• петок, 15 мај 2026
MIA Flesh

15:00/ 7 maj/ 2026

Shkup - Maqedonia e Veriut luan një rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike në mbarë Evropën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor, theksuan në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës Alen Berse, i cili është në vizitën e tij të parë zyrtare në vend. "Gjatë këtyre tre dekadave, si anëtare e plotë e Organizatës, ne jemi pjekur si shoqëri demokratike, por edhe kemi kontribuar në mënyrë aktive ndaj misionit të Këshillit të Evropës - mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit", tha Mucunski. Ai theksoi se me Berse-n patën një bisedë të hapur, konstruktive dhe miqësore për proceset reformuese, sfidat aktuale evropiane dhe për mbrojtjen e bashkëpunimit tonë të mëtejshëm.

Shkup - Ndryshimet demografike paraqesin realitet që kërkon përgjegjësi, vizion dhe politika sistemore, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në Konferencën rajonale ministrore "Udhëheqja e ndryshimeve: Rrugët drejt rezistencës demografike në përputhje me nevojat e njerëzve" e cila po mbahet në Shkup, në organizim të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe UNFPA-s, nën patronazhin e Qeverisë. "Kjo nuk paraqet vetëm një konferencë, është një bisedë për të ardhmen e popujve tanë, për atë se çfarë lloj vendesh do të lëmë pas, nëse do të krijojmë shoqëri ku të rinjtë do të duan të qëndrojnë, familjet do të duan të krijojnë një të ardhme dhe të moshuarit do të jetojnë me dinjitet", theksoi Mickoski në fjalën e tij hyrëse.

Shkup - Nga njohja e sfidave drejt krijimit të zgjidhjeve konkrete, të qëndrueshme dhe të përbashkëta. Qëllimi ynë është ta rikahëzojmë debatin - nga shqetësimi demografik drejt rezistencës demografike. Kjo do të thotë politika të bazuara në dëshmi, por edhe në vlera - politika që i vënë njerëzit në qendër dhe krijojnë shpqëri më i nkluzive dhe më rezistente, porositi sot ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Të Rinjve, Fatmir Limani, para fillimit të konferencës dyditore ministrore rajonale "Kryesimi i ndryshimeve: rrugë të rezistencës demografike në pajtim me nevojat e njerëzve". Në konferencën ministrore do të debatojnë dhe do të propozojnë zgjidhje pothuajse 200 ekspertë ndërkombëtarë dhe funksionarë të lartë qeveritarë nga Evropa Juglindore. Konferenca është në organizim të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Të Rinjve në partneritet me UNFPA dhe nën patronatin e kryeministrit, Hristian Mickoski.

Shkup - Po punojmë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut të miratuara kundër Bullgarisë, tha sot Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alen Berse duke u përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. "Nuk është me rëndësi vetëm të kemi një rol në miratimin e vendimeve të Gjykatës për të drejtat e njeriut, por edhe zbatimin e tyre. Në rastin që përmendët për Bullgarinë, e dini që kemi një shqyrtim të vendimeve që ende nuk janë zbatuar. Dhe punojmë për këtë. Kemi arritur progres të caktuar, do të thoja, në muajin e fundit, duhet pak kohë, por e dini, mendoj se stabiliteti i procesit është gjithashtu i rëndësishëm, sepse duhet të jetë më shumë se sa thjesht një zgjidhje simbolike", tha Berse.

Shkup- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në Panairin e Shkencës 2026, të organizuar nga shkollat ndërkombëtare “Maarif” në Tetovë. Në fjalimin e tij, ministri Sali theksoi se dija, shkenca dhe inovacioni janë shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të procesit të integrimit evropian. “Sot, më shumë se kurrë, zhvillimi ekonomik varet nga kapitali njerëzor dhe nga aftësia për të shndërruar idetë në vlerë konkrete. Ngjarje të tilla dëshmojnë se kemi gjenerata të reja të gatshme për të ndërtuar të ardhmen,” deklaroi Sali.

Shkup- Pritet rritje e BPV-së për 3.5 për qind në vitin 2026 dhe përshpejtim i saj duke arritur në 3.8% në vitin 2027. Motivi kryesor do të vazhdojnë të jenë investimet, veçanërisht projektet e infrastrukturës publike, si dhe rimëkëmbja graduale e kërkesës së jashtme, tha në konferencën për shtyp guvernatori Trajko Sllaveski. Ai informoi se Këshilli i Bankës Popullore, në seancën e mbajtur sot, shqyrtoi dhe miratoi projeksionet më të fundit makroekonomike të përfshira në Raportin tremujor të Bankës Popullore.

Shkup - Ne si Qeveri në bazë ditore e ndjekim situatën çdo ditë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se si vend jemi në tre vendet e para në Evropë sipas masave të zbatuara si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në një deklaratë për mediat pas Samitit të Gjermanisë dhe Maqedonisë në Shkup. Mickoski theksoi se Qeveria po bën ende më shumë se mundësitë tona momentale, duke e marrë parasysh, siç theksoi, arkën shtetërore të zbrazët dhe të grabitur që është rezultat i disa kohërave të kaluara.

