UNAIDS: Gjithsej 40,8 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me HIV
- Sot, 40,8 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me HIV, ndërsa 1, 3 milionë infeksione të reja ndodhën në vitin 2024, kurse 9,2 milionë njerëz ende nuk kanë qasje në trajtim, publikoi agjencia e OKB-së për SIDA (UNAIDS) me rastin e Ditës Botërore të SIDA-s më 1 dhjetor.
Gjenevë, 1 dhjetor 2025 (MIA) - Sot, 40,8 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me HIV, ndërsa 1, 3 milionë infeksione të reja ndodhën në vitin 2024, kurse 9,2 milionë njerëz ende nuk kanë qasje në trajtim, publikoi agjencia e OKB-së për SIDA (UNAIDS) me rastin e Ditës Botërore të SIDA-s më 1 dhjetor.
Përgjigja globale ndaj HIV-it ka pësuar rënien më të madhe në dekada, paralajmëron raporti i fundit i UNAIDS-it i titulluar "Kapërcimi i përçarjeve, transformimi i përgjigjes ndaj HIV-it".
Agjencia e OKB-së i detajon pasojat e thella të financimit të reduktuar ndërkombëtar dhe mungesës së solidaritetit global, gjë që ka shkaktuar tronditje në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të goditura më rëndë nga HIV-i.
"Kriza me financimin e theksoi brishtësinë e përparimit për të cilin kemi luftuar kaq shumë", tha drejtoresha ekzekutive e UNAIDS, Vini Bjanima.
“Pas çdo pike të të dhënave në këtë raport qëndrojnë njerëz – foshnje dhe fëmijë që nuk përfshihen me testimin për HIV ose diagnozën e hershme, gra të reja që janë të përjashtuara nga mbështetja parandaluese dhe komunitete të lëna papritmas pa shërbime ose kujdes. Ne nuk mund t’i braktisim ata. Ne duhet ta kapërcejmë këtë përçarje dhe të transformojmë përgjigjen ndaj SIDA-s, tha ajo.
Sipas raportit, shërbimet parandaluese, të cilat ishin nën presion edhe para krizës, janë më të goditurat.
Heqja e programeve për parandalim të HIV-it të dizajnuara me dhe për gratë e reja i ka privuar adoleshentet dhe gratë e reja nga shërbimet për parandalim të HIV-it, shëndetit mendor dhe dhunës me bazë gjinore në shumë vende.
Kjo e rrit shtesë cenueshmërinë e tyre: që në vitin 2024, kishte 570 infeksione të reja me HIV çdo ditë midis grave dhe vajzave të reja të moshës 15 deri në 24 vjeç në të gjithë botën.
Organizatat e udhëhequra nga komuniteti – shtylla e reagimit ndaj HIV-it, të afta të arrijnë më të prekshmit – po raportojnë mbyllje të përhapura, me ç'rast më shumë se 60 për qind të organizatave të udhëhequra nga gratë kanë pezulluar programet e tyre kryesore.
Mosarritja e objektivave globale të Strategjisë Globale të SIDA-s për vitin 2030 mund të çojë në 3,3 milion infeksione të reja shtesë me HIV midis viteve 2025 dhe 2030.
Kriza me financimin ndodhi në një kontekst të përkeqësimit të të drejtave të njeriut në të gjithë botën, me pasoja veçanërisht të rënda për popullatat e margjinalizuara.
Që nga fillimi i vitit, numri i vendeve që kriminalizojnë marrëdhëniet seksuale të të njëjtës gjini dhe shprehjen e gjinisë është rritur për herë të parë që kur UNAIDS filloi të monitorojë ligjet penale në vitin 2008.
Kufizimet për shoqërinë civile - veçanërisht ato që punojnë me popullatat kyçe në të gjithë botën dhe gratë dhe vajzat e reja në Afrikën Subsahariane - po pengojnë shtesë qasjen thelbësore në shërbimet e HIV-it, kumtoi agjencia e OKB-së për SIDA-n në një raport gjithëpërfshirës.
UNAIDS u bëri thirrje liderëve botërorë të riafirmojnë solidaritetin global, multilateralizmin dhe angazhimin kolektiv për të luftuar së bashku kundër SIDA-s dhe zhdukjen e saj. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s