Qeveria: Numri i të vdekurve në zjarrin në Koçan është 59, të gjitha pretendimet e tjera për të vdekur janë të pasakta
- - Qeveria përmes një kumtese bën thirrje që të mos plasohen dezinformata për numrin e të vdekurve në zjarrin në Koçan.

Shkup, 18 mars 2025 (MIA) - Qeveria përmes një kumtese bën thirrje që të mos plasohen dezinformata për numrin e të vdekurve në zjarrin në Koçan.
"Këto janë momente pikëllimi dhe solidariteti, kur të gjithë duhet të tregojmë përgjegjësi dhe respekt për viktimat. Në opinion po qarkullojnë spekulime dhe dezinformata për numrin e të vdekurve. Qeveria, me përgjegjësi të plotë, konfirmon se numri i viktimave është 59. Çdo pretendim tjetër për 100 apo 120 të vdekur është i pavërtetë dhe i pabazuar. Informacione të tilla të rreme vetëm sa rrisin shqetësimin në opinion dhe u shkaktojnë dhimbje të mëtejshme familjeve të viktimave", theksojnë nga Qeveria.
Nga aty theksojnë se shifrat përcaktohen nga shërbimet zyrtare mjekësore dhe hetimore që punojnë në terren.
"Qeveria insiston në transparencë të plotë dhe opinioni do të informohet rregullisht për të gjitha detajet e reja që lidhen me hetimin. Apelojmë te mediat dhe qytetarët të mos bien pre e informacioneve të pakonfirmuara dhe të mos përhapin spekulime. Ky nuk është momenti për manipulime, por për unitet, respekt dhe përgjegjësi", theksojnë nga Qeveria.
Në zjarrin në diskotekën në Koçan humbën jetën 59 persona, ndërsa mbi 150 janë lënduar. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s