• петок, 15 мај 2026
MIA Flesh

12:00 / 13 maj / 2026 

Shkup – Shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-major Sashko Lafçiski, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Tiranë, ka zhvilluar takime në nivelin më të lartë ushtarak dhe shtetëror, ku është diskutuar për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet ushtrive. Siç theksohet në kumtesën nga Zyra për marrëdhënie me publikun të Shtatmadhorisë së Armatës, gjatë vizitës, gjenerali Lafçiski ka realizuar takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ku është diskutuar për situatën e sigurisë në rajon, bashkëpunimin aleat dhe sfidat e përbashkëta në mjedisin bashkëkohor të sigurisë.

Shkup - Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti mbrëmë në “Top tema” në TV Telma tha se duhet të shihet mundësia se a është momenti për ndarje të re territoriale dhe të shihet se cilat komuna janë efikase, cilat jo. Ai vlerëson se ishte joefikase kur kishte 123 komuna, ndërsa tani ka 80 komuna. Shton se Maqedonia e Veriut duhet te ketë 50 deri 60 komuna që është numër real, komuna reale me mundësi dhe potencial real.

Shkup - "Vendime që i formësojnë ekonomitë", "Fitore me intelegjencën artificiale: Nga entuziazmi deri te përparësia e vërtetë konkurruese" dhe "Diaspora si kapital strategjik: Kthimi në shtëpi", janë pjesë e temave të diskutimeve në agjendën e ditës së dytë nga Samiti "Maqedonia 2025", që mbahet në Shkup. Samiti do të përfundojë pasdite me fjalim të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. Në fokus të samitit, i cili po mbahet me moton “Pas vitit 2025: Përshpejtimi i rritjes. Nxitja e lidershipit”, është rritja ekonomike, konkurrueshmëria, investimet, infrastruktura, transformimi digjital, inteligjenca artificiale dhe roli i diasporës në zhvillimin e Maqedonisë.

Shkup - Nëpunësit policorë nga SPB Ohër mbrëmë rreth orës 20:00 kanë kryer bastisje në shtëpinë dhe ambientet ndihmëse në Ohër ku qëndron I.J. (31) nga Kërçova, ku është gjetur dhe sekuestruar marihuan. Siç informojnë nga policia, bastisja është realizuar pas pranimit të informacionit paraprak dhe pas konsultimit me Prokurorinë Themelore Publike në Ohër, si dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Ohër.

Shkup – Sot në mëngjes temperatura më e ulët në vend është matur në Kodër të Diellit, ku ishin regjistruar 5 gradë. Në Berovë janë matur 6 gradë, 7 në Kumanovë, 8 në Kriva Pallankë, ndërsa 9 gradë në Shkup – Petrovec, Shtip, Krushevë, Hanet e Mavrovës dhe Llazaropolë. Sipas DPHM, 10 gradë ishin matur në Shkup-Zajçev Rid, Tetovë, Veles dhe Strumicë, 11 në Pretor dhe Vinicë, 12 në Kavadar dhe Gjevgjeli, ndërsa më e ngrohta ishte në Ohër, Manastir, Prilep dhe Demir Kapi me 13 gradë të matura.

Tetovë - Komuna e Tetovës dhe Sindikata e Punëtorëve kanë nënshkruar marrëveshje për rritjen e pagave të administratës komunale. Siç njofton Komuna e Tetovës, sipas marrëveshjes, duke filluar nga muaji i ardhshëm, paga bazë e të punësuarve në administratë do të rritet për shtatë për qind, ndërsa kjo rritje do të vazhdojë për tre vite me radhë. Nga Komuna theksojnë se ky vendim është në funksion të përmirësimit të kushteve për punonjësit dhe motivimit të administratës komunale, duke vlerësuar angazhimin dhe punën e tyre të përditshme.

