Kontrolli i kabareve, klubeve të natës dhe diskotekave: 22 me licencë, 15 me licenca të pavlefshme, disa aspak nuk kishin
- Në rreth 50 kontrolle të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) më 16 dhe 17 mars në territorin e shtetit në objekte hotelierike me licencë për kabare, klub nate, disko klube në ambient të hapur, është konstatuar se 22 kanë pasur licenca, 15 u kishte skaduar licenca dhe për disa nuk kishte asnjë të dhënë se kishin poseduar licencë.

Shkup, 18 mars 2025 (MIA) - Në rreth 50 kontrolle të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) më 16 dhe 17 mars në territorin e shtetit në objekte hotelierike me licencë për kabare, klub nate, disko klube në ambient të hapur, është konstatuar se 22 kanë pasur licenca, 15 u kishte skaduar licenca dhe për disa nuk kishte asnjë të dhënë se kishin poseduar licencë.
Duke pasur parasysh se këto objekte hotelierike nuk punojnë këto ditë për shkak të ditëve të zisë, ISHT i ka siguruar dokumentet e nevojshme për mbikëqyrje përmes kontakteve me personat përgjegjës.
Konkluzionet u prezantuan në seancën e Qeverisë dhe për to në konferencë për shtyp i bëri të ditur Marija Miteva, e cila tha se në mbarë vendin janë identifikuar 22 objekte hotelierike me licenca të vlefshme për kryerjen e veprimtarisë, ndërsa 15 kanë pasur licencë të skaduar.
Nga 13 objekte në Shkup, vetëm dy kishin licenca të vlefshme për kabare. Siç tha, tetë ishin të skaduar dhe tre nuk kishin aspak licencë.
ISHT sot në terren ka kontrolluar 22 objekte që kishin licenca të vlefshme, së bashku me institucionet e tjera kompetente, për të përcaktuar nëse plotësojnë kërkesat minimale teknike për marrjen e licencës dhe për këtë publiku do të informohet në vazhdim.
Për ato objekte që u kanë skaduar licencat ose nuk i kanë aspak, ISHT ka vendosur ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë deri në vendosjen e të gjitha dokumenteve të nevojshme dhe derisa të verifikohet nëse plotësojnë kërkesat minimale teknike.
Ajo theksoi se këto informacione kanë të bëjnë me kontrollet e ndërmarra deri më tani në këto ditë, se kontrollet do të vazhdojnë, dhe theksoi se pas tragjedisë në Koçan, "nuk ka situatë që ne si qeveri të mos e hetojmë dhe të veprojmë".
Foto: Arkivi i MIA-s/printskrin kanali jutjub i Qeverisë