
15:00 / 27 mars / 2025
Shkup - Që nga momenti i mëvetësisë, si shoqëri, jemi përcaktuar bashkërisht për integrimet euroatlantike dhe evropiane, të cilat për ne paraqesin jo vetëm qëllim strategjik, por edhe burim të kohezionit të brendshëm dhe energjisë motivuese. Në rrugën drejt NATO-s, u përballëm me shumë sfida, por kjo nuk ishte pengesë për përmbushjen e qëllimeve tona, të cilat u mbështetën gjerësisht nga qytetarët në vend dhe nga establishmenti politik, ndërsa anëtarësimi ynë në Aleancë solli optimizëm dhe reflektoi pozitivisht në rajon, deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. "Anëtarësimi ynë në NATO ka sjellë optimizëm dhe ka implikime pozitive në rajonin. Në bashkëpunim me fqinjët tanë, ne kemi kontribuar bashkërisht në krijimin e një dinamike të re politike të bazuar në ndërveprimin e mirë fqinjësor, që ka për qëllim ta shndërrojë rajonin në sinonim të stabilitetit, zhvillimit dhe prosperitetit ekonomik. Kjo është diçka me të cilën jemi krenarë dhe përpiqemi të vazhdojmë. Sot kemi mundësinë si vend anëtar i NATO-s të kontribuojmë në ndërtimin e stabilitetit politik dhe të sigurisë, jo vetëm për ne, por edhe për rajonin dhe Evropën, të cilit natyrisht i përkasim. Së bashku me ju aleatët, bashkërish e ndërtojmë të ardhmen tonë dhe së bashku po merremi me sfidat e sigurisë me të cilat përballet kontinenti evropian, e të cilat gjithashtu kanë implikime globale", tha Mucunski.
Shkup - Gjykata Themelore në Koçan ka vepruar sipas 22 ankesave nga të dyshuarit për zjarrin në Koçan, prej të cilave janë refuzuar 19 dhe për këta persona mbetet masa e "paraburgimit" ndërsa për ish kryetarët e komunës, Ratko Dimitrievski dhe Nikolço Ilijev dhe ish drejtoreshës e Inspektoratit shtetëror të Tregut masa "paraburgim" është zëvendësuar me "arrest shtëpiak". "Pas 24 vendimeve të miratuara për caktimin e masës së paraburgimit, u parashtruan 22 dhe dy ankesa nga të dyshuarit. Sipas ankesave, veproi Këshilli me nga tre gjyqtarë (në bazë të nenit 25 paragrafi 5 i LPP) të Gjykatës Themelore Koçani dhe ka vendosur që ankesat për 19 të dyshuar të refuzohen dhe masa e paraburgimit të mbetet në fuqi, ndërsa për tre të dyshuarit, masa e paraburgimit është zëvendësuar me arrest shtëpiak dhe në përputhje me nenin 144 neni 146 paragrafi 1 pika. 3 nga LPP-së, u përcaktua edhe masa e kujdesit - sekuestrimin e përkohshëm të dokumentit për udhëtim ose të ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, përkatësisht ndalimin e dhënies së tij", sqarojnë sot nga Gjykata Themelore në Koçan.
Shkup - Në një pjesë më të madhe të shkollave në vend ekziston pajisje zjarrfikëse, por disa do të duhet të rinovohen dhe rergullohen, për çka po punohet në mënyrë aktive, porositi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Saktësoi se pajisje për shuarjen e zjarrit ka në të gjitha shkollat, por në disa shkolla, kryesisht në ambientet e brendshme, ndodh që aparatet zjarrfikëse të mos jenë kontrolluar gjatë vitit, edhe pse ka detyrim që ato të kontrollohen një herë në vit. "Ato do të kontrollohen, ndërsa duhet të kontrollohen dhe zorrët e hidrantit, për të parë nëse janë në vendin e duhur dhe a janë në gjendje të mirë. Kjo është tani në vijim, ndërsa në këtë rol të madh kanë dhe komunat, sepse me procesin e decentralizimit, pushtetet lokale janë përgjegjëse për shkollat", tha Janevska në pyetjet e gazetarëve për gjendjen me hidrantët dhe aparatet zjarrfikëse në shkollat fillore dhe të mesme në vend, gjatë vizitës në shkollën fillore "Partenija Zografski" në Kisella Vodë, së bashku me kryetarin e komunës, Orce Gjorgjievskin.
Shkup - MPB-ja informon se pas video incizimit, i cili u shpërnda në mediat sociale, e në të cilin shihet se si një person mashkull sillet në mënyrë të dhunshme ndaj një personi femër, SPB Strumicë i ka ndërmarrë të gjitha veprimet zyrtare që janë në kompetencë të policisë, të ndërlidhura me rastin konkret, dhe dhunuesi është privuar nga liria. Bëhet fjalë për AA. (35) nga Radovishi. Ngjarja në SPB Strumicë është paraqitur më 23 mars 2025 në orën 08.25 nga ana e nënës së viktimës. Menjëherë pas paraqitjes së pranuar, janë ndërmarrë masa dhe aktivitete adekuate nga ana e nëpunësve policorë të SPB Strumicë-NJPB Radovish.
Shkup - Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot mbajti një takim pune me drejtoreshën e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin, Ivana Ginovska, dhe drejtorin e Drejtorisë për Mjedisin, Igor Nikoski, në të cilin u shqyrtua plani akcional për kontrolle të përforcuara të inspektorëve, me qëllim zbatimin efikas të ligjeve për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Siç kumtoi MMJPH, ministri Mexhiti theksoi se kontrollimet inspektuese duhet të kryhen me një dinamikë të shtuar, për të parandaluar aktivitetet ndotëse dhe për të siguruar zbatimin e qëndrueshëm të rregulloreve.
Shkup – Fëmijët mësojnë në shkolla të sigurta. Opinioni dhe prindërit duhet të jenë të sigurt, nuk ka vend për panik dhe frikë. Paniku dhe frika e tyre ishin të arsyeshme, por fëmijët janë në duar të sigurta dhe garant për gjithë këtë jemi ne, tha sot kryetari i Bashkësisë së njësive të vetëqeverisjes lokale (BNJVL) dhe kryetar i Komunës së Kisella Vodës, Orce Georgievski. Në periudhën e ardhshme, theksoi Georgievski, do të angazhohem që kontrollet e rregullta të bëhen të detyrueshme së paku një herë në vit, në përputhje me ligjin dhe të mos i lëmë vullnetit të mirë të kryetarit apo shërbimeve.
Shkup - Për të përmbushur kushtet minimale që secila komunë të mund të veprojë siç duhet, është e nevojshme që të punësohen edhe rreth 40 inspektorë të tjerë nëpër komuna, deklaroi sot kryetari i BNJVL-së dhe kryetari i komunës së Kisella Vodës, Orce Georgievski. Kontrollet, theksoi Georgievski, duhet të bëhen kudo dhe këtu të gjitha komunat do të ndihmojnë njëra-tjetrën dhe në periudhën e ardhshme, siç tha, do të bëjnë të gjitha përpjekjet që në secilën komunë të punësohet një inspektor përkatës. Kjo situatë nuk është e re, tha Georgievski, duke theksuar se komunat edhe më herët kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën sa i përket shërbimeve inspektuese.
Shkup - Katër pacientë, të cilët dje u kthyen nga Spanja, janë dërguar në shtëpi në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore, ndërsa një pacient nga Athina është mbajtur me qëllim që të konfirmohet në tërësi gjendja e tij shëndetësore, informuan sot nga Ministria e Shëndetësisë në konferencën e sotme për shtyp. "Dy pacientët, të cilët janë pranuar në ditën e parë dhe të dytë, ishin stabilë, por ende nuk kemi qenë plotësisht të kënaqur me analizat që kemi bërë. Dje u pranuan katër pacientë të kthyer nga Spanja, menjëherë janë kontrolluar, të gjithë morën trajtimin e duhur. Sot gjatë vizitës i pamë përsëri analizat toksikologjike dhe laboratorike, përsëri të gjitha të rezultatet janë brenda vlerave referente, pacientët kanë parametra të qëndrueshme klinikë dhe sot edhe ata katër edhe ata dy që i kemi pranuar fillimisht, i kemi dërguar në shtëpi në gjendje të shkëlqyer shëndetësore", informoi doktor Çabishev.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot në fjalën e tij me rastin e pesëvjetorit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, në takimin e punës me ambasadorët e vendeve anëtare dhe partnerët e Aleancës edhe një herë shprehu mirënjohjen e tij të madhe për ndihmën e ofruar, për kujdesin ndaj pacientëve të rinj që pësuan në fatkeqësinë në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj, ndërsa mbi njëqind u lënduan.
Shkup - Ditëve në vijim do të përqendrohet moti i ndryshueshëm dhe jostabil me paraqitje të shpeshtë të reshjeve të kohëpaskohshme të shiut. Vende-vende proceset do të jenë më intensive në formë të motit të lig me reshje të rrëmbyeshme të shiut, për kohë të hkurtë mbi 20 litra në metër katror, me dukuri të bubullimave dhe erë të fuqishme, mbi 70 km në orë.
