• петок, 26 јули 2024
MI FLESH

18:00 / 12 prill / 2024

Shkup - Kandidati për president nga Fronti Evropian, Bujar Osmani zotohet se do t’i përfundojë iniciativat e nisura në kuadër të Dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave.  “Këtë proces e kemi nisur dhe besoj se shumë shpejt do të arrijmë të bëhemi pjesë e Global Entry Program. Ajo që do të jetë më e komplikuar do të jetë Visa Ëeiver, ose heqja e tërësishme e vizave me SHBA. Kjo nënkupton miratimin e disa ligjeve të reja dhe të bie përqindja e vizave të refuzuara. Prandaj kam formuar një trup ndër-resorial në nivel të Qeverisë, të cilin e kam udhëhequr si ministër i Jashtëm, por mendoj si President ta ngre në nivel të presidencës dhe ta udhëheq nga roli i presidentit, që të mundem me autoritetin e Presidentit t’i miratojmë më shpejtë të gjitha masat që do të na bëjë të përgatitur që në SHBA të ecim pa viza”, u zotua Osmani.

Shkup - Kandidati për president nga Koalicioni "Vlen", Arben Taravari, në kuadër të fushatës parazgjedhore sot realizoi takime me qytetarë, si dhe disa vizita në bizneset e vogla të vendosura në Çarshinë e vjetër të Shkupit. "Ne si Koalicion “Vlen”, përkatësisht si opozitë shqiptare, i premtojmë popullit se këtu do të ketë një investim, sepse mendoj se Çarshia e Shkupit është lënë mënjanë, ndërsa meriton shumë më tepër", tha Taravari. 

Shkup - Ulja e çmimeve të tarifave të roamingut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe drejt Bashkimit Evropian janë përfitimet më të mëdha të procesit të Berlinit, si dhe rrjeti falas i internetit në hapësirat publike në rajonin e Ballkanit Perëndimor si iniciativë e Komisionit Evropian në kuadër të Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Shkup - Një nga rolet kryesore që shoh në funksionin e presidentit është se do të angazhohem që të jem busull i orientimit euroatlantik me fokus në SHBA-në, ndërsa dialogun strategjik do ta ngre në nivelin e presidentëve të shteteve në nivelin më të lartë të mundshëm, thotë kandidati për president nga Fronti Evropian, Bujar Osmani, i cili sot zhvilloi një diskutim të hapur me temën "Përforcimi i partneriteteve strategjike me SHBA dhe BE dhe etablimi adekuat ndërkombëtar përmes politikës së jashtme".

Shkup - Kryetarja e Gjykatës kushtetuese, Dobrilla Kacarska ka realizuar takim pune me Xhilian Stirk, shefe e Misionit për vëzhgim të zgjedhjeve për president të Republikës dhe për deputetë në Kuvendin pranë OSBE/ODIHR-së. "Kryetarja Kacarska e ka konfirmuar Stirk se Gjykata kushtetuse nuk ka kompetenca që drejtpërdrejt të vendos për procesin zgjedhor, por në pajtim me Kushtetutën, mund të vendos për kushtetueshmërinë e Kodit zgjedhor, respektivisht kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë e rregullit që rregullon çështje lidhur me zgjedhjet", thuhet në kumtesën e Gjykatës.

Shkup – Akademia për gjyqtarë dhe prokurorë publikë ka paraqitur padi në Gjykatën Administrative pas vendimit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit se Akademia e shkel ligjin gjatë periudhës zgjedhore me konkursin dhe testimin e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë. Nga Akademia theksoJNË se para dhe gjatë seancës publike të KSHPK-së, e cila u zhvillua më 10 prill, ka pasur shumë shkelje procedurale, për të cilat Akademia do të kërkojë mbrojtje gjyqësore dhe do t'i realizojë të drejtat e saj para Gjykatës Administrative.

Shkup - Numri i turistëve në shkurt është rritur për 7,9 për qind në krahasim me muajin e kaluar, ndërsa numri i bujtjeve për 7,7 për qind, tregojnë të dhënat e statistikës. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë në shkurt kishte 44.224 turistë nga të cilët 61 për qind kanë qenë turistë të huaj, ndërsa 39 për qind turistë vendas. Janë regjistruar gjithsej 89.362 bujtje prej të cilëve 55,3 për qind kanë qenë bujtje nga turistët e huaj, ndërsa 44,7 për qind turistë vendas.

Shkup - Shoqëritë financiare që punojnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga fillimi i këtij muaji kanë obligim që të krijojnë sistem për menaxhimin e rriskut kreditor për identifikimin, matjen, kontrollin dhe monitorimin e rriskut kreditor, i cili përfshin, ndër të tjera, procedurën për vlerësimin e aftësisë kreditore, si dhe procedurën për identifikimin dhe përditësimin e të dhënave të klientëve, njoftoi Ministria e Financave.

