Fondacioni Humanitar Kontrovers për Gazën - GHF i ndërpret operacionet në enklavë
- Fondacioni Humanitar Kontrovers për Gazën (GHF), i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, më në fund po i jep fund misionit të tij në Rripin e Gazës, gjashtë javë pas fillimit të armëpushimit, raportoi DPA.
Tel Aviv, 24 nëntor 2025 (MIA) - Fondacioni Humanitar Kontrovers për Gazën (GHF), i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, më në fund po i jep fund misionit të tij në Rripin e Gazës, gjashtë javë pas fillimit të armëpushimit, raportoi DPA.
Pas shpërndarjes së më shumë se 187 milionë racioneve për banorët e brezit bregdetar, fondacioni po ndërpret punën e tij, njoftoi sot.
"Patëm sukses në misionin tonë për të treguar se ekziston një mënyrë më e mirë për të ofruar ndihmë për popullin e Gazës", deklaroi drejtori ekzekutiv i GHF-së, Xhon Akri.
Sipas komunikatës, fondacioni tashmë disa javë është në bisedime me organizatat ndërkombëtare dhe Qendrën e Koordinimit Civilo-Ushtarak (CMCC) të udhëhequr nga SHBA-ja në Izraelin jugor, e cila është përgjegjëse për monitorimin e armëpushimit midis Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas.
GHF filloi misionin e saj në enklavën bregdetare të bllokuar në maj pas një bllokade pothuajse tremujore izraelite të shpërndarjes së ndihmave, kujtoi agjencia gjermane.
Në atë kohë, Izraeli akuzoi Hamasin për vjedhjen e ndihmës humanitare. GHF ishte dedikuar si një mjet për të anashkaluar këtë, si dhe një alternativë ndaj grupeve të tjera të ndihmës ndaj të cilave Izraeli është kritik.
GHF në deklaratën e saj thekson se asnjë kamion për ndihmë që i përkiste fondacionit nuk u plaçkit gjatë operacionit katër muaj e gjysmë.
Megjithatë, shtojnë nga atje, se kishte raportime të vazhdueshme për incidente fatale pranë pikave të shpërndarjes të drejtuara nga fondacioni, raportoi DPA.
Foto: DPA