FBI-ja gjeti mbi një milion dokumente të reja për Epshtajn
- Ministria e Drejtësisë së SHBA-së njoftoi se janë zbuluar më shumë se një milion dokumente shtesë të lidhura me rastin e grabitqarit seksual të ndjerë, Xhefri Epshtajn.
Uashington, 25 dhjetor 2025 (MIA) - Ministria e Drejtësisë së SHBA-së njoftoi se janë zbuluar më shumë se një milion dokumente shtesë të lidhura me rastin e grabitqarit seksual të ndjerë, Xhefri Epshtajn.
Ministria njoftoi se do të duhen disa javë që dokumentet e reja të përpunohen dhe më pas të publikohen.
Ministria e Drejtësisë njoftoi se ka marrë dokumentet nga Zyra e prokurorit të Qarkut Jugor të Nju Jorkut dhe nga FBI-ja për t’i shqyrtuar para se të publikohen, në përputhje me Ligjin për transparencën e dokumenteve të Epshtajnit, statutet ekzistuese dhe urdhërat gjyqësorë.
Zyra e prokurorit të Qarkut Jugor të Nju Jorkut ka kryer hetime dhe ka ngritur aktakuzë kundër Epshtajn në vitin 2019, ndërsa në vitin 2021 përfundoi me sukses procesin kundër bashkëpunëtores dhe partneres së tij, Gilejn Maksvel, e cila u dënua për trafikim të njerëzve për qëllime të shfrytëzimit seksual.
Ministria e Drejtësisë para dy ditësh publikoi deri tani paketën më të madhe të dokumenteve për Epshtajn, me peshë 10 gigabajt me 11.000 datoteka, përfshirë 400 video, audio dhe materiale hetimore.
Dosjet pritet të zbulojnë me cilët njerëz të fuqishëm Epshtajn shoqërohej para se të dënohej në vitin 2008 për nxitje të një të miture në prostitucion. Si dhe detaje rreth vetëvrasjes së tij në vitin 2019 në burgun në Manhatan, pasi u arrestua për krime seksuale.
Epshtajn në vitin 2008 arriti një marrëveshje me prokurorët pasi prindërit e një vajze 14-vjeçare raportuan në polici në Florida se ai kishte keqtrajtuar vajzën e tyre në vilën e tij në Palm Biç. Më pas ai u dënua për nxitje të një të mituri, u regjistrua si kryerës i një krimi seksual dhe, falë marrëveshjes për pranimin e fajit, shmangu një dënim më të rreptë me burg.
Njëmbëdhjetë vjet më vonë, ai u akuzua për drejtimin e një rrjeti vajzash të mitura për ofrimin e shërbimeve seksuale. Ai vdiq në burg duke pritur gjykimin, dhe vdekja e tij u shpall vetëvrasje. qa/
Foto: EPA