Rasmusen: Danimarka është gati të bëjë më shumë, ndërsa SHBA-ja tashmë ka qasje të gjerë ushtarake në Grenlandë
- Danimarka është "e gatshme të bëjë më shumë", kurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë qasje të gjerë ushtarake në Grenlandë dhe mund të kërkojnë një rritje të pranisë së tyre ushtarake, me ç'rast çdo kërkesë e tillë do të shqyrtohet në mënyrë konstruktive, deklaroi sot ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Loke Rasmusen.
Uashington, 14 janar 2026 (MIA) - Danimarka është "e gatshme të bëjë më shumë", kurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë qasje të gjerë ushtarake në Grenlandë dhe mund të kërkojnë një rritje të pranisë së tyre ushtarake, me ç'rast çdo kërkesë e tillë do të shqyrtohet në mënyrë konstruktive, deklaroi sot ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Loke Rasmusen.
Në konferencën për shtyp të mbajtur në prani të Ministres së Punëve të Jashtme të Grenlandës, Vivian Mocfeldt, në Ambasadën daneze në Uashington, Rasmusen tha se takimi i sotëm me nënpresidentin e SHBA-së Xhej Di Vens dhe Sekretarin shtetëror amerikan, Marko Rubio pasoi pas një sërë deklaratash publike mbresëlënëse për Grenlandën, transmeton Bi-Bi-Si.
Siç theksoi Rasmusen, Grenlanda mbulohet nga Neni 5 i NATO-s, i cili përcakton mbrojtjen kolektive kur sulmohet ndonjë anëtar i Aleancës. Ai shtoi se qëllimi i takimit ishte të gjendej një mënyrë e përbashkët për të forcuar sigurinë në Arktik.
Rasmusen e përshkroi bisedën me zyrtarët e lartë amerikanë si "të sinqertë, por konstruktive". Ai tha se ata diskutuan "si të sigurohet siguria afatgjatë e Grenlandës", transmetoi Gaardian.
Rasmusen tha gjithashtu se qëndrimet “vazhdojnë të ndryshojnë”, se Presidenti i SHBA-së Donald Tramp “e ka bërë të qartë qëndrimin e tij” dhe se Danimarka dhe Grenlanda “kanë një qëndrim të ndryshëm”.
Sipas tij, Danimarka “vazhdon të besojë se siguria afatgjatë e Grenlandës mund të sigurohet brenda kuadrit aktual”. Ai shtoi se Danimarka dhe Grenlanda e konsiderojnë “çdo ide që nuk do të respektonte integritetin territorial të Danimarkës dhe të drejtën e popullit të Grenlandës për vetëvendosje” plotësisht të papranueshme.
“Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të kemi mosmarrëveshje themelore, por gjithashtu biem dakord se nuk po dakordohemi", tha Rasmusen.
Ai theksoi gjithashtu se do të formohet një grup pune i nivelit të lartë për të shqyrtuar nëse ato dy qëndrime mund të harmonizohen. Ministri danez tha se ai grup do të përqendrohet në problemet e sigurisë të SHBA-së në lidhje me Arktikun, duke respektuar "vijat e kuqe" të Danimarkës dhe se për herë të parë do të takohet "për disa javë". ls/
Foto: EPA