e klubit dhe i teti në nëntë sezonet e fundit. PSZh-ja tani do të përqëndrohet në finalen e Ligës së kampionëve, ku më 30 maj në Budapest do ta mbrojë titullin kundrë Arsenalit.