Danimarka e rrit praninë ushtarake në Grenlandë
- Danimarka po rrit praninë e saj ushtarake në dhe përreth Groenlandës dhe vendimi hyn në fuqi menjëherë, thuhet në kumtesën e përbashkët nga Ministria daneze e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Hulumtit e Grenlandës.
Kopenhagen, 14 janar 2026 (MIA) – Danimarka po rrit praninë e saj ushtarake në dhe përreth Groenlandës dhe vendimi hyn në fuqi menjëherë, thuhet në kumtesën e përbashkët nga Ministria daneze e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Hulumtit e Grenlandës.
Ky veprim lidhet me ushtrime ushtarake që përfshijnë aeroplanë, anije dhe ushtarë, kurse do të kryhet në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kërcënuar se do të marrin kontrollin e ishullit Arktik, duke mos përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës, transmetoi DPA.
Qëllimi është të stërvitet vendosja nën kushtet e veçanta të Arktikut dhe të forcohet prania e NATO-s, thuhet në kumtesën. Grenlanda është një territor gjysmë-autonom i Mbretërisë së Danimarkës.
Aktivitetet e ushtrimeve mund të përfshijnë mbështetje për autoritetet e Groenlandës, siç është policia, monitorimin e infrastrukturës kritike, vendosjen e aeroplanëve luftarakë në dhe përreth Grenlandës, kryerjen e detyrave detare, si dhe pritjen e trupave aleate, shtohet në kumtesën.
Arsyeja është se "tensionet e sigurisë janë përhapur deri në Arktik", kumtuan ministritë.
Njoftimi erdhi pak para takimit të ministrit danez të Punëve të Jashtme, Lars Loke Rasmusen dhe minstres së Punëve të Jashtme të Grenlandës Vivian Mocfeld me sekretarin shtetëror amerikan Marko Rubio dhe nënpresidentin e SHBA-së, Xhej Di Vens në Uashington.
Qeveritë e Danimarkës dhe Grenlandës e kanë bërë të qartë se shitja ose aneksimi i territorit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i papranueshëm.
Kryeministrja daneze Mete Frederiksen paralajmëroi se nëse qeveria amerikane i zbaton kërcënimet e saj, kjo do të thotë fund i NATO-s. ls/
Foto: DPA