Paris – Një franceze, e infektuar gjatë kohës së epidemisë së hantavirusit vdekjeprurës në korçere, është në gjendje kritike dhe po mjekohet me aparate për mushkëri të bardha artificiale, njoftoi mbrëmë një mjek nga spitali i Parisit në të cilin mjekohet udhëtarja e infektuar. Numri i rasteve të regjistruara tashmë arriti 11, prej të cilëve 9 janë konfirmuar. Tre udhëtarë në kroçeren “Hondius” ndërruan jetë, duke përfshirë edhe çiftin holandez për të cilin autoritetet shëndetësore besojnë se ishte e para që iu nënshtrua virusit gjatë vizitës në Amerikën e Jugut. 

Teheran - Gjyqësori iranian kreu edhe një ekzekutim tjetër nën akuzën për spiunazh, në kuadër të një vale varjesh, duke ekzekutuar sot personin ekspert të informatikës, Ehsan Afrashet, raporton agjencia e lajmeve "Mizan", e lidhur me gjyqësorin. Autoritetet e akuzuana Afrashten për bashkëpunim me shërbimin izraelit të intelegjencës së jashtme, Mosad, raporton DPA, Sipas Agjencisë së aktivistëve për të drejtat e njeriut me seli në SHBA (HRNA), Afrashte ishte arrestuar në vitin 2024 pas kthimit të tij në Iran nga Turqia. Fillimisht ai ishte mbajtur në izolim në burgun Evin në Teheran. 

Meksiko Siti - Autoritetet meksikane dhe Agjencia qendrore e inteligjencës amerikane (CIA) hodhën poshtë akuzat e "Si-en-en" se operativët e CIA-s ishin të përfshirë drejtpërdrejt në sulmet vdekjeprurëse të kryera vitin e kaluar ndaj karteleve të drogës në Meksikë. Një raport i publikuar në televizionin amerikan, duke cituar burime anonime, pohon se CIA ka rritur operacionet e fshehta në Meksikë me njësi elitare, duke përfshirë pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në operacione për likuidime.

Uashington – Miliarderi amerikan Ilon Mask është në mesin e liderëve udhëheqës të biznesit të cilët e mbështesin presidentin amerikan Donald Tramp gjatë vizitës së tij shtetërore në Kinë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se Mask ka hipur në aeroplanin e presidentit që fluturoi për Pekin. Në delegacion janë edhe drejtori ekzekutiv i “Epëll”, Tim Kuk, i cili në shtator do të tërhiqet nga funksioni, si dhe njeriu i parë i “Nvidija”, Xhensen Haung, kompania e të cilit është një nga prodhuesit më të mëdhenj botërorë të çipave për inteligjencë artificiale. 

Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp, publikoi në rrjetin e tij social Truth Social një pamje vizuale në formën e një harte që tregon Venezuelën si pjesë e SHBA-së, me mbishkrimin "shteti i 51-të". Imazhi i publikuar tregon territorin e Venezuelës të mbushur me ngjyrat e flamurit amerikan. Ushtruesja e detyrës në Venezuelë, Delsi Rodrigez, dy ditë më parë deklaroi se vendi i saj nuk ka plane për t'u bërë shteti i 51-të i SHBA-së, pas informatave se presidenti amerikan Donald Tramp po shqyrton një veprim të tillë.

Nairobi - Presidenti francez Emanuel Makron përsëriti se rihapja e Ngushticës së Hormuzit është një përparësi absolute dhe paralajmëroi një nismë në Kombet e Bashkuara për një "mision plotësisht neutral dhe paqësor" për ta arritur këtë. "Duke hequr të gjitha bllokadat dhe duke u angazhuar vërtet në këtë dialog të vështirë me Iranin, ne duhet të arrijmë rihapjen pa kushte të Ngushticës së Hormuzit, pa asnjë tarifë lundrimi", tha Makron mbrëmë në Nairobi në fund të samitit franko-afrikan, raportuan mediat franceze.

Остани поврзан