• петок, 05 декември 2025

Shtëpia e Bardhë: Afrika e Jugut po minon parimet e G20 duke mos ia dorëzuar presidencën SHBA-së

Shtëpia e Bardhë: Afrika e Jugut po minon parimet e G20 duke mos ia dorëzuar presidencën SHBA-së

Uashington, 23 nëntor 2025 (MIA) - Administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp, njoftoi mbrëmë se Afrika e Jugut po refuzon të lejojë një tranzicion të qetë të presidencës së Grupit të 20 ekonomive kryesore (G20), e cila ishte planifikuar t'u dorëzohej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

“Presidenti i Afrikës së Jugut,Siril Ramafosa, ka këmbëngulur në miratimin e një deklarate nga liderët e G20-ës mbi krizën klimatike dhe sfidat e tjera globale, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme dhe të forta nga SHBA-ja”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Ana Keli. 

Ajo shtoi se Trampi mezi pret “rivendosjen e legjitimitetit të G20 në vitin 2026, kur Shtetet e Bashkuara të marrin presidencën”.

Zëdhënësi i presidentit të Afrikës së Jugut, Siril Ramafosa, tha dje se presidenca e G20 nuk do t'i dorëzohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të bojkotit të Samitit në Afrikën e Jugut, që do të thotë se nuk po merr pjesë në diskutime.

Liderët e vendeve anëtare të G20 e thyen traditën dje duke miratuar një deklaratë në fillim të Samitit. Deklaratat zakonisht miratohen në fund të samiteve.

Me deklaratën bëhet thirrje për një paqe "të drejtë dhe të qëndrueshme" në Ukrainë, Sudan, Republikën Demokratike të Kongos dhe territoret e pushtuara palestineze, si dhe për mbrojtjen e rezervave strategjike minerale dhe ndërmarrjen e veprimeve kundër ndryshimeve klimatike. Deklarata u miratua pavarësisht kundërshtimit nga SHBA-ja.

-"Të udhëhequr nga qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, ne do të punojmë për një paqe të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Sudan, Republikën Demokratike të Kongos, territoret e pushtuara palestineze, Ukrainë dhe për t'i dhënë fund konflikteve dhe luftërave të tjera në të gjithë botën", theksohet në deklaratën. 

Në dokumentin theksohet gjithashtu se G20 do të avokojë për mbrojtje më të mirë të rezervave të mineraleve strategjike, të cilat janë thelbësore për tranzicionin energjetik, duke pasur parasysh trazirat gjeopolitike dhe tregtare.

Trampi e akuzon Afrikën e Jugut për diskriminim ndaj pakicës së bardhë. Johanesburgu i mohon akuzat e Trampit, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut i kanë konsideruar ato të pabazuara.

Samiti i ardhshëm i G20 ishte planifikuar të mbahej në Miami.

G20 përfshin 19 vende, si dhe Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Afrikan. Takimi në Johanesburg është Samiti i parë i G20 që mbahet në Afrikë. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

Остани поврзан