Shkup - Kryetari i ri i Komisionit rregullator për energjetikë (KRRE), Aco Ristov paralajmëron analizë të katër blloqeve tarifore në faturat për energji të shpenzuar elektrike për shfrytëzuesit e tregut rregullator dhe porositë se sipas tij është e palogjikshme të paguhen katër çmime për një produkt të njejtë të bursës. "Qëndrimi im personal është se duhet të hapet edhe këtë çështje do ta shqyrtojmë në periudhën në vijim nëse ka blloqe apo jo ose të dimenzionohen ndryshe. Do të bëjmë analizë nga përvoja e deritanishme sepse tashmë disa vite funksionojnë blloqet dhe është zgjidhje valide. Njëherit, nga prëvojat në rajon do të shohim si mund të bëhet diçka dhe nëse mund të bëhet diçka më mirë në interes të konsumatorëve të fundit", deklaroi Ristov në përgjigje të pyetjes pas takimit të sotëm me gazetarë në hapësirat e KRRE-së dhe shtoi se në çdo rast, edhe njëherë do të bëhet analizë.

Shkup - Shpenzimet e jetesës në prill të vitit 2026, në krahasim me prillin e vitit të kaluar, shënojnë rritje prej 5,7 për qind, ndërsa çmimet me pakicë rritje prej 5,0 për qind, publikoi Enti Shtetëror për Statistikë. Inflacioni i matur nëpërmjet indeksit të shpenzimeve për jetesë në muajin prill të vitit 2026, krahasuar me muajin mars të vitit 2026, është 1.3 për qind.  Rritja e shpenzimeve për jetesë në muajin prill të vitit 2026, krahasuar me muajin mars të vitit 2026, është rezultat i rritjes së kostos për jetesë në grupet e mëposhtme: Transport për 10.1 për qind, Rekracion, sport dhe kulturë për 1.4 për qind, Pije alkoolike, duhani dhe narkotikë për 1.2 për qind, Ushqime dhe pije jo alkoolike për 0.7 për qind, Veshje dhe këpucë, Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra dhe shërbime të ndryshme dhe Informacion dhe komunikim për 0.6 për qind, Restorante dhe shërbime për akomodim për 0.4 për qind, Banim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë tjera djegëse, Kujdesi shëndetësor dhe Shërbime për arsim për 0.3 për qind.

Shkup - Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme sot u mbajt ceremonia qendrore me rastin e 7 Majit – Ditës së Policisë së Maqedonisë, me ç'rast fjalime mbajtën ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike Aleksandar Janev. Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se policia e Maqedonisë mbetet shtyllë kyçe e sigurisë, stabilitetit dhe sundimit të ligjit, duke nënvizuar se institucionet kanë kapacitet të përballen me vendosmëri ndaj krimit dhe korrupsionit.

Shkup - Ajo që ne po bëjmë në sektorin shëndetësor është diçka që nuk ka ndodhur prej vitesh, madje do të thosha prej dekadash, duke përfshirë edhe zgjerimin e listës pozitive, tha kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse do të ketë zgjerim të ri të listës pozitive të barnave. Ai tha se presin që në muajt e ardhshëm të ketë lajme të mira për qytetarët me barna të reja që do të përfshihen në listën pozitive.

Shkup - Kemi njerëz të rinj, të talentuar dhe ambiciozë, kemi pozicion strategjik gjeografik, kemi potencialin të bëhemi qendër rajonale për teknologji të reja, logjistikë, prodhim të përparuar dhe shërbime digjitale, tha kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në Samitin e Biznesit Gjermani-Maqedoni e Veriut të organizuar nga AHK Maqedonia e Veriut. Detyra jonë si qeveri, theksoi Mickoski, është ta shndërrojmë atë potencial në rritje reale ekonomike dhe për këtë arsye po punojmë në politika që do të inkurajojnë inovacionin, një ekosistem startup-esh, kërkimin dhe zhvillimin, lidhjet midis universiteteve dhe industrisë, si dhe mbështetje më të madhe për kompanitë vendase që duan të investojnë në teknologji moderne.

Shkup – Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Aco Ristov, pret që deri në fund të vitit të përfundojnë të gjitha procedurat, në mënyrë që nga fillimi i vitit të ardhshëm prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme të mund të marrin pjesë pa pengesa në tregun e përbashkët evropian. "Si rregullator, ne punojmë çdo ditë në rregullativën ligjore për lidhjen e tregut të Maqedonisë së Veriut të energjisë elektrike me tregun evropian. Deri tani edhe procedurat teknike edhe ato ligjore po zhvillohen mirë, veçanërisht me Ligjin për Energjetikë, në të cilin është parashikuar implementimi i të gjitha rregulloreve evropiane dhe kush e dha iniciativën. Aktualisht po përpunohen të gjitha aktet në shtet për të gjithë pjesëmarrësit, nga operatorët deri te distributorët dhe koneksionet. Presim që deri në fund të këtij viti formalisht ta përfundojmë “detyrën e shtëpisë” lidhur me certifikimin dhe ndarjen e burimeve të ripërtëritshme nga burimet që prodhojnë energji elektrike nga lëndët djegëse fosile, në mënyrë që më në fund të gjithë investitorët vendas dhe të huaj në vend, vitin e ardhshëm, të bëhen pjesëmarrës në tregun e përbashkët evropian", tha Aco Ristov në përgjigje të një pyetjeje pas takimit të sotëm me gazetarët në KRRE.

