
09:00/28 mars/2025
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, në studion e hapur humanitare të Televizionit Kanal 5 për donacion për viktimat në Koçan, theksoi rëndësinë e përgjegjësisë dhe masave parandaluese për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen. “Është një tragjedi e rëndë dhe çfarëdo që të thuhet është e paktë. Kjo na ka bashkuar të gjithëve, jo vetëm në vend si bashkësi dhe komunitete, por edhe në tërë rajonin. Askush nuk mund ta besonte se brenda pak çastesh do të shuheshin jetët e të rinjve nga 14 deri në 24 vjet. Duhet të mësojmë nga kjo ngjarje, të ndërmerren masa dhe të ketë përgjegjësi,” theksoi Mexhiti.
Shku - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani dhe ambasadori dhe Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Mihalis Rokas, sot do të prezantojnë masat nga Plani për rritje për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendën reformuese 2024-2027 për Maqedoninë e Veriut. Në prezantimin në media qendrën e Qeverisë do të prezantohen aktivitetet konkrete të Agjendës reformuese si dhe Plani i komunikimit dhe dukshmërisë së Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjenda reformuese 2024 - 2027 e Maqedonisë së Veriut.
Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, gjatë intervistës për TV Kanal 5, foli për gjendjen shëndetësore të pacientëve të prekur nga tragjedia në Koçan. Ai theksoi se, edhe pas më shumë se një jave nga ngjarja, asnjë i lënduar nuk ka humbur jetën si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. “Sipas të dhënave zyrtare, në total kemi pasur 190 pacientë të prekur nga tragjedia. Një pjesë e tyre tashmë janë liruar për mjekim shtëpiak, ndërsa 15 pacientë vijojnë trajtimin në spitalet tona. Po ashtu, 99 të tjerë janë transferuar për trajtim në shtete mike. Po punojmë intensivisht për rikuperimin e tyre dhe shpresojmë që numri i të hospitalizuarve të bjerë në ditët në vijim. Më e rëndësishmja është që deri më tani nuk kemi asnjë humbje jete,” deklaroi Taravari.
Shkup - Në Kazermën "Ilinden" në Shkup sot do të shënohet 5-vjetori i inkuadrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s. Me atë rast, fjalim do të mbajnë presidentja dhe komandantja supreme e Armatës, Gordana Siljanovska Davkova, ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-majori Sashko Llafçiski dhe komandanti i komandës së bashkuar të forcave aleate në Napoli, admirali Stjuart Manç.
Shkup - Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit (KSHPK) sot do ta mbajë mbledhjen e 16-të në të cilën në rend dite janë raportet vjetore për punën e Komisionit për vitin 2024, si dhe për zbatimin e Strategjisë nacionale për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesave 2021-2025 për periudhën e njejtë. Në mbledhje është paraparë anëtarët të veprojnë edhe rreth lëndëve konkrete.
Shkup - Lidhja e Sindikatës së Maqedonisë sot duhet të prononcohet për hapat e radhës që do t'i ndërmerr në lidhje me pagën minimale pasi të martën Qeveria e miratoi informacionin se paga minimale do të rritet për 1.800 denarë në neto në përputhje me kriteret e përcaktuara me ligj. Pritet që seancë ta mbajë Kryesia e sindikatës në të cilën do të bisedohet për hapat e mëtejshme.
Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informon se mëngjesin e sotëm nga ora 5:00 deri në ora 7:00 në rrugën magjistrale VK Bllacë – Shkup, rreth katër kilometra nga rrethrrotullimi i dytë në drejtim të Shkupit do të tërhiqet një kamion i cili më herët kishte dalë nga rruga. MPB do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të qarkullimit, gjatë të cilit qarkullimi do të rikahëzohet vetëm për automjete të pasagjerëve.
Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe jostabil me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Proceset do të jenë më intensive posaçërisht në pjesët lindore, ku do të jenë në formë të motit të lig me reshje më të rrëmbyeshme të shiut, paraqitje të bubullimave dhe erë të përforcuar. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 5 deri 10, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 12 deri 19 gradë. Në Shkup, moti do të jetë i ndryshueshëm me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Në disa pjesë të fushëgropës moti do të jetë jostabil me reshje të rrëmbyeshme të shiut, bubullima dhe erë të përforcuar. temperatura minimale do të zbresë deri 9, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 18 gradë.
Moskë - Presidenti rus Vlladimir Putin deklaroi mbrëmë se do të forcojë praninë ushtarake të Rusisë në Arktik, duke paralajmëruar se presidenti amerikan Donald Tramp është “serioz” në qëllimin e tij për të marrë nën kontroll Grenlandën. Putini tha se presioni i Trampit për kontrollin e Grenlandës nuk është befasues duke pasur parasysh interesin afatgjatë të SHBA-së në territorin e pasur me minerale. Duke folur në një forum politik në portin Murmansk Artik, Putini ka thënë se SHBA fillimisht ka shqyrtuar planet për të marrë kontrollin e Grenlandës në shekullin e 19-të dhe më pas kanë ofruar ta blejnë atë nga Danimarka pas Luftës së Dytë Botërore.
Paris - Prokuroria franceze dje kërkoi dënim me shtatë vite burg dhe gjobë prej 300.000 euro për ish presidentin Nikollas Sarkozi i cili përballet me akuzën për financim të paligjshëm të fushatës nga regjimi i sundimtarit tashmë të ndjerë libian, Moamer Gadafi. Sarkozi përballet me gjyq që nga janari nën akuzën për fshehje dhe shpërdorim të fondeve publike, korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe komplot kriminal. Prokurori Sebastien de La Tuan i përshkroi akuzat kundër Sarkozit dhe 12 të akuzarve të tjerë si "korrupsion me intensitet të lartë".
Uashington - Nënpresidenti amerikan Xhej Di Vens dhe bashkëshortja e tij Usha sot udhëtojnë për në Grenlandë, veprim që ka ngjallur tensione diplomatike, njofton DPA. Vizita vjen në kohën kur presidenti amerikan Donald Tramp vazhdon të shprehë interesin për vendosjen e ishullit të Arktikut nën kontrollin e SHBA-së, një veprim që solli rezistencë të fortë nga liderët në Grenlandë. Vens dhe Usha do të vizitojnë bazën hapësinore amerikane Pitufik, në bregun veriperëndimor të Grenlandës e cila ofron paralajmërim raketash, mbrojtje raketore dhe mbikëqyrje hapësinore. Ata do të takohen gjithashtu edhe me personelin ushtarak amerikan të vendosur në ishull.