Tetovë - Partitë që e përbëjnë koalicionin “Vlen” janë të mendimit dominues se duhet së bashku të paraqiten në zgjedhjet lokale të tetorit, paralajmëroi sot nga Tetova, Bilal Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa, një nga partnerët e koalicionit. Kasami tha se Arben Taravari theksoi mendim të ndryshëm për listat e këshilltarëve. "Për sa i përket listave të këshilltarëve, ai vlerëson se nëse secila parti do të shkonte veçmas, një pjesë e koalicionit do të mblidhte më shumë vota për ta fituar atë legjitimitet edhe në zgjedhjet lokale. Por nga të gjitha subjektet e tjera brenda koalicionit dominon ideja se vlera e secilit subjekt individual është më e madhe si pjesë e koalicionit sesa nëse do të ishte jashtë koalicionit, kështu që i mbetet Aleancës së Shqiptarëve të vendosë nëse do të jetë pjesë e koalicionit në zgjedhjet lokale apo do të shkojë ndaras, tha Kasami sot në Tetovë në brifing me përfaqësues të mediave.
Tetovë - Në Gjykatën themelore në Tetovë për herë të dytë u anulua fillimi i gjykimit të përsëritur të Mensur Pajazitit, i akuzuar për fatkeqësinë e komunikacionit, ku jetën e humbi 22-vjeçarja Teodora Ristovska. Si dhe në anulimin e parë më 27 mars, gjyqtari Elvedin Ferati tha se i akuzuari ka paraqitur një parashtresë në gjykatë, ku thotë se për shkaqe shëndetësore nuk do të marrë pjesë në seancë. Më pas gjyqtari ka marrë vendim me të cilin seanca kryesore është shtyrë për datën 7 prill të vitit 2025 në ora 12:30. "Nga ana e jonë do të verifikohet nëse është vërtet në spital, nëse ka vërtet nevojë për trajtim. Dhe nëse në këtë periudhë të anulimit ai paraqitet në punë, pasi është arsimtar në gjimnaz në Tetovë. Pasi që, nëse është në pushim mjekësor, si shkon në punë, për çka do të tentojmë që deri në seancën e ardhshme të marrim përgjigje nga institucionet kompetente", tha avokatja Natasha Gjorçevska, avokate mbrojtëse e familjes së Teodorës.
Koçan - Kryetari i deritanishëm i Koçanit, Ljupço Papazov, i cili pas tragjedisë në diskotekën "Puls" dha dorëheqje të parevokueshme, nuk arriti për afërsisht shtatë muaj ta përfundojë mandatin katërvjeçar që e mori nga qytetarët në Zgjedhjet lokale në vitin 2021. Sipas nenit 54 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, pas ndërprerjes së mandatit të kryetarit të komunës, anëtari i Këshillit të Komunës së Koçanit që e zëvendëson, në këtë rast koordinuesi i grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, Mirçe Stojkov, është i obliguar për situatën e krijuar ta njpoftojë Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, e cila ndërkaq, më tutje, në afat prej 15 ditëve, e njofton Qeverinë.
Paris - Presidenti i Francës, Emanuel Makron ka biseduar me presidentin amerikan, Donald Tramp para takimit të sotëm në Paris për Ukrainën, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të rreth 30 vendeve si dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, njofton presidenca franceze. Makron dhe kryeministri Kir Starmer janë nikoqir të takimit të sotëm në të cilën do të bisedohet për forcimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, si dhe për garancitë e sigurisë për vendin që do të jepnin aleatët perëndimor në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
Paris - Në Paris sot filloi takimi i liderëve shtetërorë, kushtuar përkrahjes së Ukrainës dhe arritjes së paqes së drejtë dhe të përhershme, u publikua në ueb faqen zyrtare të presidentit ukrainas, Vollodimir Zelenski. Në takimin marrin pjesë presidentët e Ukrainës, Francës, Lituanisë, Finlandës dhe Qipros, ushtruesi i detyrës president i Rumanisë, kancelari i Gjermanisë, si dhe kryeministrat e Britanisë së Madhe, Belgjikës, Bullgarisë, Danimarkës, Spanjës, Kroacisë, Estonisë, Greqisë, Irlandës, Islandës, Italisë, Letonisë, Luksemburgut, Holandës, Portugalisë, Norvegjisë, Norvegjisë, Suedisë, njoftoi Ukrinform.