Dibër - Në vendkalimin kufitarë "Bllatë" në kufirin e Maqedonisë dhe Shqipërisë pranë Dibrës, gjatë katër muajve të parë të vitit kanë kaluar gjithsej 496.705 udhëtar, që është 49 për qind numër më i madh, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.  "Qarkullimi i udhëtarëve në këtë pikë kufitare është në rritje të vazhdueshme. Në periudhën janar–prill kanë kaluar 496.705 udhëtarë, krahasuar me 333.640 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që paraqet një rritje prej rreth 49 për qind. Frekuenca më e lartë është regjistruar në muajin prill me 135.508 udhëtarë, kundrejt 106.712 në prillin e vitit të kaluar. Në pikën kufitare funksionojnë tre sportele dhe gjithçka po zhvillohet në rendin më të mirë", deklaroi për MIA-n Stefan Dimoski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme.

Gostivar- Nëpunës policorë nga Zyra e jashtme për çështje kriminalistike- Gostivar e kanë privuar nga liria E.I. (37) nga Gostivari. MPB informon se gjatë bastisjes në shtëpinë e tij dhe në objektet ndihmëse të kryer me urdhër të gjykatës janë gjetur dhe sekuestruar disa paketime me marihuanë, një peshore digjitale dhe 68.500 denarë.
  Më pas, në orën 21:40, nëpunës policorë e kanë privuar nga liria edhe Xh.M. (38) nga fsh. Zdunjë, rrethina e Gostivarit për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “prodhim i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” sipas nenit 215 të Kodit penal.

Tiranë - Pesëdhjetë e gjashtë studentë nga Akademia policore në Shqipëri mbrëmë kërkuan ndihmë mjekësore në Klinikën infektive në Tiranë, me simptome të helmimit, pasi kanë konsumuar ushqim në hapësirat e Akademisë. Dy nga studentët janë mbajtur në trajtim të mëtejshëm. Agjencia kombëtare shqiptare për ushqim (AKU) zbatoi inspektime në Akademinë dhe në hapësirën ku përgatitet ushqimi. Specialistët për hetime kriminele nga Komisariati policor nr. 1, pas veprimeve të zbatuara hetuese nën udhëheqjen e Prokurorisë në Tiranë, publikoi se janë arrestuar dy persona, ndërsa në kërkim janë pronarja e kompanisë, e cila e ka furnizuar Akademinë me ushqim.

Athinë - Në kuadër të iniciativës së Athinës zyrtare për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, në prag të presidencës greke me BE-në, ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Jorgos Gerapetritis do t'i vizitojë vendet e rajonit, ndërsa sipas zëdhënëses së MPJ-së greke, kjo vizitë do të realizohet në periudhën e ardhshme, raportoi korrespondentja e MIA-s në Athinë.  Sa i përket asaj se kur do të realizohet vizita dhe nëse turneu do t'i përfshijë të gjitha vendet njëkohësisht apo Gerapetritis do të zhvillojë vizita të ndara në periudha të ndryshme kohore, zëdhënësja Zohiu në brifingun e sotëm të rregull me gazetarët, duke iu përgjigjur pyetjes së MIA-s theksoi se bëhet fjalë për një planifikim programor, ndërsa pasi programi të finalizohet do të bëhen të ditura detajet .  

Bejrut - Djali i liderit të Hamasit, Kalil al Haja, ka vdekur sot nga plagët e marra në një sulm izraelit në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli ka konfirmuar se në sulmin në kryeqytetin libanez Bejrut ka eleminuar komandantin e lartë të Hezbollahut, njofton Anadollu.  Sipas korrespondentit të agjencisë, Azam al Haja ka vdekur pasi kishte marrë plagë të rënda në sulmin e mbrëmshëm ndaj lagjes Daraxh, në lindje të qytetit të Gazës. Kalil al Haja më herët kishte njoftuar se djali i tij ishte plagosur rëndë duke akuzuar Izraelin se po përpiqet të arrijë objektivat e tij përmes "presionit, vrasjeve dhe terrorit". 

Pekin - Gjykata ushtarake kineze dënoi dy ish ministra të mbrojtjes në vdekje për shkak të korrupsionit me anulim dyvjeçar. Sipas vendimeve gjyqësore, Vei Fenghe është shpallur fajtor për marrjen e rryshfetit, ndërsa Li Shangfu u dënua për vepra penale dhe për marrje dhe dhënien e rryshfetit. Prona e tyre personale do të konfiskohet.

Остани поврзан