Tetovë - Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 30-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, sot në hapësirat e Muzeut historik në fshatin Poroj, Universiteti i Tetovës dhe Instituti Nacional Teatri i Tetovës, nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Qëllimi i këtij memorandumi është avancimi i bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Arteve dhe Institutit Nacional Teatri i Tetovës në angazhimin vullnetar dhe profesional të studentëve të Fakultetit të Arteve të programit studimor Arte Dramatike dhe Audiovizuale në Teatrin e Tetovës. Po ashtu në kuadër të këtij bashkëpunimi, përfshihet edhe shfrytëzimi i hapësirave skenike dhe hapësirave të tjera siç janë teknika, kostumet, skenografia etj., për nevoja të ndërsjella, si dhe krijimi i projekteve të përbashkëta dhe organizimi i praktikës së studentëve.

Prishtinë - Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci deklaroi se NATO duhet seriozisht t'i trajtoj lëvizjet e trupave ushtarake serbe rreth kufirit me Kosovën, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Pas takimit të sotëm të kabinetit të tij me shefen e operacioneve aktuale në Repartin e operacioneve të Shtabit të përgjithshëm të NATO-s, Ariela Viehe, Maqedonci porositi se dislokimi i ushtarëve serb është kërcënim për stabilitetin e rajonit.

Paris - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me takim me presidentin francez Emanuel Makron sot e ka filluar vizitën dyditore në Paris. Vizita e Ramës në Francë, siç paralajmëruan nga kabineti i tij, është me qëllim të promovimit të potencialit dhe klimës pozitve në Shqipëri për investitorët e huaj, si dhe bashkëpunimin bilateral në sferën e teknologjisë dhe inovacioneve. Është paraparë që Rama dhe Makron të nënshkruajnë disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandumin për mirëkuptim midis dy vendeve.

Gjenevë - Kriza në Sudan mund të përkeqësohet gjatë muajve të ardhshëm, pasi shpërndarja e ndihmës humanitare dhe pajisjes mjekësore ende është e kufizuar, kumtoi sot Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH). Lufta ka shpërthyer në Sudan në prill të vitit 2023 mes armatës sudaneze dhe forcave paramilitare për përkrahje të shpejtë (RSF), duke e shkatërruar infrastrukturën e vendit dhe duke shkaktuar uri dhe shpërngulje të milionë njerëzve brenda dhe jashtë vendit.

Oslo – Ministrja e Shëndetësisë së Norvegjisë, Ingvild Kjerkol (48), sot ka dhënë dorëheqje pas akuzave se përgatitja e saj e magjistraturës është plagjiaturë. Universiteti Nord vo Bodo, ku ajo dorëzoi diplomën e saj në vitin 2021, pas hetimit të kryer dje konfirmoi se diploma e saj e magjistraturës është plagjiaturë.

Kemi arritur në përfundimin se Ingvild duhet të japë dorëheqje si ministre, deklaroi kryeministri Jonas Gar Stur duke shtuar se hetimi ka vërtetuar se plagjiatura ishte "e qëllimshme".

Riga - Presidenti polak Andzhej Duda u bëri thirrje vendeve të tjera të NATO-s që të rrisin prodhimin e municionit për t'iu përgjigjur sulmeve të mundshme nga Rusia", njoftoi DPA. “E gjithë Europa duhet të bashkojë forcat me SHBA-në për të prodhuar më shumë (municion), veçanërisht predha artilerie. Është e nevojshme të garantojmë sigurinë tonë, tha Duda në një intervistë për televizionin lituanez.

Gazë - Karvani i parë i kamionëve me ndihmë humanitare për palestinezët arriti në Rripin e Gazës përmes vendkalimit verior, kumtoi sot armata izraelite. Vendkalimi i ri është ndërtuar në kuadër të hapave të orientuara drejt përmirësimit të situatës humanitare në Rripin e Gazës, publikoi "Tajms of Izrael".

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden sot ka njoftuar se borxhi i studentëve do të fshihet edhe për 277.000 amerikanë, me çka vlera e borxhit të studentëve që fshihet nga administrata aktuale do të arrijë 153 miliardë dollarë. Siç kumtuan nga Shtëpia e Bardhë, Bajdeni deri më tani ka fshirë borxhin e rreth 4.3 milion qytetarëve të SHBA-së.

Uashington - Ekonomia botërore në të ardhmen do të ballafaqohet me rritje anemike. Rritja globale e BPV deri vitin 2029 do të mbahet në disa decimale mbi tre për qind, që është për rreth një për qind më pak se mesatarja 20-vjeçare para pandemisë, paralajmëroi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Gjatë takimit pranveror të institucioneve financiare në SHBA, drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva theksoi se duhet më shumë të bëhet në fushën e produktivitetit.

Остани поврзан