Paris - Kryeministri britanik Kir Starmer këtë mëngjes në Paris është takuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, pak para nisjes së takimit të “Koalicionit të të përgatiturve”. Në komunikatën e Kabinetit të kryeministrit britanik thuhet se Starmer dhe Rute kanë biseduar për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, të pajtimit që Evropa duhet të bëjë gjithçka për ta mbajtur Ukrainën të fortë dhe për të mbajtur presionin ndaj presidentit rus Vlladimir Putin.
Banja Llukë - Për shkak të reshjeve të shumta ditëve të fundit në Bosnje e Hercegovinë, është rritur niveli i lumenjve dhe është shpallur fatkeqësi elementare, për shkak të rrezikut nga përmbytjet në rajone të caktuara. Lumi Bosna ka dalë nga shtrati në Zenicë, Maglaj, Visoko dhe Ilijash, ndërsa niveli më i lartë i ujit prej 412 centimetrave ka qenë në Kakanj, ku është shpallur fatkeqësi elementare. Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Sarajevë, ku në disa lagje ka rrëshqitje të dheut.
Bruksel - Komisioni Evropian ka përgatitur Strategji për gatishmëri që synon të mbështesë shtetet anëtare dhe të forcojë aftësinë e Evropës për të parandaluar dhe për t'iu përgjigjur kërcënimeve të reja, në mënyrë që të përmirësohen mundësitë e bllokut "për t'u përballur me kriza dhe sfida gjithnjë e më komplekse që nuk mund të injorohen". Nga rritja e tensioneve dhe konflikteve gjeopolitike, kërcënimet hibride dhe atyre të sigurisë kibernetike, manipulimi dhe dezinformimi nga jashtë, tek ndryshimet klimatike dhe katastrofat natyrore në rritje, BE-ja duhet të jetë e përgatitur për të mbrojtur qytetarët e saj dhe funksionet kryesore shoqërore të cilat janë thelbësore për demokracinë dhe jetën e përditshme", bën të ditur Komisioni Evropian.
Ankara - Turqia sot e hodhi poshtë "dënimin" ndërkombëtar për arrestimin e prefektit të Stambollit, Ekrem Imamogllu dhe protestat që pasuan, ndërsaautoritetet kumtuan se kanë arrestuar pothuajse 1.900 njerëz për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata. Imamogllu, rivali kryessor politik i presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili pati epërsi në disa anketa, u arrestua të dielën dhe u ndalua në pritje të gjykimit për shkak të akuzave për korrupsion. Arrestimi i tij i shkaktoi, siç kumtuan mediumet, protestat më të mëdha antiqeveritare në dekadën e fundit.
Kajro - Të paktën gjashtë persona dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa nëntë janë të lënduar në një aksident me një nëndetëse turistike që u fundos mëngjesin e sotëm në Detin e Kuq pranë resortit egjiptian Hurgada, njoftoi Bi-Bi-Si, duke cituar burime lokale. Mes të lënduarve, katër persona janë në gjendje kritike, ndërsa 29 udhëtare janë shpëtuar dhe janë transportuar në spitalet e afërta. Siç konfirmohet nga Ambasada Ruse në Kajro, të gjithë turistët në nëndetëse ishin rusë. Hurgada është një destinacion popullor turistik i njohur për plazhet dhe shkëmbinjtë koralorë.
Kiev - Forcat ruse i përforcojnë sulmet përgjatë kufirit verilindor të Ukrainës, në tentim për të hyrë në rajonin ukrainas Sumi, deklaroi sot komandnati suprem i forcave të armatosura të Ukrainës, Oleksandër Sirski. Ai në profilin e tij në Fejsbuk publikoi se i ka vizituar ushtarët ukrainas në rajonin Sumi, publikoi Ukrinform. Sipas Sirskit, ushtarët ukrainas po zbatojnë operacione mbrojtëse dhe ofensive në tentim për ta mbajtur tampon zonën në territorin e rajonit Kursk.
Moskë - Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, në konferencën e sotme të rregullt për shtyp deklaroi se Britania e Madhe dhe Franca po planifikojnë "ndërhyrje ushtarake në Ukrainë" nën pretekstin për mision paqeruajtës. "Dua menjëherë të tërheq vëmendjen për faktin se Rusia është kategorikisht kundër një skenari të tillë, që mund të çojë në përplasje të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s", tha ajo, duke komentuar iniciativën e disa vendeve evropiane për të dërguar personel ushtarak në Ukrainë, si paqeruajtës të "Koalicionit të të përgatiturve".