09:00 / 26 nëntor / 2025
Shkup - Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të mbahet Konferenca e 8-të plenare Konventa Nacionale për Bashkimin Evropian (KNBE-MK) nën moton "Reforma në anën tjetër të retorikës: Sfidat rajonale në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Siç informojnë organizatorët, fokusi konferencës do të jenë inciativat e BE-së për të përforcuar integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht përmes Planit të rritjes dhe nevojës së politikave të harmonizuara dhe përforcimin e dinamikave reformuese.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot në Qeveri do të mbajë fjalim në debatin publik për Propozim-tekstin e "Strategjisë kombëtare për bashkëpunim me diasporën 2025-2030", e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Në fjalimin e tij, siç informojnë nga MPJ-ja, ministri do të vë theks në fushat kryesore të përfshira me Strategjinë kombëtare, e cila ka për qëllim t'i përforcojë lidhjet midis vendit amë dhe qytetarëve të Maqedonisë jashtë vendit përmes përmirsimitt të cilësisë së shërbimeve, përforcimin e korrnizës institucionale, promovimin e identitetit kulturor dhe arsimor të Maqedonisë dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe inkurajimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.
Shkup - Në klubin e deputetëve në Shkup sot do të mbahet Forumi nacional i Civika mobilitas dhe Panairi i organizatave qytetare me moton "Bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Shoqërisë civile". Ngjarja organizohet në partneritet me Qeverinë, ndërsa Forumin do ta hapë ambasadori i Zvicrës, Kristof Zomer. QMBN informon se folës kryesorë do të jenë kryeministri Hristijan Mickoski, Aleksandar Kërzhallovski - drejtor i QMBN-së dhe drejtues i ekipit të Civika mobilitas, si dhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev.
Shkup - Një delegacion i Kuvendit, sot dhe nesër do të marrë pjesë në Takimin e 24-t të rregullt të Komitetit të Përbashkët Parlamentar - Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Evropian, gjegjësisht Komitetit Parlamentar për Stabilizim dhe Asocim, i cili do të mbahet në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë. Në takim do të marrin pjesë Ivanka Vasilevska, shefe e delegacionit, Zhaklina Peshevska dhe Sonja Mirakovska, zëvendëskryetare, anëtaret Arbana Pasholli, Saranda Imeri-Stafai dhe Sllavjanka Petrovska, si dhe zëvendësanëtari Lupço Prenxhov.
Shkup – Këshilli Kombëtar për Ndërmjetësim në Republikën e Maqedonisë së Veriut sot organizon ngjarjen “E ardhmja e ndërmjetësimit në RMV: trendet dhe sfidat”. Në ngjarje fjalim hyrës do të kenë koordinatori kombëtar për ndërmjetësim, Lupço Sotirovski dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Alen Dereban. Gjithashtu, si folës do të marrin pjesë edhe Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor të RMV-së, Irina Trajkoska Strezoski, drejtoreshë në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, Xhemali Saiti, gjykatës në Gjykatën Supreme të RMV-së, prof. dr.Angel Ristov, profesor në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup dhe Milazim Mustafa, ndërmjetësues i licencuar.
Shkup – Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, si dhe mbështetje të fondacionit simotër nga Brukseli, Qendrën për Studime Evropiane, Uilfrid Martens, organizon konferencë rajonale me titull “Prioritetet strategjike të NATO-s, BE-së dhe Evropës Juglindore në rendin ndërkombëtar multipolar”. “Nisma në një vend do të mbledhë faktorë të lartë shtetërorë dhe ekspertë nga sfera e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare nga vendi, rajoni si dhe BE-ja, të cilët bashkërisht do të diskutojnë për sfidat aktuale të sigurisë të cilat i prekin NATO-n, Bashkimin Evropian dhe rajonin, duke i marrë parasysh sfidat e pasigurta dhe gjithnjë e më dinamike gjeopolitike”, thonë organizatorët.
Shkup - Propozimi i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatim të vlerës së shtuar në lexim të dytë sot do të jetë para anëtarëve të Komisionit të Kuvendit për financim dhe buxhet. Ndryshimi i propozuar ligjor është me qëllim që të fshihet lirimi nga tatimi i vlerës së shtuar për importin e dërgesave me vlerë të ulët, të dërguara nga jashtë për pranues në vend, vlera totale e të cilave për dërgesë nuk tejkalon shumën prej 22 eurove në kundërvlerë të denarit, ndërsa përcaktohet lirim nga pagesa e tatimit të vlerës së shtuar për mallrat e dërguara si dërgesa të vogla me vlerë jokomerciale, nga një person fizik tek një person fizik, vlera e të cilave nuk tejkalon 22 euro. Lirimi nuk vlen për alkoolin dhe pijet alkoolike, parfumet dhe ujin e tualetit dhe duhanin dhe produktet nga duhani.
Shkup - Nën organizimin e Shoqatës gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ) sot në Shkup do të mbahet aktiviteti përmbyllës i Projektit për rritje ekonomike të BE-së i cili është i organizuar në formën e një panairi me 49 ekspozues (ndërmarrje të vogla dhe të mesme). Organizatorët paralajmërojnë se fjalime zyrtare do të kenë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Delegacionit evropian, ambasadës gjermane dhe Shoqatës gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ).
Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
Shkup - Nën ndikimin e aktivitetit ciklonik prej sot deri të shtunën do të mbizotërojë mot kryesisht me vranësira dhe reshje të kohëpaskohëshme të shiut. Nga DPHM-ja paralajmërojnë se sot dhe nesër priten reshje më të dendura të shiut (mbi 25 l/m2 për 24 orë).
Bruksel - Plani më i ri për Ukrainën është temë e takimit të sotëm joformal onlajn të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve-anëtare të BE-së. Në paralajmërimin për takimin thuhet se pritet që ministrat të bisedojnë për "ngjarjet më të reja në kontekst të monentumit të ri pozitiv në përpjekjet për arritjen e paqes në Ukrainë, pas konsultimeve intensive të nivelit të lartë të G20, në Gjenevë dhe gjatë Samitit të paradokohshëm të BE-së dhe Unionit Afrikan".
Bruksel – Parlamenti Evropian sot paradite në Strasburg do ta mbajë debatin qendror të sesionit plenar të kësaj jave kushtuar qëndrimit të Bashkimit Evropian për planin e propozuar paqësor për Ukrainën dhe për angazhimin e tij për arritjen e paqes së drejtë dhe të përhershme. Sipas paralajmërimeve, deputetët evropianë me përfaqësues të Këshillit të BE-së dhe të Komisionit Evropian në kuadër të debatit do të shkëmbejnë mendime për planin e propozuar paqësor për Ukrainën. Nga ky debat do të dalë “Rezoluta për qëndrimin e BE-së në lidhje me planin e propozuar dhe angazhimin e BE-së për paqe të drejtë dhe të përhershme për Ukrainën”, për miratimin e të cilit deputetët evropianë do të deklarohen nesër.
Berlin – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute ka ftuar në kujdes në lidhje me pritshmëritë e propozimit të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke thënë se plani kërkon negociata thelbësore. Rute i tha grupit mediatik RND dhe gazetës spanjolle "El Pais" në deklaratat e publikuara mbrëmë se korniza e shqyrtuar bashkërisht nga SHBA dhe Ukraina, ofron elemente premtuese, por edhe çështje të pazgjidhura që do të kërkojnë raunde të mëtejshme diplomatike. Rute tha gjithashtu se Rusia ka pësuar humbje të mëdha në personel - rreth 20.000 ushtarë çdo muaj - ndërsa ka fituar pak territor. "Rreth një milion ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur rëndë që nga invazioni", tha ai, duke shtuar se Moska ka pushtuar vetëm rreth një për qind të territorit ukrainas këtë vit dhe ka përparuar vetëm disa metra në ditë.
Kiev - Andrij Jermak, kryetar i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodimir Zelenskit, deklaroi se ka biseduar me sekretarin e armatës së SHBA-së, Den Driskoll, dhe e pret në Kiev këtë javë. Driskoll është anëtar kyç i ekipit negociator amerikan për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë. "Ju faleminderit për objektivitetin dhe konstruktivitetin tuaj", shkroi Jermak në Telegram. 'Vazhdojmë të presim që sekretari i armatës së SHBA-së të vizitojë Kievin këtë javë dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me punën tonë sa më shpejt të jetë e mundur për të finalizuar hapat për t'i dhënë fund gjakderdhjes', shtoi Jermak.
Uashington – Presidenti amerikan, Donald Tramp, deklaroi se është optimist për planin paqësor për Ukrainën dhe më pas hoqi dorë nga afati i caktuar për Kievin për të pranuar propozimin. Trampi paralajmëroi avancim në negociata, duke theksuar se Moska kishte rënë dakord për lëshime dhe se e gjithë korniza ishte fleksibile, duke e përshkruar atë "vetëm si një hartë". Trampi u tha gazetarëve në aeroplanin presidencial "Air Fors One" gjatë rrugës për në Florida, ku do të festojë Ditën e falënderimeve, se negociatorët po arrijnë përparim në konsultimet me Rusinë dhe Ukrainën. Lidhur me afatin, Trampi tha se nuk kishte vendosur një afat të caktuar.
Londër - Trajneri i Barcelonës, Hans-Diter Flik e dha opinionin e tij pas humbjes së mbrëmshme nga Çellsi. Klubi katalonas humbi në Londër me rezultat të bindshëm 3:0 në ndeshjen e xhiros së 5-të të Ligës së kampionëve. "E filluam ndeshjen shumë mirë dhe patëm mundësi të shënojmë gol të parët. Qartë se Çellsi është ekip më të vërtetë i mirë. Nuk është lehtë të fitohet këtu, posaçërisht kur keni një lojtar më pak pothuaj 50 minuta. Provuam gjithçka. Jemi mbrojtur si një front i bashkuar, por në fund kemi bërë shumë gabime. Kjo është gjithçka që mund të them tani. Duhet të analizojmë gjithçka. Duhet të përmirësohemi. Tani është me rëndësi të kualifikohemi në raundin tjetër. Ky është qëllimi ynë. Do të shohim, por shkojmë ndeshje pas ndeshje. Ndeshja e ardhshme është kundër Frankfurtit. Jam optimist pasi tani kemi lojtarë që na kthehen. Kemi edhe tre ndeshje dhe mundësi për të fituar nëntë pikë", deklaroi Flik.