Trampi: Pata një bisedë shumë të mirë me Si Xhinpingun
- Presidenti amerikan Donald Trampi deklaroi se sot ka pasur një "bisedë shumë të mirë" me homologun e tij kinez Si Xhinping, raportuan mediat britanike.
Uashington, 24 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Trampi deklaroi se sot ka pasur një "bisedë shumë të mirë" me homologun e tij kinez Si Xhinping, raportuan mediat britanike.
Pekini i pari e raportoi bisedën. Presidenti kinez u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve Ksinhua se të dy vendet duhet të ruajnë "momentin në marrëdhëniet e tyre" që nga takimi i tij me homologun e tij amerikan muajin e kaluar në Korenë e Jugut dhe theksoi se "bashkimi i Tajvanit me Kinën është një pjesë e rëndësishme e rendit ndërkombëtar të pasluftës".
Trampi, ndërkaq, tha se ka folur me Sinë për luftën në Ukrainë, tregtinë e fentanilit dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje për fermerët.
"Bëmë një marrëveshje të shkëlqyer dhe shumë të rëndësishme për fermerët tanë të mëdhenj - dhe ajo vetëm do të përmirësohet. Marrëdhënia jonë me Kinën është jashtëzakonisht e fortë!", ka shkruar presidenti amerikan në rrjetin e tij social Truth Social.
Trampi, gjithashtu, i cituar nga mediat amerikane, tha se e ka pranuar ftesën e Sisë për të vizituar Kinën në prill dhe se homologu i tij kinez do të jetë për një vizitë shtetërore në SHBA më vonë vitin e ardhshëm.
Foto: Arkivi i MIA-s