• петок, 05 декември 2025

Turqia arrestoi mbi 400 të dyshuar në serinë e operacioneve të mëdha kundër krimit kibernetik

Turqia arrestoi mbi 400 të dyshuar në serinë e operacioneve të mëdha kundër krimit kibernetik

Ankara, 26 nëntor 2025 (MIA) – Autoritetet turke arrestuan gjithsej 429 të dyshuar në serinë e operacioneve të mëdha për krim kibernetik të zbatuara gjatë 10 ditëve, publikoi ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja në profilin e tij në Iks. 

Në publikimin e Jerlikaja thuhet se 354 të dyshuar janë arrestuar në bastisje të zbatuara në 35 nga provincat në vend gjatë 10 ditëve të kaluara, përderisa edhe 75 persona janë arrestuar dje në mëngjes në operacionin e specializuar të zbatuar në Stamboll dhe 14 provinca të tjera në vend. 

“Gjatë operacioneve, agjencitë e zbatimit të ligjit sekuestruan 16 kompani, 13 shtëpi, 37 makina, tetë motoçikleta, 14 apartamente, shtatë dyqane, 13 parcela toke, 447 llogari bankare dhe një sasi të madhe bizhuterish dhe sendesh të tjera me vlerë, vlera totale e të cilave tejkalon afërsisht 1,05 miliardë lira turke (20,3 milionë euro)”, thuhet gjithashtu në njoftim.

Jerlikaja, gjithashtu, theksoi se operacionet parandaluan “dëm material dhe emocional” ndaj qytetarëve të shkaktuara nga krimi kibernetik, siç janë shpërndarje e pornografisë fëmijërore, mashtrime onllajn dhe promovim të bixhozit të jashtëligjshëm. 

Të dyshuarit akuzohen për posedim të materialeve me shfrytëzim seksual të fëmijëve dhe për organizimin e skemave mashtruese përmes rrjeteve sociale dhe ueb-faqe të ndryshme me reklama të rreme për rezervim të dhomave të hotelit, shitje të patundshmërive dhe ofrim të kredive me interes të ulët. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан